Doracak për njohjen dhe promovimin e dialogut ndërfetar

Nga CHRISTIAN W. TROLL, SJ

 

Në ditët tona, në shumë vende të botës, ndodhin gjithnjë e më shumë takime, ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, ndërmjet bashkësive të kishave dhe xhamive. Projekte të përbashkëta në edukim e në asistencë, vizita xhamive, për shembull në ditët e “xhamive të hapura”, ose vizita të kishave në ditët e “kishave të hapura”. E pastaj dialogë në grupe krishtero-myslimane, konferenca, shkëmbime idesh në akademi dhe fondacione, diskutime mbi politikën lokale: të gjitha raste në të cilat të krishterët dhe myslimanët pyesin njëri-tjetrin mbi fenë dhe mbi praktikat e tyre fetare. Edhe letra e parë e Pjetrit i fton të krishterët: “Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjegje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë…” (1Pjt, 15-16).

Megjithatë ne të krishterët a jemi vërtetë të gatshëm, të ndjeshëm, të respektueshëm dhe të denjë për t’i dhënë arsye fesë sonë? A disponojmë njohuritë bazë dhe të nevojshme mbi atë që ka të bëjë me vizionin specifik të fesë dhe ndjeshmërinë fetare të myslimanëve?

Ky libër iu drejtohet para se gjithash të krishterëve dhe do të donte t’i informojë ata dhe t’i stimulojë për një reflektim dhe një formim të mëtutjeshëm. Mund të japë bazën fillestare dhe një pikë referimi për atë grup të krishterësh që duan të kuptojnë me më shumë precizitet pyetjet e myslimanëve rreth fesë se tyre dhe jetën e fesë, duke u përgatitur t`iu përgjigjen atyre pyetjeve, për sa është e mundur, me sinqeritet dhe ndjeshmëri. Një gjë është e sigurt, që islami për natyrën e vet “vë në pikëpyetje” pohimet qendrore të fesë së krishterë dhe idetë të cilat prej aty rrjedhin. Kështu myslimanët, duke u nisur nga Kurani dhe nga mbarë tradita islame, do të vazhdojnë gjithmonë të pyesin të krishterët. Kjo përbënë një pjesë esenciale të misionit, në të cilën çdo besimtar mysliman ndihet i përfshirë. Kurani i fton jo myslimanët në fenë islame dhe tregon edhe mënyrën në të cilën një dialog i tillë duhet të vazhdojë: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshill të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti ytë e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit” (Sura 16, 125).

Nga viti 1974 një grup të krishterësh takohen rregullisht në Tunizi, në Afrikën veriore, me profesorin Robert Caspar, për të diskutuar së bashku një seri çështjesh normalisht të ngritura nga myslimanët mbi fenë dhe praktikat e krishtera. Kjo punë e zhvilluar nga ky grup është përmbledhur në trembëdhjetë kapituj të shkurtër, secili i përbërë nga katër pjesë: (I) formulimi i pyetjeve mbi njërën prej temave kryesore, kështu siç i parashtrojnë myslimanët; (II) pikëpamja myslimane bazike ndaj këtyre pyetjeve, më parë në përgjithësi, më pastaj në veçanti; (III) pikëpamja teologjike e krishterë në krahasim me pyetjet e parashtruara; e në fund (IV) propozime për formulimin konkret të përgjigjeve të krishtera ndaj pyetjeve myslimane. Një vëllim i vogël me trembëdhjetë kapituj doli njëherësh në gjuhën frënge e më pas, në formë të reviduar, në anglisht me titullin: Trying to answer Questions (Pontificio Istituto di Studi Arabi e d’Islamistica /PISAI/, Roma 1989).

Në kthimin tim në Gjermani në vitin 1999, pas shumë viteve të përvojës dhe të studimit të qytetërimit islam, edhe të punës me myslimanë në regjione të ndryshme të botës krishtero-islame, mu bë e qartë së për një përkthim në gjuhën gjermane do të ishte e nevojshme një revidim i thellë i tekstit. Deri më tani nuk ekziston asnjë publikim i tillë në gjuhën gjermane. E megjithatë po intensifikohen ditë për ditë edhe tek ne në Evropë takimet në mes të krishterëve dhe myslimanëve. Kështu edhe tek ne shumë të krishterë duhet të konfrontohen me pyetjet e myslimanëve, pyetjet që Islami si i tillë parashtron karshi fesë së krishterë.

Në Akademinë katolike të Berlinit një rreth i përbërë prej të krishterëve katolikë dhe të riformuar u takuan për çdo muaj gati për dy vite me radhë, nga viti 1999 deri në vitin 2002; anëtarët jetonin të gjithë në kontakt me myslimanët e për këtë ishin të interesuar për tematikat e librit. Derisa është ruajtur qëllimisht struktura themelore e tekstit, në përshtatjen gjermane nuk është marrë në konsiderim një kapitull, për motive të kuptueshme: ajo që merrej me çështjet që kanë të bëjnë me praninë e të krishterëve në një vend eksluzivisht mysliman siç është Tunizia. Materiali në tërësi është rishikuar në mënyrë kritike, është modifikuar dhe pjesërisht është rifomuluar substancialisht.

Do të na dërgonte larg nëse citojmë të gjithë emrat e atyre që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në punët grupore. Një theks të veçantë meriton dr. Ulrich Schroter nga Berlini, i cili ka kontribuar në mënyrë esenciale në redaktimin dhe rielaborimin teologjik e sidomos në dallimin e pikëpamjeve ungjillore. Jam borxh ndaj profesorit Hans Waldenfels, SJ, nga Düsseldorfi, për disa sqarime kritike dhe propozime tejet të çmuara. Në fund, tekstet janë rishikuar edhe njëherë nga profesori i dogmatikës Erhard Kunz, SJ, koleg i imi në Sankt Georgen të Frankfurtit, që ka sjellë përmirësime substanciale përgjigjeve teologjike të krishtera, duke i rishkruar disa pjesë në tërësi. Megjithatë unë marr për sipër personalisht përgjegjësinë e redaktimit final të tekstit dhe në këtë pikë ja drejtoj një falënderim të përzemërt të gjithë atyre që, në grupe ose individualisht, e kanë bashkëndarë këtë projekt. Uroj që ky material të kontribuojë në pasurimin e dialogut religjioz ndërmjet besimtarëve myslimanë e të krishterë, të bazuar në një informacion më të mirë dhe më objektiv; le të inkurajojë zbulimin e themeleve të përbashkëta për të jetuar së bashku në solidaritet dhe paqe e të stimulojë secilin nga ne që të jemi të qëndrueshëm besnikërisht në kërkimin e së vërtetës gjithnjë më të madhe./drita.info

(teksti është hyrje e librit nga vetë autori)

Shpëndaje: