
E diela e XII gjatë vitit – Viti B
Leximi i parë Jb 38, 1.8-11
Njeriu modern ka eksploruar hapësirën qiellore, oqeanin, tokën, dhe është i aftë të parashikojë tërmetet dhe furtunat. Por i dituri i vërtetë është ai, që duke zotëruar një njohje të tillë nuk provon krenari dhe di të jetë shumë i vogël dhe injorant përballë shumë mistereve të natyrës. Nëse krijimi është kaq i pakapshëm, si do të jetë Krijuesi dhe plani i tij i shpëtimit?
Lexim prej Librit të Jobit
Nga stuhia Zoti i përgjigji Jobit e i tha: “Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga kraharori i nënës? Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si me shpërgenj e mbështolla? Kur unë caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula dhe i thashë: Deri këtu! Mëtej mos shko! Këtu le të thehen valët tua krenare!?”Fjala e Zotit.
Psalmi 107
Ref: T’i japim lavdi Zotit, për veprat e tija të mrekullueshme
—————————————–
Ata që me anije lundruan deteve
që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,
ata i panë veprat e Zotit,
mrekullitë e tija në thellësitë e detit.
—————————————–
Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë,
lart u ngritën valët e stuhishme.
Ngrihen deri në qiell,
zbresin deri në pështjerrë:
shpirti i tyre mekej prej së keqes.
—————————————–
Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin,
Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.
Stuhinë e shndërroi në puhi
e valët e detit e shuan gjëmën e vet.
—————————————–
Iu gëzuan qetësimit të valëve,
ai i qiti në portin e dëshiruar.
Le ta lëvdojnë Zotin
për shkak të përdëllimit të tij,
për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve.
—————————————–
Leximi i dytë 2 Kor 5, 14-17
Hyji ka bërë gjëra të reja në mes nesh, ka ngjallur Jezusin nga të vdekurit, ka bërë të lindë një njeri i ri. Në saje të pagëzimit secili prej nesh mund të njohë këtë jetë plotësisht të re dhe të ndryshme. Është një e re që nuk të zhgënjen dhe nuk na largon nga kushtet tona njerëzore dhe të përditshme. Krishti ka arritur ngjalljen duke u nisur nga jeta jonë e varfër e çdo dite.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, dashuria e Krishtit na nxit kur mendojmë se njëri vdiq për të gjithë, prandaj të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta. Kështu, pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrën thjesht njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu. Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja! Fjala e Zotit.
Aleluja.
Lëvdoje, o Jerusalem, Hyjin tënd, që mbi tokë e dërgon fjalën e vet.
Aleluja.
Ungjilli Mk 4, 35-41
Ndonjëherë na duket se Hyji fle ose hesht, sidomos kur forcat e së keqes dhe të vdekjes na shtypin. Apostujt gjenden në ankth kur shpërthen furtuna, ndërsa Zoti Jezus fle. Ai pasi zgjohet nga apostujt, ngrihet në këmbë dhe urdhëron detin dhe erën, simbolet e së keqes, të qetësohen. Dhe qorton apostujt duke thënë “Njerëz me pak fe, pse keni frikë?”. Hyji fle, por është i pranishëm në zemrën e atij që di ta njohë, Ai hesht por i flet atij që di ta dëgjojë.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Po atë ditë, kur u err, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Të kalojmë në bregun tjetër!” Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra tjera. Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: “Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?” Ai u zgjua, i urdhëroi erës dhe i tha detit: “Qetësohu! Shuaj!” Era pushoi e u bë fashë e madhe. Atëherë u tha: “Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?” Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Vallë, kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?” Fjala e Zotit.
Porosia
Në ekzistencën e çdo njeriu arrin nata e frikës dhe e dyshimit, fundi i ditëve tona dhe i qartësive të rreme. Njeriu kërkon dikë që e ndihmon të shkojë përtej kësaj jete.
“Kalojmë në bregun tjetër”. Varka që përshkon liqenin mund të na kujtojë udhëtimin e jetës nga kjo botë në amshim që secili prej nesh do të kryejë. Mbi varkë është Jezusi i lodhur, që fle. Shpërthen stuhia. Ndodhte në liqenin e Tiberiadit që papritur ujrat të trazoheshin nga erëra të forta.
“Mësues, a nuk po e sheh që po mbytemi?”. Këta peshkatarë me përvojë kanë frikë, druhen se do të vdesin e zgjojnë Jezusin. Ai, “u zgjua, i urdhëroi erës”, duke zbuluar madhështinë dhe pushtetin e tij mbi forcat e natyrës. Nëse në liqenin e trazuar arrin qetësia, në zemrën e dishepujve shfaqet një “frikë e madhe”. Jezusi sillet si Hyji. Deti i trazuar është simbol i të gjitha forcave “të së keqes”, armike të Hyjit e të njeriut. Vetëm Hyji ka pushtetin t’i zotërojë ato. Jezusi, që i ka urdhëruar detit, tani qorton dishepujt: “Pse jeni kaq të frikësuar? Nuk keni akoma besim?”. Të besosh domethënë të mbështetesh në Hyjin të ndihesh i përqafuar nga prania e tij, edhe në rrethanat më tragjike e të dëshpëruara të ekzistencës.
Prania e Hyjit realizohet dhe vepron në Jezusin. “Kush është pra ai, të cilit edhe era dhe deti i binden?”. Përballë fuqisë hyjnore të Jezusit, apostujt të mahnitur shtrojnë një pyetje: kush është ky Jezus? Nuk përfundojmë kurrë së njohu-ri dhe së rrituri në marrëdhënie me Të.
Lutja e besimtarëve
M. Vëllezër dhe motra, nëpërmjet pagëzimit, mirësia e Atit na ka përfshirë në planin e madh të shpëtimit. T’i lutemi Zotit, që të na ndihmojë të lexojmë ngjarjet e përditshme nën dritën e Provanisë së tij.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Udhëhiqe popullin tënd, o Zot.
L. Që Kisha, edhe në mes furtunave të historisë, të vazhdojë e sigurtë ecjen e saj gjithmonë të qëndrueshme në besimin e Pjetrit. Të lutemi.
L. Që të krishterët, të thirrur në ndjekje të Mësuesit Hyjnor, të mos ua dorëzojnë këtë botë kaq të dashur nga Hyji forcave të së keqes. Të lutemi.
L. Që Ungjilli që shpallim me gojë të dëshmohet me jetën tonë dhe të prodhojë fryte drejtësie dhe shenjtërie. Të lutemi.
L. Që bashkësia jonë të jetë bujare në mbështetjen shpirtërore dhe materiale të bamirësisë ndaj vëllezërve më në nevojë. Të lutemi.
L. Që të rinjtë e kohës sonë të dinë të luftojnë kundër ideologjive dhe modeleve të jetës që vënë në rrezik besimin e tyre në Zotin Jezus, Shpëtimtarin e vetëm të njeriut. Të lutemi.
M. Dituria jote, o Atë na ndihmohtë për të ecur në rrugët e tua, që në ngjarjet e botës të kemi zemrën gjithmonë të drejtuar drejt shpresës që shkëlqen në Krishtin Zot. Ai që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)