Nga Mihály Szentmártony
Çdo mashkull e çdo femër e ëndërrojnë martesën e lumtur. Për fat të keq, ajo ëndërr te shumë çifte mbetet vetëm një ëndërr. Është e qartë se nuk mund të kërkojmë parajsë këtu në tokë. Por duket se shumë prej dëshpërimeve të panevojshme do të mund të evitoheshin nëse do të mendonim për disa dukuri që janë të pranishme thuajse në të gjitha familjet. Këtu do të doja të ndalem në disa probleme të jetës familjare, të cilat rrallë përmenden edhe pse i gjejmë të pranishme gati në të gjitha familjet. Ndonëse për shkak të tyre vuajmë shumë dhe bëhemi nervoz, i pranojmë si rrjedhojë e gjërave të pashmangshme. Ndoshta është edhe kjo pse pak flitet për to. Do të ndalemi mbi dy burime të problemeve: në lidhjet farefisnore dhe në dinamikën brendafamiljare, me një vështrim të posaçëm në ndeshjen e gjeneratave. Në fund do të jap ndonjë ide për sa i përket ndalimit dhe shërimit.
- Marrëdhëniet farefisnore
Të kesh kushërinj, farefis është pjesë e pashmangshme e jetës familjare. Në fakt, njeriu nuk ka nevojë të martohet për të pasur kushërinj/farefis. Porse, me hyrjen në martesë fitohen farefis të rinj (vjehërria), me të cilët duhet të mësohet. Marrëdhënie ndaj farefisit të ri në esencë është një test i marrëdhënies mes burrit dhe gruas.
Problemi i marrëdhënieve farefisnore, përkatësisht cilësisë së atyre marrëdhënieve varet prej fakteve dhe kushteve të ndryshme. P.sh. ato varen nga dëlirësia/çiltërsia e kontaktit. Kontaktet e tilla mund të jenë të rregullta, periodike dhe të rralla. Të rregullta janë drekat e të dielave. Kontaktet periodike varën më pak nga afërsia, kurse ndodhin gjatë festave apo ndodhive tjera familjare. E kontaktet e rralla nënkuptohen ato takime për Krishtlindje dhe Pashkë gjatë shndërrimit të dhuratave dhe urimeve të ndërsjella.
Në marrëdhënie me farefisin ndikon edhe njohja para martesës. Njohja shumë e shkurtër para martesës jo rrallë ka pasoja negative në lidhjet farefisnore. Në thelbin e këtyre marrëdhënieve pak ndryshon me lindjen e fëmijës së parë. Edhe nëse farefisi ka pasur qëndrim negativ ndaj martesës, me ardhjen e fëmijës e pranojnë gjendjen reale: fëmija merret në njëfarë mënyre si garancion se martesa ka pasur sukses.[1]
Gjatë viteve e para të martesës ka më shumë problme me farefisin. Sipas një vlerësimi, gratë kanë gjashtë herë më shumë probleme me farefisin e burrit se sa e kundërta. Megjithatë, marrëdhënia normale në fillim të martesës kryesisht është mbështetje dhe inkurajim. Shumë rrallë prindërit e sabotojnë martesën e fëmijëve, kurse shumica e farefisit e ndihmojnë çiftin e ri financiarisht, ose për të garantuar kredit ose me ndonjë formë tjetër. Megjithatë, janë dy fusha kritike në vitet e para të martesës. Problemi i parë lajmërohet menjëherë pas martesës, e ka të bëjë me barazinë e kohës, të cilën burri dhe gruaja e kalojnë te prindërit e njërit, përkatësisht tjetrit. Shpesh bëhet shkak sherri e konflikti se te kush do të shkojnë për Krishtlindje apo për Pashkë. Lindja e fëmijës së parë zakonisht e zgjidh edhe këtë problem: rrinë në shtëpi. Problemi i dytë është në lidhje me edukimin e fëmijës. Nuk ka dy familje, madje as dy persona, të cilët do të pajtoheshin krejtësisht në të gjitha çështjet e edukimit. Prandaj, nuk do të jetë asnjë habi që gjyshet nuk do të pajtohen për sa i përket edukimit të nipave të tyre. Zakonisht nëna e gruas do të jetë ajo që do vijë e para për të ndihmuar fill pas lindjes. Rrallë do ta bënte këtë nëna e burrit. Gjyshërit zakonisht nuk kanë këso problemesh, nuk përzihen në edukimin e nipit. Ndoshta prej këtu ka burimin ajo dukuria interesante që gjyshet shumë pak flasin mbi nipin tonë, por gjithnjë do të thonë në njëjës: nipi im.
Ndërsa martesa përparon, me vitet sjellin edhe problemet në lidhje me farefisin. Çdo familje e ndërton stilin e saj personal, e krijon një rreth të gjërë të miqve dhe vizitat familjare bëhen më të rralla. Kur arrin pleqëria lidhjet farefisnore dobësohen edhe më shumë. Nostalgjia bëhet karakteristika e takimeve: kujtohet e kaluara dhe gjithnjë e më pak ka përzierje në jetën e brendshme të familjes. Vdekja, në anën tjetër, e zvogëlon pashmangshëm numrin e farefisit, edhe pse në numër të vogël. Mosmarrëveshjet e reja lindin në lidhje me trashëgiminë. Edhe gjësendet sentimentale pa ndonjë vlerë (fotografi, pjesë të ormanit, figura e të ngjashme) mund të bëhen shkaku i armiqësisë.
Gjyshet dhe gjyshërit e meritojnë një vëmendje dhe reflektim të veçantë. Për ta, kjo gjendje e re – të jesh gjysh dhe gjyshe – do të thotë një shans i dytë: mospasja e përgjegjësisë së drejtpërdrejt, shqetësimet dhe përleshjet e përditshme rreth edukimi të fëmijës nxisin ndryshime në qëndrime. Shumë gjyshe dhe gjyshër, të cilët i kanë edukuar fëmijët e tyre me disiplinë të rreptë dhe në mënyre konservative, përnjëherë bëhen të relaskuar dhe tolerantë ndaj tekeve të nipave.
Figura tradicionale për gjyshërit i paraqet ata si zemërmirë, engjëj të qetë me durim të pakufishëm dhe me mundësi që të jenë të nevojshëm dhe të shfrytëzueshëm. Megjithatë, sot ajo figurë pak ndryshon. Gjyshërit gjithnjë e më shumë anojnë të imagjinohen si kujdestarët e papagesë të fëmijëve. Duket se gjyshet moderne më tepër i pëlqejnë vizitat e shkurtra, e pjesën tjetër të jetës e kalojnë të pavarura.
Kurse prindërit e moshuar kanë një ndikim paqetues në jetën e fëmijëve dhe nipave të tyre. Prania e tyre mund të shërbejë si një korrektor i caktuar apo një instancë gjyqësore gjatë marrjes së vendimeve. Varësisht nga mosha e ndonjë personi të rritur, derisa të jetojnë prindërit e tij, ai e ka një më të vjetër me më shumë përvojë, i cili mund t’ia tërheq vërejtjen nëse bën ndonjë marrëzi, pa marrë parasysh nëse e pranon apo jo këshillën e tij.
Nëse roli i gjyshes dhe gjyshit do të jetë i këndshëm apo jo, kjo varet prej shumë rrethanave, mes të tjerash edhe nëse bashkëshorti është i gjallë apo jo. Të jesh e vetmja gjyshe apo i vetmi gjysh, e ndryshon mjaftë situatën. Pastaj, kjo varet edhe prej gjendjes financiare. Nëse ajo është e mirë mund të kënaqen në blerjen e dhuratave për nipat apo edhe të ju mundësojnë udhëtime.
Autorët kryesisht pajtohen se familjet që kanë disa gjenerata brenda, mbahen bashkë parimisht ndërmjet lidhjes femërore. Anëtarët femëror të familjes interesohen për bashkësinë familjare më shumë se meshkujt. Nënat më mirë i mbajnë në mend ditëlindjet, ditët e emrit, përvjetoret. Ato organizojnë vizita dhe takime.
Problem i posaçëm është roli i dyfishtë i anëtarit të rritur të familjes disa gjeneratëshe. Kjo është njëherësh edhe shkaku i shumë konflikteve dhe mospajtimeve. Ai person i rritur duhet të jetë njëkohësisht fëmijë i prindërve të tij dhe prind i fëmijëve të tij. Këto dy role shumë vështirë ndërlidhen në praktikë. Sa më pak që ka fëmijë, më shumë kërkesa i japin prindërve të tyre, por ndihet edhe ma shumë prania e gjyshërve, jo shumë të moshuar. Me rritjen e fëmijëve, edhe rolet ndryshojnë. Fëmijët bëhen gjithnjë e më të pavarur, gjyshi dhe gjyshja më të moshuar. Ndryshimet janë mezi të dukshme, por janë reale. Njëri nga treguesit më të qartë është mënyra e prurjes së vendimeve. Pleqëria sjell pakthyeshmëri. Personi i rritur duhet të bie vendime gjithnjë e më shumë vetëm në vend të prindërve të tij të moshuar. Kjo ka të bëjë më shumë me gratë se sa me meshkujt. Nënat më shumë do të mbështeten te bijat e veta gjatë sjelljes së vendimeve se sa etërit te bijtë e tyre.
Sot flitet gjithnjë e më shumë për një dukuri të re: gjyshërit e punësuar. Nuk ka të dhëna statistikore për këtë dukuri, por një gjë është e sigurtë: figura nostalgjike e gjyshes, e cila ulet e qetë dhe thurur/qep ngadalë po zhduket. Gjyshet e sotme, e kam përshtypjen, disi janë më të reja, më të arsimuara, i kanë të ardhurat e tyre dhe kanë miq jashtë shtëpisë. E pikërisht këto rrethana mund të jenë shkak i problemeve, sepse është e qartë se ata gjyshër nuk do të tërhiqen e skutën e tyre, por patjetër se duan të ndjehet prania e tyre në dinamikën familjare. Problemi bëhet edhe më i madh, siç më vijnë informacione nga jeta praktike, kur bëhet fjalë për nënën e burrit, e cila, nga njëra anë nuk mund ta pranon renë, e në anën tjetër, i biri afektivisht ende është i varur prej saj. Një situatë e këtillë mund të sjell një katastrofë të vërtetë në bashkësinë martesore, mandje edhe deri te ndarja.
Një rast nga Këshillimorja: i ati vjen për shkak të të bijës (18), e cila mëson dobët dhe është e painteresuar për shkollë. E biri (15) e përsërit klasën. Ngjarja në shtëpi: gjyshja e cila jeton në konflikt me të renë (dy figura të grave dominuese) dhe i ati paqetues (i cili vepron si i pafuqi). Fëmijët janë bartësit e simptomave, ndërsa të gjithë ankohen për përzierjen e gjyshes në jetën e familjes.
Ky rast na dërgon te fusha e radhës e problemeve të mundshme: dinamika brendafamiljare./drita.info
– vazhdon –
(Pjesë nga libri: Mihály Szentmártony, Svjet mladih. Psihološke studije, FTI, Zagreb 2007, f. 163-167. Përkthyen: Fatmir Koliqi&Shtjefën Dodes)
————————–
[1] Khs. J. L. Bishof, Adult Psychology, London, 1976, 282.