E diela XXVII gjatë vitit – viti B
Leximi i parë Zan 2, 18-24
Fati i njeriut nuk është të zotëruarit, por dashuria. Kur Hyji i paraqet burrit gruan, burri shpërthen në një britmë gëzimi, admirimi dhe butësie. Bibla pohon që burri dhe gruaja që bashkohen në martesë, formojnë, për dëshirë dhe vullnet të Zotit, një bashkësi familjare të pandashme.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Zoti Hyj tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëjë një ndihmë që t’i përngjajë.” Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, sesi do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu. Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që i përngjante atij. Prandaj Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish. Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu klithi: “Kjo është tash ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim! Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu.” Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe të ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm. Fjala e Zotit.
Psalmi 128
Ref: Na bekoftë Zoti, burimi i jetës
————————————–
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej
punës së duarve të tua,
i lumi ti, mirë do të kalosh.
————————————–
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
———————————
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit.
————————————
E pafsh lumturinë e Jerusalemit
në të gjitha ditët e jetës sate,
dhe i pafsh djemtë e djemve të tu!
Paqja qoftë mbi Izraelin!
————————————–
Leximi i dytë Heb 2, 9-11
Jezusi ka bërë një përgatitje të fortë para se të vihej në udhëheqje të njerëzimit. Ai ka provuar vdekjen duke e përjetuar me të gjithë vetminë dhe hidhërimin e saj. Nuk është shtirur sikur është njeri, por është zhytur në thellësinë e situatës njerëzore. Krishti ka jetuar jetën e tij në dobi të të gjithëve duke u bërë shoku i udhëtimit i secilit prej nesh.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi, që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve. Dhe vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne, dhe dashuria e tij në ne është e përkryer.
Aleluja.
Ungjilli Mk 10, 2-16
Sipas ligjit hebraik, divorci është një privilegj mashkullor. Sipas Jezusit, përgjegjëse e vendimit është edhe gruaja. Jezusi shpërndan një mesazh universal, për të gjithë njerëzit e të gjitha kohrave: gruaja ka të njëjtat të drejta dhe të njëjtat detyra si të burrit. Farisenjtë ndalohen në kodin e Moisiut, ndërsa Jezusi rilidhet me planin e Hyjit: nuk është ligji që është i shenjtë, por dashuria është e shenjtë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, Jezusit u afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: “A ka leje burri ta lëshojë gruan?” Ai u përgjigj: “Çka ju urdhëroi Moisiu?” Ata iu përgjigjën: “Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet’”. Jezusi u tha: “Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohët me gruan e vet, e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, por një trup i vetëm’. Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!” Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. Ai u tha: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”
Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta. Fjala e Zotit.
POROSIA
Për shumicën e të krishterëve thirrja drejt shenjtërisë, dashurisë dhe plotësisë së jetës shfaqet dhe realizohet si thirrja ndaj martesës.
“A ka leje burri ta lëshojë gruan?”. Farisenjtë janë gjithmonë të gatshëm në përgatitjen e kurtheve ndaj Jezusit. Duan të njohin pozicionin e tij përballë ligjeve të divorcit. Jezusi përgjigjet duke i pyetur pikërisht mbi ligjet e Moisiut:
“Çka ju urdhëroi Moisiu?”. Jezusi nuk bie në kurth e u kujton atyre që ligji i Moisiut nuk ka shërbyer për të kthyer zemrat e njerëzve, madje ka vënë në dukje ashpërsinë e zemrës së tyre, e paaftë për të kuptuar logjikën e Hyjit.
“Në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër”. Jezusi prek menjëherë qëllimin e Hyjit krijues. Ai ka krijuar njeriun si qenie seksuale: mashkull e femër: dy qenie të ngjashme por edhe të ndryshme që janë vendosur në marrëdhënie njëri ndaj tjetrit e që në këtë marrëdhënie gjejnë plotësinë e tyre. Bashkimi i tyre ka si qëllim që të vazhdojë krijimin. Burri dhe gruaja braktisin ata që i kanë krijuar që të bëhen një trup i vetëm: kjo është thirrja e re e njeriut që paraprin tashmë lidhjet prindërore. Të dy bëhen një trup i bashkuar me bashkimin seksual të trupave dhe me bashkëndarjen e të njëjtit plan jete. Ndalimi i divorcit themelohet mbi natyrën thelbësore të burrit dhe të gruas, të krijuar në funksion të njëri-tjetrit. Është një marrëdhënie që është dashur direkt nga Hyji e që nuk mund të jetë thyer nga njerëzit.
Lutja e Besimtarëve
M. Jezusi ka zgjedhur dashurinë martesore në simbol të dashurisë së tij për Kishën. E lartësojmë zemrën tonë drejt Zotit, burim i dashurisë së përsosur, që të mirëpresë lutjet tona e të na mësojë gjithmonë rrugën e bashkimit e të vëllazërimit.
L. Të lutemi duke thënë: Dëgjona, o Zot.
L. Për Kishën, që të dijë të dëshmojë në botë dashurinë e saj dhe besnikërinë ndaj Zotit. Të lutemi.
L. Për qeveritarët, që të punojnë në mënyrë të qëndrueshme për paqen dhe mbrojtjen e realitetit të krijuar. Të lutemi.
L. Për të martuarit e krishterë, që të rizbulojnë çdo ditë dashurinë e tyre dhe vlerën profetike të besnikërisë së tyre. Të lutemi.
L. Për ata që jetojnë në dhimbjen e ndarjes, të divorcit, të vdekjes, që të ndjejnë miqësinë dhe mbështetjen tonë. Të lutemi.
L. Për ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi, që të lidhemi gjithmonë e më shumë me Krishtin, dhëndrin e Kishës. Të lutemi.
M. Dëgjoji, o Atë, lutjet tona: Ti që në sakrificën e pashkëve të Krishtit ke treguar dashurinë tënde për ne, bëj që Shpirti të na mësojë udhët e jetës, që me të gjithë vëllezërit e fesë të mund të arrijmë në bashkim të plotë me ty. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)