
Më 15 maj 1891, Papa Leo XIII botoi enciklikën Rerum Novarum, e cila shënon lindjen e Doktrinës Shoqërore të Kishës. Ishte zëri i Kishës për fenomenet dhe ngjarjet e reja që paralajmëronin ndryshime të mëdha ekonomike, shoqërore, politike, shpirtërore dhe kulturore.
Kanë kaluar 135 vjet nga ditëlindja e DSHK-së (si një formë e veçantë apo si coprus socialis, ndonëse që në fillimet të krishterimit kemi një angazhim shoqëror), e sot ajo njeh një zhvillim të mrekullueshëm që ka shkruar histori në mendimin, mësimin shoqëror katolikë: janë shkruar shumë enciklika duke ju referuar asaj, mesazhe, deklarata dhe prej tyre janë frymëzuar një mori veprimesh konkrete për të përmirësuar gjendjen shoqërore dhe jetën e qytetarëve në botë. Doktrina Shoqërore e Kishës është një paradigmë katolike e punuar mirë, gjithnjë e ripërtërirë, për të shikuar, vlerësuar dhe vepruar në mënyrë të drejtë dhe një kohë të volitshme.
Si lindi kjo enciklikë dhe çka mëson ajo?
Shekulli XIX ishte plot tronditje: deri atëherë, pjesa më e madhe e popullsisë jetonte nga bujqësia dhe një pjesë më e vogël nga tregtia. Shpikja e makinës jo vetëm që solli ndarjen ndërmjet punës dhe kapitalit, por edhe përqendrimin e punëtorëve. Kjo shkaktoi një përmbysje të madhe ekonomike, e ndjekur nga një trazim shoqëror.
Nga njëra anë, u bë e mundur një liri më e madhe, por në të njëjtën kohë, për shumë njerëz kjo nënkuptonte dorëzimin ndaj “kapitalit”. Politikisht, revolucioni i vitit 1848 pati ndikim duke sjellë liri për qytetarët, por jo në aspektin e bashkëjetesës së përgjithshme. Pak gjë ndryshoi për proletariatin. Më në fund, ndryshimi i katërt preku jetën shpirtërore dhe fetare. Për shumë njerëz, morali i Kishës shihej si paternalizëm. Përpjekjet demokratike shpesh viheshin në kundërshtim me Kishën.
Ferdinand Lassalle themeloi Shoqatën e Përgjithshme të Punëtorëve Gjermanë në vitin 1863. Kurse ana e Kishës, në Konferencën Ipeshkvnore të Fuldës më 1869, ipeshkvi Wilhelm Emmanuel von Ketteler kërkoi formimin e klerit mbi çështjen punëtore. Ai botoi në vitin 1864 artikullin: Çështja punëtore dhe krishterimi. Ai pranonte se “njeriu tani përballet me makinën që punon ditë e natë me shumë kuaj-fuqi”. Për të, çështja sociale ishte gjithashtu një çështje për të cilën Kisha duhej të kishte një mendim. Në vitin 1870, ai dhe shtatë ipeshkvinj të tjerë paraqitën një mocion në Koncilin I të Vatikanit ku thuhej: “…punëtorët me ndjenja fetare i drejtojnë sytë dhe duart drejt Kishës Nënë me shpresën që ajo të rikthejë dashurinë, ligjet e krishtera dhe drejtësinë në shoqëri”. Koncili u ndërpre shumë shpejt dhe për këtë arsye nuk u zhvillua asnjë votim.
Papa Leoni XIII u ndikua shumë nga veprat e Ketteler-it. Për të, “pa ndihmën e fesë dhe të Kishës nuk mund të kishte asnjë zgjidhje për konfuzionin aktual”. Por “heshtja mund të ishte një shkelje e detyrës sonë” (nr. 13).
Ja si e nisë enciklikën: «Dëshira e zjarrtë për risi, e cila prej kohësh ka filluar t’i trazojë popujt, natyrisht që prej rendit politik duhej të kalonte në rendin analog të ekonomisë shoqërore. Dhe faktikisht, përparimet e mrekullueshme të arteve dhe metodat e reja të industrisë; marrëdhëniet e ndryshuara mes pronarëve dhe punëtorëve; grumbullimi i pasurisë në pak duar dhe shtrirja e gjerë e varfërisë; vetëdija më e gjallë e klasave punëtore për forcën e tyre dhe bashkimi më i ngushtë mes tyre: kjo tërësi gjërash të cilave u shtohen edhe zakonet e përkeqësuara, kanë bërë që konflikti të shpërthejë. Ai ka një peshë të tillë kaq të madhe sa i mban pezull shpirtrat në një pritje të shqetësuar, dhe mundon mençurinë e të diturve, kongreset e të zgjuarve, asambletë popullore, vendimet e ligjvënësve, këshillat e Princërve: në një mënyrë të tillë sa sot nuk ka çështje tjetër që i intereson botës më shumë». (RN, nr. 1).
Rerum Novarum është një përgjigje e shumëpritur ndaj ngjarjeve të kohës, një program për grupin shoqëror më të prekur nga Revolucioni Industrial: punëtorët. Çështja e pagës është një imperativ i drejtësisë. Pagat duhet të jenë të mjaftueshme për të mbajtur familjet (nr. 10). Leoni XIII mbron pronën private, por paralajmëron edhe kundër pasurisë së tepërt. Ai sheh se “disa njerëz tepër të pasur imponojnë një zgjedhë pothuajse skllavëruese mbi një masë njerëzish të varfëruar” (nr. 2). Është detyrë “t’u japim nga pasuria jonë vëllezërve nevojtarë” (nr. 19).
Kështu, ai kundërshton socializmin, i cili kërkon t’i vendosë të gjitha mjetet e prodhimit në duart e shtetit. Por ai flet edhe kundër liberalizmit që kundërshton çdo ndërhyrje të shtetit. Shteti ka detyrën të mbështesë ata, ekzistenca e të cilëve nuk është e sigurt (nr. 29). Për këtë arsye, ai kërkon një legjislacion shtetëror që mbron punëtorët. Në të njëjtën kohë, Leoni XIII e di se fuqia e Kishës është e kufizuar dhe dëshiron që punëtorët të ndihmojnë vetveten. Papa u njeh atyre të drejtën e asociimit të lirë (nr. 38), që do të prodhojë një varg angazhimesh të punëtorëve, që sot i quajmë sindikata.
Në vitin 1891, Rerum Novarum u bë një pikë kthese në diskutimin mbi çështjen shoqërore, që vazhdon edhe sot e kësaj ditë.

Postimi i Mëparshëm
