Thirrja dhe dërgimi

Nga Mihály Szentmártony

 

Kur i riu arrin në udhëkryq, për sa i përket zgjedhjes së thirrjes, ai në fakt qëndron para vendimit. Por ai vendim, siç e kemi parë gjatë paraqitjes së teorive të ndryshme mbi zgjedhjen e thirrjes, nuk është fryt i një momenti, por rezultat i një procesi zhvillimor, i cili përbëhet prej një serie vendimesh të vogla. Dhe pikërisht këtu ka rol të rëndësishëm vizioni i krishterë mbi botën, jetën dhe njeriun, atë që rëndom e quajmë botëkuptimi i krishterë i botës. Jeta ka kuptim vetëm atëherë nëse jetohet në perspektivën e të vërtetave absolute.

Papa Gjon Pali II, me rastin e vitit ndërkombëtar të të rinjve, u ka drejtuar një letër apostolike të rinjve të botës. Në pikën 9 të letrës së vet Ati i Shenjtë reflekton mbi pyetjen e zgjedhjes së thirrjes e të rinjve pikërisht në këto perspektiva të gjera. “Çka duhet të bëj?” – pyesin edhe të rinjtë e sotëm sikur ai djaloshi i ungjillit, i cili të njëjtën pyetje ia pati bërë Jezusit. Të gjithë të rinjtë e planifikojnë të ardhmen e tyre. Përpara kësaj, ata duhet ta kenë parasysh të vërtetën themelore mbi njeriun, do të thotë se jemi krijesa, kurse në saje të Krishtit bijtë e Hyjit. Prandaj, të rinjtë këtë pyetje, para së gjithash, ia drejtojnë vet Krijuesit. Është Hyji ai që ka një plan me çdo njeri. Do të thotë, Hyji nuk e ka krijuar askënd vetëm ashtu rastësisht, por personalisht prej dashurisë. Të gjesh dërgimin tënd në jetë do të thotë të gjesh planin e Hyjit për veten. Kur kjo zbulohet, krejt jeta dhe çdo profesion bëhen dërgim/mision i mrekullueshëm. Do të mundohem këtë mendim ta shkoqis në pjesë përbërëse. Duket se mund t’i vërejmë këto momente.

1. Të jesh njeri – kjo është thirrje dhe dërgim. Rrallëherë, ndoshta asnjëherë nuk mendojmë se nuk ekzistojmë domosdoshmërisht, do të thotë se bota do të mund ishte edhe pa ne. Në qoftë se njeriu mendon mbi dimensionet e frikshme të universit, mbi pallogaritshmërinë e ligjeve gjenetike, duhet të përfshihet prej entuziazmit të shenjtë për vetë faktin se ekziston. Unë X. Y., i cili kam emrin dhe mbiemrin tim, që jam aq i ngjashëm me çdo njeri, e megjithatë aq i veçantë sa që s’ka tjetër si unë krejtësisht identik dhe as që do të ketë ndonjëherë, unë ekzistoj. Mirëpo, ky vetëdijesim i ekzistencë personale është zbulimi më tronditës se nuk ekzistojmë rastësisht, por jemi fryt i dashurisë personale të Hyjit që ka për ne. Ai më ke thirr me emër, siç e thotë bukur Shkrimi Shenjt: Ai ka dashur që të jem, tani, këtu dhe i këtillë. Kjo vetëdije është themel i programit jetësor të krishterë: të jesh njeri në vetvete është thirrje dhe dërgim i madh. Ose në formë të pyetjes: Pse jam i krijuar? Sa keq që kemi harruar pyetjen e parë të Katekizmit të vogël!

2. Të jesh i krishterë – është thirrje dhe dërgim. I krishteri nuk është vullnetar i Hyjit! Askush nuk mund të bëhet besimtar nga hobi. I krishteri është ai të cilin Krishti e ka tërhequr te vetja, ose me fjalët e Shën Pjetrit: ai të cilin Hyji e ka zgjedhur prej amshimi që të jetë dëshmitar i Birit të tij të ringjallur (khs. Vap 10, 40-41). Do të thotë se edhe këtu bëhet fjalë për thirrjen dhe dërgimin. Dhe pikërisht kjo është themeli i dytë i dërgimit të jetës së të krishterit: se jeta e tij është dhuratë dhe detyrë. Dhe përsëri në formë të pyetjes: Çka është ajo më shumë në jetën tonë që lind nga vetëdija, që si të krishterë i përkasim Krishtit? Koncili II i Vatikanit e ka zgjeruar konceptin e thirrjes – u bënte me dije Papa të rinjve në letrën e tij apostolike – duke e aplikuar në secilin të krishterë që me vetëdije merr pjesë në dërgimin e Krishtit.

3. Të jesh diçka – është thirrje dhe dërgim. Ne shpesh e dallojmë profesionin prej thirrjes. Thirrje ka një prift, mjek, ndoshta mësues, apo nganjëherë themi për dikë se me thirrje është burrështetas, ushtar dhe të tilla të ngjashme. Por, nëse dikush është vetëm zdrukthëtar, vozitës apo punues bravash a derëtar, për të themi se ka zanat, se ky është profesioni i tij. E pse jo thirrje? Në perspektivën e krishterë mendoj se kjo është pak e padrejtë, sepse në këtë perspektivë gjithçka mund të jetë një rrugë e realizimit të dërgimit/misionit personal të jetës, për këtë arsye, gjithçka mund të jetë thirrje. Dhe pikërisht një kuptim i këtillë i punës personale mund të garantojë, jo vetëm kënaqësinë e jetës, por edhe integritetin psikologjik të personit.

Jetojmë në një botë në të cilën gjithnjë e më shumë na kanoset fantazma e të qenit pa emër. Njeriu bëhet një e dhënë statistikore, banor anonim i lagjeve të qyteteve të mamutëve. Nganjëherë ndoshta mendojmë se jemi të këtillë të paemër edhe në sytë e Hyjit, sepse mendojmë si do të mund të kishte kohë dhe vullnet të mendojë edhe për ne në këtë masë të njerëzve prej rreth tetë miliard sot në botë? Përgjigjen në këtë pyetje të ankthit e gjejmë në ngjarjen e ungjillit mbi gruan, e cila ka qenë e sëmur prej gjakderdhjes (khs. Mk 5, 25-34). Në pyetjen e Jezusit se kush e preku, nxënësit gati në mënyrë cinike i përgjigjen: “Po a s’e sheh popullin si të furet në të katër anët e thua: ‘kush më preku’”?” Por Jezusi nuk heq dorë prej pyetjes së vet. Dhe kthehet ta gjejë. Është një porosi e fuqishme e kësaj këmbënguljeje të Jezusit për ta parë njeriun që e kishte prekur: para Hyjit nuk ekziston masa e paemër, por vetëm njerëz, persona, të cilët ai i njeh me emër dhe i njeh menjëherë kur ata i drejtohen në momente të ankthit. Para Hyjit gjithsecili është dikush.

Çfarë rrjedh prej kësaj? Prej kësaj do të donim të kuptojmë se Hyji e ka krijuar secilin për një detyrë personale. Për besimtarin nuk ekziston fati i marrë dhe rastësia e verbër. Në jetën e tij gjithmonë dhe gjithkund realizohet plani i Hyjit: tani, këtu, në mesin e këtyre njerëzve. Kush e kupton këtë, ai e di se nuk ka atëherë më dallim esencial ndërmjet thirrjes dhe profesionit, sepse gjithçka mund të bëhet thirrje. Madje edhe pastrimi e rrugëve.

Kjo pastrim i rrugëve nuk është vendosur këtu rastësisht. Ndoshta tingëllon pak jo serioze, por edhe pastrimi i rrugëve mund të jetë në të vërtetë thirrje. Unë e kam kuptuar këtë para disa viteve duke lexuar një intervistë me një pastrues të rrugëve të Zagrebit. Në pyetjen e gazetarit si ndjehet në punën e vet, dhe pse është bërë pastrues i rrugës, ai gati i habitur është përgjigjur: po, jam i kënaqur, sepse më plotëson mendimi se njerëzit megjithatë jetojnë më mirë në qytet të pastër se të ndotur. Erdha në përfundim se ky njeri me siguri e ka kuptuar të vërtetën themelore të krishterë se, çfarëdo bëjmë për njerëzit, kjo nuk është vetëm profesion, por thirrje. Njeriu mund të jetë mjek, mësimdhënës apo zdrukthëtar: nëse e sheh botën dhe jetën e vet nga perspektiva e Hyjit, atëherë, kudo qoftë ose çfarëdo punoftë, e realizon thirrjen dhe dërgimin.

Gjithë kjo që thamë nuk ka për qëllim të jetë një ngushëllim falas për ata që nuk kanë arritur të regjistrohen në universitet, apo për ata të cilët për çfarëdo arsye nuk kanë arritur ta zgjedhin njërën prej “thirrjeve të dalluara”, sipas matjeve të shoqërisë. Zgjedhja e thirrjes është vendim i rëndësishëm jetësor, sepse, nëse dikush kundër vullnetit duhet ta bëjë një punë gjatë tërë jetës, kjo, sipas të gjitha gjasave, do të lërë gjurmë në drejtpeshimin psikologjik të tij. Me fjalë të tjera – kjo në të vërtetë është edhe mesazhi i këtyre përsiatjeve – në qoftë se zgjedhja e thirrjes nuk ndërtohet brenda tërësisë së jetës dhe sipas figurës që e kemi mbi veten, ajo e humb fuqinë e vet për formimin e personalitetit. E përkthyer në situatën e të rinjve që janë para zgjedhjes së thirrjes: nuk është më urgjentja çka zgjedh, por pse zgjedh. Zgjedhja është personale vetëm atëherë kur i riu është i bindur në vlerën njerëzore dhe të krishterë të thirrjes së tij. Një zgjedhje e tillë mund ta garantojë vizioni i krishterë mbi njeriun. E thënë në një formë tjetër: pyetja “çka duhet të bëj?” bëhet e kuptueshme vetëm bashkë me pyetjen “kush jam unë?”. Dhe pikërisht kjo është detyra më e rëndësishme edukative që prindërit dhe edukatorët s’do të guxonin kurrë ta harronin: t’i edukojnë të rinjtë për t’i bërë njerëz të pjekur, të përgjegjshëm./drita.info

 

(Pjesë nga libri: Mihály Szentmártony, Svjet mladih. Psihološke studije, FTI, Zagreb 2007, f. 187-191. Përktheu: Fatmir Koliqi)

Shpëndaje: