Festa e të Gjithë Shenjtërve – 1 nëntor
Leximi i parë Zb 7, 2-4.9-14
Gjoni na paraqet parajsën si një festë të madhe popullore në të cilën lartësohet Hyji dhe gjenden të gjithë vëllezërit. Njeriu do të gjejë paqe kur të ketë takuar Atë që është vetë jeta. Do të jetë një gëzim i pafund përballë Atit të vërtetë të qiellit, vetë dashurisë. Koha, burim i ankthit do të zhduket dhe gëzimi nuk do të njohë tjetër veçse një të pranishme pa fund.
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: “Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!” Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind dyzet e katër mijë nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit. Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”. Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”
Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.” Fjala e Zotit
Psalmi 24
Ref: Lum ata që janë të pastër më zemër, sepse ata do ta shohin Hyjin
———————————————-
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
———————————————-
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit,
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që ka duart e pafajshme e zemrën e pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk përbehet në rrenë.
———————————————-
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
———————————————-
Leximi i dytë 1 Gjn 3, 1-3
Ringjallja e Krishtit nuk është vetëm një ngjarje historike, por edhe objekt i besimit. Ata që refuzojnë të njohin Krishtin nuk arrijnë të njohin edhe jetën e Hyjit të pranishme në të gjithë besimtarët e vet, në shenjtërit. Nëse me të vërtetë jetojmë si bij të Hyjit, shfaqim dashurinë e Atit dhe ftojmë njerëzit ta njohim.
Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër. Fjala e Zotit.
Aleluja
Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur
prej barrës së rëndë, e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.
Aleluja
Ungjilli Mt 5, 1-12
Mateu na paraqet derën e hyrjes së Mbretërisë së Hyjit. Do të hyjnë vetëm të varfërit, të vegjlit, të përvuajturit, të humburit, të shtypurit. Për këta fatkeqë të së djeshmës dhe të sotmes ka arritur Çlirimtari. Lumturitë janë pra, lajmërimi i një shprese të realizuar, i një çlirimi të kryer. Në historinë tonë gjenden akoma fatkeqë: të kërkosh Krishtin do të thotë t’i mbrosh ata dhe tu ngjallësh atyre shpresën.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë: “Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën! Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen! Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë! Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin! Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit! Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve! Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Sot ungjilli i Lumturive pohon se lumturia është e mundur për ata që besojnë. Fjala hebraike “i lumtur” do të thotë “lumturia është për ty”. Është konstatimi i një lumturie në veprim. Nuk është një bekim i thjeshtë që uron të mirën, por pohohet se ti je vërtet i lumtur.
Lumturitë i zbulojnë atij që zgjedh të ndjekë Jezusin, se mund të mbështetë të gjithë jetën e tij mbi Të, pa patur frikë nga dështimet. Nuk jemi të lumtur sepse jemi të varfër, të butë apo të pastër në zemër, por sepse kemi takuar Jezusin dhe kemi vendosur ta ndjekim.
Të festosh të gjithë shenjtërit do të thotë të shikosh ata që janë të lumntur dhe zotërojnë tashmë trashëgiminë e lavdisë së amshuar, që kundrojnë fytyrën e Hyjit e gëzojnë me hare për pamjen e tij.
Shenjtërit janë ata që kanë pranuar Jezusin dhe janë të sigurt se nuk do të humbasin vetveten, edhe pse bota nuk i kupton dhe i refuzon. E kremtja e të gjithë Shenjtërve është “dita e thirrjes universale drejt shenjtërimit”. Koncili II i Vatikanit pohon se të gjithë besimtarët janë të thirrur në plotësinë e jetës hyjnore: nga kjo plotësi zhvillohet në shoqërinë tokësore një nivel jete më njerëzore. Shenjtërimi nuk është vetëm për disa, por për të gjithë. Nuk janë vetëm figurat e mëdha shenjtërish, por edhe ne të gjithë jemi bashkësia e shenjtërve, ne që jetojmë në hirin e Krishtit. Shenjtërimi është e sotmja e Hyjit që ne jetojmë në situata të ndryshme jete, të mbështetur nga Shpirti Shenjt.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, Shenjtërit janë një shembull i jetuar i Lumturive, dhe me jetën e tyre kanë treguar se është plotësisht e mundur të realizohet në histori plani i Zotit. T’ia drejtojmë lutjen tonë Zotit, Atit tonë, nga i cili buron çdo shenjtërim.
L. Të lutemi duke thënë: Shenjtëroje Kishën tënde, o Zot.
L. Për popullin e Zotit: që të shpallë me forcë e të jetojë me besnikëri mesazhin e Lumturive. Të lutemi.
L. Për familjet e krishtera, “Kisha shtëpiake”, që të realizojnë mes anëtarëve të tyre një klimë dashurie dhe pajtimi dhe të dëshmojnë Ungjillin e paqes. Të lutemi.
L. Për të gjithë ata që kanë përgjegjësi në nivelin politik: që të punojnë në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore e më vëllazërore. Të lutemi.
L. Për bashkësinë e krishterë: që, duke ndjekur shembullin e mirësisë të Shenjtërve, të nxisë në mes njerëzve paqen e drejtësinë, që janë burim i vëllazërimit dhe i solidaritetit. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm: që, nën modelin dhe ndërhyrjen e Shenjtërve, të dimë të jetojmë shpirtin e Lumturive në çdo situatë të jetës sonë. Të lutemi.
M. O Zot, Hyji ynë, që në mëshirën tënde të madhe na ke ripërtërirë për një shpresë të gjallë nëpërmjet ringjalljes së Krishtit, shtoje në ne besimin, sepse, duke pranuar Birin tënd, fitojmë gëzimin dhe paqen. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)