
Leoni XIV viziton selinë e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në Romë dhe takohet me këshillin ekzekutiv. Papa nënvizon nga njëra anë paradoksin e zgjerimit të paparë të prodhimit dhe nga ana tjetër varfërinë që shtohet, duke e “burokratizuar” solidaritetin dhe duke e vënë urinë në varësi të rrethanave strategjike. Ati i Shenjtë bën thirrje për përpjekje të ripërtërira të qeverive për të caktuar fonde dhe për bashkëpunim shumëpalësh.
Konflikte që ushqehen pa brerje ndërgjegjeje se dikush-dikush nuk ka asgjë. Paradoksi i një epoke që prodhon si kurrë më parë por ata që nuk prodhojnë mjaftueshëm i lë duarbosh. Kjo gjë e “burokratizon” solidaritetin dhe bën që uria të përpihet nga logjika gjeopolitike. “Çfarë rendi botëror është ai që mund të prodhojë, riprodhojë dhe ndonjëherë edhe t’i quaj të zakonshme kushte të tilla?” Kjo është pyetja që jehon në oborrin e selisë së Programit Botëror të Ushqimit (WFP), në Parco dei Medici në jugperëndim të Romës, të cilin Papa Leoni XIV e vizitoi këtë mëngjes, më 22 qershor.
Pika ku bashkohen Programi Botëror i Ushqimit dhe Kisha
Papa Leoni XIV mbajti një fjalim drejtuar Këshillit Ekzekutiv të këtij organit që mbështetet nga Kombet e Bashkuara duke iu drejtuar punonjësve dhe familjeve të tyre të pranishme për këtë rast. Kjo vizitë ishte rezultat i një ftese të bërë nga Cindy McCain – e cila e përfundoi mandatin e saj si Drejtore Ekzekutive e WFP-së disa javë më parë – gjatë audiencës që iu dha nga Ipeshkvi i Romës në Vatikan më 10 janar. Papa Leoni iu drejtua kësaj si edhe Carl Skau-t, Drejtorit Ekzekutiv të Përkohshëm; po ashtu edhe Carla Barroso Carneiro-s, kryetare e asamblesë, si dhe të gjithë stafit që është i përkushtuar për “shpëtimin e jetëve në raste emergjencash dhe shpërndan ndihma ushqimore në vende konfliktesh dhe ku ka fatkeqësi natyrore”.
Angazhimi i institucionit tuaj përputhet thellësisht me misionin e Kishës Katolike për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të mbështetur vëllazërimin, që i ka rrënjët në thirrjen ungjillore për të dashur të afërmin tënd. Ne kemi të përbashkët detyrën e ngutshme të urisë dhe të kequshqyerjes, ndërkohë që shqyrtojmë shkaqet strukturore që i nxisin këto.
Kuptimi i arsyeve për ndërhyrje
Gjithçka rrjedh nga krizat e sotme që nuk janë më “ngjarje të izoluara”, por “realitete të vazhdueshme” të karakterizuara nga konflikte të zgjatura, pasiguri kronike ushqimore, paqëndrueshmëri ekonomike dhe kushte klimatike të cënuara rëndë. Këtu, Papa bën thirrje për një hap përpara, duke e ndërthurur ndërhyrjen me “kuptimin e shkaqeve” sepse sistemi i tashëm global “vazhdon të lind pikërisht problemet që më pas detyrohet t’i qortojë.”
Përparësia e shteteve për sigurinë, rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë politike
Një dukuri që, siç nënvizohet në enciklikën «Magnifica Humanitas,» është prekur thellësisht nga kriza e sistemit dhe nga shkërmoqja e rendit botëror. Aty ku nuk ka një horizont të përbashkët etik, Papa vëren kalimin nga një front i përbashkët në një që është “i çrregullt dhe konfliktual, ku sundon fryma e mosbesimit”.
Si rezultat, shtetet ia kanë kushtuar gjithnjë e më shumë të ardhurat e tyre sigurisë kombëtare, rritjes ekonomike dhe stabilitetit të brendshëm, duke e lënë mënjanë lidhjen e thellë midis këtyre objektivave dhe bashkëpunimit shumëpalësh.
Paradoksi i sotëm
Kjo prirje sjell me vete paradoksin e dukshëm të një “kapaciteti të paparë global prodhues” paralel me “zgjerimin e zonave tepër të rrezikuara”, fakt që Papa e përmbledh si më poshtë:
Të njëjtat forca që nxisin rritjen ekonomike shpesh ndikojnë për keq te përjashtimi dhe mënjanimi i njerëzve.
Nevoja parësore për lehtësimin e vuajtjeve pranohet, por kur vjen puna te zbatimi konkret hendeku zgjerohet dhe çon në “burokratizimin e solidaritetit” si edhe në “shndërrimin në gjë e mall të jetës njerëzore”.
Ushqimi shumë shpesh kushtëzohet nga gjykime ekonomike ose strategjike. Si pasojë, ata që nuk prodhojnë vlera materiale rrezikojnë të bëhen të padukshëm.
Solidariteti pengohet nga “vendime politike të pakuptueshme”
Sot njeriu e ka humbur pozicionin e tij qendror dhe ndihma, siç denoncoi Papa Françesku në fjalimin e tij drejtuar punonjësve të Programit Botëror të Ushqimit në vitin 2016, pengohet “nga vendime politike të ndërlikuara dhe të pakuptueshme, nga vizione ideologjike mashtruese ose nga barriera doganore të pakapërcyeshme”, kurse “armët nuk pengohen”.
Në fakt, konfliktet “ushqehen” më lehtë sesa ushqehen njerëzit. Ky realitet pasqyron jo vetëm mangësitë operacionale, por edhe prishjen e madhe të drejtpeshimit në përparësitë politike dhe morale.
Përkeqësimi i “cikleve të paqendrueshmërisë”
Më pas, Papa Leoni reflekton mbi mënyrën se si pasojat e kësaj pabarazie shtrihen përtej atyre që preken drejtpërdrejt, duke ndikuar në kohezionin shoqëror në tërësi, duke rritur rrezikun e konfliktit dhe të migrimit të detyruar, por gjithashtu duke kompromentuar aftësinë e shteteve dhe shoqërive për të ndërtuar institucione elastike, për të siguruar arsim siç duhet dhe për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, “duke përjetësuar kështu cikle paqendrueshmërie që në fund të fundit, ndikojnë në të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”.
Programit Botëror i Ushqimit parandalon “kolapsin e pakthyeshëm”
Veprimi humanitar nuk është “i huaj për rendin ndërkombëtar”; është një shprehje e përgjegjësisë së tij të përbashkët. Nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e krizave, por edhe me shprehjen e solidaritetit. Dhe “kur institucionet kombëtare tërhiqen dhe rrjetet e komunitetit shpërbëhen”, janë pikërisht organizma si Programi Botëror i Ushqimit që nuk i lejojnë krizat humanitare të kalojnë “në kolaps të pakthyeshëm”.
Kthimi te multilateralizmi
Për të gjitha këto çështje, Papa ofron një kundërhelm: të kthehemi te bashkëpunimi shumëpalësh, sepse asnjë shtet sot nuk mund t’i përballojë sfidat globale vetëm, as nuk mund të ndërtohet paqja e qëndrueshme pa të.
Ky qëllim mund të arrihet vetëm nëpërmjet bashkimit të politikave efektive dhe zbatimit të bashkërenduar dhe të njëkohshëm të ndërhyrjeve. Ftesa për të ecur së bashku, në harmoni vëllazërore, duhet të bëhet parimi udhëheqës.
Nxitje për rolin e Kishës dhe të qeverive
Prej këndej buroi edhe thirrja drejtuar qeverive dhe popujve të botës:
Le ta përtërijnë dhe ta forcojnë angazhimin e tyre; të rritet buxheti për luftën kundër urisë dhe shkaqeve rrënjësore të saj dhe të hiqen pengesat e ndihmave, që këto të arrijnë tek ata që kanë nevojë.
Për t’i zbatuar këto fjalë në praktikë, burokracia e panevojshme duhet të reduktohet, në mënyrë që transparenca dhe llogaridhënia të jenë në shërbim të njerëzve dhe të mos bëhen pengesë për ndihmën. Aty ku qeveritë dështojnë ose qasja humanitare është e kufizuar, Kisha Katolike mund të luajë një rol të rëndësishëm, duke arritur shpesh te popullatat më të cënueshme në zona të paarritshme për shoqatat ndërkombëtare.
Uria nuk duhet të nxisë interesat gjeopolitike
Një pikë tjetër ka të bëjë me “shndërrimin e nevojave themelore njerëzore në mallra”. Për këtë pikë, Papa u shpreh qartë:
Ushqimi, uji dhe kujdesi shëndetësor nuk mund t’u nënshtrohen forcave të tregut ose interesave gjeopolitike.
Një rrugë e re është e mundur
Duke lavdëruar punën dhe ndërhyrjet afatgjata të Programit Botëror të Ushqimit, Papa Leoni e përfundon fjalimin e tij me një detyrë që përcakton jo vetëm efektivitetin e këtij organizmi, por edhe “vetë besueshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar”. Një rrugëtim i përtërirë “është e mundur”, duke e “thjeshtuar atë çka është bërë tepër e ndërlikuar”, duke i dhënë përparësi thelbësores, pa harruar askënd.
Ky angazhim nis nga pranimi se çdo qenie njerëzore zotëron një dinjitet të brendshëm dhe të patjetërsueshëm, i cili mbetet i paprekur, pavarësisht rrethanave, kushteve ose pozicionit shoqëror. I rrënjosur te dashuria e pakushtëzuar dhe e pakufizuar e Zotit, ky dinjitet mund të përkufizohet si i pafund, pasi asgjë nuk mund ta zvogëlojë, ta fshijë ose ta mohojë vlerën e tij. Është pikërisht me besnikërinë ndaj kësaj të vërtete që matet humanizmi i politikës sonë dhe, me të, e ardhmja e bashkësisë ndërkombëtare./ Vatican News Shqip

Postimi i Mëparshëm
