PRESIDENTJA OSMANI DEKORON POST MORTEM IMZOT SIMON FILIPAJN PËR PËRKTHIMIN MONUMENTAL TË BIBLËS NË SHQIP

Prishtinë, 18 shkurt 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka nderuar post mortem Imzot Simon Filipajn me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, për kontributin e jashtëzakonshëm në përkthimin integral të Biblës në gjuhën shqipe dhe rolin e tij kyç në ruajtjen, përparimin dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar.

Ky vlerësim i lartë, i dhënë nga Presidentja Osmani Sadriu, konsiderohet më shumë se një akt simbolik. Ky nderim është njohje për punën dhe përkushtimin e Imzot Filipajt, i cili me durim dhe devotshmëri përktheu një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore në gjuhën e të parëve tanë.

“Medalja Presidenciale e Meritave” është një dëshmi se puna, mundi dhe përkushtimi i Imzot Simon Filipajt ndaj kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar nuk kanë mbetur në harresë.  Përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe nuk ishte vetëm një projekt akademik, por edhe një mision i shenjtë, akt besnikërie ndaj popullit shqiptar në kohë të vështira për gjuhën dhe kulturën shqipe. Ky përkthim monumental jo vetëm që i dha gjuhës shqipe një vepër të paçmueshme, por gjithashtu forcoi lidhjen shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me trashëgiminë fetare dhe gjuhësore botërore.

Nderimi nga Presidentja Osmani shkon përtej figurës së Imzot Simon Filipajt. Është një vlerësim për vetë gjuhën shqipe, për qëndrueshmërinë dhe fuqinë e saj për të mbijetuar dhe lulëzuar, pavarësisht sfidave të shumta që ka përjetuar ndër shekuj.

Imzot Simon Filipaj do të kujtohet jo vetëm si prift dhe përkthyes i shquar, por si një mbrojtës i palodhur i gjuhës dhe kulturës shqiptare, i cili me veprën e tij e bëri Fjalën e Shenjtë të kumbojë edhe në Gjuhën Shqipe./drita.info

Shpëndaje: