Duke iu përgjigjur pyetjeve të tre të rinjve, Papa Leoni XIV nxit që të kultivohet shqetësimi i brendshëm shpirtëror për të zbritur në thellësitë e zemrës. Ai fton që përparësi t’i jepet vuajtjes së padukshme të të rinjve, kujton se falja duhet të kërkohet me këmbëngulje dhe vazhdimisht. “Është një udhëtim i gjatë – pranon ai – dhe ecet përpara me hapa të vegjël.” Duke folur për vrasjet e grave (feminicidet), të cilat i cilëson si një “realitet dramatik”, Papa thekson se nevojitet angazhimi i secilit individ dhe i mbarë shoqërisë për t’u përballur me këtë plagë të rëndë.
Nga Benedetta Capelli – Qyteti i Vatkianit
Nganjëherë fjalët janë pesha që duhet hedhur tutje. Dhe ta bësh këtë do të thotë të kesh kaluar një rrugë të vështirë e të ndërlikuar, sepse vetë fakti i emërtimit të gjërave me emrin e tyre do të thotë t’i kesh njohur ato në egërsinë e tyre dhe në dhimbjen që shkaktojnë. T’i thuash me zë të lartë është një hap edhe më tej, sepse pikërisht atëherë, në atë çast emocionesh dhe para të gjithëve, fillon t’ua zbehësh fuqinë.
Në tri historitë që Papa dëgjon gjatë vigjiljes së lutjes në stadiumin olimpik “Lluís Companys” të Barcelonës, ndihet qartë se në atë rrugë të vështirë takimi me Jezusin ka sjellë dritë në errësirë. Ai është “uji”, siç thotë Leoni XIV duke folur në katalanisht dhe spanjisht, që e shuan plotësisht etjen; është dora që ndihmon atë që gjendet buzë rrugës, gjysmë i vdekur.
Në kontakt me Jezusin, edhe ai që ndihet i humbur e rigjen besimin në jetë, shërohet nga sëmundja dhe mund të ngrihet përsëri për t’u kthyer në jetë.
Anestetikët e ndërgjegjes
Uji rikthehet në historinë e të riut Ferran, i cili natën e Pashkëve mori Pagëzimin. Ai i tregon Papës se kishte jetuar duke u përpjekur të arrinte objektiva të caktuara dhe duke u kujdesur vazhdimisht për imazhin e vet, për të mos ndier “një zbrazëti të pamasë”. Një zbrazëti që, në jetën e tij, u mbush përmes takimit me Hyjin. Ai e pyet Ipeshkvin e Romës se si mund ta mbajë vështrimin të drejtuar kah ajo që ka vërtet rëndësi, kur gjithçka duket se shkon në drejtimin e kundërt. Si mund të zbulohet thirrja e vërtetë?
Ati i Shenjtë ndalet te ajo ndjenjë shqetësimi i brendshëm që njeriu përjeton, te ajo etje për të vërtetën dhe lumturinë që kërkon një horizont më të gjerë. Sipas tij, kjo është “një dhuratë e Hyjit”, e cila na shtyn të kërkojmë dhe të gërmojmë në thellësi të vetvetes. Prandaj, këshilla e Papës është që “ta kultivojmë atë shqetësim të shëndetshëm”.
Në të vërtetë, në shoqëritë tona, idhujtaria e fitimit dhe e performancës, ethet për të prodhuar gjithmonë e më shumë dhe për të qenë vazhdimisht fitimtarë, si edhe kulti i imazhit personal, nuk janë gjë tjetër veçse anestetikë që e vënë në gjumë ndërgjegjen tonë dhe e përshtatin atë me një ide të caktuar të shoqërisë.
Frika nga Ungjilli
Papa Leoni XIV thekson se, kur njeriu ndalet dhe u jep përparësi gjërave që kanë vërtet rëndësi, vështrimi i tij ndryshon falë Ungjillit. Në këtë mënyrë zhvillohet edhe “një mendim kritik ndaj një sistemi shoqëror që nuk e vendos personin në qendër – pohon ai – dhe që krijon situata padrejtësie dhe varfërie ekzistenciale në nivele të ndryshme”.
Pikërisht për këtë arsye, shqetësimi i brendshëm ngjall frikë. Frikë ngjall edhe zbulimi i jetës së brendshme, i dimensionit shpirtëror dhe, akoma më shumë, i vetë Ungjillit.
Të kultivojmë shqetësimin e brendshëm
Papa e përsërit edhe një herë nevojën për ta kultivuar këtë shqetësim të shëndetshëm pikërisht aty ku ndodhemi, me njerëzit që ecin pranë nesh, në realitetin dhe në shoqërinë ku jetojmë. Pikërisht aty – thotë ai – zbulohet “vlera e një jete më njerëzore, më të plotë, e hapur ndaj takimit me Hyjin dhe ndaj gëzimit të fesë”.
“Duhet ta kultivojmë këtë shqetësim dhe t’i bëjmë vend në jetën tonë; siç thashë, duhet të ‘kërkojmë brenda vetes’, duke mos lejuar që të na pushtojnë ritmet e vrullshme dhe joshjet e jashtme. Kjo bëhet duke ushqyer çaste heshtjeje, duke ndalur qoftë edhe për pak minuta në ditë për të lexuar Ungjillin dhe për të biseduar me Hyjin. Po ashtu, është e rëndësishme që këtë udhëtim të brendshëm ta bëjmë së bashku me të tjerët, duke u lënë të shoqërohemi në rrugëtimin kishtar dhe duke u këshilluar me meshtarët, rregulltarët dhe me ata që, si ne, kanë hyrë në këtë rrugë.”
Sëmundja e heshtur
Në historinë e dytë, atë të Carminës, e cila në disa çaste ndalet e prekur nga emocionet, shfaqet një fjalë që shpesh ngjall frikë: depresioni. Një sëmundje që shpesh fshihet për shkak të turpit, e cila sjell me vete “errësirë, izolim dhe një dhimbje të pamasë”. E reja rrëfen se ishte përpjekur shumë herë të dilte nga kjo gjendje, por pa sukses. Një mbrëmje ajo tentoi edhe vetëvrasjen. “Sot jam këtu – tregon ajo – sepse Hyji më dha një mundësi të dytë dhe për këtë do t’i jem përjetësisht mirënjohëse.” Pyetja që ajo i drejton Papës është thellësisht prekëse: “Si mund të kemi besim te Hyji kur duket se asgjë nuk ka vlerë, madje as vetë ne?”
Papa Leoni XIV mbetet thellësisht i prekur nga rrëfimi i kësaj vajze. Ai e falënderon për guximin që pati për të treguar atë që kishte përjetuar dhe kujton shumë personazhe të Ungjillit, të cilët, falë takimit me Jezusin, rifituan jetën dhe shpresën. Më pas ndalet te ajo që e quan “sëmundja e heshtur”, pra depresioni, duke vënë në dukje se shëndeti mendor është gjithnjë e më i rrezikuar në shoqëritë më të zhvilluara. Kjo ndodh sepse është përhapur një ide e caktuar e zhvillimit dhe e suksesit, e cila “i nënshtron njerëzit ndaj presioneve, pritshmërive dhe tensioneve të vazhdueshme, duke cenuar ekuilibra themelorë të jetës njerëzore.”
Për këtë arsye është i njevojshëm një sistem sanitar që përfshin në prioritetet e tij këto sëmundja të padukshme dhe të përgjithshm, që i prek edhe të rinjtë.
Me Hyjin jeta rilind gjithmonë
Papa thekson se shoqëria e sotme e hesht dhimbjen, sepse shumë modele kulturore lartësojnë përsosmërinë dhe, për këtë arsye, “kufizimi, brishtësia dhe vuajtja duhet të eliminohen, të mbyllen në një heshtje shurdhuese”. Kryqi i Jezusit – shton Ati i Shenjtë – na thotë se Hyji nuk na braktis, se Ai mbetet i kryqëzuar me ne në çastet e dhimbjes dhe të vetmisë së skajshme. Papa kujton gjithashtu katekezën e Papa Benediktit XVI mbi orët e fundit të Jezusit, kur vuajtja e Tij shndërrohet në lutje dhe në britmë. Kështu duhet të veprojmë edhe ne: të kërkojmë me këmbëngulje, të hapemi para dikujt “që na merr për dore dhe na ndihmon të dalim nga ajo britmë”.
Nuk duhet ta spiritualizojmë vuajtjen, duke e lidhur në mënyrë sipërfaqësore me “vullnetin e Hyjit” ose me ndonjë plan të Tij misterioz, sepse kjo rrezikon ta minimizojë atë vuajtje, ta heshtë dhe t’i lëndojë njerëzit. Hyji nuk e dëshiron vuajtjen; Ai e bart atë së bashku me ne dhe na fton të kemi besim tek Ai me qëndrueshmëri dhe këmbëngulje. Le të kujtojmë atë që thoshte Papa Françesku: me Hyjin, jeta rilind gjithmonë.
Të burgosur nga e keqja
Dëshmia e tretë, ajo e Cecilias, përqendrohet te falja. Një vajzë e vogël përjeton dhimbjen kur sheh babain e saj teksa përpiqet të vrasë nënën, por në vend të kësaj plagos për vdekje një djalë që kishte ndërhyrë për ta mbrojtur atë. Është dhimbja e një nëne që bie në varësinë nga droga dhe e një vajze dhjetëvjeçare që detyrohet të jetojë në një qendër strehimi për të mitur. Vetëm dashuria e një familjeje kujdestare arrin ta hapë atë zemër, në të cilën gjen vend edhe Jezusi. Megjithatë, sot dhimbja rikthehet në formën e ndjenjës së braktisjes nga Hyji dhe në vështirësinë për të falur një baba që ka bërë kaq shumë të keqe. Papa Leoni e fton të sheh nga një këndvështrim tjetër.
A duhet të pyesim vetëm “Ku ishte Hyji?”, apo duhet të pyesim edhe për njeriun dhe njerëzimin, për mënyrën se si nganjëherë bëhemi robër të së keqes deri në atë pikë sa të ushtrojmë dhunë ndaj të tjerëve? Si ndodh që nuk arrijmë të kultivojmë dashurinë dhe të respektojmë të tjerët në dinjitetin dhe lirinë e tyre?
Feminicidet, një realitet dramatik
“Shumë lajme të kronikës së zezë, edhe sot, pasqyrojnë një klimë të helmuar në marrëdhëniet familjare – shpjegon Papa – të karakterizuar nga abuzimet dhe shtypja, e veçanërisht nga dhuna ndaj grave, e cila fatkeqësisht shpesh përfundon edhe në feminicid.” Papa Leoni shton se është e nevojshme të përballemi me “këtë realitet dramatik”, i cili ka “shkaqe antropologjike dhe kulturore”, si në nivel personal ashtu edhe në atë shoqëror. “Ne nuk mund t’ia atribuojmë Hyjit atë që i është besuar përgjegjësisë sonë.”
Nëse ekziston dhuna, nëse triumfon egoizmi, nëse madje edhe dashuria ndërmjet anëtarëve të familjes shndërrohet në urrejtje, duhet t’i bëjmë vetes disa pyetje për vetveten, për dinamikat e shoqërisë sonë, për kulturën e individualizmit dhe për tundimin e dhunës, e jo t’ia atribuojmë këto gjëra Hyjit.
Me hapa të vegjël
Falja – pohon Papa Leoni XIV – është një “ilaç i fuqishëm kundër së keqes, që shëron plagët tona të brendshme”, si pjesë e një procesi dhe e një rrugëtimi. Ajo duhet t’i kërkohet vazhdimisht Zotit, “ndoshta gjatë gjithë jetës”, që Zoti “ta zgjerojë në ne hapësirën e dashurisë pikërisht aty ku jemi plagosur, të na ndihmojë të pajtohemi me vetveten dhe me atë pjesë të historisë sonë të shënuar nga vuajtja, duke e shndërruar ngadalë hidhërimin në mëshirë dhe dhembshuri”.
“Është një rrugëtim i gjatë, është një proces që kërkon shumë durim; është një punë që duhet ta bëjmë mbi vetveten, si në mënyrë personale ashtu edhe përmes rrugëve të ndryshme të shoqërimit dhe të pajtimit të brendshëm.Dhe është e nevojshme të mos dekurajohemi: në falje ecet me hapa të vegjël.”
Të mbajmë zemrën të hapur
Në përfundim të përgjigjes së tij, Papa Leoni jep një udhëzim të rëndësishëm: falja nuk do të thotë domosdoshmërisht rikthim në gjendjen e mëparshme, as nuk nënkupton gjithmonë “të jetosh një marrëdhënie të plotë me atë që të ka lënduar”, veçanërisht kur bëhet fjalë për raste të shënuara nga dhuna.
Megjithatë, diçka është gjithmonë e mundur.
“Mund të ruash një qëndrim të mirë të zemrës ndaj atij personi, të refuzosh çdo formë urrejtjeje apo hakmarrjeje, të përpiqesh ta rindërtosh marrëdhënien aq sa është e mundur dhe, ndoshta, të lutesh për të ose për të. Kjo na ndihmon të hyjmë gjithnjë e më shumë në dinamikën e faljes dhe të pajtohemi me Hyjin dhe me të tjerët.”
Në fund, Papa Leoni përmbledh mesazhin e tij me fjalë të thjeshta dhe të fuqishme: “Jemi mëkatarë të falur, të pajtuar dhe të aftë për të falur. Të aftë për të qenë bartës të paqes.”
Marrë nga Radio Vatikani në Italisht
Përkthimi: Rev. “DRITA”

Postimi i Mëparshëm
