MESAZHI I ATIT TË SHENJTË LEONI XIV PËR DITËN XXXIV BOTËRORE TË TË SËMURIT | 11 shkurt 2026

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË LEONI XIV
PËR DITËN XXXIV BOTËRORE TË TË SËMURIT
11 shkurt 2026

 

Dhembshuria e Samaritanit: të duash duke bartur dhimbjen e tjetrit

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra!

Dita e 34-të Botërore e të Sëmurit do të kremtohet solemnisht në Chiclayo, në Peru, më 11 shkurt 2026. Me këtë rast kam dëshiruar të ripropozoj figurën e Samaritanit të mirë, gjithmonë aktuale dhe e domosdoshme për të rizbuluar bukurinë e dashurisë së krishterë dhe përmasën shoqërore të dhembshurisë, duke e përqendruar vëmendjen te nevojtarët dhe ata që vuajnë, siç janë të sëmurët.

Të gjithë e kemi dëgjuar dhe lexuar këtë tekst prekës të Shën Lukës (khs. Lk 10,25–37). Një mësues i Ligjit e pyet Jezusin se kush është i afërmi që duhet dashur, e Jezusi i përgjigjet duke treguar një histori: një njeri, duke zbritur nga Jerusalemi në Jerihon, e sulmuan cubat dhe e lanë gjysmë të vdekur; një prift dhe një levit kaluan pranë tij, por vetëm samaritani pati dhembshuri për të, ia lidhi plagët, e çoi në një bujtinë dhe pagoi që të kujdesej për të. Kam dashur të propozoj një reflektim mbi këtë fragment biblik, në dritën hermeneutike të Enciklikës Fratelli tutti të paraardhësit tim të dashur, Papa Françeskut, ku dhembshuria dhe mëshira ndaj nevojtarit nuk reduktohen në një përpjekje thjesht individuale, por realizohen në marrëdhënie: me vëllain në nevojë, me ata që kujdesen për të dhe, në themel, me Hyjin, i cili na dhuron dashurinë e Tij.

 

  1. Dhurata e takimit: gëzimi i dhënies së afërsisë dhe pranisë

Jetojmë të zhytur në kulturën e shpejtësisë, të menjëhershmërisë dhe të ngutjes, por edhe të përjashtimit dhe të indiferencës, që na pengon të afrohemi e të ndalemi përgjatë udhës për të parë nevojat dhe vuajtjet që na rrethojnë. Shëmbëlltyra tregon se samaritani, kur e pa të plagosurin, nuk “u shmang”, por e shikoi me një vështrim të hapur dhe të kujdesshëm, vështrim të Jezusit, i cili e çoi drejt një afërsie njerëzore dhe solidare. Samaritani «u ndal, i dhuroi afërsi, e mjekoi me duart e veta, pagoi nga xhepi i tij dhe u kujdes për të. Mbi të gjitha, i dhuroi […] kohën e vet».[1] Jezusi nuk mëson kush është i afërmi, por si të bëhemi të afërm, domethënë si të bëhemi ne vetë të afërt.[2] Në këtë drejtim, mund të pohojmë me Shën Augustinin se Zoti nuk deshi të mësonte kush ishte i afërmi i atij njeriu, por kujt ai duhej t’i bëhej i afërm. Në të vërtetë, askush nuk është i afërm i tjetrit përderisa nuk i afrohet me vullnet të lirë. Prandaj, i afërm u bë ai që pati mëshirë.[3]

Dashuria nuk është pasive; ajo shkon drejt tjetrit. Të jesh i afërm nuk varet nga afërsia fizike apo shoqërore, por nga vendimi për të dashur. Prandaj i krishteri i bëhet i afërm i atij që vuan, duke ndjekur shembullin e Krishtit, Samaritanit të vërtetë hyjnor, i cili iu afrua njerëzimit të plagosur. Nuk bëhet fjalë për gjeste të thjeshta filantropie, por për shenja në të cilat mund të dallohet se pjesëmarrja personale në vuajtjet e tjetrit përfshin dhurimin e vetvetes; do të thotë të shkohet përtej përmbushjes së nevojave, derisa vetë personi të bëhet pjesë e dhuratës.[4] Kjo dashuri ushqehet domosdoshmërisht nga takimi me Krishtin, i cili për dashuri u dhurua për ne. Shën Françesku e shpjegonte shumë mirë këtë, kur, duke folur për takimin e tij me lebrozët, thoshte: «Vetë Zoti më çoi mes tyre»,[5] sepse pikërisht përmes tyre kishte zbuluar ëmbëlsinë e gëzueshme të dashurisë.

Dhurata e takimit lind nga lidhja me Jezu Krishtin, të cilin e njohim si Samaritanin e mirë që na ka sjellë shëndetin e amshuar dhe që e bëjmë të pranishëm sa herë që përkulemi para vëllait të plagosur. Shën Ambrozi thoshte: «Meqë askënd nuk e kemi më  afërm se Ai që ka shëruar plagët tona, ta duam si Zot dhe ta duam edhe si të afërm: asgjë nuk është më e afërt se koka me gjymtyrët. Le ta duam edhe atë që është imitues i Krishtit; ta duam atë që vuan për varfërinë e të tjerëve, për shkak të unitetit të trupit».[6] Të jemi një në Një, në afërsi, në prani, në dashurinë e marrë dhe të ndarë, dhe të shijojmë, si Shën Françesku, ëmbëlsinë e takimit me Të.

 

  1. Misioni i përbashkët në kujdesin ndaj të sëmurëve

Shën Luka vazhdon duke thënë se samaritani “pati dhembshuri për të”. Të kesh dhembshuri nënkupton një lëvizje të thellë të zemrës, që shtyn drejt veprimit. Është një ndjenjë që buron nga brendia dhe çon në angazhim përballë vuajtjes së tjetrit. Në këtë shëmbëlltyrë, dhembshuria është tipari dallues i dashurisë vepruese. Ajo nuk është as teorike, as thjesht sentimentale, por përkthehet në gjeste konkrete: samaritani afrohet, i mjekon plagët, merr përgjegjësi dhe kujdeset për të. Por kujdes: ai nuk vepron i vetëm, në mënyrë individualiste. «Samaritani kërkoi një bujtinar që të mund të kujdesej për atë njeri, ashtu si edhe ne jemi të thirrur të ftojmë dhe të takohemi në një “ne” që është më i fortë se shuma e individualiteteve të vogla».[7] Unë vetë e kam përjetuar, në shërbimin tim si misionar dhe ipeshkëv në Peru, se sa shumë njerëz e jetojnë mëshirën dhe dhembshurinë sipas shembullit të samaritanit dhe të bujtinarit. Familjarët, fqinjët, punonjësit shëndetësorë, ata që janë të angazhuar në baritoren shëndetësore dhe shumë të tjerë që ndalen, afrohen, mjekojnë, bartin, shoqërojnë dhe ofrojnë atë që kanë, i japin dhembshurisë një përmasë shoqërore. Kjo përvojë, që realizohet në një ndërthurje marrëdhëniesh, e tejkalon angazhimin thjesht individual. Në këtë mënyrë, në Nxitjen Apostolike Dilexi te nuk iu referova vetëm kujdesit ndaj të sëmurëve si një «pjesë e rëndësishme» e misionit të Kishës, por si një «veprimtari autentike kishtare» (nr. 49). Aty citoja Shën Ciprianin për të treguar se pikërisht në këtë përmasë mund të verifikohet shëndeti i shoqërisë sonë: «Kjo epidemi, kjo murtajë, që duket e tmerrshme dhe fatale, vë në provë drejtësinë e secilit dhe shqyrton ndjenjat e njerëzimit: nëse të shëndoshët u shërbejnë të sëmurëve, nëse të afërmit i duan me respekt familjarët e tyre, nëse zotërinjtë kanë dhembshuri për shërbëtorët e sëmurë, nëse mjekët nuk i braktisin të sëmurët që kërkojnë ndihmë».[8]

Të jesh një në Një do të thotë të ndiejmë se jemi vërtet gjymtyrë të një Trupi, në të cilin, sipas thirrjes sonë, bartim dhembshurinë e Zotit për vuajtjen e të gjithë njerëzve.[9] Për më tepër, dhimbja që na prek nuk është një dhimbje e huaj; ajo është dhimbja e një gjymtyre të po atij Trupi, për të cilën Kreu ynë na urdhëron të kujdesemi për të mirën e të gjithëve. Në këtë kuptim, ajo identifikohet me dhimbjen e Krishtit dhe, e ofruar në mënyrë të krishterë, përshpejton përmbushjen e lutjes së vetë Shëlbuesit për unitetin e të gjithëve.[10]

 

  1. Të shtyrë gjithmonë nga dashuria për Hyjin, për t’u takuar me vetveten dhe me vëllain

Në urdhërimin e dyfishtë: «Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!» (Lk 10,27), mund të dallojmë parësinë e dashurisë për Hyjin dhe pasojën e drejtpërdrejtë që ajo ka mbi mënyrën e të dashurit dhe të të jetuarit të marrëdhënieve të njeriut në të gjitha përmasat e tij. «Dashuria për të afërmin është prova e prekshme e vërtetësisë së dashurisë për Hyjin, siç dëshmon Gjon apostull: “Hyjin askurrë askush nuk e pa. Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne dhe dashuria e tij në ne është e përkryer. […] Hyji është Dashuri, dhe, kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të” (1 Gjn 4,12.16)».[11] Megjithëse objekti i kësaj dashurie është i ndryshëm: Hyji, i afërmi dhe vetvetja, dhe në këtë kuptim mund të flasim për dashuri të dallueshme, ato janë gjithmonë të pandara.[12] Parësia e dashurisë hyjnore nënkupton që veprimi i njeriut të mos kryhet për interes vetjak apo për shpërblim, por si shfaqje e një dashurie që i tejkalon normat rituale dhe përkthehet në një kult të vërtetë: t’i shërbesh të afërmit do të thotë ta duash Hyjin me vepra.[13]

Kjo përmasë na lejon gjithashtu të kuptojmë çfarë do të thotë ta duam vetveten. Do të thotë të largojmë prej nesh tundimin për ta themeluar vetëvlerësimin apo ndjenjën e dinjitetit tonë mbi stereotipe suksesi, karriere, pozite apo prejardhjeje,[14] dhe ta rifitojmë vendosjen tonë të vërtetë përpara Hyjit dhe vëllait. Benedikti XVI thoshte se «krijesa njerëzore, si natyrë shpirtërore, realizohet në marrëdhëniet ndërpersonale. Sa më shumë i jeton ato në mënyrë autentike, aq më shumë piqet edhe identiteti i tij personal. Njeriu nuk e vlerëson veten duke u izoluar, por duke hyrë në marrëdhënie me të tjerët dhe me Hyjin».[15]

Të dashur vëllezër e motra, «ilaçi i vërtetë për plagët e njerëzimit është një stil jete i bazuar në dashurinë vëllazërore, i cili e ka rrënjën në dashurinë e Hyjit».[16] Dëshiroj me gjithë zemër që në stilin tonë të jetës së krishterë të mos mungojë kurrë kjo përmasë vëllazërore, “samaritane”, gjithëpërfshirëse, e guximshme, e angazhuar dhe solidare, që e ka burimin e vet më të thellë në bashkimin tonë me Hyjin dhe në besimin në Jezu Krishtin. Të ndezur nga kjo dashuri hyjnore, do të mund të dhurohemi me të vërtetë për të mirën e të gjithë atyre që vuajnë, sidomos të vëllezërve tanë të sëmurë, të moshuar dhe të pikëlluar.

Le ta ngremë lutjen tonë drejt së Lumes Virgjër Mari, Shëndeti i të Sëmurëve; ta kërkojmë ndihmën e saj për të gjithë ata që vuajnë, që kanë nevojë për dhembshuri, dëgjim dhe ngushëllim, dhe t’i lutemi ndërmjetësimit të saj me këtë lutje të lashtë, e cila recitohej në familje për ata që jetojnë në sëmundje dhe në dhimbje:

Nënë e ëmbël, mos u largo,
mos e largo prej meje shikimin tënd.
Eja me mua kudo
dhe mos më lër kurrë vetëm.
Ti që gjithmonë më mbron
si Nëna ime e vërtetë,
bëj që të më bekojë Ati,
Biri dhe Shpirti Shenjt.

Me gjithë zemër jap Bekimin tim Apostolik për të gjithë të sëmurët, për familjarët e tyre dhe për ata që kujdesen për ta, për punonjësit shëndetësorë, për personat e angazhuar në baritoren shëndetësore dhe, në mënyrë të veçantë, për ata që marrin pjesë në këtë Ditë Botërore të të Sëmurit.

 

Nga Vatikani, 13 janar 2026

LEONI PP. XIV

 

Përktheu: Rev. “DRITA”

 

————————————————————————

[1] Françesku, Let. enc. Fratelli tutti (3 tetor 2020), 63.

[2] Khs. njëjtë., 80-82.

[3] Khs. Shën Augustini, Fjalimet, 171, 2; 179 A, 7.

[4] Khs. Benedikti XVI, Let. enc. Deus caritas est (25 dhjetor 2005), 34; Shën Gjon Pali II, Let. ap. Salvifici doloris (11 shkurt 1984), 28.

[5] Shën Françesku i Asizit, Testamenti, 2: Burimet Françeskane, 110.

[6] Shën Ambrozi, Traktat mbi  Ungjillin e Shën Lukës, VII, 84.

[7] Françesku, Let. enc. Fratelli tutti (3 tetor 2020), 78.

[8] Shën Cipriani, De mortalitate, 16.

[9] Khs. Shën Gjon Pali II, Let. ap. Salvifici doloris (11 shkurt 1984), 24.

[10] Khs. njëjtë, 31.

[11] Nxitje. ap. Dilexi te (4 tetor 2025), 26.

[12] Khs. njëjtë.

[13] Khs. Françesku, Let. enc. Fratelli tutti (3 tetor 2020), 79.

[14] Khs. njëjtë, 101.

[15] Benedikti XVI, Let. enc. Caritas in veritate (29 gusht 2009), 53.

[16] Françesku, Mesazh për pjesëmarrësit në Festivalin e 33-të Ndërkombëtar të të rinjve (MLADIFEST), Medjugore, 1-6 gusht 2022 (16 korrik 2022).

Shpëndaje: