
Sekretari i Shtetit i Vatikanit Kardinali Parolin merr çmimin “Urdhri Evropian i Meritës”, një dekoratë e dhënë nga Bashkimi Evropian, dhe mban një fjalim në ceremoninë e dhënies së çmimit me rastin e seancës plenare të Parlamentit kontinental në Strasburg. Kard. Parolin nënvizon angazhimin ndërkombëtar të Papës dhe të Selisë së Shenjtë për të promovuar një bashkëjetesë qytetare që pohon e mbron dinjitetin njerëzor të pacenueshëm.
Në një botë që po dëshmon rritjen e konflikteve, me paqen e kërcënuar në disa fronte e të plagosur edhe në Kontinentin e Vjetër nga lufta në Ukrainë, Bashkimi Evropian duhet të bëhet interpretues i asaj “përpjekjeje krijuese” të harmonisë së treguar nga një prej etërve themelues, Robert Schuman, për të cilin po vijon procesi i lumnimit. Këtë e deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur në ceremoninë e dhënies së “Urdhri Evropian të Meritës”, të mbajtur sot, më 19 maj, me rastin e seancës plenare të Parlamentit Evropian të mbledhur në Strasburg. Ky vlerësim, i pari i këtij lloji i dhënë nga një institucion i BE-së, nderon personalitete që kanë kontribuar në mënyrë të ndjeshme në integrimin dhe unitetin e kontinentit të vjetër.
Artizanë të paqes, së bashku
Kardinali Parolin, duke sjellë në seancën plenare të BE-së përshëndetjet e Papa Leonit XIV, nënvizoi se si harmonia midis popujve mbetet një “premtim themelor” i Bashkimit Evropian dhe një “angazhim i qartë ndërkombëtar” i Selisë së Shenjtë, siç është theksuar disa herë nga vetë Papa. Në themel të kësaj “bashkëjetese qytetare”, shtoi ai, qëndrojnë vlera që i kanë rrënjët në historinë e krishterë evropiane dhe për të cilat etërit themelues u bënë dëshmitarë elokuentë. “Ndër këto vlera është para së gjithash edhe pohimi i dinjitetit njerëzor, i cili është i pacenueshëm dhe duhet të mbrohet gjithmonë në çdo fazë të jetës”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin e përmbylli fjalën e tij duke ripohuar gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të bashkëpunuar me institucionet evropiane për të qenë “së bashku artizanë të paqes”.
Origjina e vlerësimit
Ndër njëzet marrësit e këtij vlerësimi të BE-së bëjnë pjesë, përveç Kardinalit Parolinit, edhe Angela Merkel, ish-kancelare e Gjermanisë, Lech Wałęsa, ish-president i Polonisë, si dhe Aníbal Cavaco Silva, i cili ka mbajtur postet e presidentit të Republikës dhe të kryeministrit të Portugalisë. Çmimi, siç lexohet në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, u rithemelua me rastin e 75-vjetorit të Deklaratës Schuman, e cila propozonte krijimin e Bashkësisë Evropiane të Qymyrit dhe Çelikut, bërthama e parë e procesit të integrimit që solli në BE-në e sotme./ R.SH. – Vatikani

Postimi i Mëparshëm
