Nga Vehbi Myftari
Duke qenë se ka mbi 20 vjet që flas e shkruaj për autorin e për librat e tij, sot dua që vetëm t’i bëj disa nënvizime, të cilat dëshmojnë pse libri Shtëpia n’breg, duke u ikur kanoneve të letërsisë i shënjon rrëmbyeshëm ato; pse duke u shkruar e botuar pa kurrfarë pretendimi estetik, ai është bërë shpejt libër i çiltër pretendues dhe, në fund, pse duke i rimarrë shenjat ambientale e kujtimin për rranjën e identitetit, rrëfimin popullor e diskursin ambiental, ai i zgjeron kufijtë e letërsisë dhe hap mundësi të shumta rrëfimi e interpretimi.
Nënvizimi i parë: thyerja e kanoneve: Shtëpia n’breg është përpjekje për të shkruar letërsi duke i thyer kanonet e saj, në kuptimin e krijimit, formës, zhanrit, mënyrës së rrëfimit, por mbi të gjitha të pohimit botërisht të pranisë së autorit në tekst. Libri e mban të lidhur autorin për amzën e kujtimeve të veta, të rrëfimeve të dëgjuara e të mbajtura në mend, duke i nxjerrë ato nga përrallorja, imagjinarja, kujtesorja që lidhet fort me rranjën ambientale. Empiria, në këtë libër është e shtresuar në kulturë, si kujtesë nga e cila buron sjellja, mendimi e gjakimi. Qoftë kur është thellësisht imagjinativ, qoftë kur ka referenca kulturore e empirike, tekstet e Beqirit janë të ndërlidhura fort me “rrëfimtarin”, autorin empirik.
Nënvizimi i dytë: plotëkuptimësia e tekstit që shkruhet e botohet pa asnjë pretendim e jeton n’hyjninë e vet. Shtëpia n’breg është vepër e pazakontë për autorin, autori një bartës i pazakontë i shenjës së saj. Ai nuk është shkruar, sikur thotë vetë autori, për të shënjuar zhanre, as ide të letërsisë. Formë jo se jo. As për të synuar status letrar. Mbase, pikërisht këtu liria e të shprehurit, e nxjerrjes në dritë të së fshehtës së shpirtit, e vrragëve të tërhequna zvarrë të jetës, bahet eternale. Ngaqë nuk u përmbahet kanoneve të letërsisë, nuk e synon farën e saj, dhe është e panatyrshme edhe për vetë autorin, i cili është poet, njeri që i fle në shpirt shqetësimi, pikërisht për këto arsye ajo është e veçantë, qoftë në kuptimin formal, qoftënëatë ideor.
Nënvizimi i tretë: statusi zhanror e formal i tekstit: Shtëpia n’breg është libër që i thyen rregullat e zhanrit. Ajo rri diku ndërmjet prozës e poezisë, duke u çfarësuar si prozë e shkurtër me figuracion të pasur poetik. Prozaik në formë e thellësisht poetik në diskurs, ajo i bën bashkë shqetësimin prej poeti e kujtimin prej njeriu, që vuan e ngazëllehet nga çdo imtësirë e kësaj bote, të cilat i përjetëson në varg dhe i ngjall në copë rrëfenje. I afërt në formë me Kutelin e Koliqin, në diskurs me traditën letrare të Kosovës, Beqiri e shënjon një tip letërsie që rri në kufijtë zhanror e formalë dhe, duke ecur tehut të tyre, e krijon një zhanër të ri, atë të letërsisë kujtesore, filli i së cilës gjendet në figurën ambientale, por kuptimi i së cilës duhet të kërkohet në mënyrën se si poeti i shndërron kujtimet personale në kuptime eternale. Ai është shkruar si libër dashnie për atë rrasë guri me të cilën asht mbulue çatia eshpisë, e për njerëzit e mirë të Koliqit, përvoja e të cilëve e parashkruen jetën e personazheve (të paktë) të rrëfenjave të tij.
Shtëpia n’breg, krahas, Buzëqeshje n’andërr e shpalos një traditë shkrimi të Kosovës, ta kujtojnë Pashkun e Nazin, në prozë, e Sabriun e Dedjen, në poezi, të cilët luajnë me shenjat ambientale dhe e krijojnë një letërsi të farës nacionale, mbi shenja mitologjike, ambientale e kulturore. Xhaviti nuk synon t’u përngjajë atyre, por shkrimtaria e tij vetvetiu u rri pranë, si lament e mirënjohje për ta.
Shpia/shtëpia, figura plot peshë e librit, është edhe simboli i përkatësisë dhe i rranjës së durimit, është streha në të cilin merr kuptim jeta, por edhe streha e kulturës. Simbolika është e thellë: nga kërkimi për dëshmim të rrajës te dëshmia identitare. Kësisoj, Xhaviti i vë në një rrafsh empirinë me rolin e saj në kulturë, sjelljen me idetë e shtresuara, mitologjiken me jetësoren, përralloren me diskursin e shtresuar mbi një traditë rrëfimtare.
Nënvizimi i katërt: veçantia e stilit: Shpian’breg simbolikisht shënon poetikën e Xhavitit, por edhe idealogjinë e veprimin e tij. Shpia, simbolika e saj, asht gjithçka që i shënon jetët tona. Pesha e shpisë, dashnia për të, bashkë me drojën prej krijuesi se mos rrëzbitet e rrënohet nga erërat, e karakterizojnë sot Xhavitin krijues, por edhe veprues, pikëvështrimin e tij prej intelektuali.
Xhaviti flet e shkruan çiltërsisht, njerëzisht. Ai nuk i vë qëllime as mision vetes. Letërsisë aq më pak. Shkruan sepse ndien, sepse asht poet. S’rri dot pa shkruar. Sepse, poeti ruan gjithçka; për të çdo copëz krijimi është pjesëz kujtimi për njerëzit e vendin që i përket. Ai bashkëndien me çdo njeri e çdo bimë të asaj natyre, me rranzën e malit e me rrasën e gurit mbi çati. Pikërisht, këtu qëndron veçantia e librit. Ai nuk ndjek një traditë kushedi sa të njohur në letrat shqipe, por rri në mesin e atyre pak veprave të mira të kësaj natyre.
Fjalëshkurtër e rrëfimplotë, shpërfillës ndaj ambientit që i duartrokasin dhe krenar për kulturën nga e cila burojnë botëkuptimet e tij, i lidhur për shenjën ambienate, Xhaviti e bën jetën e pasosun mes librash. Letërsia asht jeta e tij.
Por, tekste të tij, sikur është Ajo shpi janë shtysë për ta thelluar botëkuptimin tonë për librat, letërsinë, kanonet e saj. Ai na mëson se jeta e librave është jeta e përthyer në figurë, stil e diskurs. Prozat poetike të tij e shpalosin këtë botë të brendshme të autorit si lament e testament, për ta dashtë vendin e për t’iu kthyer kujtimeve, dashunisë për njerëzit të cilët të kanë ba me u ndie njeri, e vendit që tëka dhanë shpirtin e krijuesit, në një marrëdhënie të heshtun, nga e cila ka lind nji dashni e pakushtëzueme nga asgja.
Nënvizimi i pestë: gjuha: Ngjashëm me përpjekjen e Doris Lesingut për t’i kapërcyer kufizimet e gjuhës, Xhaviti i zgjeron kufijtë e të shprehurit artistik pikërisht duke iu referuar kanoneve të gjuhës. Por, në vend se t’u përshtatet konvencave gjuhësore, ai i zgjeron ato, e stabilizon diskursin në ndryshueshmërinë e gjuhës (prej këtej loja me identitaren, të folmen e normën). Gjuhën referenciale ai e shndërron në diskurs të qëndrueshëm, i cili prek traditën e të shprehurit artistik, por e tejkalon atë në trajtat që zgjedh, në thellësinë e shprehjes e në figuracionin e përzgjedhur. Njësoj si Lessingu, përngjasimin në formë (duhet të pranoj: tepër të paktë) me traditën e shkrimeve të tilla në ketrat shqipe, ai e refuzon në diskursin që zgjedh. Kjo është veçantia tjetër rëndësishme e librit. Si stilist i gjuhës e njohës i letërsisë, Xhaviti luan edhe me format e trajtat e fjalëve. Gjuha e tij është gjuha e vendit, e folmja e Koliqit, por e vënë në rrafsh me normën letrare. Prej këtej, mbase, edhe loja me figurën qendrore të tij. Ajo del njëherë si shpi, për ta shënjuar rrajën e vendit e degën e shqipes, e herën tjetër si shtëpi, për ta ripërtërirë atë brenda identitetit gjuhësor e kulturor shqiptar.
***
Tekstet e përfshira n’libër nuk janë të lidhura me njëri-tjetrin në kuptimin e ideve, por i lidh nyjë amza e rrëfimit e figuracioni, ambientalja; imagjinata me të cilën autori luan me këto shenja; shkrirja e tyre në diskurs poetik prej rrëfimtari.
Ajo shpi, teksti kurorë i gjithë librit, e shpalos vulën e jetës së bartun në libër. E identitetit të autorit. Por, ajo është edhe shenjë e përpjekjes për mbijetesë, andërr e të zhvendosunit e shenjë krenarie e qëndrestarit. Ajo është dialogu i paprerë i autorit me veten:
Rranzë malit, anash lumit, qëndron ajo. E vetmueme. Simotrat e saj nuk i qëndruen dhamit t’kohës.
Xhavitit i pëlqen diskursi ambiental, rrëfimi si trajtë e të shprehunit ma t’naltë, ambientalja si formë e shkrimorja si dëshmi. Ai i bën bashkë këto shenja dhe ua jep vulën e përjetësisë. Pra, tekstet e tij janë monument jete e trashëgimie, kulture e historie, të shkrira në një farë letërsie që lexohet e kuptohet lehtë, si rrëfim ode, por që prek ndjenjat më të thella të lexuesit. Asht motivim për mendim e krijim.
Brenda librit shpaloset jeta e brezave, me madhështinë e saj e me drithërimat e saj, kalojnë personazhe e ngjarje, kultivohet tradita, shpaloset mitologjia e mbahet gjallë urtia e zakonet dhe ripërtërihet tradita e rrëfimit, të cilën Xhaviti e përjetëson në copëza të vogla, por që shpalosin një botë të tanë, përplot personazhe e dromca jete baritore, figura ambinetale, si Ura, simbolika e së cilës i lidh botët e kohët; plaku që simbolizon traditën dhe që ofshan për moskapërcimin e urës nga i biri, papjekurinë e moshës së re; vasha që andrron në gjumë dhe gjarpni (vitorja e shpisë a gjarpni helmues) që është shoqëruesi i vetëm i andrrave të saj, po edhe buzëqeshja n’andërr, fataliteti me të cilin mbështillet çiltërsia e botës së femrës andrruese, pafuqia me e shpjegue këtë çiltërsi dhe vrasja e saj (që ta kujton vargun e famshëm të Zef Zorbës: buzqeshje e ngrimë mbi buzë), në emër të moskuptimit e mosdurimit. Përfundimi tragjik i Buzëqeshje n’andërr shënjon tragjikën popullore me të cilën është mbështjellë jeta e malësorit të izoluar nga bota e të kapërthurur në botëkuptimin e vet:
U çue vrullshëm, si me ia pasë dhanë i koftëtretuni fuqitë e botës dhe ia ngjeshi vashës jastakun mbi fytyrë. Nji çast, disa çaste, nji jetë… tejsa u sigurue që fryma e vashës u nis drejt qiellës, kurse ajo s’kish me i buzëqesh ma askujt, as n’andrra.
Por, diskursi nuk është i rrafshëm në gjithë librin. Në tekstin Zvetënim, ta zëmë, duke përdorur figurë kontrastive, ai shpreh tëhuajësimin njerëzor, botën e cirkut, në të cilin ndjenja, fisnikëria, është tretur dhe teatri i dritave të rreme e ka mbështjellë njerëzoren. Luani, figura e fuqisë së pashterrun, i cili në ekzaltimin e turmës, hesht madhërishëm.. ai është vetëm një personazh fatkeq argëtimi, në cirkun e pasosun të njerëzve.
Në përmbyllje: libri Shtëpia n’breg është një ndër krijimet më interesante të autorit Beqiri, por edhe të një fare të letërsisë shqipe. Ju ftoj ta lexoni. Me andje e me mallin për jetën e kalueme. Lexojeni ashtu sikur shkruan Xhaviti: pa pretendime të nalta. Ato do të lindin pashmangshëm me lexim, në fund të të cilit do të kërkoni që, përtej atij lexuesit të patëkeq të Ekos, ta rilexoni librin, tash si lexues ideal, për t’i gjetur e përbrendësuar idetë e figuracionin, motivet e formën e veçantë. Jam i sigurt: keni me u përball me shumë hamendësime, por keni me identifikue shumë më shumë veçanti. Së paku, kjo ka qenë përvoja ime prej lexuesi. Jam i sigurt se ju, që shihni e lexoni më thellë se unë, keni me e përjetue shumëfish më fuqishëm dramën e leximit. Të lexuesit./drita.info
(Kumtesë në promovimin e librit “Shtëpia në breg” e Xhavit Beqirit, mbajtur më 7 prill 2022, në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë)