Me rastin e festës së Kthimit të Shë Palit, 25 janar
Nga Don Agim Qerkini
Lidhur me jetën, veprimtarinë dhe me ungjillizimin e popujve, ndër ta edhe të popullit Shqiptar nga ky Shenjt i madh, është folur dh shkruar shumë. Jeta e Shën Palit, është e karakterizuar jo vetëm me fillimin e përhapjes së një besimi të ri, por edhe të një civilizimi të madh të shumë popujve. Në këtë kontekst, edhe ne si popull e patëm fatin të njihemi me këtë besim dhe rend të ri shoqëror të cilin kishte filluar ta predikoj Shën Pali.
Lidhur me këtë, mund të marrim si shembull kur Pali u drejtohet qytetarëve të Athinës, e kjo do të mund të vlente edhe për Ilirët, duke u thënë: “Po shoh se në çdo pikëpamje qenkeni njerëz shumë besimtarë. Sepse, duke kaluar e vërejtur monumentet tuaja të kultit hyjnor, gjeta edhe një lter, në të cilin është shkruar: “Hyjit të panjohur.” Pra, Atë, të cilin ju e nderoni pa e njohur, unë jua kumtoj”. (Vap 17, 22-23). Ky “Hyj i panjohur” për të cilin tani e tutje do të jetoj ky apostull është Jezu Krishti, e Vërteta e amshuar.
Vendlindja e Saulit
Në Azinë e Vogël ndodhet vendi që dikur quhej Cilici që për kryeqytet kishte Tarsin. Ky qytet i njohur për tregti, ishte vend i shumë popujve të ndryshëm, prandaj për shkak të kësaj rëndësie, në vitin 66 para Krishtit, pushtohet nga Romakët dhe caktohet kryeqytet i krahinës së Cilicisë, ndërsa nga viti 1078 i takon Turqisë. Sot, në Tars ka mbetur vetëm hija e asaj madhështie që kishte dikur, mirëpo, sikur edhe të ishte zhdukur krejtësisht nga faqja e dheut si shumë qytete tjera, emri i tij do të përmendej për jetë e mot, sepse rreth vitit 5 në këtë qytet lindi Shën Pali – apostulli i identitetit të krishterë.
Në Shkrimet e BV mësojmë se patriarku i popullit hebre Jakobi kishte dymbëdhjetë djem, dhe më i riu prej tyre ishte Benjamini. Nga fisi i tij vijnë edhe prindërit e Shën Palit, të cilët si shumë hebre tjerë, për shkak të tregtisë, nga Palestina shpërngulen në Tars.
Emri i tij në Veprat e Apostujve 9 herë përmendet si Saul dhe buron nga fjala hebreje sha-al që domethënë kërkoj, lus, ai që e kërkon Zotin dhe ai që i lutet Zotit, si emri i mbretit Saul (shekulli 11 para Krishtit). Pali, për vete e përdor emërtimin Pal – Paulus në tekstet burimore greke që domethënë i vogël.
Formimi i tij
Vendi ku Sauli mori edukimin dhe formimin intelektual ishte i ndikuar nga kultura, gjuha, mësimet dhe mënyra e të jetuarit grek (polis hellenis). Por, edhe më i rëndësishëm është formimi i tij i ndikuar nga lidhja e gjakut, që do të thotë prejardhja hebreje dhe formimi i tij në frymën e mësimeve të Besëlidhjes së Vjetër.
Sipas traditës së vjetër rabinike, çdo hebre si pesë vjeçar duhej të filloj ta lexoj Torën (Ligjin), si dhjetëvjeçar Mishnën (traditën gojore), ndërsa më vonë studimin e Talmudit (Mësimet hebreje).
Teologët e atëhershëm të Jerusalemit ishin të ndarë në dy grupe. Grupit të parë i printe njeriu paqësor Hilel dhe ishte më tolerant në shtjellimin e ngurtësisë së Ligjeve, ndërsa pjesën tjetër e udhëhiqte një mësues më fanatik që quhej Shamaj. Gamalieli ishte nipi i Hilelit dhe denjësisht do ta zëvendësojë më vonë. Kështu, Sauli do ta ketë fatin të jetë nxënës i Gamalielit. Në Saulin do të përplotësohen vazhdimisht dy argumente, që do të ndikojnë në formimin e tij: edukimi fetar dhe mësimi grek në Tars. Kësaj do t’i shtohet arsimimi biblik, pa të cilin do të ishte vështirë t’i kuptojmë Letrat paliane.
Ai pasi i kishte pranuar mësimet rabinike nga Gamalieli (khs. Vap 22, 3), ishte pjesëmarrës i rregullt në kremtime hebraike në Tempullin e Jerusalemit. Çmonte shumë sinagogat, pushimin e së shtunës, agjërimin, lutjet e përditshme të psalmeve, kushtimet e ndryshme, traditën e etërve, njohjen e Tora-s. Veçmas Shkrimit Shenjt i kushton vëmendje të madhe duke e mësuar përmendësh greqisht dhe hebraisht. Mbi të gjitha, ky përkushtim i madh ndaj shkrimeve të shenjta dhe traditës së etërve të vet, do të jetë shkas që Sauli mos të lejojë në asnjë mënyrë dhe nga askush të tronditet bota dhe besimi hebre. Prandaj, Sauli nuk do të zgjedhë forma për të “mbrojtur rendin shoqëror” dhe besimin e vet, por do të fillojë pamëshirshëm të persekutojë dhe arrestojë të krishterët e parë.
Sauli salvon Kishën
Nga burimet e ndryshme biblike mësojmë edhe këto të dhëna: ishte hebre me nënshtetësi romake, përndjekës i krishterimit dhe gjatë një udhëtimi për t’i kapur të krishterët në Damask iu dëftua Jezusi i ringjallur dhe e ftoi për një mision apo dërgim të ri, përkatësisht të jetë nxënës i tij.
Pali jetën e vet e ndanë në dy pjesë: Jeta pa Krishtin dhe koha në Krishtin.
Ai e kuptojë se ishte në rrugë të gabuar, të cilën nuk do të duhej ta vazhdonte. Prandaj, kthimin dhe gjithë misionin e vet Pali do ta fuqizojë edhe me gjakun e derdhur si dëshmi e dashurisë ndaj atij që i shërbente.
Lidhur me karakteristikat e personalitetit të Palit, kështu shkruan mons. Ghidelli: “Më duket se ato mund t’i përmbledhim kështu: para së gjithash ai ishte një person jashtëzakonisht i vendosur. Vetëm një person sikurse ai mund t’i bënte ballë përplasjes së pësuar në Damask, ku njerëzimi i tij u vu në një provë të fortë. Por këtu del në pah edhe ndershmëria e tij e madhe; për të kishte rëndësi të vihej në shërbim të të vërtetës dhe tani, pasi e ka zbuluar, e ndien për detyrë të ndërrojë rrugë: kjo është një ndershmëri që s’e luan topi”.
Sauli, që u bë Pal, me siguri nuk ka ndryshuar temperament apo karakter, por, me ndihmën e hirit, karakterin e vet, me gjitha energjitë e veta fizike e shpirtërore, do ta orientojë drejt një pikësynimi të ri: të fitojë Krishtin pasi është fituar prej Krishtit (khs. Fil 3,8). Këtu qëndron i tërë sekreti i lumturisë për çdo qenie njerëzore: të kërkojë e mundësisht të gjejë një qendër njësimi rreth së cilës do të sillej jeta e tij.
Sauli dhe Shtjefni
Me kryqëzimin e Jezusit, hebrenjtë menduan se i kanë shpërndarë edhe nxënësit e tij dhe të gjithë ata që i besonin. Mirëpo, dita e pesëdhjetë pas Ngjalljes së Jezu Krishtit e dëshmon të kundërtën: Atë ditë pagëzohen rreth 3000 hebrenj (khs. Vap 2, 41). Në këtë kohë Sauli kthehet në Jerusalem, dhe këtu mëson se është përhapur një besim i ri në të cilin predikohet se Mesia ka ardhur. Sauli, që kishte studiuar mirë shkrimet dhe ligjet hebreje, ishte i bindur se Mesia do të jetë një mbret dhe njeri i fuqishëm, i cili do ta lirojë popullin hebre nga pushtimi romak. Prandaj do të vihet në luftimin e kësaj bashkësie te re fetare, njerëzve që kishin filluar të quhen të krishterë.
Këtë besim të ri nuk e përhapnin vetëm apostujt, tani këtë mision e kishin marrë edhe ndihmësit e tyre diakonët. Një ndër ta ishte Shtjefni. Në fakt, të krishterët e parë duheshin ashtu që gjithçka që kishin e ndanin mes veti dhe në këtë detyrë humane apostujt do të ndihmohen pikërisht prej diakonëve të cilët shugurohen nga apostujt, dhe u besohet kjo detyrë pasi që ishin burra në zë të mirë.
Shtjefni dallohet edhe për nga predikimet e tija duke marrë para sysh se ai diskuton edhe me Saulin lidhur me Mesinë. Sauli ishte i bindur se “është i mallkuar prej Zotit ai që dënohet me kryqëzim”, ndërsa Shtjefni, bazuar në shkrimet e profetëve mbron tezën se Mesia duhet të pësojë dhe të vdes edhe atë si i Zgjedhuri i Hyjit. Këtu fillon kundërshtimi i rreptë mes tyre dhe gjatë diskutimeve të mëtutjeshme Shtjefni do të sulmojë edhe mësimin hebre mbi Ligjet dhe Sinagogën (Tempulli hebre) dhe dëshmia e tij për Mesinë do t’i kushtojë me kokë. Dëshmitar i këtij dënimi ishte edhe Sauli. Mësuesit e Ligjit hebre, sipas mësimeve të tyre, ishin të vendosur të dënojnë dhe vrasin me gurë të gjithë ata që mësojnë ndryshe nga ajo që mëson Tora.
Shtjefni diakon, i bindur në mësimin e Krishtit, në momentet e fundit të jetës së vet, do të vazhdoj të lutet për vrastarët me fjalët: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” (Vap 7, 59-60) dhe vdes duke u bërë martiri i parë i krishterimit. Edhe Veprat e Apostujve dëshmojnë për faktin se Sauli e dha pëlqimin e vet për vrasjen e Shën Shtjefnit (khs. Vap 8,1).
Vdekja e tij është çmimi që e pagoi Kisha e parë për tu liruar nga nacionalizmi hebre dhe të fillojë të zbatojë në vepër misionin apo dërgimin e saj. Gjaku i Shën Shtjefnit në të njëjtën kohë ishte çmimi që e pagoi Kisha për apostullin e vet më të madh, i cili d0 ta shënojë këtë periudhë me predikimin e Lajmit të Gëzueshëm. “Non sine sanguine – pa derdhje gjaku nuk ka falje”! (Heb 9, 22). Shën Shjefni vdes, por nuk vdes e vërteta që ai predikoi, sepse pas kësaj të vërtete qëndron vet Zoti. Shën Augustini me të drejtë thotë: “Si martyr Stephanus non sic orasset, Ecclesia Paulum non haberet”! Mos të ishte lutja e Shtjefnit, Kisha nuk do ta kishte Palin”!
Kthimi i Saulit
Damasku ishte qytet i dalluar për tregti dhe vend në të cilin banonin njerëz të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme. Drejt këtij qyteti Sauli niset me qëllim që të arrestojë të krishterët që ndodheshin atje. Pak para se të hyjë në qytet, Saulit i dëftohet Jezusi duke kërkuar prej tij llogari: “Saul, Saul, pse po më salvon?” Dhe, që nga ky takim i Saulit me të Ringjallurin, pastaj pas pagëzimit në Damask nga një hebre i devotshëm me emrin Anani, ai do të ndryshoj jetën e vet duke u bërë nxënës dhe zelltar i vyer për tërë jetën, duke u vu në shërbim të Jezusit të cilin e luftonte aq bindshëm. Tani, ai do të bëhet vegël e Jezusit siç lexojmë edhe në Veprat e apostujve: “Ai është vegla ime, që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit” (Vap 9, 15).
Shën Pali, i quajtur edhe si Apostulli i popujve, pa dyshim është një ndër figurat më të mëdha e më të rëndësishme të krishterimit. Jeta e tij e mëparshme si farise, përndjekës i krishterimit, njohja e Ligjit dhe e botës pagane heleniste dhe romake, pastaj kthimi në krishterim, veprimtaria e tij në mbarë botën e atëhershme pagane, dhe së fundmi martirizimi në Romë, e bëjnë atë vërtet të papërsëritshëm dhe të pakrahasueshëm.
Pali, pas kthimit të tij në Damask, e kupton se mes Jezusit dhe të krishterëve ekzistonte një lidhje shpirtërore, një bashkim sakramental, mister ky dhe themel i qenies sonë – Kishës, e njëkohësisht edhe dashurisë sonë ndaj Saj.
Rreth kthimit të tij ka shumë interpretime dhe shpjegime. Disa flasin për vegim, të tjerët për përjetim mistik personal me të cilin Jezusi i ngjallur iu është zbuluar në thellësi dhe menjëherë ia dhuroi tërësinë e misterit të Ringjalljes.
Pas kthimit të tij, ai do të tërhiqet për tri vite në Arabi dhe në një mënyrë aty do të vazhdojë të meditojë mbi krejt atë që i ka ngjarë, por edhe të përgatitet për të filluar më pas të flas, të dëshmojë fuqishëm për ngjalljen e Krishtit. Pas kësaj periudhe Pali kthehet duke u predikuar hebrenjve në Damask, pastaj në Jerusalem dhe më vonë në qytetin e lindjes në Tars ku do të kalojë një kohë të qetë në pendesë dhe uratë.
Kishte ardhur koha kur Pali do të duhej vërtetë të fillojë misionin e tij, dhe kjo ngjanë në takimin e tij me Barnabën. Njëherit, kjo ishte koha kur Pali fillon veprën e vet misionare për tu orientuar më vonë drejt Antiokisë, që ishte qytet me mbi pesëqind mijë banorë. Qyteti i tretë për nga numri i banorëve, pas Romës dhe Aleksandrisë. Antiokia luan rol të rëndësishëm në jetën e Shën Palit. Në këtë qytet ai do të ballafaqohet me romakët, grekët, sirianët dhe hebrenjtë të cilëve do tu flas për Krishtin. Tani Barnaba e nxit Palin me fjalët: “Mësuesi është këtu dhe të thërret”, “Magister adest et vocat te! Eja me mua në Antioki”. Barnaba do të jetë bashkëpunëtor i afërt dhe i denjë i Shën Palit në shumë udhëtime të tija. Më vonë, pas kthimit nga Jerusalemi, ata do të marrin me vete edhe Markun, të cilin kishin për qëllim ta angazhonin me punë në mesin e paganëve.
Udhëtimet
Fillimin i predikimit të Shën Palit gjatë udhëtimit të parë e gjejmë në Vap 13-14, ku përmenden Qipro, vendlindja e Barnabës, Galacia, Turqia e sotme qendrore, diku rreth viteve 46-48 duke u predikuar kryesisht hebrenjve, por edhe paganëve.
Udhëtimin e dytë e bën rreth viteve 49-52 (Vap 15, 36—18, 22) në Galaci, Maqedoni, Greqi.
Në udhëtimin e tretë – Palin e gjejmë në Efez dhe Korint. Kohëzgjatja 53-58. Gjatë këtij udhëtimi sipas të gjitha gjasave ishte edhe ne Ilirik i nisur nga Selaniku. Pali në Romë (61-63) – Burgosja dhe depërtimi i tij në Romë, pasi ishte kthyer në Jerusalem.
Mësimi i tij
Për Shën Palin ngjallja e Jezu Krishtit është epiqendra e mbarë historisë, sepse në Të plotësohen ligji dhe profetët, dhe nga Ai vjen shëlbimi për të gjithë.
Megjithëse ai thotë se nuk jam i denjë të quhem apostull, siç e thotë vetë: “… unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit. Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua” (1 Kor 15, 9-10), është vështirë të vlerësohet vepra dhe misioni i tij i madh në shërbim të Krishtit të cilin e predikoi. Pas Jezusit, Shën Pali është personaliteti për të cilin flitet më së shpeshti në Besëlidhjen e Re. I thirrur prej Krishtit të Ringjallur ai është apostulli i cili në të shumtën e rasteve i parë e shpalli Krishtin në gjithë hapësirën mesdhetare. Mbështetja e tij e fuqishme ishte miku i tij Barnaba.
Rruga e tij si njeri i ri, apostull i Jezusit, ka filluar të jetësohej fillimisht në Anatali (Jordania e sotme), e sidomos në Greqi dhe në Azi (Turqinë e sotme). Qe burgosur nga hebrenjtë në Jerusalem me padi se ai po shkaktonte çrregullim të rendit publik. Duke u thirrur në nënshtetësinë romake qe depërtuar në Romë si i burgosur shtëpiak për disa vite.
Kështu, tashmë siç është e ditur, veprimtaria e këtij vigani të krishterimit lidhet ngushtë me historinë, besimin dhe kulturën tonë. Ndër tjera, edhe për këtë arsye, është e domosdoshme t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë.
Literatura e përgjithshme, veçmas ajo kishtare, dëshmon për faktin e rëndësishëm se Ilirët, paraardhësit tanë, janë ungjillëzuar nga Shën Pali Apostull.
Bazë e kësaj janë pikërisht Letrat e tij:
Rom 15, 19
“Kështu, që prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Tit 3, 12).
“Kur ta dërgoj te ti Artemin ose Tihikun, nisu e eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa të kaloj dimrin” (2 Tim 4, 9- 10).
“Nisu dhe eja sa më parë te unë, sepse Dema, për dashuri të këtij shekulli, më la vetëm. Ai shkoi në Selanik, Kreshenci në Galaci, Titi në Dalmaci” (1 Sel 1, 8).
“Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah…”
Për këtë shenjt, predikatar të palodhshëm dhe dëshmitar të Lajmit të Gëzueshëm, është shkruar shumë dhe nga autorë të ndryshëm. Po ashtu, mbi dëshmitë e lartpërmendura biblike kanë shkruar edhe egzegjetë e historian tanë, kështu që, me këtë rast shkurtimisht do të bëj një paraqitje mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.
Letrat e Palit
Letrat e Shën Palit dhe Veprat e Apostujve janë burimet themelore për të studiuar dhe njohur personalitetin dhe teologjinë e tij.
BR përmban 14 Letra të Shën Palit dhe njëherit ato përbëjnë gati ¼ e gjithë BR. Ato ndahen në katër grupe, si:
Letrat e para ( 1 dhe 2 Selanikasve)
Letrat e mëdha (Romakëve, 1 dhe 2 Korintasve dhe Galatasve)
Letrat nga burgu (Kolosianëve, Efesianëve, Filipianëve dhe Filemonit)
Letrat pastorale (1 dhe 2 Timoteut dhe Titit)
Letra drejtuar Hebrenjve – i përshkruhet Palit megjithëse egzegjetë të shumtë mendojnë se mund të jetë e ndonjë autori tjetër.
Në letrat e Shën Palit thirrja dhe dërgimi i tij konsiderohen gjithmonë vepër e Zotit. Ai shkruan: “Porse, kur Atij, që më zgjodhi qysh në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu të zbuloi në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë “ (Gal 1, 15).
Mësimi që jep Pali, e që vërehet në të gjitha Letrat e tij, ka të përbashkët shpjegimin dhe dëshminë bindëse të fesë në Jezu Krishtin, sidomos në veprën e shëlbimit për të gjithë njerëzit.
Veçojmë me këtë rast një pjesë nga mësimet e tija ku flet për lirinë me këto fjalë: “Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! (Gal 5, 13).
Liria, dashuria dhe e vërteta janë si tri motra të pandashme: nëse rrinë së bashku, atëherë janë si tri energji jetësore që na ndihmojmë të jetojmë mirë; në rast të kundërt zhduken të gjitha së bashku dhe ne mbetemi pa atë që është e domosdoshme për të bërë një jetë të hijshme të krishterë.
Pali në Romë – Martirizimi i tij
Shtrojmë pyetjen prej nga kjo fuqi, ky zell e përkushtim i Palit në misionin e tij, pas gjithë asaj përvoje të hidhur që kishte pasur me të krishterët e parë?! Përgjigja është: nga e Vërteta e Amshuar – Jezu Krishti, të cilin as Ilirët, as paganët tjerë ende nuk e kishin njohur, ndërsa, tani ballafaqoheshin me një mësim të ri.
Shën Pali i nisur nga fuqia e kësaj së Vërtete shtegtojë në mbarë tokat pagane e jo pagane, që të mbjell farën e shpëtimit, të dhuroi atë që vetë e kishte pranuar si dhuratë. Aty ku shkojë mbolli me sukses të madh, e frytet e asaj fare i gëzojnë sot shumë popuj, në mesin e të cilëve jemi edhe ne shqiptarët, ndër popujt e parë të Ballkanit që patën fatin ta kenë këtë apostull të madh, atin e krishterimit. Prandaj, me të drejtë shprehet mburrje e madhe se pikërisht ky apostull ka mbjell identitetin e krishterë tek ne.
URATA DREJTUAR SHËN PALIT APOSTULL
O Shën Pal Apostull, Ty të zgjodhi Zoti ynë Jezu Krishti, që prej përndjekësit dhe kundërshtarit të bëhesh Shpallës dhe Dëshmitar i Ungjillit për të gjithë popujt, ndër të cilët edhe i paraardhësve tanë, Ilirëve.
Shtoje fenë tonë dymijëvjeçare në Jezu Krishtin, Shëlbuesin e mbarë njerëzimit;
ngjalle shpresën për një botë më të mirë dhe më të drejtë, sidomos për shëlbimin e amshuar.
Ndeze në zemrat tona dashurinë për Hyjin, Atin tonë të mirë, për njëri-tjetrin, dhe për mbarë bashkësinë e krishterë; ndihmoje Atë dhe Popullin tonë në kërkimin e të Vërtetës!
Po të lutemi, na ndihmo që ta njohim, dhe dëshmojmë të Vërtetën dhe Jetën, që është Jezusi, për të qenë “një trup i vetëm në Krishtin” (Rom 12, 5). Bëj që “në shpresë të jemi të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në uratë të qëndrueshëm” (Rom 12, 12), për të arritur së bashku në Atmen qiellore. Amen./drita.info