Disa probleme të familjes bashkëkohore (pjesa II)

Nga Mihály Szentmártony

 

 

2. Dinamika brendafamiljare

Jeta familjare është rrjet i zakoneve, përshtatjeve (kompromiseve), marrëdhënieve ndijesore, tensioneve dhe antipative, prej të cilave secili rritet ose zvogëlohet me kalimin e moshës së çdo anëtari të familjes. Brenda çdo familjeje mund të gjejmë gjithë spektrin e sjelljeve njerëzore. Do të mundohemi të theksojmë ato çaste më të rëndësishme të dinamikës brendafamiljare për sa i përket bërthamave të mundshme të konfliktit.

Në vendin e parë duhet të theksojmë konfliktin (hendekun) mes gjeneratave. Përherë ka pasur e do të ketë probleme mes gjeneratave: pamundësia për të biseduar, shikimi i dukurive të njëjta nga pikëvështrime të ndryshme, pandjeshmëria për ndjenjat e të tjerëve, kritika e sjelljes dhe e bindjes së tjetrit. Tradicionalisht, hendeku ndërmjet gjeneratave do të thotë largësi emocionale ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Porse, nuk është kjo e vetmja formë. A. Adler mendon se i parëlinduri dhe fëmija i fundit në familje mund të merren si dy gjenerata të ndryshme.

Temat më të shpeshta që nxisin hendekun ndërmjet gjeneratave janë politika, pushteti, sjellja seksuale dhe religjioni. Sipas një hulumtimi, adoleshentët (mosha mesatare 16 vjet) dhe të rriturit (mosha mesatare 44 vjet) dallojnë për sa i përket temave të mësipërme 90%. Konflikti mes gjeneratave ndodh zakonisht për shkak të temave aktuale, të ditëve tona, e më pak raste në shpjegimin e të kaluarës.[1]

Problemi mes gjeneratave kryesisht është problem i komunikimit. Të komunikosh do të thotë të kuptohesh dhe të dëgjosh përgjigjen. Ky komunikim fillon me të qarën e fëmijës dhe me përgjigjen e nënës ndaj kësaj të qare. Porse, ajo që disa prindër nuk mund ta kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë është se, me rritjen e fëmijëve, komunikimi bëhet gjithnjë e më i barabartë. Edhe prindërit duhet të mësojnë prej fëmijëve. Përpara është fol për ndikimin e prindërve te fëmijët: sot gjithnjë e më shumë flitet për ndikimin e fëmijëve te prindërit.

  1. Ndikimi i prindërve te fëmijët – marrëdhënia mes prindit dhe fëmijës është një rreth kompleks i marrëdhënieve të ndërsjella, të cilat janë njëkohësisht të qëndrueshme e të paqëndrueshme, pozitive dhe distruktive, të gjata e të shkurtra. Prindërit ndikojnë në forma të ndryshme në jetën e fëmijëve: i ruajnë, i ushqejnë, kujdesen për veshmbathjen, ju ofrojnë mbrojtje, vlerësojnë sjelljet, gjykojnë në ngatërrimin mes vëllezërve dhe motrave, bëhen modele për t’i ndjekur, formojnë karakterin, i mësojnë fëmijët për rolin përgjegjës seksual etj. Shumë njerëz janë frikësuar kur nënat kanë filluar të punojnë, me mendimin se të gjitha këto funksione edukative do të bien, kurse fëmijët do të rriten më të ashpër. Por, studimet dhe shoqërimi i gjatë kanë treguar se fëmijët e nënave të punësuara megjithatë nuk kanë zhvillim të ndryshëm prej fëmijëve të nënave që rrinë në shtëpi. Vetë rrethanat që nëna një pjesë të madhe të kohës mungon për shkak të punës, nuk është argument i mjaftueshëm për të shpjeguar papërshtatshmërinë eventuale të sjelljes së fëmijës. Në lidhje me këtë problem është e rëndësishme që fëmija të kuptojë pse nëna e tij punon.
  2. Ndikim i fëmijëve te prindërit – Në shumëçka fëmija ndikon në jetën dhe sjelljen e prindërve. Do t’i përmendim vetëm disa prej ndikimeve më të shpeshta. Shpesh prindërit e ndryshojnë stilin e jetës pas lindjes së fëmijës. Ndryshojnë edhe qëndrimet e tyre dhe kuptimi për sa i përket edukimit, në momentin kur e kanë fëmijën e tyre. Ndryshon raporti mes burrit dhe gruas; mund të jetë pozitive në kuptimin e ndihmës së ndërsjellë, por mund të nxisë konkurrencë apo madje edhe moskuptime për sa i përket rregullave të sjellës dhe të drejtave të fëmijës. Më tutje, prania e fëmijës mund të kërkojë ndryshime radikale në zakonet e përditshme, në rregullimin e kohës dhe frekuencës së jetës seksuale, sakrificë për të siguruar veshmbathjen, e nganjëherë nevojitet punë shtesë për të siguruar të holla shtesë, etj.

E kemi përmendur konceptin e përshtatjes familjare. Kjo do të thotë në funksionimin normal dhe të mirë të një familjeje. Në lidhje me këtë ka disa të dhëna interesante. Nëse i ati dhe e ëma bien dakord rreth asaj se si do të duket familja (ideale) e tyre, ajo zakonisht do të jetë e përshtatshme mirë. Përshtatjen e mirë mund ta presim edhe kur mendimi i tyre për familjen ideale nuk përputhet me realen, por megjithatë janë në ujdi njëri me tjetrin. Deri te çrregullimi vjen kur prindërit nuk pajtohen me njëri-tjetrin për sa i përket formës ideale të familjes së tyre.

Kur dy njerëz e themelojnë familjen, secili person e sjell programin e vet ideor. Tani ata duhet të zhvillojnë idetë e përbashkëta që zakonisht quhet kompromis. Vështirësitë lindin kur secili prej partnerëve mbahen fort pas idesë së tyre që e kanë marrë nga familja prej të cilës vjen. Fëmija që jeton dhe rritet në një familje të tillë me program të dyfishtë ideor jeton në konflikt të vazhdueshëm. Nëse identifikohet me programin e nënës, do të bie në konflikt me të atin. Nëse i merr konceptet e të atit dhe sistemin e tij, do të bie në konflikt me të ëmën. Pra, pa marr parasysh cilin sistem të ideve e merr, do të gjendet në konflikt dhe do ta krijojë ndjenjën e fajit për shkak të krijimit të padrejtësisë që ia bën prindit tjetër. Ndoshta ky është njëri prej shkaqeve që ka aq pakënaqësi, fëmijë apatik: në fakt këta janë fëmijë depresiv, të cilët nuk e dinë të kujt janë: të nënës apo të atit.

Parandalimi dhe shërimi

Çka mund të bëhet për t’ju ikur konflikteve të panevojshme në sistemin familjar? Mjeku iraniano-gjerman Nossrat Peseschkian, themelues i a.q. terapia pozitive familjare, në këtë pyetje përgjigjet me një fjalë të urtë nga Lindja: “Dëgjo, oj pemë, po ta kishe ndërruar me kohë vendin, nuk do ta kishe duruar as mizorinë e sëpatës, as mprehtësinë e sharrës!” Një ndër shenjat tipike të çrregullimeve shpirtërore, psikosomatike dhe psikosociale është njëanshmëria e ideve dhe këmbëngulja për t’u lidhur me to. Idetë personale mbahen dhe mbrohen me xhelozi, sepse çdo heqje dore prej tyre do të thotë rrezikim i identitetit. Kjo në veçanti vlen kur kërcënohen konceptet, të cilët janë në themelin e kuptimit të baraspeshimit familjar. Në ato raste shfaqet paaftësia e përshtatshmërisë, që do të thotë ndryshimi i idesë. Shembulli tipik është kur prindërit i detyrojnë të gjithë fëmijët të shkojnë në fakultet, apo në shkollë të muzikës, sepse nuk mund ta pranojnë idenë që fëmija i tyre të jetë një “punëtor i thjeshtë”, derisa ata vetë janë intelektual. Ndryshimin e idesë personale e përjetojnë si rrezik për baraspeshimin familjar.[2]

Paaftësia e përshtatjes, përkatësisht e ndryshimit të sistemit personal, dr. Peseschkian e ilustron me psikologjinë e kafshëve. Thuhet se macet e vogla, nëse gjatë javëve të para të jetës së tyre ju lejohet të shikojnë vetëm horizontalisht apo vetëm vija vertikale, ato bëhen të “verbëta” për një mundësi tjetër. Ato mace horizontale e humbin krejtësisht orientimin në botën me vija vertikale, dhe anasjelltas. Ky eksperiment mund të krahasohet me situatën e njeriut, i cili është rritur në një kallëp të caktuar të ideve dhe koncepteve. Kush është mësuar të sillet në familjen e tij sipas një modeli të njerëzisë, vështirë do të mund të gjinden në botën e zakoneve të ndryshme.

Procesi terapeutik ka për qëllim t’i zhbëjë këto sisteme të ngurta të ideve dhe koncepteve dhe të ofrojë mundësi tjera. Kurse teknika përbëhet prej ndryshimit të pozitës (qëndrimit), që arrihet me shndritjen e idesë. Bëhet fjalë këtu për njëfarë lloji të njohjes së terapisë. Kjo do të thotë se tentohet të kuptohet relativiteti i koncepteve, ideve, vlefshmërisë së gjykimit, dhe se koncepti i kundërt nuk paraqet patjetër rrezik, por zgjerim të horizontit personal. Kjo e mundëson ridefinimin e situatës dhe gjetjen e zgjidhjeve alternative. Qëllimi i terapisë nuk është të rrënojë në mënyrë autoritare konceptet e ngurta dhe të ofrojë mundësi të ngjashme të ngurta, por të ndihmojë personin të njoh cila ide e udhëheq, ku po e dërgon dhe çfarë mitologjie ka në themel.

Natyrisht, heqja dorë prej bindjeve të mëparshme dhe zakoneve të forta, mund të çojë deri te ngatërrimi i identitetit personal. Për atë arsye kjo nuk bëhet papritmas, por gradualisht. Autori ynë prapë na rekomandon një urti nga Lindja. Traditat e vjetra nuk duhet thjeshtë të hidhen nga dritarja, por sikur një mysafirë të mirë, duhet t’i përcjellim me nderim deri te dera. Kjo urti nuk vlen vetëm për Lindjen por edhe për Perëndimin, dhe jo vetëm për jetën familjare, por për çdo fushë të jetës njerëzore: nuk duhet të lidhemi me fanatizëm për diçka çka nuk është Absolute, sepse ndryshimet e kohëve do të na shkelin pamëshirshëm me ide e forma të reja. Nuk mund të mos kihet përshtypja se edhe këtu realizohet porosia biblike mbi idhujt: gjithçka që nuk është Zot, kurse njeriu i absolutizon, i përkasin botës së idhujve. Idhujt na bëjnë të palumtur – e kjo vlen edhe për jetën familjare./drita.info

 

(Pjesë nga libri: Mihály Szentmártony, Svjet mladih. Psihološke studije, FTI, Zagreb 2007, f. 167-172. Përkthyen: Fatmir Koliqi & Shtjefën Dodes)

Pjesën e parë mund ta lexini në këtë link:

DISA PROBLEME TË FAMILJES BASHKËKOHORE (pjesa I)

—————————–

[1] Khs. J. L. Bishop, Adult Psychology, 296.

[2] N. Peseschkian, Positive Familientherapie, Frankfurt, 1980, 182-184.

Shpëndaje: