Ta festosh dashurinë çdo ditë

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Ndjesia e tё qenit tё rrethuar nga dashuria nё familje dhe e tё afёrmve tё zemrёs, apo edhe nga tё njohur gjatё rrugёtimit tё jetёs sonё, na bёn qё çdo hap qё hedhim nё jetё apo çdo sukses dhe arritje qё realizojmё nё pёrditshmёrinё tonё, ta pёrjetojmё me njё entuziazёm tё veçantё.

Niveli i jetesёs sonё ka arritur standarde të larta sa i pёrket aspektit social – ekonomik, duke patur parasysh kёtu zhvillimet e fundit dhe progreset nё teknologji, informatikё e komunikacion, apo nё dixhitalizimin e tyre, çka ka lehtёsuar aksesin nё marrjen dhe dhёnien e informacionit, nё shit-blerjen nё kohё reale tё aksioneve bankare dhe tё pasurive tё luajtshme dhe tё paluajtshme, tё marrёdhenieve ndёrpersonale dhe formale, tё spostimit nga njё vend nё njё vend tjetёr apo nga realiteti nё virtualitet, çka i ka shndёrruar marrёdhёniet njerёzore nё njё dimension tё tillё pёrjetimi sa individi, nё realitetin e sotёm, tё ndjehet i tejngopur pothuajse me gjithçka.

Njё gjё e tillё, çka ёshtё zhgёnjyese dhe befasuese, nuk reflektohet me tё njёjtin intensitet nё sferёn emocionale tё individit tё sotёm, i cili edhe pse pёrpiqet çdo ditё pёr mirёqenien e tij shёndetёsore dhe ekonomike, lё nё plan tё dytё emotivitetin e tij. Çka e bёn tё ndjehet i paplotёsuar nё tёrёsinё e tij, sepse e ndjen qё ajo që e mundon dhe i mungon mё shumё është dashuria.

Gjё qё perceptohet nga secili prej nesh, jo vetёm nga niveli i lartё i agresivitetit nё familjet tona dhe nё shoqёrinё qё na rrethon, por edhe nё bisedat konfidenciale apo formale qё shkёmbejmё nё ambiente tё ndryshme tё jetёs sonё publike dhe private, ku theksohet gjithnjё e mё shumë, jo mё si njё konstantim i thjeshtё por si njё shqetёsim alarmues, se nuk ka më dashuri dhe atёherё qё ka, ajo na duket se nuk ёshtё mё si më parë.

Një virtyt ky i dashurisë, që nuk zëvendësohet me asgjë. Pavarësisht të mirave materiale që posedon, arritjeve, sukseseve, prestigjit[1], prapë tё gjitha kёto nuk e plotësojnë mangësinë e dashurisë. Përvoja na tregon se njeriu, në periudha të ndryshme historike, përjeton një krizë të theksuar tё dashurisё. Ja pse sot, çdo ditë e më shumë ai ndjen mungesё dashurie. Çka shumë qartë e thotë edhe Nënë Tereza: “Njerëzit nuk janë thjeshtë të uritur për bukë, por të uritur për dashuri.”[2]

Pёrshtypja ёshtё e tillё sikur njerëz të vetmuar po shtohen gjithnjë e më shumë, e po aq edhe vlera e dashurisë po zbehet. Lind pyetja: Mos vallë ka ndryshuar Dashuria?!  Sigurisht, qё jo. Dashuria është po ajo, nuk ka ndryshuar, por jemi ne njerëzit që kemi filluar të kemi frikë të duam e të dhurojmë dashuri. Mendojmë se mos jemi duke i dhënë tepër tjetrit, dhe frikësohemi se po varfërohemi. Askush nuk ndalet për t’i thënë vetes së tij, sesa rëndësi i kushton kësaj ndjenjeje, apo këtij virtyti.

Do të mjaftonin ca pyetje për të reflektuar mbi konceptin e dashurisë, të tilla si: A e lejoj veten time ta përjetoj atë? A jam i hapur ta shpreh atë? Pyetje të tjera si këto, që mund të na ndihmojnë për të parë se ku jemi dhe ku duam të shkojmë. Mirëpo, mesa duket për dashurinë veçanërisht, na bie në mend vetëm në prag të festës së Shën Valentinit, që festohet në datën 14 të muajit shkurt.

Një ditë e veçantë e vitit, ku të gjithë marrin guximin të flasin, të shkruajnë, të dhurojnë dhurata, me një fjalë të bëhen shumë gjëra në emër të dashurisë, që ndoshta vetëm shprehje dashurie nuk është. Një investim ky që shfrytëzohet nga shumë biznese të  ndryshme për qëllime përfitimi. Por duhet të jetë e qartë dhe duhet kuptuar një herë e mirë, se dashuria nuk shitet dhe as nuk blihet, se ajo nuk është thjesht dhënie apo marrje. Dashuria është bisedë, ballafaqim, detyrim dhe njëkohësisht afërsi, durim, intimitet, ngushëllim e siguri. Është ajo që të sugjeron të menduarit e thellë, i cili paraqet manifestim gjykimi përkundrejt veprimit instinktiv.

 A keni menduar ndonjëherë, përse gjatë ditëve të tjera askush më nuk flet për dashurinë? Ku mbeti dashuria? Ku mbetën fjalët e bukura, dhuratat, investimet, etj. E dhimbshme, sesa shpejt harrojmë për gjëra të mira.  A mjafton vetëm një herë në vit ta shprehim dashurinë, apo edhe të pranojmë dashuri? Dashuria nuk është vetëm një ditë, një orë, një natë, por është ajo ndjenjë që e shoqëron dhe duhet ta shoqërojë njeriun, deri në frymën e fundit.

Ajo, është një ndërveprim dinamik, që jetohet në çdo moment të jetës sonë. Është një proces që nuk ka fund, as kohë të kufizuar. Ajo është e përditshme dhe një realitet që duhet të jetohet e të festohet çdo ditë. Pra, dashuria  është një festë pa mbarim. Sot më shumë se kurrë njerëzit duan dhe kanë nevojë ta ndjejnë dashurinë në veprime të përditshme. “Dashuria fryti i çdo stine dhe kohe, gjatë tërë jetës dhe çdokush ka nevojë për të.[3]  Nënë Tereza

Mirëpo, çuditërisht ndjejmë vështirësi dhe frikë të flasim për dashurinë. Pse ndodh kjo? Ndoshta se dashuria perceptohet  si një marrëdhënie e ngushtë intime, thjeshtë si një ndjenjë romantike dhe sentimentale, që ka të bëjë edhe me seksualitetin, e si e tillë u përket veç çifteve dhe të dashuruarve. Por dashuria e vërtetë nuk është ajo e të qenit i dashuruar, përkundrazi dashuria e vërtetë shpesh paraqitet atje ku mungon ndjesia e ekzaltuar e të dashuruarit. Duhet kuptuar një herë e mirë se dashuria, nuk është vetëm në marrëdhëniet intime dhe personale, por edhe në marrëdhëniet familjare, shoqërore dhe miqësore. “Frikë në dashuri nuk ka, sepse dashuria e përsosur e përjashton frikën, sepse frika nënkupton ndëshkimin. Pra ai që trembet, nuk është i përsosur në dashuri.” (1Gjn 4,18)

Dashuria është arti që mësohet në familje, pikërisht aty ku fillon marrëdhënia e parë me tjetrin. Nënë Tereza thoshte: Dashuria e ka burimin në familje.[4]  Sigurisht që familja është shkolla e parë e dashurisë, në të cilën të gjithë njerëzit mësojnë të duan. Kuptohet se po flasim për një dashuri të sinqertë, të përzemërt, një dashuri që ka si qëllim të mirën e përbashkët, përparimin e secilit prej nesh, pra një dashuri reciproke. Një dashuri që dhurohet në mënyrë të natyrshme me një veprim krejtësisht të vullnetshëm,  pa pritur në këmbim asgjë.

Një fakt që është për të ardhur keq, është se në shoqërinë tonë më lehtësisht flitet për urrejtjen, xhelozinë, tradhtinë dhe hakmarrjen, madje shpesh edhe në praninë e fëmijëve, sesa për tema afektive[5] apo të  dashurisë. Ama kur flasim për të tilla tema si këto, nuk shqetësohemi aspak, nuk na bën përshtypje, madje u japim rëndësi më shumë sesa duhet duke u justifikuar se dashuria në të kundërt nuk kërkon vëmendje dhe fjalë, por vepra.  Çka është pjesërisht e vërtetë, pasi nëse nuk jemi të aftë të flasim për të, aq më pak jemi të gatshëm të dhurojmë e pranojmë  dashuri. Pa të, gjithmonë do të jemi në luftë me veten tonë dhe tjetrin. “Pa dashuri nuk do të ketë kurrë paqe.”[6] (Nënë Tereza)

Dashuria është ajo që e përtërin dhe i jep shije jetës. Është udhërrëfyesja e vetme drejt nivelit më të lartë të ndërgjegjes, për të cilën është i aftë vetëm njeriu. Masa shpirtërore e një ekzistence njerëzore, përcaktohet nga dashuria. Njerëzit që e kanë mësuar artin për të dashur, janë njerëz të cilët jo vetëm arrijnë të ngrihen vetë shpirtërisht, por edhe duke e ndihmuar tjetrin. Të tregosh ose të dhurosh dashuri, nuk mjafton vetëm të blesh dhurata apo të dërgosh puthje e zemra nga celulari, gjeste dhe veprime që supozojmë tregojnë një shenjë dashurie. Por dashuria e vërtetë  është më shumë se një seri veprimesh të tilla. “ Mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë !” (1 Gjn 3,18 )

Dashuria e vërtetë është atëherë kur kujdesesh për tjetrin. Kupton dhe respekton individualitetin dhe identitetin e tij. Dashuria e ndihmon tjetrin, është e ndershme, dhe i gëzohet së mirës së tjetrit, kujdeset për ngritjen e personalitetit të tij. Dashuria e vërtetë, është një aktivitet që kërkon pjesëmarrjen e krejt unit të njeriut dhe jo vetëm atë të zemrës. Gjithashtu, dashuria e vërtetë dallohet prej asaj që nuk është e tillë, nga qëllimi. Sepse qëllimi i vërtetë dhe i vetëm i dashurisë, është ngritja shpirtërore dhe evolucioni njerëzor.

Të duash do të thotë të jesh i lumtur, dhe ta ndihmosh tjetrin të rritet në dashuri. Dashuria është ajo që të ofron qetësi edhe përballë stuhive të ndryshme. Por na ndodh, që kjo shpesh të neglizhohet. E nëse ne nuk arrijmë ta  bëjmë këtë gjë, kush duhet apo mund ta bëjë ? Ne, njerëzit e kemi këtë privilegj, të tregojmë e të shfaqim dashuri si ndaj vetes, po ashtu edhe ndaj tjetrit. Sepse dashura është ajo që i pranon dhe i vlerëson sukseset e tjetrit. Është ajo që nuk bën krahasime, nuk vë kushte, por e pranon tjetrin ashtu siç është.

Marrëdhënia e dashurisë së vërtetë realizohet në të përditshmen tonë, duke pasur besim të ndërsjelltë, duke qenë të hapur dhe të ndershëm me njëri- tjetrin. Të gjithë jemi të vetëdijshëm, se dashuria nuk kërkon diplomë, studim, master, doktoraturë, por kërkon  të jetohet e të dhurohet, sot dhe tani. Neve këtë gjë mund ta bëjmë, por sigurisht që jo vetëm ndaj vetes sonë, por gjithmonë në marrëdhënie me tjetrin, pasi dashuria merr kuptim vetëm kur ndahet me tjetrin dhe të tjerët. Pra, nuk duhet të kemi frikë ta shprehim atë, si ndaj vetes, po ashtu edhe ndaj tjetrit, dhe të tregojmë se dimë të duam dhe lejojmë të na duan.

 Rëndomë, kemi dëgjuar apo edhe ne vetë kemi menduar,  se të duash veten është egoizëm. Por kjo gjë nuk qëndron. Sepse vetëm nëpërmjet dashurisë mund ta njohim veten tonë, tjetrin, dhe botën që na rrethon. Të duash vetveten është urti, përgjegjësi, kujdes, mirënjohje që ke ndaj Zotit, që të ka krijuar e që të ka pajisur me kaq mrekulli të madhe ndaj vetes, dhe ndaj atyre që na kanë mësuar se si të duam. Vetëm duke dashur veten tonë, mund ta duam edhe tjetrin. Është e pa mundur të duash tjetrin, nëse nuk do vetveten.

Vetëm nga dashuria varet zbulimi dhe realizimi i vetvetes sonë. Dashuria është vullneti që nxit zhvillimin tonë shpirtëror, për të arritur pjekurinë ose plotësimin tonë dhe të të tjerëve. Forma bazë e veprimit të dashurisë, është kur e duam vetveten, merremi me zhvillimin tonë. Kurse, kur duam dikë ne kujdesemi dhe i përkushtohemi ngritjes së tij. Kuptohet se dashuria kërkon përkushtim, mençuri dhe pjekuri, për t’u bërë pastaj pikënisja e padiskutueshme e marrëdhënieve njerëzore. Nga momenti që kuptojmë rëndësinë e saj, ndërgjegjësohemi se vetëm me dashuri, njeriu arrin të kapërcejë dhe të përballojë çdo lloj sfide. Çdo plagë mbyllet shpejt kur rrethohet me dashuri.

Sigurisht që dashuria është ajo që shëron, ul gjendjen e ankthit, dhe e forcon vetëbesimin. “Sot bota është përplot barëra për sëmundje të ndryshme, por ajo që i mungon është dashuria.”[7] Nënë Tereza. Mungesa e dashurisë paraqet shkaktarin kryesor të sëmundjeve mendore, që të çojnë në forma të rënda neurotike dhe psikike, që kërkojnë vëmendje të nevojshme dhe urgjente, pa dallim moshe. Këtë na thotë edhe letra e parë e Shën Gjonit “Kush nuk ka dashuri mbetet në vdekje” (1Gjn 3,14b) Ndërsa prania e dashurisë, është thelbësore për efektet e shërimeve  psikoterapeutike.

Dashuria është ndjenja, që e ndryshon sjelljen njerëzore. Kush di të dojë, di dhe mund ta kuptojë më mirë dhe më shumë tjetrin. Duhet të dimë të duam, nëse duam të jetojmë në paqe, sepse të jetosh me dashuri, do të thotë të jetosh në paqe. “Por sot njerëzit nuk duan më njëri-tjetrin dhe këtu qëndron fillimi i rrezikut për paqe në botë.”[8] Nënë Tereza

Së fundmi, çdo njeri ka nevojë për dashuri, edhe ata që ndoshta shpesh herë i gjykojmë ose i etiketojmë si njerëz të ftohtë dhe pa ndjenja,  të cilët nuk dinë të duan apo nuk dinë të pranojnë dashuri, pasi edhe ata dhurojnë dhe pranojnë dashuri. Pa dashuri është e pamundur të njihet vetvetja e të pranohet tjetri, sepse si qenie njerëzore kemi lindur për të dashur, dhe për t’u dashur. Varet prej nesh, sesa jemi të aftë të pranojmë e të dhurojmë dashuri. Nënë Tereza na porositë: “Të jeni gjithmonë bartës të dashurisë dhe të paqes”[9]Vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën”[10]./drita.info

 

Referenca

Leo Buscaglia, Amore, Milano, Mondadori,1985.

Leo Buscaglia, Vivere, Amare, Capirsi, Milano, Mondadori,1986.

Phil Bosmanes, Ljubav svaki dan čini ćuda, Kršćanska Sadašnjost, Zagreb, 1997.

 

——————————————

[1] Prestigj në psikologji nënkupton një tipar të individit, i cili gëzon autoritet, famë, që nderohet dhe respektohet në mjedisin e tij shoqëror, për të cilën është formuar vetëdija shoqërore për vlerën e posaçme të tij. Është rezultat i aftësive, i punës së frytshme, të ndershme dhe i stilit të sjelljes së tij ndaj të tjerëve. ( Pajazit Nushi, Leksikon i Psikolgjisë vep.cit., f.704)

[2] Brian Kolodiejchuk,MC, Një thirrje për mëshirë, Zemra për të dashur, duar për të shërbyer, shqipëroi Jolanda   Bibaj, Prizren, Fjala Hyjnore, 2019, fq. 2

[3] Gjon Ballabani, Në shërbim të jetës, Prizren, Drita, 2011, fq. 11.

[4] Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, Zagreb, Drita, 1990, fq. 201.

[5] Afektivitet, term përmbledhës për të gjitha llojet e gjendjeve emocionale, për gjithë sferën shkrirëse të afekteve.          (Pajazit Nushi, Leksikon i Psikolgjisë , vep.cit., f.22)

[6] Don Lush Gjergji, Nëna e Dashurisë, Velar, Bergamo, Drita- Prizren, 2010, fq. 204

[7] Po aty, fq.153

[8] Po aty, fq.204

[9] Po aty, fq. 214

[10] Po aty, fq. 227

Shpëndaje: