
Nga Papa Benedikti XVI
“Zoti im dhe Hyji im!” Edhe ne e ripërtërijmë atë akt besimi të Tomës… Njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re për Ngjalljen e Krishtit; ka nevojë ta takojë Atë dhe ta njohë si Hyj të vërtetë dhe njeri të vërtetë. Në këtë Apostull mund të njohim dyshimet dhe pasiguritë e shumë të krishterëve të sotëm, frikërat dhe zhgënjimet e shumë bashkëkohësve tanë; por së bashku me Tomën mund të rizbulojmë me një bindje të re besimin në Krishtin, i cili vdiq dhe u ngjall për ne.
Ky besim, i trashëguar ndër shekuj nga pasardhësit e Apostujve, vijon të qëndrojë i gjallë sepse Zoti i Ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe e udhëheq atë me siguri drejt përmbushjes së planit të tij të përjetshëm të shëlbimit.
Të gjithë mund të tundohemi nga mosbesimi i Tomës. Vuajtja, e keqja, padrejtësia, vdekja – sidomos kur godasin të pafajshmit, si fëmijët viktima të luftës dhe terrorizmit, të sëmundjeve dhe urisë – a nuk e vënë në provë besimin tonë? Në mënyrë paradoksale, mosbesimi i Tomës bëhet shumë i çmuar për ne pikërisht në këto raste, sepse na ndihmon të pastrojmë nga mendjet tona çdo përfytyrim të rremë për Hyjin dhe na çon të zbulojmë fytyrën e Tij të vërtetë: fytyrën e Hyjit që, në Krishtin, ka marrë mbi vete plagët e njerëzimit të lënduar.
Toma ka marrë nga Zoti, dhe më pas ia ka trashëguar Kishës, dhuratën e një besimi që është vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit, dhe që është forcuar nga takimi me Të i ngjallur. Besimi i tij ishte thuajse i vdekur, por rilindi falë prekjes së plagëve të Krishtit – plagë që Zoti i Ngjallur nuk i fshehu, por i tregoi, dhe vijon t’i tregojë përmes provave dhe vuajtjeve të çdo njeriu.
(Pjesë nga fjalimi Urbi et Orbi, Pashkë 2007)