Papa Leoni: Teknologjia t’i shërbejë njeriut, jo të zëvendësojë ndërgjegjën e tij

Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS 1–10) 3. Bashkësia njerëzore (GS 23–32)

 

Të dashur vëllezër e motra, mirëmëngjes dhe mirë se keni ardhur!

Duke ia kushtuar kapitullin e dytë “bashkësisë njerëzore”, Kushtetuta baritore Gaudium et spes (GS) na fton ta konsiderojmë “shtimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve” si “njërin prej aspekteve më të rëndësishme të botës së sotme” (nr. 23). Megjithatë, ky realitet duhet ta gjejë përmbushjen e vet “më thellësisht në bashkësinë e personave”, për të cilën është i domosdoshëm “respekti i ndërsjellë për dinjitetin e tyre të plotë shpirtëror” (ibid.).

Janë pohime që, në ditët tona, përbëjnë një urgjencë edhe më të madhe. Nga njëra anë, zhvillimi teknologjik, përhapja e mass media-s dhe e media-s sociale, si edhe përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale, hapin mundësi të reja, duke kapërcyer pengesa dhe largësi; nga ana tjetër, marrëdhëniet priren të bëhen gjithnjë e më pak personale, më tepër virtuale, dhe ekziston rreziku që të mësohemi t’ua delegojmë algoritmeve vendime që i përkasin vetëm ndërgjegjes njerëzore. Në këtë drejtim, të bëjmë që marrëdhëniet shoqërore të kenë përmbajtje reale dhe thellësi personale, është kontributi që bashkësia e krishterë synon t’ia ofrojë shoqërisë.

Koncili na fton të marrim kritere dhe forcë nga plani krijues i Hyjit, i cili ka dashur që «të gjithë njerëzit të formojnë një familje të vetme dhe të sillen me njëri-tjetrin si vëllezër»; prandaj, «dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit është urdhërimi i parë dhe më i madhi», i cili në Krishtin ka marrë zbulesën e vet të plotë dhe përmbushjen e përsosur (khs. GS, 24).

Përsosja e personit njerëzor dhe zhvillimi i shoqërisë duhet të konsiderohen si realitete ngushtësisht të ndërvarura ndërmjet tyre: t’i kundërvësh ose t’i ndash nga njëri-tjetri do të thotë t’i zhvleftësosh të dyja. Historia, edhe ajo më e afërt, e vërteton qartë këtë të vërtetë, prandaj nuk duhet të lodhemi së përsërituri, së bashku me Etërit e Koncilit II të Vatikanit, se: «Personi njerëzor, i cili për nga vetë natyra e tij ka absolutisht nevojë për jetën shoqërore, është dhe duhet të jetë parim, subjekt dhe qëllim i të gjitha institucioneve shoqërore» (GS, 25).

Në këtë këndvështrim, Gaudium et spes pohon se diversiteti i personave dhe i popujve në botë nuk duhet të konsiderohet si një rrezik apo kërcënim, por si një potencial për pasurim dhe rritje. Kundërvënia, e cila nganjëherë degjeneron në dhunë, është fryt i fuqisë së mëkatit dhe i mënyrës se si ai i kushtëzon mendësitë dhe veprimet, në të gjitha nivelet, duke shkaktuar shkatërrim dhe vdekje. Duhet të hapemi gjithnjë e më shumë ndaj logjikës së reciprocitetit, të bashkëndarjes dhe të kujdesit, ashtu siç ndodh edhe ndërmjet gjymtyrëve të ndryshme të trupit njerëzor (khs. 1 Kor 12,21–25).

Në këtë pikë, Kushtetuta baritore jep gjithashtu një përkufizim të përmbledhur të të mirës së përbashkët, duke kujtuar se ajo përbëhet nga «tërësia e atyre kushteve të jetës shoqërore që u lejojnë si grupeve, ashtu edhe anëtarëve të veçantë të arrijnë përsosmërinë e tyre më plotësisht dhe më shpejt» (GS, 26). Në të njëjtën kohë, duke njohur ndërvarësinë ndërmjet popujve, ajo pohon se «çdo grup duhet të marrë parasysh nevojat dhe aspiratat e ligjshme të grupeve të tjera, madje edhe të mirën e përbashkët të tërë familjes njerëzore» (GS, 26).

Duke u nisur nga kjo pikëpamje, Etërit e Koncilit tregojnë më pas disa «pasoja praktike me një urgjencë më të madhe» (GS, 27). Para së gjithash, respektimi i personit njerëzor. Gaudium et spes thotë: «Gjithçka që është kundër vetë jetës, si çdo lloj vrasjeje, gjenocidi, aborti, eutanazie dhe vetëvrasjeje të vullnetshme; gjithçka që cenon tërësinë e personit njerëzor, si gjymtimet, torturat që i shkaktohen trupit dhe mendjes, shtrëngimet psikologjike; gjithçka që e fyen dinjitetin njerëzor, si kushtet çnjerëzore të jetesës, burgosjet arbitrare, dëbimet, skllavëria, prostitucioni, tregtia me gratë dhe të rinjtë, apo edhe kushtet e turpshme të punës, në të cilat punëtorët trajtohen si mjete të thjeshta fitimi dhe jo si persona të lirë e të përgjegjshëm: të gjitha këto gjëra, dhe të tjera të ngjashme, janë sigurisht të turpshme» (ibid.).

Pasoja e dytë: respektimi dhe dashuria edhe për kundërshtarët, ose për ata që kanë mënyra të menduari dhe të vepruari të ndryshme nga tonat (khs. GS, 28).

Së treti: barazia themelore e të gjithë njerëzve, e cila kërkon drejtësi shoqërore. Dokumenti thotë: «Çdo lloj diskriminimi lidhur me të drejtat themelore të personit, qoftë në fushën shoqërore, qoftë në atë kulturore, për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, gjendjes shoqërore, gjuhës ose fesë, duhet të kapërcehet dhe të zhduket, si i kundërt me planin e Hyjit» (GS, 29).

Së fundi, Etërit e Koncilit nxisin që të kapërcehet mendësia individualiste dhe të përvetësohet një qëndrim përgjegjësie dhe pjesëmarrjeje (khs. GS, 30–31).

Të dashur vëllezër e motra, kjo pikëpamje e njerëzimit si “bashkësi personash” është një trashëgimi e çmuar që Koncilit II të Vatikanit na ka lënë. Ajo i ndihmon të gjithë ne të bëjmë një shoshitje personale dhe bashkësiore, për t’i vlerësuar me përgjegjësi projektet shoqërore dhe politike të ditëve të sotme, në bazë të kritereve të dinjitetit të personit njerëzor, drejtësisë shoqërore dhe pjesëmarrjes së lirë në ndërtimin e së mirës së përbashkët. Sepse e ardhmja e njerëzimit varet nga angazhimi i secilit, për të bashkëpunuar me Hyjin dhe me vëllezërit në ndërtimin e një bote më njerëzore (khs. GS, 30).

Shpëndaje: