Papa për ditën botërore të të sëmurit: «Shpresa nuk zhgënjen» (Rom 5,5) dhe na bën të fortë në vuajtje

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT

ME RASTIN E DITËS XXXIII BOTËRORE TË TË SËMURIT

11 shkurt 2025

 

 

«Shpresa nuk zhgënjen» (Rom 5,5)

dhe na bën të fortë në vuajtje

 

 

Të dashur vëllezër e motra!

Kremtojmë Ditën XXXIII Botërore të të Sëmurit në Vitin Jubilar 2025, në të cilin Kisha na fton të bëhemi “shtegtarë të shpresës”. Në këtë gjë na shoqëron Fjala e Hyjit, e cila, nëpërmjet Shën Palit, na dhuron një mesazh që jep shumë zemër: «Shpresa nuk zhgënjen» (Rom 5,5), madje, ajo na bën të fortë në vuajtje.

Këto janë shprehje ngushëlluese, por mund të ngrenë disa pyetje, veçanërisht tek ata që vuajnë. Për shembull: si mund të qëndrojmë të fortë kur na preket edhe mishi prej sëmundjeve të rënda, të cilat na bëjnë invalid, që ndoshta kërkojnë trajtime, kostot e të cilave janë përtej mundësive tona? Si mund ta bëjmë këtë gjë, kur përveç vuajtjes sonë, shohim edhe vuajtjen e atyre që na duan dhe, megjithëse janë pranë nesh, ndihen të pafuqishëm për të na ndihmuar? Në të gjitha këto rrethana, ndiejmë nevojën për një mbështetje më të madhe se ne: na duhet ndihma e Hyjit, e hirit të tij, e Provanisë së tij, e asaj force që është dhuratë e Shpirtit të tij (khs. Katekizmi i Kishës Katolike, 1808).

Le të ndalemi një çast për të reflektuar mbi praninë e Hyjit pranë atyre që vuajnë, veçanërisht në tre aspekte që e karakterizojnë atë: takimi, dhurata dhe bashkëndarja.

1. Takimi. Jezusi, kur i dërgon shtatëdhjetë e dy dishepujt në mision (khs. Lk 10,1-9), i porosit që t’u thonë të sëmurëve: «U afrua Mbretëria e Hyjit» (rr. 9). Me fjalë të tjera, Ai u kërkon atyre për t’i ndihmuar të sëmurët që ta shohin sëmundjen e tyre, sado e dhimbshme dhe e pakuptueshme, si një mundësi për të takuar Zotin. Njëmend, gjatë sëmundjes, nëse nga njëra anë ndiejmë krejt brishtësinë tonë si krijesa – fizike, psikologjike dhe shpirtërore –, nga ana tjetër bëjmë përvojë me afërsinë dhe dhembshurinë e Hyjit, i cili në Jezusin ka bashkëndarë vuajtjet tona. Ai nuk na braktis dhe shpesh na befason me dhuratën e një guximi që nuk e kishim menduar kurrë se do ta kishim e që vetëm nuk do ta kishim gjetur kurrë.

Sëmundja, atëherë, bëhet rasti për një takim që na ndryshon, zbulimi i një shkëmbi të patrandshëm tek i cili e shohim se mund të mbahemi fort për të përballuar stuhitë e jetës: një përvojë që, megjithëse me sakrificë, na bën më të fortë, sepse jemi më të vetëdijshëm se nuk jemi vetëm. Për këtë arsye thuhet se dhimbja mbart gjithmonë me vete një mister shpëtimi, sepse na bën ta përjetojmë nga afër ngushëllimin e njëmendtë që vjen nga Hyji, derisa «ta njohim plotësinë e Ungjillit me të gjitha premtimet dhe jetën e vet». (Shën Gjon Pali II, Fjalim drejtuar të rinjve, New Orleans, 12 shtator 1987).

2. Kjo gjë na çon në pikën e dytë të reflektimit: dhurata. Në të vërtetë, më shumë se çdo gjë tjetër, vuajtja na bën të vetëdijshëm se shpresa vjen nga Zoti. Prandaj, para së gjithash, është një dhuratë për t’u mirëpritur dhe kultivuar, duke qëndruar «besnik ndaj besnikërisë së Hyjit», sipas shprehjes së bukur të Madeleine Delbrêl (khs. La speranza è una luce nella notte, Città del Vaticano 2024, Parathënia).

Për më tepër, vetëm në ngjalljen e Krishtit fati i jetës sonë gjen vendin e vet në horizontin e pafund të amshimit. Vetëm nga Pashka e tij na vjen siguria se asgjë, «as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit» (Rom 8,38-39). Dhe nga kjo “shpresë e madhe” vjen çdo dritë tjetër me të cilën mund të kapërcehen sprovat dhe pengesat e jetës (khs. Benedikti XVI, Let. enc. Spe salvi, 27.31). Jo vetëm kaq, por i Ngjalluri ecën gjithashtu me ne, duke u bërë shoku ynë i udhëtimit, siç bëri me dishepujt e Emausit (khs. Lk 24,13-53). Si ata, edhe ne mund të bashkëndajmë me Të përhumbjen tonë, shqetësimet dhe zhgënjimet tona, mund të dëgjojmë Fjalën e Tij që na ndriçon e na ndez zemrën, dhe ta njohim Atë të pranishëm në thyerjen e Bukës, duke kapur, në të qenurit e Tij me ne, madje edhe brenda kufijve të së tashmes, të “përtejmen” e cila, duke u afruar te ne, na jep sërish zemër e besim.

3. Dhe kështu vijmë tek aspekti i tretë, ai i bashkëndarjes. Në vendet ku ka vuajtje shpeshherë ka edhe bashkëndarjeje, ku njerëzit pasurohen me njëri-tjetrin. Sa herë, pranë shtratit të një të sëmuri, mësojmë të shpresojmë! Sa herë, duke qenë pranë atyre që vuajnë, mësojmë të besojmë! Sa herë, duke u përkulur mbi ata që kanë nevojë, zbulojmë dashurinë! Domethënë, ne e kuptojmë se jemi “engjëj” shprese, lajmëtarë të Zotit, për njëri-tjetrin, të gjithë së bashku: të sëmurë, mjekë, infermierë, familjarë, miq, meshtarë, rregulltarë e rregulltare; aty ku gjendemi: në familje, në ambulatorë, në shtëpitë e të moshuarve, në spitale dhe klinika.

Dhe është e rëndësishme që të dimë ta kapim bukurinë dhe pasurinë e këtyre takimeve të hirit e të mësojmë t’i ruajmë në shpirt për të mos i harruar: të ruajmë në zemër buzëqeshjen me mirësjellje të një punonjësi shëndetësor, shikimin mirënjohës e me besim të një pacienti, fytyrën e një doktori apo vullnetari që shpreh përkujdesje, apo atë të një bashkëshorti, një biri/bije, një nipi ose një miku të dashur ku vërehet pritja me shqetësim. Ato janë të gjitha drita për t’u çmuar të cilat, edhe pse në errësirën e sprovës, jo vetëm që japin forcë, por ta mësojnë shijen e vërtetë të jetës, në dashuri dhe afërsi (krh. Lk 10,25-37).

Të dashur të sëmurë, të dashur vëllezër e motra që rrini pranë të afërmëve tuaj që vuajnë, në këtë Jubile, më shumë se kurrë, keni një rol të veçantë. Njëmend, ecja së bashku, është një shenjë për të gjithë, «një himn për dinjitetin njerëzor, një këngë shprese» (Bula Spes non confundit, 11), zëri i së cilës shkon përtej dhomave dhe shtretërve ku gjendeni të shtruar, duke përnxitur dhe inkurajuar në dashuri «zërin koral të mbarë shoqërisë» (po aty), për një harmoni që ndonjëherë është e vështirë për t’u arritur, por pikërisht për këtë arsye shumë e ëmbël dhe e fortë, e aftë për të çuar dritë dhe ngrohtësi atje ku ka më shumë nevojë.

Mbarë Kisha ju falënderon për këtë gjë! Edhe unë gjithashtu dhe lutem për ju, duke ju besuar Marisë, Shëndeti i të sëmurëve, me fjalët me të cilat shumë vëllezër e motra i janë drejtuar Asaj në nevojë:

Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit.

Mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona,

por, o virgjëra e lume dhe e bekuar,

na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh.

Ju bekoj, së bashku me familjet dhe njerëzit tuaj të dashur, dhe ju kërkoj, ju lutem, që të mos harroni të luteni për mua.

 

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 14 janar 2025

FRANÇESKU

Shpëndaje: