
Për një fillimvit shkollor me më shumë dije, vlera, besim dhe njerëzillëk.
Nga m. Franciska (Suzana) Lekaj
Çdo rikthim në shkollë është një fillim i ri, një mundësi për të zgjuar dijen, për të formuar karakterin, për të kultivuar vlerat dhe për të mbjellë besimin tek e ardhmja. Shkolla nuk hap vetëm dyert e saj për nxënësit, ajo hap një kapitull të ri në jetën e tyre, një hapësirë ku njohuritë takohen me emocionet, ku ëndrrat përballen me përpjekjen dhe ku personaliteti fillon të marrë formën e vet. Në këtë kuptim, shkolla nuk është thjesht një institucion ku mësohen lëndët dhe përvetësohen njohuritë. Ajo është një nga mjediset më të rëndësishme ku fëmija mëson të njohë veten, të kuptojë tjetrin, të bashkëpunojë, të respektojë, të përballet me vështirësitë, të kontrollojë emocionet, të besojë në aftësitë e veta dhe të marrë përgjegjësi për zgjedhjet e tij. Çdo klasë është një botë më vete, çdo nxënës sjell me vete një histori, një karakter, një mënyrë të të menduarit, frikëra, shpresa, ëndrra dhe mundësi që presin të zbulohen. Prandaj, nisja e një cikli të ri shkollor nuk duhet parë vetëm si rikthim në banka, por si një thirrje për një mision më të madh të edukojmë njeriun përpara se të formojmë nxënësin. Suksesi i vërtetë i shkollës nuk matet vetëm me nota, rezultate apo njohuri të grumbulluara. Ai matet edhe me aftësinë e një fëmije për të qëndruar në këmbë kur përballet me vështirësi, për të besuar te vetja kur të tjerët dyshojnë, për të pranuar gabimin, për të kërkuar ndihmë, për të respektuar tjetrin dhe për të zgjedhur të drejtën edhe atëherë kur rruga është më e vështirë. Në këtë udhëtim, as mësuesi nuk mund të ecë i vetëm dhe as prindi nuk mund të qëndrojë jashtë tij. Fëmija është pika ku takohen familja, shkolla dhe shoqëria. Prandaj, çdo fillim i ri shkollor është edhe një ftesë për bashkëpunim, mirëkuptim dhe përgjegjësi të përbashkët. Ajo që mbjellim sot në mendjen dhe zemrën e fëmijës, nesër do të shfaqet në karakterin e qytetarit, në familjen që do të ndërtojë, në profesionin që do të ushtrojë dhe në shoqërinë që do të ndihmojë të ndërtojmë. Shkolla nuk përgatit vetëm nxënës për provimin e radhës, ajo përgatit njerëz për provimin më të madh – JETËN.
Edukimi si proces i formimit të njeriut
Në realizimin e procesit edukativ është e domosdoshme njohja e realitetit dhe e pikënisjes, në mënyrë që të projektohet ndryshimi drejt një objektivi të dëshiruar. Procesi edukativ nuk duhet konsideruar si një proces i thjeshtë mësimi dhe transmetim informacioni, por si një proces i qëllimshëm, i orientuar drejt zhvillimit të individit dhe ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë. Zhvillimi i fëmijës ndodh në ndërveprim të vazhdueshëm me mjedisin e tij familjar, shkollor dhe shoqëror. Kjo përputhet me këndvështrimin ekologjik të zhvillimit, sipas të cilit fëmija nuk mund të kuptohet i shkëputur nga marrëdhëniet dhe mjediset ku jeton e zhvillohet. Po kështu, të nxënit ndikohet fuqishëm nga ndërveprimi social dhe nga modelet që fëmija vëzhgon te të tjerët. Ky proces realizohet përmes një raporti të drejtë ndërmjet një komponenti më të aftë dhe një tjetri më pak të aftë të të njëjtit ambient shoqëror e kulturor. Prindit dhe fëmijës, mësuesit dhe nxënësit, mësuesit dhe të edukuarit. Në këtë marrëdhënie, edukimi nuk është një veprim i njëanshëm, por një proces i vazhdueshëm ndërveprimi, në të cilin të dyja palët ndikojnë dhe zhvillohen.
Mësuesi i vërtetë nuk transmeton thjesht njohuri te fëmija apo nxënësi. Ai, mbi të gjitha, e ndihmon atë të zbulojë vetë atë që ndoshta edhe mësuesi nuk e njeh ende. Kjo është një nga madhështitë e edukimit. Mësuesi nuk është vetëm ai që di, por edhe ai që nxit tjetrin të kërkojë, të pyesë, të dyshojë, të zbulojë dhe të krijojë. Një mësues i mirë nuk i jep fëmijës vetëm përgjigje, ai i mëson atij të kërkojë pyetjet e duhura. Pikërisht për këtë, mësuesit i kërkohet të njohë mirë atë që transmeton, të njohë zhvillimin psikologjik të moshave, të gjejë mënyrat më efikase për përcjelljen dhe përvetësimin e njohurive, si dhe të njohë problemet e komunitetit, në mënyrë që ndërhyrja e tij të favorizojë zhvillimin e një shoqërie më të drejtë. Të kuptuarit duhet trajtuar si një proces përmes të cilit grumbullohen, përzgjidhen dhe përpunohen njohuri. Ai është i lidhur ngushtë me ambientin shoqëror dhe kulturor në të cilin zhvillohet fëmija. Shoqëria përpiqet ta përgatisë fëmijën për të marrë gradualisht rolin e një të rrituri dhe, pikërisht për këtë arsye, janë krijuar institucionet shkollore dhe shërbimet shoqërore, të cilat ndihmojnë në transmetimin e idealeve, vlerave dhe perspektivave drejt një të ardhmeje më të denjë.
Komunikimi dhe marrëdhëniet ndërpersonale në shkollë
Në këtë proces, të folurit përbën një element shumë të rëndësishëm. Ai është mjet komunikimi, element stabiliteti dhe ndërmjetësues ndërmjet botës së brendshme dhe asaj të jashtme. Përmes të folurit, individi shpreh mendimet, opinionet, prirjet dhe ndjenjat e tij, ndërsa përmes komunikimit me të tjerët mëson të kuptojë edhe këndvështrime të ndryshme nga të tijat. Prirja për t’u shoqëruar me të tjerët është pjesë e natyrës njerëzore. Pikërisht në marrëdhëniet me të tjerët realizohet komunikimi dhe ndërtohet një pjesë e rëndësishme e personalitetit. Kjo është veçanërisht e dukshme te fëmijët, të cilët përvetësojnë me shpejtësi qëndrime, opinione dhe modele sjelljeje nga mjedisi ku jetojnë. Për këtë arsye, mënyra se si të rriturit komunikojnë me fëmijët ka ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si ata e perceptojnë veten dhe botën përreth. Edhe paraqitja e jashtme ndikon në komunikim. Mimika e gëzueshme përcjell gëzim dhe kënaqësi, ndërsa mimika e dëshpëruar mund të nxisë dëshpërim dhe trishtim. Fëmija nuk lexon vetëm fjalët, ai lexon edhe tonin e zërit, shprehjen e fytyrës, qëndrimin dhe reagimin emocional të të rriturit. Për këtë arsye, komunikimi edukativ kërkon jo vetëm fjalë të sakta, por edhe një prani të kujdesshme dhe njerëzore. Kur fëmijës i kërkohet të zgjidhë një problem dhe, në vend që të flasë me të tjerët, ai i drejtohet vetvetes, kemi të bëjmë me dialogun e brendshëm. Ky proces është i rëndësishëm për zhvillimin e të menduarit dhe të vetëdijes. Fëmija nuk e kupton gjithmonë se mund të ekzistojnë opinione të tjera, të ndryshme nga të tijat, dhe as nuk arrin gjithmonë të përcaktojë në mënyrë të pavarur se çfarë është absolutisht e drejtë apo e gabuar. Është konteksti, ambienti ku jeton dhe marrëdhëniet në të cilat përfshihet ai që e ndihmojnë të marrë informacion, ta përzgjedhë dhe ta përpunojë atë përmes të folurit, të menduarit dhe reflektimit. Zhvillimi i fëmijës nuk është rezultat i vetëm një faktori. Proceset psikike dhe zhvillimi i individit formohen nga ndërveprimi i karakteristikave të lindura me përvojën dhe mjedisin në të cilin ai rritet. Fëmija zhvillohet në një marrëdhënie të vazhdueshme me familjen, shkollën, bashkëmoshatarët dhe shoqërinë. Shpesh, fëmija gjendet përballë kërkesave të shumta dhe mesazheve të ndryshme. Në të njëjtën kohë që i kërkohet të jetë i pavarur, atij mund t’i mungojë ende siguria dhe përvoja e nevojshme për t’i përballuar të gjitha pritshmëritë. Ai mund të ndihet i kërcënuar nga kërkesat e përshpejtuara të mësuesit, sepse dëshiron t’i përmbushë ato, por njëkohësisht e ndien veten të dobët ose të paformuar për të arritur disa qëllime njëherësh. Pikërisht këtu qëndron një nga përgjegjësitë më të mëdha të edukimit, të mos kërkojë vetëm rezultate nga fëmija, por të ndërtojë kushtet që e ndihmojnë atë t’i arrijë ato.
Përtej dijes, shkolla që formon personalitetin
Shkolla, si një nga vendet kryesore të mësimit dhe edukimit të të rinjve, është një arenë e përplasjes së mendimeve dhe karaktereve. Pikërisht këtu krijohet një mjedis i fuqishëm për formimin e personalitetit të njeriut. Çdo shkollë, duke qenë e tejmbushur me lloj-lloj veçorish personaliteti dhe duke i vendosur këto veçori në përballje të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, shpesh ndodhet përballë vështirësive në marrëdhëniet ndërpersonale të aktorëve të saj. Konfliktet mes nxënësve, mes nxënësve dhe mësuesve, mes nxënësve dhe prindërve, mes mësuesve dhe prindërve, mes djemve dhe vajzave, si dhe mes moshave të vogla dhe të rritura, e kthejnë shkollën në një mjedis ku personaliteti formohet, sprovohet dhe zhvillohet. Në këtë mori marrëdhëniesh dhe konfliktesh është i rëndësishëm përvetësimi i një sërë aftësish, jo vetëm për ekuilibrimin e marrëdhënieve ndërpersonale në shkollë, por edhe për të ardhmen e secilit si pjesëtar i shoqërisë civile. Ndër aftësitë më të rëndësishme që fitohen në shkollë mund të përmendim: aftësinë për të komunikuar në mënyrë të pranueshme me të tjerët, aftësinë për të punuar me të tjerët, aftësinë për të respektuar të tjerët, aftësinë për të kuptuar dhe kapërcyer vështirësitë, aftësinë për të ndihmuar dhe për të kërkuar ndihmën e të tjerëve, aftësinë për të dëgjuar me vëmendje bashkëbiseduesin, aftësinë për të zgjidhur konfliktet, aftësinë për t’iu bindur së drejtës, aftësinë për të mbrojtur të drejtat e veta dhe të të tjerëve, aftësinë për të gjykuar drejt problemet, aftësinë për t’u paraqitur në mënyrë të përshtatshme, aftësinë për të kontrolluar emocionet, aftësinë për të kuptuar përjetimet emocionale të të tjerëve dhe aftësinë për vetëmotivim. Të gjitha këto aftësi, së bashku me shumë të tjera, formojnë një person të gatshëm për t’iu përshtatur ndryshimeve të vazhdueshme të shoqërisë. Ato nuk i shërbejnë vetëm funksionimit të mirë të marrëdhënieve në mjedisin shkollor, por përbëjnë edhe një bazë të rëndësishme për zhvillimin e individit dhe për përfshirjen e tij të përgjegjshme në jetën shoqërore. Të shprehurit me lehtësi dhe qartësi, si dhe aftësia për të bindur dhe për të ndikuar pozitivisht te të tjerët, janë elemente të rëndësishme që i kërkohen mësuesit si parakushte për të pasur efektivitet në punën e tij. Mësuesi nuk duhet të jetë vetëm bartës i njohurive, por edhe një komunikues i aftë, i cili di të krijojë marrëdhënie të shëndetshme, të dëgjojë, të kuptojë dhe të ndikojë pozitivisht te nxënësit. Njohuritë janë të rëndësishme, por ato marrin kuptim të plotë vetëm kur shoqërohen me aftësi njerëzore, psikologjike dhe komunikuese. Në fund të fundit, shkolla nuk ka për detyrë vetëm të formojë individë që dinë, por njerëz që dinë të jetojnë, të bashkëpunojnë, të respektojnë, të komunikojnë dhe të përballojnë me përgjegjësi sfidat e jetës.
Mendja dhe emocionet, dy forca që duhet të ecin bashkë
Funksionimi i mirë i mendjes njerëzore lidhet ngushtë me marrëdhënien ndërmjet aftësive njohëse dhe përjetimeve emocionale. Në veprimtarinë shkollore i kushtohet një rëndësi e madhe forcimit të aftësive njohëse: perceptimit, kujtesës, logjikës, zgjidhjes së problemeve, të kuptuarit etj. Por faktorit emocional jo gjithmonë i kushtohet vëmendja që kërkohet. Edukimi dhe zhvillimi, përmes veprimtarisë mësimore-edukative në shkollë, për vënien e emocioneve në shërbim të kontrollit dhe orientimit të sjelljeve dhe veprimeve të individit, përbën një detyrë të rëndësishme për mësuesin. Aftësitë emocionale dhe mënyra se si individi i menaxhon emocionet ndikojnë në mënyrën se si ai përballet me kërkesat e të nxënit, marrëdhëniet dhe sfidat e përditshme. Nëse pranojmë se nuk ka mësim, punë apo veprimtari njerëzore të pashoqëruar nga emocionet, atëherë edukimi i tyre duhet të jetë në qendër të vëmendjes. Shkolla është edhe vendi ku emocionet lindin, edukohen, nxiten dhe mund të bëhen faktor pozitiv në veprimtaritë e ndryshme. Që një person të ketë sukses në shoqëri, përveç aftësive intelektuale dhe komunikuese, duhet të ketë aftësi për të kontrolluar emocionet, për të penguar agresivitetin, frikën, zemërimin dhe reagime të tjera që mund të dëmtojnë marrëdhëniet me të tjerët dhe zhvillimin personal.Kur emocionet bëhen shumë të fuqishme dhe intensive, ato mund të ndikojnë në mënyrën se si individi mendon, përqendrohet dhe vepron. Aktivizimet e forta emocionale te nxënësit e stresuar ose në ankth mund të dëmtojnë përqendrimin dhe aftësitë njohëse dhe, për pasojë, të ndikojnë edhe në rezultatet e tyre në mësime dhe në veprimtari të tjera. Potencialet njohëse mund të japin efektin e tyre më të plotë kur nxënësit mësojnë të njohin, të shprehin dhe të menaxhojnë përjetimet e tyre emocionale. Një kritikë e vazhdueshme nga mësuesi apo prindi mund të shkaktojë te nxënësi një reagim emocional të fortë. Kur një situatë e tillë përsëritet, mund të dëmtojë marrëdhënien nxënës–mësues ose nxënës–prind dhe, si rezultat, edhe ndjenjën e vetëvlerësimit. Njohja dhe të kuptuarit e emocioneve pozitive dhe negative do të thotë të njohësh më mirë aftësitë dhe kufijtë e tu. Hapi i parë i edukimit emocional është perceptimi i emocionit në momentin e lindjes dhe më pas përpjekja për ta kuptuar dhe menaxhuar atë. Jo më kot mësuesi është konsideruar “prind i dytë”, pasi ai transmeton, në radhë të parë, ngrohtësi njerëzore dhe, nga ana tjetër, ide e njohuri shkencore. Mësuesi nuk mund të mbetet vetëm një figurë autoritare. Ai duhet të krijojë një marrëdhënie ku nxënësi ndihet i mbështetur, i dëgjuar dhe i respektuar.
Shkolla është edhe një qendër psikologjike
Shkolla nuk është vetëm një institucion ku përvetësohen njohuri, por edhe një mjedis ku zhvillohen marrëdhënie të shumta shoqërore dhe psikologjike. Marrëdhëniet mes grupeve sociale që veprojnë në shkollë mund të jenë të tensionuara dhe të ndikojnë në klimën psikologjike të punës dhe të të nxënit. Për këtë arsye, ofrimi i shërbimeve psikologjike përmes psikologut shkollor është një element i rëndësishëm i veprimtarisë së shkollës. Problemet e ndryshme vazhdojnë të zgjidhen shpesh në mënyrë amatore nga mësuesit, nxënësit ose prindërit, përmes bisedave, moralizimit, presionit, dënimit etj. Megjithatë, metoda të tilla, të përdorura nga persona që nuk janë profesionistë të fushës, nuk mund të garantojnë gjithmonë një ndikim pozitiv në sjelljen dhe zhvillimin e nxënësve. Shkolla është, në këtë kuptim, edhe një qendër e rëndësishme psikologjike, ku evidentimi, vlerësimi dhe trajtimi profesional i problemeve mund të ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e misionit të saj. Një shkollë që mbështetet vetëm në shkencën e dijes dhe lë në hije problemet psikologjike të fëmijëve dhe adoleshentëve mund të ketë rezultate të diskutueshme. Edukimi nuk duhet të kufizohet vetëm në përvetësimin e njohurive, por duhet të synojë zhvillimin e plotë të personalitetit. Të edukosh do të thotë të ndihmosh fëmijën të bëhet vetvetja, duke e mbështetur në zhvillimin e potencialit të tij. Për të kuptuar sjelljen e nxënësve, është e rëndësishme të kuptohen proceset psikologjike që qëndrojnë pas saj. Mendimet, perceptimet, përjetimet dhe emocionet ndikojnë vazhdimisht te njëra-tjetra. Përvojat e fëmijës në familje, në shkollë dhe në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët ndikojnë në mënyrën se si ai e percepton veten dhe botën përreth. Cilësitë e mendjes, si imagjinata, gjykimi, kujtesa, mençuria, guximi dhe integriteti, mund të bëhen burim krenarie dhe vetëbesimi. Në të kundërt, mungesa e tyre ose përjetimi i vazhdueshëm i dështimit mund të shkaktojë pasiguri dhe ndjenjë inferioriteti. Për këtë arsye, imagjinata, mendimet dhe përjetimet emocionale janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Pasionet dhe emocionet mund të lidhen me kënaqësinë dhe dhimbjen. Kur ndryshon burimi i kënaqësisë ose i dhimbjes, mund të ndryshojnë gradualisht edhe ndjenjat e lidhura me to. Mendja njerëzore nuk qëndron gjatë në një ide të vetme dhe as nuk i ruan përjetimet gjithmonë në të njëjtën gjendje. Mendimet zhvendosen vazhdimisht dhe përjetimet ndryshojnë. Një tjetër veçori e rëndësishme është shoqërimi i ndijimeve dhe emocioneve. Mllefi mund të sjellë zhgënjimin, zhgënjimi zemërimin, zemërimi zilinë dhe zilia smirën, duke krijuar një zinxhir përjetimesh negative. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me emocionet pozitive: gëzimi mund të shoqërohet me dashurinë, bujarinë, guximin dhe përjetime të ngjashme. Cilësitë dhe zakonet e mira ose të këqija ndikojnë në formimin e karakterit, por edhe në mënyrën se si zhvillohen pasionet dhe emocionet. Struktura mendore nuk mund të shkëputet plotësisht nga përjetimet emocionale, sepse emocionet ndikojnë në mënyrën se si individi e përjeton veten dhe botën përreth. Për këtë arsye, analiza e përjetimeve, emocioneve dhe opinioneve të nxënësve është e rëndësishme për mësuesin. Gjykimet e ndikuara nga emocionet mund ta vështirësojnë kuptimin e realitetit, njohjen e vetes dhe kuptimin e tjetrit. Mësuesi duhet të jetë, për këtë arsye, i kujdesshëm në mënyrën se si interpreton sjelljet dhe reagimet e nxënësve.
Marrëdhënia mësues–nxënës dhe klima psikologjike
Një nga përjetimet më të dhimbshme për fëmijën është ndjenja e përbuzjes, poshtërimit ose përjashtimit. Kjo dhimbje mund të zbutet përmes mbështetjes, mirëkuptimit dhe marrëdhënieve të ngrohta. Prandaj, është e rëndësishme që fëmija të ndihet i pranuar dhe i respektuar në mjedisin shkollor. Studimi i gjendjes shpirtërore të nxënësve, krijimi i një atmosfere pozitive, mirësjellja dhe buzëqeshja janë elemente të rëndësishme për të ngjallur interesin e tyre dhe për t’i afruar me procesin e të nxënit. Marrëdhëniet pozitive me mësuesin dhe perceptimi se mësuesi kujdeset për nxënësin lidhen me motivimin dhe përfshirjen e tij në shkollë. Pavarësisht mënyrës se si flasin apo shprehen nxënësit, ata duhet të kenë mundësi të diskutojnë dhe, mbi të gjitha, të dëgjohen me vëmendje. Vetëm duke i dëgjuar mund të kuptojmë se çfarë u intereson, çfarë i shqetëson dhe çfarë nevojash psikologjike kanë. Në çdo aktivitet shkollor, edhe në rast dështimi, duhet të shmangen grindjet, frika, dyshimet dhe zilia. Mendimet e nxënësve nuk duhet të kundërshtohen në mënyrë të prerë. Në procesin edukativ kanë rëndësi shprehje të tilla si: “Unë mendoj”, “Unë gjykoj”, “Unë besoj”. Këto forma komunikimi krijojnë hapësirë për diskutim, lejojnë evidentimin e gabimeve dhe u japin nxënësve mundësi të shprehin mendimin e tyre personal. Pranimi dhe kuptimi i gabimeve kanë vlerë të madhe edukative. Pyetjet në procesin e edukimit duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë që t’u japin nxënësve mundësi të shprehen lirshëm, pa paragjykime që lidhen me nivelin e tyre, aftësitë ose faktorë të tjerë psikologjikë. Ngacmimi i imagjinatës përmes fakteve tërheqëse dhe interesante i motivon fëmijët. Gabimet mund të vihen në dukje në mënyrë indirekte ose të korrigjohen duke evidentuar fillimisht anët pozitive të nxënësit. Kjo është një metodë që duhet përdorur me kujdes dhe me synimin për të ndihmuar nxënësin të përmirësohet, jo për ta poshtëruar. Edhe urdhrat nuk është e nevojshme të jepen gjithmonë në mënyrë të prerë dhe autoritare. Nuk duhet t’u jepet përparësi ankesave dhe kundërshtimeve, por mirëkuptimit dhe komunikimit. Çdo individ ka veçoritë e veta dhe këto veçori duhet të respektohen. Prandaj, në qendër të procesit edukativ duhet të jetë pranimi i individit dhe përpjekja për ta ndihmuar atë të zhvillojë potencialin e tij. Njerëzit duhen pranuar siç janë, për t’i ndihmuar të bëhen më të mirët që mund të jenë.
Kujtesë për prindër dhe mësues
Qëllimi i edukimit nuk është thjesht përvetësimi i diturive. Mbi të gjitha, ai ka si objektiv përgatitjen e fëmijës për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe racionale në zgjidhjen e problemeve me të cilat do të përballet në jetë. Entuziazmi, besnikëria dhe fryma e bashkëpunimit janë mekanizma të rëndësishëm, të cilët, po të krijohen dhe të ruhen, e lehtësojnë procesin e edukimit. Çdo individi duhet t’i ngjallësh dëshirën për të kryer një punë dhe për të arritur sukses. Dëshira për t’u vlerësuar dhe dëshira për të qenë i rëndësishëm janë dy shtysa të fuqishme në rrugën e gjatë të edukimit. Për këtë arsye, edukimi duhet të synojë jo vetëm zhvillimin e aftësive, por edhe krijimin e kushteve që fëmija të ndiejë se është i aftë, i vlefshëm dhe i përfshirë. Njeriu përdor vetëm një pjesë të aftësive mendore dhe fizike me të cilat përballon situatat e jetës. Prandaj, rezervat dhe mundësitë që mbeten në potencial duhet të jenë objekt i eksplorimit edukativ. Pikërisht këtu merr rëndësi njohja dhe zotërimi i njohurive psikologjike dhe didaktike nga të gjithë aktorët e procesit edukativ. Projekti i ndërtimit të së ardhmes është objektiv parësor i jetës për çdo individ. Mësuesi duhet të përpiqet ta shohë nxënësin jo vetëm si një notë, por si një personalitet në formim. Prindi duhet të mos e shohë shkollën vetëm si vendin ku fëmija merr nota, por si një bashkëpunëtor në formimin e tij. Nxënësi duhet të kuptojë se shkolla nuk është vetëm vendi ku kërkohet prej tij të mësojë, por edhe vendi ku ai mëson të bëhet njeri. Ne duhet t’i mësojmë fëmijët të dinë, por edhe të mendojnë. T’i mësojmë të fitojnë, por edhe të humbin me dinjitet. T’i mësojmë të flasin, por edhe të dëgjojnë. T’i mësojmë të kërkojnë ndihmë, por edhe të ndihmojnë. T’i mësojmë të mbrojnë veten, por edhe të respektojnë tjetrin. T’i mësojmë të kenë ëndrra, por edhe të punojnë për to. T’i mësojmë të mos kenë frikë nga gabimi, sepse gabimi i kuptuar mund të bëhet një nga mësuesit më të mirë të jetës. Dhe, mbi të gjitha, t’i mësojmë të mos humbin njerëzillëkun në rrugën drejt suksesit. Një shkollë e mirë nuk matet vetëm me rezultatet në provime. Ajo matet edhe me mënyrën se si nxënësi sillet me shokun, si e dëgjon mësuesin, si e pranon gabimin, si e përballon humbjen, si kërkon falje, si ndihmon një tjetër dhe si ngrihet pasi ka rënë.
Një shkollë e mirë nuk ndërton vetëm nxënës të ditur. Ajo ndërton njerëz të aftë për të jetuar. Dija i jep njeriut fuqi, por karakteri i tregon se si ta përdorë atë fuqi. Prandaj, edukimi nuk mund të jetë vetëm çështje e mësuesit. Nuk mund të jetë vetëm detyrë e prindit. Nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e shkollës. Është një përgjegjësi e përbashkët. Fëmija është ura që lidh familjen me shkollën, të tashmen me të ardhmen, dijen me jetën. Nëse prindi dhe mësuesi flasin me njëri-tjetrin, fëmija fiton. Nëse prindi dhe mësuesi respektojnë njëri-tjetrin, fëmija mëson respektin. Nëse shkolla dhe familja bashkëpunojnë, fëmija rritet me siguri. Nëse i japim vetëm dije, mund të kemi një njeri të informuar. Nëse i japim vetëm disiplinë, mund të kemi një njeri të bindur. Por nëse i japim dije, vlera, dashuri, përgjegjësi, liri, vullnet, guxim, vetëkontroll dhe respekt, atëherë kemi mundësinë të formojmë një qytetar. Ky duhet të jetë misioni ynë në çdo fillim viti shkollor. Të mos pyesim vetëm: “Sa do të mësojë ky fëmijë?”, por edhe: “Çfarë njeriu do të bëhet?” Sepse, në fund të fundit, shkolla nuk ndërton vetëm të ardhmen e nxënësit. Ajo ndërton të ardhmen e shoqërisë. Le të hyjmë, pra, në një vit të ri shkollor jo vetëm me libra të rinj, klasa të pastra dhe objektiva të reja, por me një vendim të përbashkët. Të edukojmë njerëz që dinë, mendojnë, ndiejnë, respektojnë, guxojnë, punojnë dhe duan. Sepse suksesi më i madh i një shkolle nuk është sa nxënës nxjerr me nota të larta, por sa njerëz të mirë, të lirë, të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë arrin të formojë. Në fund, suksesi i vërtetë i arsimit nuk matet vetëm me atë që fëmija di, por edhe me atë që bëhet si njeri.
REFERENCA
Bandura, A. Social Learning Theory. Prentice-Hall, Englewood Cliffs, New Jersey, 1977.
Bronfenbrenner, U. The Ecology of Human Development: Experiments by Nature and Design. Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, 1979.
Goleman, D. Emotional Intelligence . Why It Can Matter More Than IQ. Bantam Books, New York, 1995.
Piaget, J. The Origins of Intelligence in Children. International Universities Press, New York, 1952.
Rogers, C. R. Freedom to Learn: A View of What Education Might Become. Charles E. Merrill, Columbus, Ohio, 1969.
Rosenthal, R. & Jacobson, L. Pygmalion in the Classroom: Teacher Expectation and Pupils’ Intellectual Development. Holt, Rinehart and Winston, New York, 1968.
Vygotsky, L. S. Mind in Society: The Development of Higher Psychological Processes. Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, 1978.
Vygotsky, L. S. Thought and Language. MIT Press, Cambridge, Massachusetts, 1986.
Zins, J. E., Weissberg, R. P., Wang, M. C. & Walberg, H. J. (Eds.). Building Academic Success on Social and Emotional Learning: What Does the Research Say? Teachers College Press, New York, 2004.

Postimi i Mëparshëm
