Juda dhe tundimi i dëshpërimit: një reflektim për të Premten e Madhe

Nga Albert Bikaj

 

Teksa i afrohemi fundit të Javës së Madhe, dëshiroj të ndaj disa reflektime mbi të Premten e Madhe, duke u përqendruar posaçërisht te Juda dhe fenomeni i errët i dëshpërimit që çon në vetëvrasje. Kohët e fundit, vërehet njëfarë tendence të relativizojnë, në mos të rehabilitojnë, vetëvrasjen e Judës – por dhe vetëvrasjen në përgjithësi. Pre e këtij trendi kanë rënë edhe teologë të caktuar, si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen.

Për analizën konçize të kësaj çështjeje, e shoh të nevojshme të them dhe të sqaroj disa fjalë për natyrën e mëkatit, shpresës dhe mëshirës.

Në epokën tonë të sekularizuar, këto koncepte mund të duken të vjetruara, madje shpesh për shumë njerëz të pa kuptimta. Prandaj, duhet të fillojmë duke shqyrtuar vetë përkufizimin e konceptit ndoshta më të keqkuptuar sot: mëkatit.

Sipas Përmbledhjes së Katekizmit të Kishës Katolike, mëkati përkufizohet si akt i vetëdijshëm dhe i qëllimshëm që e ndan njeriun nga Zoti.[1] Pra, në thelb, mëkati është formë sui generis e apostazisë – mohim i Zotit.

Duke kuptuar dhimbjen e dëshpërimit dhe natyrën tonë të brishtë njerëzore, është e natyrshme të ndiejmë njëfarë dhembshurie. Në çaste të caktuara të jetës, të gjithë mund ta kemi ndier veten pak a shumë si Juda, dhe është e natyrshme se të gjithë shpresojmë mëshirën e Zotit. Por a mund të pajtohemi me rehabilitimin e veprimeve të tij? Çfarë ndikimi do të kishte kjo mbi besimtarët? A do ta zbehte besimin – apo, edhe më keq, do të çonte në ide të që shtrembërojnë doktrinën kristiane, pra në herezi?

Historia e Judës është e njohur thuajse për këdo: siç na rrëfejnë ungjilltarët ai e tradhtoi Krishtin për tridhjetë sikla argjendi, mbas aktit i dha Atij puthjen e tradhtisë, dhe më pas, kur kuptoi se çfarë kishte bërë, ra në dëshpërim dhe kreu vetëvrasje.

Jo pa të drejtë, emri i tij është shndërruar në sinonim të tradhtisë.

Megjithatë, siç shkruan Papa Benedikti XVI në veprën e tij madhore Jezusi i Nazaretit dhe në vepra të tjera, mëkati më i madh i Judës nuk ishte vetë tradhtia, por rënia në dëshpërim. Kjo pasi dëshpërimi është refuzimi kokëfortë për të pranuar dhe parë dritën e shpresës, faljes dhe Krishtit. Për këtë arsye Juda zgjodhi një rrugë tjetër: vetëvrasjen.

Vlen të përmendet fakti se Benedikti XVI në shtjellimet e tij teologjike nuk e paraqet Judën si njeri tërësisht të lig apo të errët, por e përshkruan si “lajkatues që përkulet përpara fuqisë anonime të tekave të luhatshme dhe trendeve të çastit.”[2]

Kjo pikëpamje është thelbësore dhe nuk duhet anashkaluar.

Në kontrast me Judën, kemi apostullin tjetër, Simon Pjetrin, i cili jo vetëm që u pendua, por me lot e pranoi dobësinë e tij. Shën Pjetri besoi dhe shpresoi në falje, pavarësisht mëkatit të tij të rëndë – mohimit të vetvetes dhe Krishtit. Madje thënia e Benedikti XVI në enciklikën e tij të famshme Spe Salvi mbase e përshkruan më së miri botëkuptimin e shpresës së krishterë: “Ai që shpreson, jeton ndryshe; ai që shpreson, i është dhuruar një jetë e re.”[3]

Kjo e vërtetë themelore nuk duhet harruar kurrë. Besimi në Krishtin, edhe përmes barrës së dhimbjes, na jep shpresë për falje dhe shpëtim. Të vuash por gjithmonë duke ruajtur shpresën është pikërisht ajo që na karakterizon si të krishterë.

Sipas dy teologëve të mëdhenj modern, Papa Benediktit XVI dhe Shën Gjon Palit II, vuajtja është rruga drejt konvertimit të vërtetë.[4] Për këtë arsye, pavarësisht kritikave laike, është e kuptueshme pse Kisha tradicionalisht e ka konsideruar vetëvrasjen si mëkat të rëndë dhe vazhdon ta konsiderojë si të tillë.

Për ta kuptuar si duhet peshën e vërtetë të aktit në fjalë do përdor si ilustrim pikëpamjen e filozofit të madh anglez G.K. Chesterton, i njohur ndryshe si “Apostulli i arsyes së shëndoshë”. Sipas të cilit, parafrazoj: jo vetëm që vetëvrasja është mëkat, por është vetë mëkati. Është refuzimi i interesimit për të ekzistuar, është mohim i betimit për t’i qëndruar besnik jetës. Është akt egoist, sepse ai që vret veten, vret në njëfarë mënyre gjithë njerëzimin – për të, bota mbaron me vetveten. Vetëvrasja është dezertim. Martiri i përkushtohet aq shumë diçkaje jashtë vetes, sa që harron shpëtimin e vet. Martiri vdes për diçka; vetëvrasësi vdes kot. [5]

I tillë është edhe rasti i Judës dhe Shën Pjetrit apostull. Ky dallim thelbësor është një tjetër arsye pse shfajësimi i veprimit të Judës është i rrezikshëm në teologjinë bashkëkohore. Pavarësisht nga çfarë mund të pohojnë disa teologë, Bibla është e qartë: “Mos vra!”

Duke thënë këtë, nuk jam duke dënuar askënd – tekefundit kush jam unë për ta bërë këtë? Përkundrazi, po afirmoj rrugën e drejtbesimit, e cila është gjithmonë më e sigurta për t’u ndjekur. Domethënë, shmangia e mëkatit të shpresës së tepruar – të besuarit në shëlbim pa pendesë dhe pa kthim të vërtetë.

Ndonëse duhet kujtuar se Kisha e ka parasysh se vuajtja psikologjike mund ta zvogëlojë fajin personal, ajo megjithatë e ruan rëndësinë e vetëvrasjes si fyerje morale ndaj dhuratës së jetës. Të kalosh nëpër errësirë është padyshim e vështirë, por duke e shfajësuar vetëvrasjen e Judës në emër të mëshirës, rrezikojmë të shkatërrojmë vetë thelbin e krishterimit. Një qëndrim i tillë, në fund të fundit, e shpërfytyron kuptimin e vërtetë të mëshirës. Kjo është pikërisht çështja me interpretimet postmoderne të mëshirës, të cilat shpesh e përkufizojnë atë si një akt të pavarur nga besimi dhe shpresa, që u drejtohet vetëm sentimenteve të këndshme dhe ndjenjës së “mirësisë”. Por pa shpresë, nuk mund të presësh mëshirë.

Në botëkuptimin e krishterë, humbja e shpresës është thuajse e barasvlershme me humbjen e besimit; pasi të humbësh shpresën do të thotë të refuzosh Krishtin si Shpëtimtar, të mohosh Kryqin e Tij dhe t’ia kthesh shpinën dritës së lavdishme të Ngjalljes së Tij!

Pikërisht për këtë arsye, mirësia e vërtetë gjendet vetëm në të Vërtetën. Ndërsa hiri dhe shpëtimi i Zotit mbeten mistere, ne e dimë rrugën që të çon në Qiell. Ta ndjekim atë dhe ta shpallim me guxim, duke mos u mbështetur në vetveten, por në mëshirën e Krishtit të Ngjallur./drita.info

 

———————————-

Referenca 

[1] Mëkati është “fjalë, vepër ose dëshirë që bie ndesh me Ligjin e përjetshëm” (Shën Augustini). Mëkati është fyerje ndaj Hyjit, mosbindje ndaj dashurisë së Tij. Mëkati e plagos natyrën njerëzore dhe dëmton solidaritetin njerëzor. Krishti, në mundimet e Tij, e zbuloi plotësisht rëndësinë e mëkatit dhe e mposhti atë me mëshirën e Tij.” – Compendium of the Catechism of the Catholic Church, 392.

[2] Joseph Ratzinger, “The Mystery of Betrayal,” Jesus of Nazareth: Holy Week: From the Entrance Into Jerusalem to the Resurrection (Ignatius Press, 2011); Co-Workers of the Truth: Meditations for Every Day of the Year (Ignatius Press, 1992), 359.

[3] Pope Benedict XVI, Spe Salvi – Saved in Hope (Vatican, 2007), 2.

[4] Pope John Paul II, Salvifici Doloris – On the Christian Meaning of Human Suffering (1984), 12.

[5] G. K. Chesterton, Orthodoxy (1908)

Shpëndaje: