Papa Leoni sot në audiencën gjeneralë flet për dinjitetin njerëzor si dhuratë dhe përgjegjësi

Vëllezër dhe motra, mirë mëngjes dhe mirë se keni ardhur!

Kushtetuta konciliare Gaudium et spes (GS), duke i kushtuar kapitullin e parë dinjitetit të personit njerëzor, thekson se ai është themeli dhe kushti i atyre «vlerave që sot çmohen më shumë», por që kanë nevojë të mos e humbasin lidhjen me «burimin e tyre hyjnor», në mënyrë që t’u shmangen shtrembërimeve të mundshme që vijnë si pasojë e «prishjes së zemrës njerëzore» (GS, 11).

Rruga që ka bërë të mundur të vihen në pah tiparet dhe të drejtat themelore të dinjitetit të personit përfaqëson sigurisht një nga faqet më domethënëse të historisë njerëzore. Megjithatë, rruga për t’u përshkuar ende nuk ka përfunduar dhe duhet të përballet me kundërthëniet, të vjetra dhe të reja, që pengojnë realizimin e tij të plotë.

Kisha e ofron qartë kontributin e saj, duke kujtuar se dinjiteti njerëzor buron nga vetë qenia e personit. Kam pasur rastin ta ritheksoj këtë edhe në Enciklikën e fundit Magnifica humanitas: «Çdo person është menduar dhe dashur nga Hyji për të hyrë në një histori bashkësie me Të, me të tjerët dhe me krijimin. Dinjiteti i tij nuk varet nga aftësitë që zotëron, nga pasuritë ose nga roli që ushtron, nga zgjedhjet e drejta apo të gabuara që bën, por është një dhuratë që i paraprin dhe e tejkalon, e vendosur nga Hyji si shprehje e dashurisë së Tij që nuk mungon kurrë» (nr. 50). Prandaj, dinjiteti i pafund i qenies njerëzore i ka rrënjët në identitetin e saj si krijesë e bërë «“në shëmbëlltyrën e Hyjit”, i aftë ta njohë dhe ta dojë Krijuesin e vet», një projekt dhe dhuratë dashurie që e tejkalon realitetet e tjera të krijuara, të cilat i janë besuar kujdesit të saj «për t’i drejtuar dhe për t’i përdorur në lavdi të Hyjit» (GS, 12).

Në fe mund ta kuptojmë themelin përfundimtar të dinjitetit të personit, pasi Biri, «duke zbuluar misterin e Atit dhe të dashurisë së tij, zbulon plotësisht njeriut vetveten dhe i shfaq thirrjen e tij më të lartë» (nr. 22).

Personi gjithmonë nënkupton marrëdhënie, bashkësi dhe pjesëmarrje në raport me Hyjin dhe me të tjerët; pra, një marrëdhënie bijërore me Hyjin Atë dhe një marrëdhënie vëllazërore me Krishtin dhe me të gjithë njerëzit. Kjo përjashton mbylljen vetëreferenciale. Të jesh person do të thotë ta perceptosh veten si një dhuratë që duhet ndarë me të tjerët, duke u rritur dhe duke u pjekur në pranimin e tjetrit, në ndërsjellshmëri dhe në shërbim.

Ky dinjitet i është besuar përgjegjësisë së secilit; njëkohësisht, ai kërkon edhe solidaritet dhe kujdes të ndërsjellë, duke kapërcyer falsifikimet dhe manipulimet e shumta që ende sot e shtrembërojnë perceptimin e tij dhe pengojnë realizimin e tij. Në të vërtetë, për shkak të zgjedhjeve kundër dinjitetit të tij të bëra gjatë historisë, edhe sot «njeriu gjendet i ndarë në vetvete» dhe «e gjithë jeta njerëzore, si individuale, ashtu edhe kolektive, paraqet tiparet e një lufte dramatike ndërmjet së mirës dhe së keqes, ndërmjet dritës dhe errësirës». Megjithatë, kjo gjendje e brishtë dhe e kufizuar mund të shihet me shpresë, sepse «vetë Zoti ka ardhur për ta çliruar njeriun dhe për t’i dhënë forcë, duke e përtërirë në brendësi dhe duke dëbuar jashtë “princin e kësaj bote” (Gjn 12,31), i cili e mbante skllav të mëkatit» (GS, 13).

Kushtetuta Gaudium et spes, gjithashtu, pohon se dinjiteti njerëzor i përket tërësisë së personit dhe, për këtë arsye, duhen kapërcyer pikëpamjet dualiste: qenia njerëzore është «njësi e shpirtit dhe e trupit». Reduktimi i trupit në një “objekt”, me të cilin mund të disponohet në mënyrë arbitrare, është gjithmonë mohim i dinjitetit të personit: «nuk është e lejueshme […] të përçmohet jeta trupore e njeriut» dhe duhet «ta konsiderojmë trupin tonë të mirë dhe të denjë për nderim, pikërisht sepse është krijuar nga Hyji dhe është i destinuar për ringjalljen në ditën e fundit», duke pasur kujdes që ai të mos «bëhet skllav i prirjeve të mbrapshta të zemrës» (GS, 14), pasi të gjithë ne jemi të plagosur nga mëkati.

Së fundi, Gaudium et spes vë në dukje tri shprehje më domethënëse të dinjitetit të personit: arsyen, e cila e bën qenien njerëzore një kërkues të pangopur të së vërtetës (nr. 15); ndërgjegjen, nëpërmjet së cilës ajo i jep unitet dhe kuptim jetës së vet (nr. 16); dhe lirinë, e cila e bën njeriun protagonist të përgjegjshëm të vendimeve të veta (nr. 17). Këto janë përmasa të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: në ndërgjegje bën që e vërteta të njihet si e tillë dhe liria mund ta përjetojë atë si themelin dhe mundësinë e saj. Shpirti Shenjt, që jep jetë në Krishtin, na bën të lirë dhe na siguron vazhdimisht për dinjitetin tonë si bij të Hyjit, duke na çliruar nga frika dhe duke na udhëhequr drejt cakut përfundimtar: asaj jete në plotësi përtej vdekjes, që Krishti na ka premtuar. Vetëm në Të misteri i njeriut gjen dritën e vërtetë; prej Tij marrim dritë mbi enigmën e vuajtjes dhe të vdekjes dhe, së bashku me Të, shkojmë drejt ringjalljes.

Të dashur vëllezër dhe motra, të krijuar në shëmbëlltyrën e Hyjit, nëpërmjet Krishtit dhe në sajë të Tij, kemi marrë një dinjitet unik dhe të pashlyeshëm. Le të angazhohemi gjithmonë për ta promovuar dhe mbrojtur këtë dinjitet, me dritën dhe forcën e Ungjillit.

Përkthimi: Rev. “Drita”

Shpëndaje: