
Nga Don Robert Kola
Shtegu i agimit
Dëshira është preludi dhe maja e kurorës së metaforës nusërore. Vrushkujt e dëshirës janë rrëmbyese si vetë akti virgjëror i shpërthimit të agimit. Shpërthimi i agimit është përflakje e tejfigurimit të errësirës së natës dhe premtimi i lindjes së ditës së re. Pra, gji i përflakjes është agimi. Aty kullohet errësira e natës dhe kuqërrohet në flakërim të rrezeve butësore. “Përflakja e agimit në qiell duket sikur të ishte një gjë e vetme me tokën: si një trëndafil që për dëlirësinë e tij dhe përflakjen e tij, mbërrin cakun ku toka dhe qielli hapen dhe përqafohen; përqafim i pa shoq, në mes qiellit e tokës, që nuk shkëputet lehtë. Nuk është një miklim, por një veprim, ose, thënë me saktë, një akt i vetëm, një qenie. Një qenie, që po në atë akt jetojnë së bashku – në të njëjtin çast – të lindjes së tyre dhe të tejfigurimit të tyre. Flaka e ndezur dhe përflakja butësore e ngjizjes, thuajse qiellorja shkrihet, pa lënë gjurmën e saj, jo nostalgji, por shfaqet si një përmbushje e premtimit, ku për deri sa jemi këtu përmbi këtë tokë, kthehet që të kryet në kthimin e përjetshëm.”[1]
Agimi është shtegu i përflakur edhe i dritës: “Po flaka e ndezur (e agimit) ngrihet dhe bie pa u fikur, s’ka fikje, por vetëm dukshmëri të përflakjes së saj, pasi njëherë e dhuruar si vizion ndriçues, i bën vend mëngjesit të bardhë dhe flaka, duke e përndezur e rilind, pastaj duke e lënë ashtu të bardhë, por të ndezur, përflaket në bardhësi. Kjo nuk do të arrihej pa flakën e kulluar dhe mëngjesi i bardhë do mbetej thjesht ashtu i vetëm, si një nuse e braktisur e caktuar të harrohet, dhe gjithnjë i ftohtë.”[2]
Përflakja e dritës në agimin e kuqërruar, është si thekja zanafillore e Shpirtit mbi ujëra që përgatit mbarë krijesën në dasmë të dritës: “Bardhësia e ndezur e agimit, bën të hetosh se ajo është e përbërë nga një ujë që bëhet i dukshëm vetëm në çaste, si në krye të herës, kur mbi ujërat zanafillorë qëndronte Shpirti, duke e thekur krijesën për dasmë. Shenjë e përnjëmend e ftesës dasmore, qysh prej zanafillës, nga e cila vjen mbarë krijesa. Ky, Agimin që shohim, duke u shtrirë në këtë botë, na ngrit në dashurinë që lind dhe frytëzon, dashurinë e parë nga e cila vjen mbarë universi që na rrethon, e që mund të bëhet – kanosje e rrezikut e ngritur prej rrethanave të dyshimit, ku jemi përplasur, pas errësimit zanafillor – gojë e një përjetësie pa dalje, gojë prej ferri, ku drita mbetet pa pushtet dhe një errësirë pa shfaqje. E Agimi besnik, duke përshkuar me krahët e tij të shtrirë, të gjitha shndërrimet dhe ndërrimet e nevojshme, pa u tërhequr kurrë nga hija e Shpirtit të Shenjtë, ky Agim bart me vete dritën që i shëlbon errësirat: dritën e papërfytyrueshme, dritën e vetme të gjakimit të zemrës së shqetësuar të çdo krijese, e vetmja që fal paqen.”[3] Agimi është thekje e dritës virgjërore për bukurinë nusërore: “qartësia e përsosur e pamjes së amshuar.”[4]
Kurora e dëshirës
Sikurse përmes antifonës që përmblidhet gjithë burimi dhe maja e hirit të kremtimit në liturgji, po ashtu përmes dëshirës përmblidhet gjithë burimi dhe maja e kurorës së metaforës nusërore.
Paja e dëshirës së metaforës nusërore e Këngës së këngëve është e endur dhe e qëndisur me rrezet e shfaqjes së agimit zanafillor dhe zërit që fërgëllon. Përflakja e agimit dhe fërgëllima e zërit janë rrathët e vargjeve të dëshirës në mes të fejuarit dhe të fejuarës.
Duvaku nusëror i dëshirës shtrihet me shfaqjen e agimit zanafillor dhe me dritën e përkryerjes dasmore të zbulesës. Vargëzim i dallgëve të stuhishme janë vargjet e misterit të saj. Si dallgët e krijimit në zanafillë dhe si dallgët e përsosjes dasmore në mbarim. Dallgë stuhie. Si vetë dallga e dashurisë.
Thekja e dëshirës së dashurisë, siç vjen e kënduar në Këngën e këngëve, është rrëmbyese: si shpërthimi i agimit, si shtroja e vesës, si zëri tingëllues, si shfaqja e fytyrës, si mbresa e puthjes, si vraga e vulosjes, si ushtima e ujërave të mëdha, si vala përvëluese e shkretëtirës, si balsami i nardit, si shkëlqimi i safirit, si lili që lulëzon, si cedri e qiparisi që lëshojnë shtat, si ëmbëlsia e hojes së mjaltit, si sorkadhja e dreri që kërkon burimet, si pëllumbesha në plasat e shkëmbit, si thekja e rropullive të lindjes.
Dëshira është sythi virgjëror i hapjes ndaj dhuratës dhe është e ngjeshur me hirin e saj. Thellësia e dëshirës është tërheqja e mishërimit të dhuratës. Hapja ndaj dhuratës thur këngën e pranimit të saj. Hiri i dhuratës flakëron thelbin e dëshirës dhe “zbulon telos-in (përkryerjen) e saj”.[5]
Shkarja në mes hirit të dhuratës dhe tërheqjes së dëshirës mbaron në sajesë. Sajesa si shkulmi shkumues duke u përhapur veç sa vjen e shpërbëhet dhe tërheqja e lojës e shtrirjes së pambarueshme e dhurimit kërcënohet të mbarojë në plojën e kthetrave të nënshtrimit. Kur tërheqja e dëshirës nga shtrirja e kuptimit të shfaqjes së lojës së pambarueshme të saj, kalon në plojën e nënshtrimit të qëllimit, atëherë dhurimi mbaron në dhunim dhe kafshata e tërheqjes së saj, nuk bëhet kungim, por mbetet si një kafshim.
Falë dëshirës të qenit, njeriu lartësohet në zbulesën e dhurimit. Hiri i dhuratës është stratagjemë e metaforës nusërore e pa përmbysur. “Dëshira është një lëvizje ndaj tjetrit (…) Ajo priret kah plotësia e jetës dhe nuk mbaron si nevojë, por si takimi”.[6] Në dhurimin e butësisë së takimit me tjetrin të qenit e njeriut tejfigurohet në ikonën e “mirësisë”.[7] Tërheqja e dëshirës priret sidomos kah: “e veçanta e vetme dhe e reja”[8]. Përmes tyre nuk ngulmohet të shprehet epërsia, por është: “topos-i gjuhës së dashurisë.”[9] Përkryerja e dëshirës lind gjithmonë përtëritjen e re: “Objekti i vërtetë i dëshirës është e reja. Ajo është novum-i që përkryerja e lind.”[10] Përtëritja e dëshirës shkrihet në këngë të re: Canticum novum. Dëshira si vetë kënga përtëritet duke kënduar. Përmes përkryerjes dëshira bëhet këngë e përmbushjes.
—————————————————
[1] M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, Marietti, Bologna 2020, f. 148.
[2] M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, f. 148t.
[3] M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, f. 149.
[4] SHËN GREGORI I MADH, Nga komentimi i librit të Jobit, në Liturgjia e Orëve III, Qendra Don Bosko Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 253.
[5] X. LACROIX, Il corpo di carne, EDB, Bologna 2016, f. 154.
[6]X. LACROIX, Il corpo di carne, f. 215.
[7]E. LEVINAS, Totalità e infinito, Jaca Book, Milano 1971, f. 61.
[8]P. BEAUCHAMP, L’uno e l’altro Testamento. Compiere le Scritture 2, Glossa, Milano 2013, f. 41.
[9]F. MANNS, Mosè tra storia e midrash, Chirico 2017, f. 142.
[10]P. BEAUCHAMP, L’uno e l’altro Testamento. Compiere le Scritture 2, f. 18.

Postimi i Mëparshëm
