E MËRKURA E PËRHIME FILLIM I KOHËS SË SHENJTË TË KRESHMËS

Nga Don Agim Qerkini

 

 

Pse dhe si bëhet riti i përhimjes?

Me të Mërkurën e Përhime fillon koha e shenjtë e Kreshmëve. Me këtë rast, shkurtimisht dua të ndaj me ju disa fjalë që kanë të bëjnë me ritin e përhimjes si dhe rëndësinë e kësaj kohe të shenjtë.

Në shekujt e parë të krishterimit, koha e përgatitjes për Pashkë ishte periudhë prej një deri në dy javë (shek. III), ndërsa, që nga shek. IV, kjo kohë përgatitore zgjerohet në periudhë prej dyzet ditësh (lat. quadragesima), e njohur ndër ne me emërtimin Kreshme. Kjo kohë fillonte me të dielën e parë të Kreshmëve dhe përmbyllej të Enjten e Madhe. Prej shekullit të VI fillon me të Mërkurën e Përhime.

Në BV, në librin e Zanafillës lexojmë për pluhurin, kur Zoti, pas mëkatit të parë, i tha njeriut: “Me djersë të ballit tënd do ta hash bukën derisa të mos kthehesh në dhe prej të cilit qe nxjerrë, sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh”! (Zan 3, 19). Pastaj, edhe në vende të tjera në BV, pluhurin e shohim se është përdorur në shenjë pendese dhe shoqërohej me lutjet e caktuara, siç lexojmë në librin e Jonës. Atëherë kur pas predikimit të Jonës në Ninivë, njerëzit besuan në Zotin dhe shpallën agjërim. Arriti lajmi edhe të mbreti, i cili “u çua nga froni i vet, i hoqi petkat e veta, u vesh me thes e u ul në pluhur” (Jn 3, 6).

Po ashtu, në Besëlidhjen e Re, pluhuri (hiri) përmendet në disa vende, dhe Krishti i referohet atij në shenjë kthimi dhe pendimi shpirtëror: “Vaj për ty, o Korazin, vaj për ty, o Betsaidë! Sepse të kishin ndodhur në Tir e në Sidon mrekullitë që ndodhën në ju, kaherë, të veshur në grathore e të mbuluar me hi do të kishin bërë pendesë!” (Lk, 10, 13).

Përndryshe, hiri fitohet prej rremave apo palmave të bekuara që i mbajmë në duar të dielën e Larit, të cilat më pas digjen dhe me këtë hi përhihemi të mërkurën e Përhime që pason.

 

Si bëhet përhimja? Duke u përhirë në kokë apo duke bërë shenjën e kryqit me hi në ballë?

Edhe për këtë gjest, duhet të kthehemi në Besëlidhjen e Vjetër dhe aty e gjejmë kuptimin e plotë dhe porosinë e këtij riti. BV e ka njohur përvojën e përhimjes duke hedhur hirin mbi kokë, si shenjë e pranimit të gjendjes mëkatare, pra, si shenjë pendimi për mëkatet e bëra. Përkthimi i Biblës hebraike në greqishte “Septuaginta”, në disa raste, në vend të fjalës pluhur përdor fjalën hi, që do të thotë se, kuptimin e kësaj fjale apo elementi, duhet ta kërkojmë në kontekstin e gjërave të pavlerë, asgjësë. (Septuaginta shpesh shkruhet shkurtimisht si LXX. Fjala greke ‘septuagint’ vjen nga fjala latine për numrin 70, dhe bazohet në traditën se 70 studiuesve hebrenj që kanë punuar në përkthimin e teksteve (disa burime thonë 72 studiues). Septuaginta për herë të parë u përkthye në shek. III-II para Krishtit në qytetin e Aleksandrisë në Egjipt).

Abrahami, duke ndërmjetësuar për Sodomën, thotë për veten e tij: “Unë, pluhur e hi”, duke pranuar kështu padenjësinë e tij para Zotit (Zan 18, 27). Edhe ne, duke u përhirë, shprehim dëshirën tonë për pendim dhe kthim.

Në shekujt e parë, kur të pagëzuarit bënin ndonjë mëkat, ata zgjidhnin të bëjnë pendesë publike. Në fillim të pendesës së tyre, ipeshkvi i përhinte dhe ua mbulonte kokën. Kjo tregon se mënyra burimore është përhimja e kokës.

Pra, riti i përhimjes, si shenjë apo simbolikë që shpreh vullnetin për kthim, është i hershëm në traditën e Kishës, që nga shekulli i VI, ndërsa përhimja e të gjithë besimtarëve veçanërisht nga shekulli i XIII. Pastaj, duhet të kihet parasysh edhe fakti se kur gratë vinin për të kryer këtë rit, ato vinin me kokë të mbuluar dhe shënjoheshin me hi në ballë, duke ua bërë shenjën e Kryqit.

Udhëzimet e sotme liturgjike, lidhur me ritin e përhimjes, nuk japin ndonjë rregull të detajuar. Por, nga lutja me rastin e bekimit të hirit mësojmë: “ O Hyj…, bekoje këtë hi me të cilin do të përhijmë kokën (capitibus nostris imponimus), por edhe fjalët: “Le të bie ndër mend se je pluhur…”, na tregojnë kuptimin e këtij gjesti. Po ashtu, te fjalët “cineres imponit”, nënkuptohet përkulja e kokës për përhimje: “Kthehuni dhe besoni Ungjillit”.

Edhe pse është e çartë si duhet bërë përhimja, shpesh ndodh që ajo të bëhet përmes shenjës së kryqit në ballë. Në këtë drejtim humbet kuptimi themelor i “përvojës së pluhurit”, ndërsa i jepen kuptime të tjera si ai i pastrimit prej mëkateve. Duhet theksuar se pa marrë parasysh cilën formë përdorim, te dyja sikur urdhërojnë: “Kthehuni…, ose, le të bie ndër mend, o njeri, se je pluhur, dhe se në pluhur do të kthehesh.”

 

Koha e Kreshmës

Kjo kohë e shenjtë prej 40-ditësh i paraprinë festës së Pashkëve dhe na thërret në kthim shpirtëror. Është kohë e veçantë pendese, e lutjes më intensive të përshpirtshme dhe veprave të bamirësisë.

Kisha në përgjithësi, por edhe çdo besimtarë i saj, duke medituar misteret e Mundimit të Jezu Krishtit, angazhohet të përtërihet në fe. Kjo kohë e shenjtë është mundësi tejet e volitshme e përjetimit të “ushtrimit shpirtëror” për jetë të virtytshme.

Kjo periudhë e shenjtë prej dyzet ditësh, është mundësi dhe përvojë e takimit me Hyjin, mu ashtu sikur mësojmë në Besëlidhjen e Vjetër. Prandaj, edhe simbolikisht ndërlidhet me disa ngjarje, si: Kalimi nëpër shkretëtirë i popullit të zgjedhur të Zotit për dyzet vjet deri në tokën e premtuar (Joz 5,10); Përvoja e qëndrimit të Moisiut në malin Sinai për dyzet ditë (Dal 24,18), por edhe e udhëtimit të Elisë për dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb (1 Mbr 19,8)),

Përveç kësaj, në Besëlidhjen e Re mësojmë për agjërimin e Jezusit në shkretëtirë për dyzet ditë e dyzet net (Mt 4,2; Mk 1,13; Lk 4,2).

Bazuar në këto përvoja dhe shembuj, edhe ne si besimtarë, përfshi katekumenët që përgatiten për pagëzim, bëjmë këtë ecje shpirtërore drejt treditëshit të shenjtë dhe gëzimit pashkvor.

Prandaj, le ta shfrytëzojmë këtë kohë duke gjurmuar në thellësitë e zemrës, për të nxjerrë prej saj çdo gjë të keqe, çdo mëkat që na largon prej Zotit.

Shën Augustini, kur flet për Kreshmët, thotë: “Këto ditë të shenjta të Dyzetditëshit na obligojnë që t’u flasim mbi dashurinë vëllazërore dhe detyrën që t`i jepni fund urrejtjes ndaj vëllezërve tuaj, nëse vetë nuk dëshironi të sharroni (…) Kemi lidhur besëlidhje me Zotin dhe kemi nënshkruar kushtin, pa të cilin nuk mund të na falen fajet tona”.

Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën “Sacrosantum Concilium” mbi liturgjinë e shenjtë, kur flet për Kreshmët, thotë: “Karakteri i dyfishtë i kreshmëve, i cili, sidomos gjatë kujtimit apo përgatitjes për pagëzim dhe nëpërmjet pendesës, i fton besimtarët në dëgjimin e shpeshtë të fjalës së Hyjit, në lutje dhe i përgatit të kremtojnë misterin pashkvor, duhet të vihet më shumë në dukje në liturgji e katekezë liturgjike” (109), dhe shton: “Pendesa kreshmore nuk duhet të jetë vetëm e brendshme dhe individuale, por edhe e jashtme e shoqërore. Dhe praktika pendestare duhet nxitur e porositur sipas mundësive të kohës sonë dhe krahinave të ndryshme, si edhe sipas kushteve të besimtarëve” (110).

Koha e kreshmëve është e pasur me përshpirtëri të ndryshme liturgjike, me lutje e këngë të bukura e të ndjeshme për nga përmbajtja, prandaj nxisin pendimin e thellë për faje e mëkate. Shumë prej tyre burojnë nga përvoja dhe tradita edhe e popullit tonë.

Pra, kjo kohë është e volitshme për rrëfimin e shenjtë. Veçohet edhe për devocionin dhe kremtimin e Udhës së kryqes, kur më ndjeshëm e përjetojmë atë çka Krishti vuajti për ne. Në anën tjetër, kjo lutje na forcon në fe, që të dimë t’ia kushtojmë Zotit kryqet e vuajtjet tona, të cilat kuptimin e gjejnë në Kryqin e Krishtit.

Gjatë kreshmëve, në kremtimet liturgjike përdoret ngjyra vjollcë, ndërsa këshillohet që edhe altarët e kishat të mos dekorohen shumë, si dhe lihet “Aleluja” dhe “Lavdia”, deri kur intonohen solemnisht në Natën e shenjtë të Pashkëve.

Duke ju uruar fillim të mbarë të Kreshmëve, i lutemi Zotit që të na shoqërojë të gjithëve në këtë kohë të shenjtë, e njetet e mira që bëni, t’ua shpërblejë Zoti me hire e bekime në jetën tuaj./drita.info

Shpëndaje: