Pashkët – udhëtim i rilindjes së brendshme nga perspektiva shpirtërore dhe psikologjike

Nga m.Franciska (Suzana ) Lekaj

 

Në traditën e krishterë, Pashkët janë një nga festat më të rëndësishme, ku kremtohet Ringjallja e Jezus Krishtit pas vuajtjeve dhe kryqëzimit. Kjo ngjarje përfaqëson triumfin e jetës mbi vdekjen, të mirës mbi të keqen dhe të shpresës mbi dëshpërimin. Megjithatë, përtej kuptimit të saj fetar, Pashkët mbartin një mesazh universal dhe të thellë. Ato janë një simbol i fuqishëm i rilindjes shpirtërore dhe psikologjike, një thirrje për transformim të brendshëm dhe për një jetë të rinovuar pas krizave dhe vuajtjeve.

Përmes kësaj ngjarjeje, individët mund të gjejnë një mundësi për t’u rilindur, për të shëruar plagët e shpirtit dhe për të arritur një nivel të ri të vetëdijes dhe paqes së brendshme. Ringjallja, si simbol i rilindjes së brendshme, ka një domethënie të thellë, si në aspektin fetar, shpirtëror, ashtu edhe në atë psikologjik.

Nëse e shohim nga perspektiva psikologjike, ringjallja mund të kuptohet si një proces i transformimit të brendshëm që përfshin reflektimin, vetëdijesimin, shërimin e plagëve të thella emocionale dhe mendore, “vdekjen” e egos së vjetër, si dhe heqjen dorë nga modelet e vjetra të mendimit dhe sjelljes. Ky proces çon në rikthimin në jetë me më shumë kuptim, me forcë të brendshme dhe me paqe. Siç ka theksuar Carl Jung, përballja me “hijen” e brendshme – me aspektet e pavetëdijshme të vetes është një hap i domosdoshëm drejt një niveli më të lartë të zhvillimit personal.

Në këtë kuptim, Ringjallja përfaqëson shkrimin e një historie të re. Individët përballen me të kaluarën, por nuk lejojnë që ajo të përcaktojë të ardhmen. Ky është një proces shpesh i dhimbshëm dhe i vështirë, i shoqëruar me vuajtje, por njëkohësisht një udhëtim që sjell rikthimin e forcës, energjisë dhe qëllimit të jetës.

Pashkët mund të përjetohen si një kohë për të pranuar natyrën e paqëndrueshme të jetës dhe për të kuptuar se çdo moment i vështirë mund të shndërrohet në një mundësi për rilindje dhe rritje personale. Në këtë mënyrë, Pashkët nuk janë thjesht një festë, por një mundësi për të reflektuar mbi jetën tonë shpirtërore dhe për të gjetur sërish rrugën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me Zotin dhe me të tjerët.

Kjo është një kohë për të ripërtërirë angazhimet shpirtërore përmes lutjes, meditimit dhe faljes. Gjithashtu, është një mundësi për të pastruar mendjen dhe shpirtin nga streset dhe ngarkesat emocionale të jetës së përditshme, është një kohë reflektimi dhe vetëpërmirësimi të sinqertë.

Psikologjia moderne e sheh ringjalljen jo vetëm si një simbol fetar, por si një mundësi për të rigjetur forcën e brendshme pas periudhave të errëta. Një individ mund të përjetojë humbje, tronditje dhe kriza ekzistenciale, por Pashkët na kujtojnë se gjithmonë ka mundësi për të nisur nga e para, për të ringjallur shpresat dhe për të rindërtuar qëllimet dhe ëndrrat tona.

Ky proces i ringjalljes psikologjike dhe shpirtërore është një rrugëtim drejt rikthimit të vetëbesimit dhe rindërtimit të kuptimit të jetës. Ai ndihmon në forcimin e shëndetit mendor, emocional dhe shpirtëror. Në një botë ku shpesh përballemi me pasiguri, ankth dhe izolim, mesazhi i Pashkëve vjen si një kujtesë e qartë se ndryshimi është i mundur dhe se fuqia për transformim gjendet brenda nesh.

Aspekti shpirtëror dhe psikologjik i Pashkëve na mëson të besojmë në fuqinë e rinovimit dhe të rikthimit. Ai na kujton se, pavarësisht sfidave që sjell jeta, gjithmonë ekziston mundësia për ndryshim. Pas çdo periudhe dhimbjeje apo humbjeje, ekziston mundësia për të kaluar në një fazë më të ndritur dhe të mbushur me shpresë. Ata që jetojnë me këtë frymë të ringjalljes janë më të aftë të përballojnë vështirësitë me durim dhe guxim, duke pasur besim se çdo periudhë e vështirë do të kalojë dhe se gjithmonë ka mundësi për një fillim të ri.

Prandaj, Pashkët dhe Ringjallja nuk duhen parë vetëm si një festë fetare, por si një ftesë e fuqishme për transformim të brendshëm. Edhe pse ky është një proces i vështirë, shpesh i dhimbshëm, ai është thellësisht i nevojshëm për rritje personale dhe për ecje përpara në jetë. Sigurisht që kjo ecje kërkon besim, guxim dhe angazhim të thellë, por mundëson shndërrimin e dhimbjes dhe humbjes në mundësi për të krijuar diçka të re dhe të mirë.

E gjithë kjo na kujton se gjithmonë ka shpresë për një fillim të ri edhe pas errësirës më të thellë. Pashkët janë, në thelb, një rikujtim se jeta është një cikël i vazhdueshëm i rënieve dhe ngritjeve, ku çdo fund është një mundësi për një fillim të ri, më të vetëdijshëm, më të qëllimshëm dhe më të ndriçuar.

Transformimi i brendshëm nuk është i rezervuar vetëm për besimtarët e krishterë. Ai është një mundësi universale për çdo individ që kërkon të jetojë një jetë me më shumë kuptim, dashuri dhe shpresë. Rilindja e shpirtit është një e drejtë dhe një mundësi për çdo njeri, pavarësisht bindjeve apo historisë së tij personale.

Pra, Ringjallja, si simbol i fuqishëm i rinovimit, na tregon se pas çdo periudhe të errët dhe të vështirë, ekziston një e ardhme më e ndriçuar dhe më e plotë. Përmes Pashkëve, ne mund të përjetojmë një rilindje të shpirtit dhe të mendjes, duke lënë pas sfidat e së kaluarës dhe duke nisur një rrugëtim të ri të mbushur me mundësi, dritë dhe jetë të re./drita.info

 

—————————-

Referenca

M. Scott Peck, The Road Less Traveled. Simon & Schuster, USA, 1978

Carl Jung, The Archetypes and the Collective Unconscious. Routledge, United Kingdom, 1968

Eckhart Tolle, The Power of Now. Hodder & Stoughton, United Kingdom, 1997

Shpëndaje: