Ditëlindja e Nënë Terezës në Prishtinë u shënua me një Akademi solemne
Nga Linda KRASNIQI
Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës u mbajt Akademi Solemne, ditën e enjte, në qendrën “Bogdani Polis“, në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë, e cila u organizua nga Dioqeza Prizren-Prishtinë. Aty u promovuan edhe dy libra, njëri prej tyre në gjuhën italiane kushtuar për Shën Nënë Terezës.
Programi i kësaj akademie nisi me një fjalim të mbajtur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ku foli për luftën që e kanë bërë shqiptarët për liri, paqe dhe për ndërtimin e shtetit. “Për ta pasur lirinë e kemi pasur frymëzim Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, për ta pasur shtetin e kemi pasur frymëzim Rugovën, kurse për ta ndërtuar vetveten e kemi frymëzim Nënë Terezën “. Duke shtuar se “nuk ka burim më të mirë frymëzimi kombi ynë dhe por as bota mbarë sesa Nënë Tereza, dhe se ne do t’ia kthejmë me nder që të bëhemi si ajo.”
“Ne nuk kemi nevojë të bëjmë sakrifica të mëdha apo punë të mëdha , por punë të vogla me dashuri të madhe, siç e kishte thënë edhe Nënë Tereza“, tha Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.
E ftuar ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila mbajti edhe një fjalim. “Është nder për mua që sot në ditëlindjen e 111-të të Nënës sonë Shën Terezës të ndaj me ju kujtimin e saj si dhe dashurinë për personalitetin e saj. Për ne si bashkëkombës të saj, Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes dhe humanizmit, por edhe një fat të madh historik, ngase në kohën e izolimit të madh e të mosnjohjes së madhe të vlerave e të traditave shqiptare, për shkak të izolimit komunist në Shqipëri, por edhe të represionit etnik në Kosovë, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë dhe paqedashës“ tha ajo. Duke shprehur në fund se Nënë Tereza paraqet njërin ndër personalitetet më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, të cilin populli ynë ia fali gjithë njerëzimit.
Në këtë ceremoni u promovuan edhe dy libra, “Kulturë e krishterë” me autor Don Fatmir Koliqin, famullitarin e Prishtinës, dhe libri në italisht për Shën Nënë Terezën “Biseda me Nënë Terezën” (“Conversazioni con Madre Teresa”) i Don Lush Gjergjit.
“Conversazioni con Madre Teresa“ është një përmbledhje e bisedave, takimeve, fjalëve dhe porosive të Nënës Terezë.
“Nëna Terezë është një histori, porosi, dhe trashëgimi. Përmes kësaj vepre jam munduar që ta plotësoj një premtim që e kam bërë në vetvete, me 29 mars të vitit 1969, ku vendosa se nëse do të jetoj, nëse zoti do, unë do t’i kushtoj një pjesë të jetës sime Shën Nënë Terezës. Në këtë libër, kam mbledhur atë që e kam parë me sytë e mi, atë që e kam dëgjuar me veshët e mi, atë që e kam bluar me mendjen time dhe atë që e kam përjetuar me zemrën time, andaj dëshiroj që edhe lexuesi ta ketë një përshtypje sikur që e kam pasur dhe unë“ tha autori i librit, Don Lush Gjergji. Vlen të cekët se Don Lush Gjergji ka botuar dhe kushtuar 17 vëllime për Nënën Terezë, të cilat janë të përkthyera diku në 35 gjuhë të botës të cilat ai thotë se nuk i ka bërë për meritat e veta por për dashurinë e madhe, dashurinë që e pati në veprim Nëna Tereza.
Nga ana tjetër, “libri i Don Fatmir Koliqit “Kulturë e krishterë “, ka për qëllim që lexuesin ta zhveshë prej armatimit të rëndë që mban në trup tek rend turravrap të gjejë Zotin, vetveten, identitetin personal e kombëtar. Për më tepër, e ndihmon atë që të zhvishet prej ngarkesave të mëdha e mbivendosjet ideologjike, paragjykimet dhe trendët e relativizmit të kollajtë të çdo gjëje dhe njëkohësisht e ushqen me kulturën e dashurisë, duke treguar se liria është themeli i shoqërisë njerëzore dhe kjo liri arrihet vetëm kur personi është i lirë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ky libër mund të shërbejë si një navigator për ta orientuar lexuesin e kultivuar por dhe atë laikë drejt vlerave të vërteta, ontologjike, kah njohja e qytetërimit të dashurisë dhe simbolikat e rëndësishme të kulturës, si pjesë të rëndësishme të antropologjisë sonë kulturore e identitare, të ekzistencës dhe të lidhjeve të pashmangshme mes të djeshmes për të sotmen dhe të ardhmen.”, tha Ndue Ukaj, i cili foli për librin në fjalë.
Don Fatmir Koliqi tregon se shkrimet, që e përbëjnë këtë libër, janë shkruar në një interval kohor disa vjeçar dhe kanë pasur për shkak fenomene e argumente të ndryshme; nganjëherë të provokuara nga opinioni publik, nganjëherë nga vlimi i përbrendshëm për të rrëfyer botëkuptimin tim, e nganjëherë si rezultat i përsiatjeve të lira. “Dhe pse janë të shkruara për qëllime të ndryshme e pa një intencion fillestar për t’i dhuruar si libër në vete, me kohën ato janë përbashkuar dhe kanë fituar një lidhje të vetvetishme, të pagëzuar me emrin kulturë e krishterë. Ky fakt ka qenë edhe vendimtar për ta titulluar librin, pasi inspirimi për të shkruar vjen prej kësaj kulture dhe tekstet flasin për të. Kurse nëntitulli dromca identitare, dëshiron të nënvizojë faktin se ato janë vetëm copëza të një tërësie të madhe. Mund të lexohen secila veç e veç, por njëkohësisht edhe si një korpus i ndërlidhur”, tha ai.
Ky është libri i tij i dytë autorial, ku në të kaluarën ai më tepër është marrë me shkrime artikujsh, përkthime prej gjuhëve të ndryshe, kryesisht nga kroatishtja, gjermanishtja, italishtja dhe anglishtja. Sivjet ai ka botuar librin e parë autorial, që është nga fusha e kritikës letrare, të i titulluar “Narrativë e identitetit shpirtëror të shqiptarëve”, përqasje estetike-letrare për rrëfimin e Dodë Gjergjit, “Kthimi”I,II, II.”
Ai pastaj shtoi se “në të ardhmen patjetër se do të shihni libra tjerë. Në dorëshkrim kam disa projekte që do të realizohen në vitet e ardhshme, qoftë si përkthime, qoftë libra autorial, që janë nga fusha të ndryshme nga psikologjia, shkencat shoqërore, teologjia e filozofia, letërsia dhe kultura në përgjithësi. Shkrimi është pjesë e jetës sime si prift!“.
Më pas programi ishte i pasuruar edhe me një program muzikor të cilën e interpretuan para publikut sopranoja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi./drita.info
[masterslider id=”4″]