
MESAZHI I ATIT TË SHENJTË LEONI XIV
DREJTUAR MESHTARËVE
ME RASTIN E DITËS PËR SHENJTËRIMIN E MESHTARËVE
(Festa e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, 12 qershor 2026)
Të dashur vëllezër meshtarë,
Në ditën kur Kisha sot mediton Zemrën e shporuar të Zotërisë së saj, prej së cilës buron një burim i pashtershëm paqeje dhe bashkimi për mbarë njerëzimin, dëshiroj t’ia drejtoj para së gjithash vetes sime dhe secilit prej jush fjalët që Hyji ia tha popullit të Izraelit: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj!” (Lev 19,2; khs. 1 Pjt 1,16). Kjo thirrje hyjnore përshkon shekujt dhe jehon edhe sot me forcë për çdo besimtar, e në mënyrë veçanërisht kërkuese për ne meshtarët. Shenjtëria nuk është një opsion ndër shumë të tjera dhe as një ideal abstrakt; ajo prek vetë identitetin e çdo njeriu që dëshiron të marrë pjesë në jetën e Krishtit të Ngjallur.
Shenjtëria është pjesëmarrje në misterin e Krishtit
Hyji na fton të marrim pjesë në vetë shenjtërinë e Tij. Kur na thërret të jemi të shenjtë, sepse Ai është i shenjtë, na tregon edhe rrugën që duhet të ndjekim: të lejojmë që të formësohemi sipas Zemrës së tij. Dhe për ne, shumë të dashur vëllezër, kjo thirrje është veçanërisht rrënjësore. Zoti ka premtuar: “Do t’ju jap barinj sipas zemrës sime e do t’ju udhëheqin me dije e urti” (Jer 3,15). Shenjtëria që na kërkohet është një dorëzim plot besim: të lejojmë që Shpirti Shenjt i tij të na shndërrojë. Megjithatë, pikërisht këtu shfaqet paradoksi i madh i jetës sonë meshtarake: jemi të thirrur të marrim pjesë në vetë shenjtërinë e Hyjit, por këtë thesar e mbajmë në enë prej balte (khs. 2 Kor 4,7). Jemi të kufizuar dhe të papërsosur, shpesh të shënuar nga dobësi e lodhje, e ndonjëherë edhe me plagë. Si mundet një zemër njerëzore, kaq e brishtë t’i përgjigjet një thirrjeje kaq të lartë? Meshtari e jeton këtë tension, por ai e di se ku mund ta gjejë paqen: në kraharorin e hapur të Zotit Jezus.
Një udhë i përbashkët
Bashkimi i zemrës sonë me Zemrën e Krishtit nuk është një përvojë e rezervuar për disa të zgjedhur, por një udhëtim sakramental dhe eukaristik që realizohet në jetën e përditshme. Të dashur vëllezër, në Shugurimin Meshtarak ne jemi bërë të ngjashëm me Krishtin, por është e nevojshme që vazhdimisht ta ripërtërijmë në veten tonë dhuratën e hirit përmes kremtimit të përditshëm të Eukaristisë, lutjes, meditimit të Fjalës së Hyjit dhe shërbimit të përvuajtur ndaj vëllezërve dhe motrave. Le të mbetemi të bashkuar me Krishtin në gjithçka: në atë që bëjmë dhe në atë që na ndodh çdo ditë. Atëherë shenjtëria, e kërkuar më kot përmes përpjekjeve të izoluara, do të zbulohet ashtu siç është në të vërtetë: përgjigje ndaj hirit që na paraprin, na mbështet dhe na shndërron. Në të vërtetë, nuk ekzistojnë veprime të ndara në njerëzinë tonë. Lutja, shërbesa, marrëdhëniet, lodhja, gëzimet dhe dështimet, madje edhe koha që duket e humbur apo dashuria që duket e shpërdoruar, të gjitha bëhen vende të privilegjuara ku Hyji dhe dashuria e Tij e pafundme shfaqen.
Meshtari me një zemër të njësuar, të thjeshtë dhe të pastër, është njeri i soditjes në mes të veprimit, i mëshirshëm, besnik në sprovë dhe plot gëzim në dhurimin e vetvetes. Bota ka nevojë të madhe për barinj që të mos ofrojnë vetëm fjalë apo programe, por dëshminë e gjallë të një zemre të pajtuar, duke përhapur erën e mirë të shenjtërisë së Krishtit. Një jetë meshtarake e qëndrueshme dhe e formuar sipas Zemrës së Jezusit është shenjë e besueshme e unitetit, paqes dhe mëshirës. Kështu, në një kohë të shënuar nga përçarjet dhe frika, ne mund të bëhemi ndërtues të paqes, dëshmitarë të butësisë së Bariut të Mirë, i cili di t’i mbledhë ata që janë shpërndarë dhe t’i shërojë ata që janë plagosur. Atëherë zelli ynë nuk do të jetë trazim apo aktivizëm i zbrazët, por derdhje e një dashurie që, siç shkruan Papa Françesku, “është ekstazë, është dalje nga vetvetja, është dhuratë, është takim” (Françesku, Enciklika Dilexit nos, nr. 28).
Zemra e Krishtit është zemra e shenjtërve
Përgjigjja ndaj thirrjes për të qenë të shenjtë nuk qëndron aq shumë në përpjekjen asketike dhe në kërkimin e përsosmërisë, sado të nevojshme të jenë ato, por në pranimin plot besim të dashurisë së zbuluar në Zemrën e shporuar të Jezusit. Gjon Apostull na bën të sodisim kraharorin e hapur të të Kryqëzuarit (khs. Gjn 19,34), në të cilin Hyji na tregon përfundimisht se çfarë do të thotë shenjtëria e Tij: jo një përsosmëri e paarritshme dhe e largët, por një dashuri që dhurohet deri në atë pikë sa të plagoset, e cila pikërisht për këtë arsye bëhet burim mëshire dhe jete. Zemra e Shenjtë e Jezusit është ikona më e përsosur e dashurisë së Hyjit: një dashuri e gjithëpushtetshme pikërisht sepse është e aftë të bëhet e brishtë, ta shndërrojë dhimbjen në hir dhe vuajtjen në shpresë.
Prandaj, ajo Zemër e bekuar është “vendi” ku shenjtëria shfaqet si afërsi dhe butësi. Shenjtëria e meshtarit mund të shfaqet në afërsinë e tij të përvuajtur dhe guximtare, në të qenit i të gjithëve dhe për të gjithë, duke e mbajtur të hapur derën e grigjës, që shumë të mund të hyjnë e të gjejnë kullotë dhe pushim (khs. Gjn 10,9). Për këtë arsye, prej nesh kërkohet një marrëdhënie me Hyjin që të mos na largojë nga njerëzit, por të na bëjë më të afërt me secilin; një marrëdhënie që formëson zemra të durueshme, të buta, të afta për afërsi, dhembshuri dhe dëgjim. Kështu, përmes bashkimit të zemrës sonë të papërsosur me Zemrën e shporuar të Jezusit, realizohet udha jonë drejt shenjtërisë. Nuk jetojmë më ne, por Krishti jeton në ne (khs. Gal 2,20). Një shenjtëri e tillë nuk jetohet vetëm. Kujdesuni për vëllazërinë meshtarake: kërkojeni njëri-tjetrin, dëgjojeni njëri-tjetrin, mbështeteni njëri-tjetrin. Meshtari që izolohet shuhet ngadalë; meshtari që ecën me vëllezërit e tij rritet. Këtë na e kujton edhe Shën Augustini: “Si mund të mos jemi në errësirë? Duke i dashur vëllezërit. Cila është prova se i duam vëllezërit? Është kjo: që nuk e thyejmë unitetin dhe e ruajmë dashurinë” (In Epist. Io. ad Parthos II, 3).
Të dashur meshtarë, ripërtërijeni çdo ditë “Ja ku jam” përpara Zemrës së shporuar të Krishtit. Dorëzojuni plotësisht Atij, që të mund ta doni popullin me të njëjtën dashuri me të cilën Ai e do. Dhe kujtojeni me gëzim atë që përsëriste shpesh Famullitar i Shenjt i Arsit: “Meshtaria është dashuria e Zemrës së Jezusit” (khs. Benedikti XVI, Letra për Shpalljen e Vitit Meshtarak [16 qershor 2009]: AAS 101 [2009], 569). Kjo dashuri është pengu dhe garancia se asgjë prej nesh nuk do të humbasë, nëse gjithçka prej nesh i dorëzohet dhe i kushtohet Atij. Ju besoj të gjithëve, secilin veç e veç, Virgjërës Mari, Nënës së Meshtarëve. Ajo, që e ruajti në zemrën e saj misterin e Birit, na mësoftë ta ruajmë dhe ta bëjmë të rrahë në ne Zemra e Krishtit, Shpëtimtarit të botës.
Më 12 qershor 2026, Festa i Zemrës së Shenjtë të Jezusit
LEONI PP. XIV

Postimi i Mëparshëm
