Guximi për ta pranuar vetveten

Nga Piet Van Breemen

 

Njëra ndër parimet themelore të teologjisë është që feja apo Shkrimi i shenjtë të jap përgjigje në pyetjet më të thella të zemrës së njeriut. Fesë i intereson jeta, jeta ime. Ajo është si një fotografi rëntgeni e jetës së njeriut. Ajo më ndihmon të jetojë më mirë, të jam më shumë njeri, të jam më i plotësuar. Të besosh do të thotë të zbulosh se ekziston një unitet i vetëm: Zoti është Themeli i ekzistencës sime.

 

Pyetje

Njëra nga nevojat më themelore të zemrës së njeriut është nevoja e të qenit i pranuar. Çdo njeri ka dëshirë të vlerësohet prej të tjerëve. Kjo nuk do të thotë se çdonjëri dëshiron të dëgjojë prej të tjerëve se sa është i vlefshëm. Pa dyshim, edhe kjo prirje e njeriut ekziston, por nuk është ajo themelorja. Mund të themi se çdo njeri do me qenë i dashur, porse edhe kjo ka disa kuptime. Ka aq lloje të dashurisë sa ka lloje të luleve. Për disa njerëz, dashuria është njëlloj pasioni, për disa tjerë diçka romantike, e për disa të tjerë diçka krejtësisht seksuale. Por ekziston edhe një dashuri më e thellë, dashuria e pranimit. Çdo qenie njerëzore gjakon për të qenë i pranuar, i pranuar ashtu si është. Asgjë nuk ka efekt më jetëgjatë dhe më fatal në jetën e njeriut se sa përvoja e të qenit i papranuar plotësisht. Nëse nuk jam i pranuar, thyhet diçka në mua. Fëmija i padashur pëson dëmtime që në fillim të jetës. Një nxënës që nuk e ndien se mësuesi e ka pranuar, ai nuk do të mësojë. Njeriu që nuk e ndjenë se kolegët e tij të punës e kanë pranuar, do të ketë ngërçe lukthi, kurse në shtëpi do të tregohet i mërzitshëm. Shumë histori të të burgosurve tregojnë se në çaste të caktuara të jetës së tyre kanë bërë gabime, sepse s’kanë pasur askënd që t’i pranojë. Po ashtu edhe një rregulltar/e mund të jetë i/e palumtur, nëse nuk e ndien se bashkësia e ka pranuar. Një jetë pa qenë i pranuar, është jetë në të cilën mbetet e paplotësuar nevoja më themelore e njeriut.

Të jesh i pranuar në jetë do të thotë se njerëzit me të cilët jetoj më japin ndjenjën e besueshmërisë, më dhurojnë ndjenjën se jam i vlefshëm në vetën time. Ata janë të lumtur për faktin se jam i tillë çfarë jam. Të jesh i pranuar do të thotë se unë guxoj të jam ai/ajo që jam. Kjo do të thotë se më jepet mundësia për t’u rritur dhe asgjë nuk do të më bëjë trysni apo të më detyroj: nuk duhet të jam një person që nuk jam, e as i kushtëzuar nga e kaluara apo e tashmja ime. Të qenit i pranuar më jepet mundësi të rritem e t’i tejkaloj gabimet nga e kaluara ime. Në njëfarë mënyre, mund të thuhet se të qenët i pranuar është çlirim. Secili prej nesh lind me mundësi të ndryshme. Porse, nëse tjerët nuk i nxjerrin ato mundësi me një pranim të sinqertë ato nuk mund të zhvillohen. Me pranim çlirohet gjithçka që është në mua. Vetëm kur jam i dashur në mënyrën e thellë të të qenit i pranuar plotësisht, mund të jam vetvetja. Dashuria, pranimi nga të tjerët, më bën person të veçantë që duhet të arrij të bëhem. Nëse një person vlerësohet për atë që e bën, ai nuk është i pazëvendësueshëm: edhe tjerët mund të bëjnë të njëjtën gjë, ndoshta edhe më mirë. Por kur njeriu duhet për atë që është, atëherë ai/ajo është i/e pazëvendësueshëm. Në këtë mënyrë duhet të jam i/e pranuar që të mund të jam ai që jam. Kur nuk pranohem, nuk jam askush, nuk mund ta plotësoj vetën. Është i lumtur ai person që është i pranuar, sepse ka filluar të jetojë dhe mund të rritet.

Të pranosh një person nuk do të thotë se i harron mangësitë e tija apo i tejkalon ato. Pranimi nuk do të thotë se gjithçka që një person bën është e mirë dhe e bukur. E vërteta është e kundërta kësaj: kur i mohoj të metat për një person, pikërisht atëherë nuk e pranoj – pasi nuk kam hyrë në thellësi të këtij personi. Vetëm kur e pranoj një person mund të ballafaqohem me mangësitë e tija.

Të themi të njëjtën në formën negative: pranimi nënkupton që asnjë personi asnjëherë të mos ia bëj me dije që nuk vlen asgjë. Të mos i pranosh të gjitha te një person është e njëjtëvlefshme me t’ia vrasësh produktivitetin. Ai person nuk mund të bëjë asgjë. Thuhet se fëmijët e prekur prej rakitizmit e gërryejnë gëlqeren nga muri. Njerëzit që nuk janë të pranuar e gërryejnë pranimin nga muri. Cilat janë simptomat?

Mburrja/lavdërimi: fshehtas apo haptas e grabisin të qenit i pranuar që me aq pasion e duan.

Ngurtësia: mungesa e pranimit ka brenda mungesën e sigurisë për jetën. Njerëz të këtillë nuk kanë guxim të marrin edhe një hap më tej për jetën e tyre.

Ndjenja e vlerës të ulët: thjesht e tregon atë për të cilën po flasim.

Vetëkënaqësia apo ndonjë kënaqësi tjetër sipërfaqësore: thellë në atë person mungon aq shumë sa që kërkon të gjejë nga e sipërfaqja e jetës atë që mund të marr pa ndonjë sforcim.

Dëshira e vlerësimit: është një fuqi e tepërt për ta imponuar veten, një kërkesë e tepruar për vëmendje, prirja për t’u ndjerë i kërcënuar, ekzagjerime, thashetheme të këqija për tjerët, dyshime për të tjerët; këto janë simptomat e mungesës së pranimit.

Në të vërtetë, personi i ekuilibruar, nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Erik Erikson shkruan në librin e tij “Luteri i ri”:

“Në këtë marrëdhënie të parë njeriu mëson diçka që, shumica derisa jetojnë dhe janë të shëndosh, e marrin si diçka të vetëkuptueshme. Të vetmit janë psikiatrit, meshtarët dhe filozofët e lindur, që e dinë se sa e dhimbshme është kur kjo “diçka” na mundon. ‘Besueshmëri bazike’ e kam quajtur këtë thesar të hershëm. Ky është një hap psiko-social dhe themel për gjithçka. Besimi i ndërsjellë themelor është ai ‘optimizëm’ burimor, ai pranim që ‘dikush është i pranishëm’, pa të cilin nuk mund të jetojmë. Nëse kjo besueshmëri nuk mund të zhvillohet në fëmijërinë e hershme, për shkak të ndonjë defekti të fëmijës apo të kushteve të nënës, fëmijët do të vdesin shpirtërisht. Ata nuk reagojnë dhe nuk mësojnë, ata nuk marrin ushqimin, janë të ligshtë ndaj shkaktarëve të sëmundjeve dhe në këtë mënyrë shpesh vdes fizikisht dhe mentalisht.”

 

Përgjigje

Jam i pranuar nga Zoti si jam, pikërisht ashtu siç jam, e jo ashtu si do të duhej të jam. Të përfaqësosh këtë të dytën, do të ishte një bisedë boshe, sepse unë asnjëherë dhe kurrë nuk jam ai që duhet të jam. E di, në fakt, se nuk jam në rrugën e vërtetë. Ka shumë lakesa, ka shumë vendime të gabuara, të cilat gjatë historisë së jetës sime më kanë pru në këtë gjendje që jam tani, kurse Shkrimi i shenjtë thotë: “Vendi në të cilën qëndron është tokë e shenjtë” (Dal 3, 5). Zoti më njeh me emër: “Shih, të kam shkruar në duart e mia” (Is 49, 16). Zoti, asnjëherë nuk mund t’i shikojë duart e veta e mos sheh të shkruar në to emrin tim. Emri im – jam unë. Zoti vet më siguron se mund të jam vetvetja. Shën Augustini thotë: “Mik është ai që di gjithçka për ty e megjithatë të pranon.” Të gjithë ne e kemi të njëjtën ëndërr: që një ditë ta takojmë njeriun, të cilit do të mund t’i besoj vërtetë, i cili do të kuptoj fjalët e mia dhe veten time, i cili mund të më dëgjoj, për më tepër të dëgjojë të pashprehurën në mua, – vetëm atëherë ai mund të më pranoj. Zoti është plotësimi i kësaj ëndrre. Ai më do me të gjitha idealet dhe zhgënjimet e mia, vuajtjet dhe gëzimet e mia, sukseset dhe mossukseset e mia. Vetë Zoti është themeli i qenies sime. Ka një dallim të madh ndërmjet të jesh i pranuar dhe ta realizosh atë. Nuk mjafton të jesh i prekur vetëm njëherë nga dashuria e Zotit. Nëse dua që jetën time ta ndërtoj në dashurinë e Zotit, kërkohet shumë më tepër. Lypset kohë e gjatë për të besuar se Zoti më pranon ashtu siç jam.

Sa herë na është thënë se është e rëndësishme ta duam Zotin. Kjo është e vërtetë, por shumë më e rëndësishme është që Zoti na do ne! Dashuria jonë ndaj Tij është dytësore. Parësi ka dashuria e Zotit ndaj nesh: “Dashuria përmbahet në këtë: jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.” (1 Gjn 4, 10). Ky është themeli. Karl Rahner kishte hetuar se ne po jetojmë në një kohë kur tregohet shumë interesim për politikën e kishës (p.sh., pilula, reforma e kuries, celibati i meshtarëve). Kjo mund të jetë një shenjë e fesë, por mund të jetë edhe shenjë e mungesës së saj. Themeli i fesë është të kuptoj se Zoti më pranon: “Dhe ne e njohëm dashurinë që Hyji ka kundrejt nesh dhe i besuam asaj.” (1 Gjn 4, 16). Ky është thelbi i fesë sonë “dashuria e Zotit ndaj nesh”. Besojma apostolike nuk është asgjë tjetër pos shprehje e dymbëdhjetëfishtë e fesë në dashurinë e Zotit ndaj nesh.

Në natën para vdekjes së tij Jezusi e luste Atin: “që të jenë plotësisht një, që bota ta dijë se ti më dërgove dhe se i deshe ata sikurse më deshe mua… që dashuria me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta – dhe unë në ta.” (Gjn 17, 23. 26). Kjo tingëllon e pabesueshme që Zoti na do neve aq sa Birin e vet Jezu Krishtin. Këtë e thotë vetë Shkrimi i shenjtë.

Ne jemi njerëz në ndarë në shumë pikëpamje:

  1. Në kohë. Për neve, një minutë ndjek dhe vjen pas tjetrit, dhe koha e jonë i ngjan vërshimeve. Te Zoti nuk është kështu. Zoti jeton një të tashme të amshueshme. Te ai nuk ka kurrfarë ndarjesh. Amshimi do të thotë se e tërë koha përmblidhet në një çast që zgjat për amshim.
  2. Në hapësirë. Ne i kemi disa përmasa kufiri, kurse Zoti nuk i ka. Ai në vetvete është plotësisht i njëjtësuar.
  3. Në dashuri. Ne jemi të ndarë në dashurinë tonë. Një person e duam fuqishëm (90%) apo mesatarisht (50%) apo shumë pak (20%). Zoti nuk e mat dashurinë. Ai nuk di ndryshe pos të duaj plotësisht – 100 %. Nëse e mendojmë Zotin që mund ta ndajë dashurinë, ne nuk jemi t’u mendua për Zotin, por për vetën tonë. Zoti është përsosmërisht një, njësi e përkryer. Ne e kemidashurinë kurse Zoti është Dashuria e tij nuk është veprim, por ajo është tërësia e qenies së tij. Nëse diç prej kësaj do të kuptojmë, do të arrijmë të kapim pse është e pamundur që Zoti ka mund t’i jap Birit të vet 100% dashuri e mua 70%. Ai nuk do të ishte Zot, po ta bënte një gjë të këtillë. Leximet e dialogëve të Shën Katarinës së Sienës na japin përshtypjen se Ai nuk ka punë tjera përveçse të merret me Katarinën. Kjo është e vërtetë. Kujdesi i pandashëm i Zotit është krejt për të e për çdonjërin prej nesh.

Tillich e definon fenë si “guxim me e pranua se jemi të pranuar/pranimin tonë”, me të cilën autori ka menduar pranimin prej Zotit. Ndoshta mendojmë se një fe e këtillë nuk kërkon ndonjë guxim të madh, përkundrazi kjo tingëllon e këndshme dhe e lehtë. Për një fe të këtillë kërkohet të kemi guxim, sepse pikërisht kjo shpesh na mungon. Pse njeriu ka nevojë për guxim për të pranuar se është i pranuar?

E para: Kur na ndodhin gjëra që na dëshpërojnë, zakonisht pyesim: si mund të lejojë Zoti një gjë të tillë? Fillojmë të dyshojmë në dashurinë e Zotit. Kemi nevojë të kemi guxim për të besuar që Zoti na pranon çfarëdo që na ndodh. Një akt i këtillë i fesë e tejkalon përvojën time personale. Feja është pra interpretimi i jetës të cilën e pranojë.

E dyta: Dashuria e Zotit është e pakufishme. Asnjëherë nuk do të arrijmë ta kuptojmë, ta përshkojmë thellësinë e saj. Aq më pak mund ta kontrollojmë atë. Të vetmen gjë që mund të bëjmë është të hidhemi në thellësinë e saj të pakufi. I kthyer në krishterim, suedezi Sen Stolpe thotë se të besosh do të thotë të ngjitësh nëpër shkallë të larta e kur të arrish majën e dëgjon një zë: hidhu sepse unë do të pranoj! Ai që hidhet, ai është njeri i fesë. Për me u hedh lypet guximi.

Ekziston edhe arsyeja e tretë më delikate, por jo më pak reale: Relativisht është lehtë të besojmë në dashurinë e Zotit në përgjithësi, por shumë më e vështirë është të besosh në dashurinë e Zotit në raport me mua personalisht. Pse? Pak njerëz gjejmë që vërtetë e pranojnë vetveten dhe të qenit i pranuar. Rrallë takojmë njerëz që janë në rregull me pyetjen “pse unë”? Pranimi i vetvetes nuk mund të bazohet kurrë në unin tim, në cilësitë e mia. Një bazë e tillë do të rrënohej. Pranimi i vetvetes është akt i fesë. Kur Zoti më do, duhet edhe unë ta pranoj vetveten. Nuk mund të kërkoj prej vetes sime më shumë se sa Zoti kërkon prej meje. Apo jo?/drita.info

(Pjesë nga libri: Piet Van Breemen, As bread that is broken, Dimension Books, Inc., Denville, New Jersey, 1974, f. 9-15. Përktheu: Don Fatmir Koliqi)

Shpëndaje: