Përurim libri në BogdaniPolis

Qendra “BogdaniPolis”, në bashkëpunim me Sh.B. “Buzuku”, këtë të enjte, më 7 prill 2022, në orën 12:00,organizon përurimin e librit të ri me proza poetike “Shtëpia në breg” e autorit Xhavit Beqiri.

Qendra “BogdaniPolis” gjendet nën Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Ju mirëpresim!

* * *

 

VLERËSIMI I KRITIKËS:

“Autori Xhavit Beqiri në veprën Shtëpia në breg hyn në teatrin e kujtesës dhe krijon poezinë e rrëfimit. Ndodhitë e jetës, të përjetuara, qoftë si empiri, qoftë si narracion, marrin trajta të sublimuara në prozën poetike duke esencializuar përralloren, shpirtëroren e jetësoren. Një vepër, e cila habit dhe e thërret lexuesin në botën e imagjinatës” Nysret Krasniqi

Shtëpia në breg e Xhavit Beqirit përfaqësohet shndritshëm te tradita rrëfimtare e letërsisë shqipe të Kosovës; për kah thjeshtësia e gjuhës, pastërtia e mendimit dhe pedagogjia e narracionit. Ky libër është një borxh i kthyer ndaj njerëzve dhe tokës që e kanë pasuruar panteonin e ndjesive të autorit. Lexuesi duhet të jetë i kujdesshëm me simbolet në rrëfimin e Shtëpisë…, pasi ato janë fisnike në të parë, por të kristalta në prekje.”Visar K. Berisha

“Xhavit Beqiri, emër tashmë i njohur në letrat shqipe, sjell librin Shtëpia në breg me proza të shkurtra poetike reminishencash autoriale për një kohë që tashmë është kujtesë e largët. Thyerje e pastorales, idilës, me të renë, urbanen, e cila ndryshoi mendësi, ëndrra, por edhe realitete. Një gjuhë herë dialektë, herë standard, është një intencë autoriale e shkrirjes së përjetimeve, trillit dhe traditës sonë të pasur letrare – prozat poetike të Faik Konicës, të Ernest Koliqit, madrigalet e Martin Camaj, deri tek Zenjullah Rramani etj. “Z. A.

 

AUTORI

Xahvit Beqiri (1971) ka kryer studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës (Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe) ku më pas ka marrë dhe titullin doktor i filologjisë me Veçoritë gjuhësore dhe stilistike të “Lahutës së Malcis” të Gjergj Fishtës. Është i pranishëm në letrat shqipe me vëllime poetike, librat me vështrime, recensione dhe ese të cilat trajton dukuri të ndryshme (socio)linguistike, letrare dhe vepra të autorëve tanë e të huaj.

Ka botuar vëllimet poetike: Lutje për njeriun (1994), Magjia e shtangies (1997), Shën Vjeshta (2002) dhe Cogito (2015); studimet dhe esetë: Liria e leximit (2000), Gjuha dhe Letrat (2005), Gjuha dhe stili i Martin Camaj (2007), Letra shqipe (2008), Identiteti gjuhësor dhe globalizimi (2012) si dhe Lahuta…e Fishtës/Gjuhë dhe stil (2015).

Shpëndaje: