
Më 11 shkurt 2025 Dikasteri i Vatikanit për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve ka publikuar Dekretin e dt. 24 dhjetor 2024, me të cilin Papa Françesku, duke pranuar kërkesat dhe dëshirat e barinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve, jep urdhër të shënohet në Kalendarin e Përgjithshëm Romak shenjtëreshën shqiptare, të kanonizuar në vitin 2016. Kremtimi i përkujtimit liturgjik fakultativ mbetet 5 shtatori, që duhet përfshirë në të gjithë kalendarët dhe librat liturgjikë për kremtimin e meshës dhe të liturgjisë së orëve.
Në vijim e japim dekretin e plot nga Dikasteri i Vatikanit:
Shënimi i Shën Terezës nga Kalkuta në Kalendarin e Përgjithshëm Romak
11 shkurt 2025
DIGASTERI PËR KULTIN HYJNOR DHE DISCIPLINËN E SAKRAMENTEVE
Prot. N. 703/24
DEKRET
Mbi shënimin e kremtimit të Shën Terezës nga Kalkuta, virgjër,
në Kalendarin e Përgjithshëm Romak
“Kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj”(Mk 10,43). Duke e jetuar rrënjësisht dhe duke e shpallur me guxim Ungjillin, Shën Tereza e Kalkutës është dëshmitare e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Duke zgjedhur të mos jetë thjesht më e vogla, por shërbëtore e më të vegjëlve, ajo u bë model i mëshirës dhe ikonë e vërtetë e Samaritanit të Mirë. Vërtet, mëshira ishte për të “kripa”, që u jepte shije të gjitha veprave të saja dhe “drita”, që ndriçonte errësirën e atyre, të cilët s’kishin më as lot për të derdhur për varfërinë dhe vuajtjen e tyre”.
“Thirrja e Jezusit në kryq, ‘Kam etje’ (Gjn 19,28), depërtoi në pjesën më të thellë të shpirtit të Terezës. Prandaj, gjatë gjithë jetës së saj, ajo iu përkushtua plotësisht shuarjes së etjes së Jezu Krishtit për dashuri dhe për shpirtra, duke i shërbyer Atij ndër më të varfërit e të varfërve. E mbushur plot me dashurinë e Zotit, ajo rrezatoi dashurinë e tij me të njëjtën masë ndaj të tjerëve.
E shënjuar në aradhen e shenjtorëve në vitin 2016 nga Papa Françesku, emri i Shën Terezës së Kalkutës nuk pushon së shndrituri si burim shprese për shumë njerëz, që kërkojnë ngushëllim për mundimet e trupit dhe të shpirtit.
Prandaj, Papa Françesku, duke i pranuar kërkesat dhe dëshirat e Barinjve, rregulltarëve dhe rregulltarëve, si dhe të asociacioneve të besimtarëve, e marrë parasysh ndikimin e ushtruar nga përshpirtëria e Shën Terezës së Kalkutës në rajone të ndryshme të botës, ka urdhëruar që emri i Shën Terezës së Kalkutës, virgjër, të shënohet në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, dhe përkujtimi fakultativ i saj të kremtohet prej të gjithëve më 5 shtator.
Ky përkujtim i ri duhet të hyjë në të gjithë kalendarët dhe librat liturgjikë për kremtimin e Meshës dhe të Liturgjisë së Orëve, duke përdorur tekstet liturgjike të bashkangjitura me këtë dekret, të cilat duhet të përkthehen, të miratohen dhe, pas konfirmimit nga ky Dikaster, të botohen nën kujdesin e Konferencave Ipeshkvnore.
Pavarësisht çdo gjëje të kundërt.
Nga Selia e Dikasterit për Kultin Hyjnor dhe Disiplina e Sakramenteve, 24 dhjetor 2024.
Kardinal Arthur Roche
Prefekt
+ Vittorio Francesco Viola, O.F.M.
Argjipeshkvi Sekretar
Dekreti është marr nga: Iscrizione di Santa Teresa di Calcutta nel Calendario Romano Generale