
Papa Leoni XIV që po viziton këto ditë Spanjën e thotë dhe e përsërit: të mbetesh qenie njerëzore, kjo është thirrja, sfida, misioni. Ua tha të rinjve të shtunën, gjatë takimit mbajtur në mbrëmje, e përsëriti edhe të dielën kur foli me botën e kulturës, artit, biznesit dhe sportit, e përsëriti të hënën në Parlament. Çështja e tij është urgjente, prej këndej ripohimi, por nuk është slogan, frazë me efekt.
Më shumë se frazë, është pyetje
Papa Leoni XIV, shtegtar shprese, mbërriti në Spanjë duke mbartur me vete një pyetje, të cilën dëshiron t’ua ndajë të gjithëve, sepse të gjithë jemi qenie njerëzore”. E pyetja është ajo që e bëri në takimin e së dielës, me botën e kulturës, në Movistar Arena: “Sot shohim se si pyetja themelore mbetet e njëjtë: çfarë do të thotë të jesh vërtet njeri?”. Në këtë epokë ndryshimesh drastike dhe të shpejta, është kjo që i duhet botës: dikush që bën pyetjet e duhura. Përsa i përket përgjigjeve, në fund të fundit, ne kemi zhvilluar mjete teknologjike, jashtëzakonisht të përshtatshme në përdorimin e tyre. Me një dozë melankolie, piktori më i madh spanjoll i shekullit të 20-të stigmatizoi faktin se “kompjuterët janë të padobishëm, ata vetëm japin përgjigje”.
Cili konceptim i personit njerëzor frymëzon ligjet
Duke theksuar çështjen e kuptimit të qenies njeri, Papa, me këmbëngulje të butë, shqetëson dhe nxit një shoqëri që përndryshe thjesht do të përfundonte duke bërë, ose më keq, duke prodhuar (dhe për këtë arsye duke konsumuar), pasi ka humbur kuptimin e gjithë këtij aktivizmi. Duke folur ende për botën e kulturës, Papa, në vend të kësaj e prek pikën me saktësi kirurgjikale, duke theksuar se “shoqëria jonë zotëron një kapacitet të jashtëzakonshëm për të prodhuar, për të përtrirë dhe për të komunikuar; megjithatë, duket se ne ende duhet të mësojmë ta ruajmë shpirtin e asaj që krijon. Përndryshe, ne rrezikojmë të jemi ekspertë në mjetet e komunikimit dhe të aftë në prodhim, por të pasigurt për psenë, për çfarë qëllimi, me kë dhe për kë prodhojmë”. E pyetja nuk është thjesht filozofike, as abstrakte, por dramatikisht konkrete. Ajo prek çdo sferë të jetës njerëzore, duke nisur nga politika. Dhe pikërisht trupit politik Leoni i drejton të njëjtën pyetje, të cilën e quan përsëri “vendimtare”: “Cili konceptim i personit njerëzor frymëzon ligjet dhe çfarë lloj shoqërie krijojnë këto ligje?”.
Kisha dhe dialogu
Përballë kësaj sfide vendimtare, Papa angazhohet në dialog e gjithashtu përpiqet të tregojë një rrugë, për të ndërtuar së bashku përgjigjen. Dhe e bën këtë në dritën e trashëgimisë së madhe të Shkrimit Shenjt e mendimit të zhvilluar gjatë dy mijëvjeçarëve nga Kisha: “Kontributi ynë në dialog, duke filluar me një vizion të krishterë të jetës” i tha botës së kulturës, “buron nga vetëdija se Krijuesi e thuri qenien njerëzore me fije dashurie; sepse ai u krijua sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë, që është dashuri (krh. 1 Gjn 4:8). Këtu qëndron themeli i dinjitetit të patjetërsueshëm njerëzor, respekti absolut për të cilin është baza e dialogut”. Thelbi i të jetuarit si qenie njerëzore është të jetosh një jetë të përshkuar dhe të endur nga dashuria. Kjo e bën humanitas vërtet madhështore. Sfida është e madhe, vënia në lojë, gjigande: “Sepse në të gjithë këtë është në lojë rreziku që, në të ardhmen, njerëzimi ynë madhështor të vazhdojë të shkëlqejë”.
Jezusi nuk përjashton askënd
Por nuk jemi vetëm përball me këtë sfidë; nuk duhet të biem në konfuzion a dëshpërim, sepse ekziston një Person që na shoqëron dhe na udhëzon. Duke folur para të rinjve në mbrëmjen e së shtunës, Papa e tha këtë me forcën e thjeshtësisë: “Jini njerëzorë siç është Krishti, njeriu i përsosur”. Mbetuni njerëzorë ashtu siç bëri Jezusi, njeri i vërtetë në çdo moment të jetës së tij. Mbetuni njerëzorë deri në fund. Rruga, modeli është Jezusi. Që qeshi e qau me burra e gra, hëngri me ta, donte t’i takonte aty ku ishin, ashtu siç ishin, dhe i deshi. Deri në fund.
Edhe në kryq, Jezusi mbeti njeri. U tall dhe u provokua: zbrit nga kryqi dhe ne do të të besojmë! Por Jezusi mbeti njeri, vdiq dhe u ngjall. Nuk e zgjodhi rrugën e shkurtër të fuqisë së tij hyjnore. Na bëri të kuptojmë se fuqia e tij është një me dashurinë. Plotfuqishmëria e Tij është vetëm plotfuqishmëria e dashurisë, e shërbimit, jo e sundimit.
Në një botë që përshpejtohet dhe kërkon vazhdimisht mënyra më të shpejta, më të rehatshme dhe më efikase, Jezusi na kujton se të jesh njeri do të thotë të jetosh me dinjitet, me dinjitetin e fëmijëve të Zotit, duke mos devijuar kurrë nga rruga jonë, duke iu përgjigjur thirrjes me guxim dhe besim, të vetëdijshëm se dashuria nuk ka rezerva, nuk hap shtigje të lehta për egoizmin e dikujt, nuk përjashton askënd dhe asnjë çast të jetës, por përshkon çdo moment të ekzistencës, duke e bërë atë të shkëlqejë, në mënyrë madhështore. R.SH. / Vatikan
nga Andrea Monda

Postimi i Mëparshëm
