“Magnifica Humanitas”, enciklika e parë e Leonit XIV. Publikimi më 25 maj

Dokumenti me temë “ruajtjen e personit njerëzor në kohën e Inteligjencës Artificiale” mban nënshkrimin e Papës më 15 maj 2026, në përvjetorin e enciklikës Rerum Novarum të Leonit XIII. Prezantimi të hënën e ardhshme në Sallën e re të Sinodit në prani të Papës.

 

Magnifica Humanitas. Ky është titulli i letrës së parë enciklike të Leonit XIV “mbi ruajtjen e personit njerëzor në kohën e inteligjencës artificiale”. Dokumenti do të publikohet më 25 majin e ardhshëm dhe mban nënshkrimin e Papës me datë 15 maj, në 135-vjetorin e shpalljes së enciklikës Rerum Novarum të Papa Leonit XIII.

Prezantimi i Magnifica Humanitas do të mbahet në të njëjtën ditë të publikimit, më 25 maj, në orën 11:30, pranë Sallës së re të Sinodit, në prani të vetë Papa Leonit XIV.

Ligjërues do të jenë kardinalët Víctor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, dhe Michael Czerny S.J., prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Tërësishëm Njerëzor. Më pas, profesoresha Anna Rowlands, teologe dhe pedagoge në Durham University në Mbretërinë e Bashkuar; Christopher Olah, bashkëthemelues i Anthropic (SHBA) dhe përgjegjës i kërkimit mbi interpretueshmërinë e Inteligjencës Artificiale; profesoresha Leocadie Lushombo i.t., pedagoge e teologjisë politike dhe e mendimit shoqëror katolik në Jesuit School of Theology / Santa Clara University, në Kaliforni.

Përmbyllja do t’i besohet kardinalit Sekretar të Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin. Do të vijojë fjalimi dhe bekimi i Papa Leonit. (R.SH. / Vatikan)

Shpëndaje: