Lazër MJEDA, arqipeshkvi i fundit i Shkupit (1909-1921)

Ai  lindi në Shkodër,  në Shqipëri, më 6 mars, të vitit 1869. Në tetor të vitit  1879, erdhi në seminarin papnor në Shkodër,  si nxënës nga dioqeza e Pultit. Më 9 gusht, të vitit 1891, u shugurua meshtar, nga imzot Pasquale Guerrini. Më 10 nëntor, të vitit 1890 u zgjodh ipeshkëv i Nënshtatit (Sapës – Zadrimës). Më 20 janar, të vitit 1891, u shugurua ipeshkëv në katedralen e Shkodrës, nga arqipeshkvi i Shkodrës, Pasquale Guerrini, me ndihmën e imzot Pashk Trokshit, arqipeshkëv i Shkupit dhe imzot Nikolla Makonit, ipeshkëv i Pultit.

 

 

Nga Don Frok Zefi

 

  1. Arqipeshkvi Mjeda, i fundit në serinë e arqipeshkvijve të Shkupit, u shërbeu me  dashuri të madhe besimtarëve që iu besuan

Më 10 janar, të vitit 1905, u emërua arqipeshkëv titullar i Aeropolitit, si dhe zëvendës me të drejtën e trashëgimisë (cum jure successionis) i arqipeshkvit të Shkodrës. Më 14 prill, të vitit 1909, me shkresë papnore (dem), u emërua arqipeshkëv i Shkupit.  Më 18 shtator, të vitit 1909, mori mantelin (paliumin) e arqipeshkvit, në katedralen e Shkodrës. Më 04 tetor, të vitit 1909,  mori arqipeshkvinë e Shkupit.[1]

Imzot Lazër Mjeda, kreu  një veprimtari të madhe baritore në dioqezë. Ai ndërtoi disa kisha dhe themeloi disa famulli të reja. Gjithashtu shqetësohej për burimet njerëzore, prandaj u kujdes shumë që dioqeza të kishte mjaftueshëm priftërinj. Në qarkoret e tij baritore, tregonte një dashuri të madhe për besimtarët që i ishin besuar. Seria e arqipeshkvijve të Shkupit përfundon me arqipeshkvin Mjeda. Me marrëveshjen midis Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Serbisë, e cila u nënshkrua në Romë, më 24 qershor, të vitit 1914, dioqeza e Shkupit ishte menduar që të bëhej arqipeshkvi në varësi të Beogradit.[2] Lazër Mjeda vdiq si arqipeshkëv i Shkodrës, në vitin 1935, në Shkodër.[3]

Edhe pse nuk ndodhej në territorin e arqipeshkvisë së tij, arqipeshkvi Mjeda ende kujdesej dhe ndërmjetësonte për të. Kështu, më 12 dhe 13 qershor, të vitit 1919,  ishte në Gjakovë me “detyrën e emërimit të murgeshave të Kryqit të Shenjtë,” si mësuese në dy fshatra të Kosovës, ku kroatët e vendosur dikur, e kishin ruajtur besimin e tyre katolik deri në kohën për të cilën po flasim. E nderuara nëna eprore kishte premtuar se për momentin, do të dërgonte atje, tre murgesha.[4]

Matija Paviq, provikar i përgjithshëm i dioqezës së Gjakovo dhe Sremit, më 10 dhjetor, të vitit 1919, botoi në gazetën dioqezane, me numër 2671, njoftimin e mëposhtëm:

“Në mbretërinë tonë, më të mjerët sot janë katolikët, të udhëhequr nga arqipeshkëv Lazër Mjeda i Shkupit. Katolikët e atyre krahinave, ndër të cilat ka edhe dy fshatra të banuara nga kroatët që në lashtësi, janë kryesisht me kombësi shqiptare; ata kanë vuajtur shumë gjatë luftës ballkanike, prandaj ndërtesat e tyre të adhurimit janë rrënuar dhe gjithë pasuritë e kishës janë shkatërruar. Arqipeshkvi dëshiron të riparoj gjithçka që u shkatërrua, prandaj ka filluar me restaurimin. Është në interes të jetës shpirtërore të atyre katolikëve dhe në nderin e adhurimit katolik, që këto punë të kryhen sa më parë. Por duke qenë se vet populli është shumë i varfër dhe misioni është i pambështetur, i raportoj kësaj dore bujare të besimtarëve të dioqezës sonë, nevojat e këtyre vëllezërve tanë në vendin tonë të ri. Ofertat vullnetare, si nga kleri, ashtu edhe nga besimtarët, duhet të dërgohen në zyrën ipeshkvnore, e cila do t’i dërgoj ato në destinacionin e synuar.

                                          Gjakovë,  më 10 dhjetor, 1919, Matija Paviq,   provikar kapitular.”[5]

Në gazetën ‘Glasnik (Zëri)’, të vitit 1920, u  botuan emrat e  dhuruesve të parë, të cilët iu përgjigjën thirrjes së qarkores së provikarit kapitular, që mban datën, ‘10 dhjetor, 1819,’ me numrin 2671, dhe  vitin 1919. Sipas shkrimit në gazetë rezulton se dhuruesit mblodhën  gjithsej 180 kurora.[6]

Në gazetën ‘Glasnik (Zëri)’, me numrat  3 – 4/1920, u  botuan edhe emrat e disa dhuruesve të tjerë, të cilët të gjithë së bashku mblodhën gjithsej 150 korona. Deri më tani u grumbulluan gjithsej 330 krona.[7]

Në gazetën ‘Glasnik (Zëri)’, me numrat  5 – 6, që mban vitin 1920,  u shpallën gjithashtu edhe disa dhurues të rinj, që arritën të mblidhnin gjithsej 680 kruna.[8]

 

  1. Raporti i Lazër MJEDËS, arqipeshkëv i Shkupit në vitin 1911

 

Gjithçka për lavdinë më të madhe të Zotit! 

Në pjesën e parë të raportit, arqipeshkëv Lazër Mjeda shkruan një autobiografi të shkurtër, dhe më pas vazhdon me një përshkrim të rrethanave në arqipeshkvinë e Shkupit, si më poshtë:

Arqipeshkvia është shumë e gjerë, besoj se është më e bollshmja në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, informacioni për të është i sigurt dhe i saktë.  

Kufizohet me arqipeshkvinë e Shkodrës dhe me dioqezën e Pultit, e cila ndahet nga lumi i Valbonës, në rajonin e Neshatës, që ndan Drinin nga Opatia e Mirditës, si dhe me arqipeshkvinë e Durrësit. Nga lindja kufizohet me administratën apostolike të Konstandinopojës deri në portën e Demirit, si dhe me Bullgarinë, Serbinë e Bosnjën në kufijtë e tyre politik.

Arqipeshkvia ndodhet në krahinën e Kosovës, si dhe përfshin një pjesë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.   

Arqipeshkvia nuk ka ipeshkëv ndihmës. 

Arqipeshkvi banon në Prizren. Ai ka një katedrale, që është e vetmja kishë që ekziston në këtë qytet; ka gjithashtu edhe një banesë në gjendje të keqe, që është e gjitha prej druri dhe e rrënuar.

Arqipeshkvi ka privilegje dhe kompetenca të veçanta që i janë dhënë  nga Selia e Shenjtë për pesë vjet me shkresën e datës 24 prill, 1909, me nr. 456/1909. Kompetencat që u jep Selia e Shenjtë arqipeshkvijve dhe ipeshkvijve të Shqipërisë, janë si më poshtë: 

  • Arqipeshkvi ka një fond modest prej 500 frangash nga dhënia me qira e dyqaneve dhe e arave;
  • Përveç kësaj, ai merr edhe 5000 franga nga qeveria austro – hungareze, si dhe 1000 franga ndihmë nga Kongregata për Përhapjen e Fesë.
  1. Katolikët e arqipeshkvisë jetojnë në qytetet poshtëshënuara:
  • (Në) Shkup, kryeqyteti, qendra krahinore dhe vendbanimi (politik) i  guvernatorit të përgjithshëm.
  • (Në) Tasnjani – Ferizaj – Uroševac, që është tre orë larg nga Shkupi me tren.
  • (Në) Mitrovicë, pesë orë larg Ferizajit me kalë.
  • (Në) Stubëll, pesë orë larg Ferizajit me kalë.
  • (Në) Malin e Zi [Letnicë], një orë larg Stubllës me kalë.
  • (Në) Janjevë, një orë nga Ferizaj me hekurudhë ose më shumë se dy orë me kalë.
  • (Në) Prizren, me 18 fshatra që janë një deri në pesë orë larg kishës së famullisë me kalë.
  • (Në) Zym, tre orë larg Prizrenit me kalë.
  • (Në) Jakova [Gjakovë], pesë orë larg Ferizajit me kalë, dhe përfshin 72 fshatra që janë deri në pesë orë larg kishës së famullisë.
  • (Në) Pejë, shtatë orë nga Gjakova me kalë, dhe përfshin 62 fshatra, deri në dhjetë orë larg nga Peja me kalë.

Vizita kanonike në arqipeshkvi filloi në Prizren, më 23 prill, të vitit 1910 dhe vazhdoi gjatë gjithë verës. Para vizitës zyrtare kanonike, në fillim të dimrit, vizituam famullitë me qëllim që arqipeshkvi të njihej me vendin dhe me njerëzit, në mënyrë që të qetësonte disa shpirtra. Gjithashtu, pas vizitës kanonike, vizitova për të tretën herë brenda 14 muajve gjithë arqipeshkvinë, duke kërkuar të mirën e përgjithshme të besimtarëve.

Sinodi dioqezan u mbajt më 23 mars, të vitit 1909, dhe vazhdon të mblidhet çdo vit në të mërkurën e madhe, kur famullitarët vijnë për të mbledhur vajrat e shenjta.

Arqipeshkvi nuk kishte asnjë shqetësim nga ipeshkvijtë fqinje  sa i  takon  juridiksionit.

Për numrat nga 12 e deri në 21,  arqipeshkvia nuk ka asnjë organizim kanonik.

  1. Arqipeshkvia ka dhjetë famulli

Famullitë ndodhen brenda kufijve të tyre; disa kanë kishë, e disa të tjera jo, prandaj sajojnë kisha të vogla që  janë  të papërshtatshme.

Famullitë që kanë kishat e tyre janë si më poshtë vijon:

  1. Famullia e Shkupit;
  2. Famullia e Prizrenit;
  3. Famullia e Janjevës;
  4. Famullia e Crnagorës (Letnica); (dhe)
  5. Famullia e Zymit.

Kisha në Pejë u dogj nga një zjarr i papritur që ra në verën e vitit 1909. Myslimanët e Gjakovës asnjëherë nuk pranuan që të jepnin leje për ndërtimin e ndonjë kishe. E njëjta gjendje është edhe në famullitë e tjera, pasi ka qenë e pamundur të ndërtoheshin kisha për shkak të kundërshtimit të myslimanëve dhe të mungesës së parave.

Kemi edhe tre kisha të tjera që shërbejnë si kisha famullitare. Njëra është në Zllakuqan të qarkut të Pejës, tjetra është në fshatin Bitiq të qarkut të Zymit, dhe tek e fundit që është në Gjakovë, shërbejnë etërit françeskan. Aty është edhe kapela e famshme e shën Antonit, e quajtur shenjtërorja, për të cilën Kongregata e Shenjtë duhet të ishte interesuar edhe më herët.

Françeskanëve u janë besuar edhe dy famulli të tjera në Zym dhe në Pejë, së bashku me gjithë fshatrat afër tyre.

Disa meshtar kanë ndihmësa në famullitë e tyre; gjendja sa i takon kësaj është si më poshtë:

  1. Famullia e Prizrenit, ka dy ndihmësa;
  2. Famullia e Gjakovës, ka dy ndihmësa;
  3. Famullia e Pejës, gjithashtu ka dy ndihmësa;
  4. Famullia e Crnagorës (Letnica), ka një ndihmës; (dhe)
  5. Famullia e Janjevës, ka një ndihmës.

Numri i katolikëve në arqipeshkvi, sipas regjistrimit të viteve 1909 – 1910, është:

  • 17,146 besimtar gjithsej.
  1. Famullia, Numri i familjeve, Numri i besimtarëve

 

Famullia Numri i familjeve Numri i besimtarëve
Shkup 148 618
Mali i Zi (Letnicë): 267 1.586
Rrjedhat 44 324
Uroshevac 30 130
Mitrovicë 12 63
Janar 391 2.218
Prizren (qytet) 223 956
Prizren (fshatrat përreth) 123 1.032
Gjakovë (qytet) 62 302
Gjakovë (fshatrat përreth) 660 5,434
Pejë (qytet) 45 247
Pejë (fshatrat përreth) 345 3,460
Zym 81 776
Gjithsej 2.431 17.146

 

Katolikët që jetojnë në qytete janë kryesisht punëtor, bukëpjekës, rrobaqepës, e veçanërisht argjendar; vetëm pak prej tyre merren me tregti.

Përsa i përket fesë, këta janë besimtarët që e vizitojnë kishën, i marrin  edhe sakramentet, me përjashtim të komunitetin në Shkup, ku katolikët janë ftohur si në besim ashtu edhe në moral për shkak të kontaktit me të huajt; por edhe në këtë rast kemi shpresa për përmirësim, pasi qysh nga viti i kaluar, ata kanë vendosur që të bëjnë rregullimet e nevojshme në këtë drejtim.

Një numër i madh nga katolikët e Janjevës jetojnë si tregtar; ata punojnë duke tregtuar mallrat e tyre të vogla në qytetet e Ballkanit. Pjesa tjetër e popullsisë merret me bujqësi.

Katolikët në Mal të Zi (Letnicë) janë bujq që kanë tokën e tyre, por ajo tokë nuk është  shumë pjellore, prandaj ata janë shumë të varfër. Katolikët e  Malit të Zi, të Stubllës dhe të Janjevës janë besimtar të mirë dhe mes tyre nuk ka asnjë mosmarrëveshje.

Banorët e Zymit janë gjithashtu qytetar të mirë dhe e duan shumë zanatin e tyre të furrtarit. Ata punojnë në qytete; janë besimtar aktiv  dhe sillen shumë mirë në komunitet.

Katolikët e Prizrenit, të Gjakovës dhe të Pejës iu nënshtruan myslimanëve. Rreth njëqind familje katolike tashmë zotërojnë një pjesë të tokës. Sa i përket praktikimit të fesë, mund të them se janë të ftohtë, por kjo ndodh vetëm për shkak të mungesës së edukimit fetar. Meqenëse janë larg kishave famullitare dhe jetojnë mes myslimanëve, ata nuk janë në gjendje të marrin pjesë në meshat e shenjta dhe të dëgjojnë fjalën e ungjillit. Nga ana tjetër, çdo famullitar gëzohet kur i sheh para vetes në kreshmë, në pashkë, në sakramentet e martesës apo të vulosjes së të sëmurëve. Për shkak të mosdijes, ka edhe parregullsi fetare siç janë martesat e paligjshme dhe të pavlefshme që ekzistojnë ende.

Për të përmirësuar pak njohuritë e tyre si dhe për të korrigjuar mungesën e interesit fetar, u sugjerova famullitarëve që çdo të diel të shkojnë në fshatrat dhe në qendrat e tyre për t’ua mësuar njerëzve besimin katolik.

 

  1. Shkollat e ndryshme në arqipeshkvi

 

Më poshtë po japim një përshkrim të detajuar sa i takon funksionimit të shkollave në arqipeshkvinë e asaj kohe.

  • SHKUP gjendja është si vijon:

Atje ka dy shkolla, njëra është për djem, e tjetra për vajza. Djemve u jep mësim  një mësues laik, kurse vajzave u japin mësim  murgeshat e shën Vinçenc de Paulit nga Zagrebi. Ekziston edhe një shkollë e tretë, e ashtuquajtur “shkolla e trasesë” ose “shkolla hekurudhore,” ku ndjekin mësimet të huajt, si katolik ashtu edhe ortodoks. Në të tri shkollat, ​​mësimin fetar e kryen famullitari vendas. Shkollën e djemve e ndjekin 20 nxënës, ndërsa shkollën e vajzave (me nivel parashkollor) e ndjekin 60 vajza.

  • FERIZAJ  gjendja është si vijon:

Atje ka një shkollë famullie, ku si mësues shërben famullitari lokal. Shkollën e ndjekin 12 – 15 djem dhe vajza.

  • Mal të Zi (LETNICË) gjendja është si vijon:

Atje ka një shkollë, ku si mësues shërben famullitari lokal. Shkollën e ndjekin 25 – 30 djem dhe vajza.

  • STUBËLL gjendja është si vijon:

Atje ka një shkollë,  ku si mësues shërben famullitari lokal. Shkollën e ndjekin 25 djem dhe vajza.

  • PEJË gjendja është si vijon:

Atje kishte një shkollë, por mësuesi vdiq dhe shkolla u mbyll;  kështu që ajo shkollë duhet të hapet sa më shpejt.

  • GJAKOVË gjendja është si vijon:

Atje ka një shkollë të përbashkët për djem dhe vajza, ku si mësues shërben një laik. Shkollën e ndjekin 20 djem dhe 25 vajza.

  • PRIZREN gjendja është si vijon:

Atje janë dy shkolla, njëra është për djem, e tjetra për vajza. Shkollën e djemve e ndjekin 63 nxënës. Në të shërbejnë tre mësues laik. Si mësuese për vajzat shërbejnë murgeshat e shën Vinçenc Paulit nga Zagrebi. Së bashku me nivelin parashkollor të mësimit,  këtë shkollë e ndjekin 95 vajza.

  • JANJEVË gjendja është si vijon: 

Atje është një shkollë e përbashkët me 339 djem dhe vajza, ku shërbejnë dy mësues laik. Shkollës i mungon numri i mjaftueshëm i mësuesve, si dhe gjithçka e nevojshme për funksionimin normal të procesit mësimor. Përveç kësaj, shkolla e përbashkët është  rrezik për sjelljen morale të nxënësve, kështu që i  kërkova Ministrisë së Arsimit të Austro – Hungarisë që të bëj gjithçka që është e nevojshme për shkollën në Janjevë. Nevojat e shkollës janë të mëdha sepse ka 300 deri në 350 nxënës. Kjo shkollë ka shumë nevojë për ndihmë.

  • ZYM gjendja është si vijon:    

Edhe atje ka qenë një shkollë, por ajo u mbyll, sepse për shkak të sjelljes së keqe të mësuesit, prindërit nuk i dërguan më në shkollë fëmijët e tyre. Mirëpo tani duan që të hapin përsëri  shkollën që të mësojnë fëmijët. Meqenëse Zymi është një famulli françeskane, Urdhri Françeskan mund të dërgonte dikë, i cili do të shërbente edhe si mësues edhe si kapelan në  famulli. Të ardhurat në këto famulli janë të mira, prandaj që të dyja mund ta mbajnë veten në mënyrë të qëndrueshme, siç kishin bërë në vitet e shkuara. Në këtë kuptim i shkrova edhe provincialit françeskan të provincës shqiptare, e më tej nuk e di se çfarë tjetër mund të bëj. Nëse krahina e përmendur nuk do të mund të siguroj një mësues dhe kapelan, atëherë arqipeshkvia do të siguroj një mësues laik për atë shkollë.

Në të gjitha shkollat, ​​mësimi fetar jepet nga meshtarët (priftërinjtë),  rregulltarët françeskan,  e nga murgeshat dioqezane  sipas rregullave të Sinodit arqipeshkvnor që u mbajt vitin e kaluar.

Në territorin e arqipeshkvisë ka edhe shkolla jokatolike; ato janë hapur për myslimanët, ortodoksët si dhe për të gjitha kombësitë e tjera, dhe janë në numër të madh si në qytete ashtu edhe në fshatra. Katolikët përgjithësisht nuk ndjekin shkolla të tilla, (përveç pesë a gjashtë prej tyre, për shkak se është në program mësimi i detyrueshëm i gjuhës turke. Ekziston një listë e paraardhësve të drejtuesve të atyre shkollave, nga ku shihet se në territorin e arqipeshkvisë ka 448 shkolla turke, 93 bullgare (ose maqedonase, sh.a) si dhe 71 shkolla serbe.

Arqipeshkvia ka 14 priftërinj dioqezan dhe që të gjithë janë bij të këtij vendi; ka 5 françeskan,  dhe të gjithë janë bij të këtij vendi; ka 3 jezuit dhe (që të tre janë italianë), dy vëllezër françeskan ndihmës që janë shqiptar. Gjithësej bëhen 22 priftërinj dhe 2 ndihmës vëllezër.

 

  1. Priftërinjtë dioqezan sipas rendit

Janë si vijon:

  • Dom Nikolla Mazareku, 57 vjeç;
  • Dom Tadej Ivanoviqi, 47 vjeç;
  • Dom Toma Glasnoviqi nga Janjeva, 45 vjeç;
  • Dom Mikel Tarabulluzi, i lindur në Prizren, 43 vjeç. Mbaroi me rezultate të mira shkollën në seminarin papnor në Shkodër. Sillet mirë, i kryen detyrat e tij meshtarake në mënyrë shembullore dhe i përmbush detyrimet e tij në famulli. Ka temperament pak të vështirë dhe është disi kokëfortë.
  • Dom Nikolla Glasnoviqi, 43 vjeç;
  • Dom Shtjefën Krasniqi, 42 vjeç;
  • Dom Luigj Kurti, 40 vjeç;
  • Dom Tomë Berisha, i lindur në Pejë, 34 vjeç;
  • Dom Pashk Krasniqi, 34 vjeç;
  • Dom Simon Gjokaj, i lindur në Mal të Zi (Letnicë), 30 vjeç;
  • Dom Lluka Filiq, 30 vjeç;
  • Dom Pashk Çibariq, 27 vjeç;
  • Dom Zef Ramaj, i lindur në Stubëll, 29 vjeç. Ka qenë student i seminarit papnor në Shkodër dhe i Universitetit të Innsbruck në Austri, ku ka përfunduar studimet me rezultate të mira. Sillet mirë dhe jep një shembull të mirë. Është pak i sëmurë, por i kryen detyrat rregullisht dhe në mënyrë shembullore.
  • Dom Martin Berisha, i lindur në Pejë, 28 vjeç. Ka qenë student i seminarit papnor në Shkodër dhe i Universitetit të Innsbruck në Austri. Ai ka një arsim të bollshëm, sillet mirë, është ambicioz dhe e kryen detyrën e tij si famullitar në Gjakovë në mënyrë shembullore.

 

  1. Françeskanët

Janë si vijon:

  • Atë Pashk Prela, ofm, lindur në Shkodër, 34 vjeç;
  • Atë Klement Miraj, i lindur në Selcë, 29 vjeç;
  • Atë Gjon Blushaj, ofm, lindur në Kallmet, 37 vjeç;
  • Atë Filip Paliq, i lindur në Janjevë, 27 vjeç;

Nuk ka të dhëna për françeskanin e pestë.

Prizren, më 04 prill, 1911   

Lazër Mjeda, arqipeshkëv i Shkupit.[9]

 

——————————————

[1] Gjergj Gashi, Izvještaj nadbiskupa Lazara Mjede o stanju Skopske nadbiskupije predstavljeno svetroj Kongregaciji de Propaganda dide 28, ožujka 1911, godine, pisano u Prizerenu 4, ožujka 19121, godine.

[2] Gaspër GJINI,  Skopsko – prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 193.

[3] Izvještaj nadbiskupa Lazara Mjede o srpskoj invaziji na Kosovo i Makedoniju, u:  Leo Freudlich, Golgota Albanaca.

[4] Urednik Glasnika, Skopljanski nadbiskup msgr. LazarM;jeda u Đakovu, u: Glasnik Biskupije Đakovačke i srijemske, broj17/1919, Đakovo, (1919), f. 136.

[5] Matija PAVIĆ, generalni provikar Đakovačke i Srijemske biskupije, Preporuka za davanje pomoći katoličkim

     Albancima na Kosovu, u: Glasnik, broj 22-23/1919, Đakovo, (1919), f. 2.

[6] Za katolike u Skopskoj nadbiskupiji, u: Glasniku, broj 1 –  2, (1920), f. 8.

[7] Za katolike u Skopskoj nadbiskupiji, u: Glasniku, broj 3 – 4, (1920), f.16.

[8] Za katolike u  Skopskoj nadbiskupiji, u: Glasniku, broj 5 – 6, (1920), f. 24.

[9] Raporti i arqipeshkvit Lazër Mjeda për gjendjen e arqipeshkvisë së Shkupit paraqitur para  Kongregacionit shenjtë de Propaganda fide, më 28 mars, të vitit  1911, shkruar në Prizren, më  04 mars, të vitit 1911, [për më tepër shih në, Gjergj  GASHI, Kosova altari i Arbërisë, (1919),  f. 24-31.]

Shpëndaje: