
Nga Dom Mikel Sopi
E vërteta është themel i jetës njerëzore
Në mendimin filozofik dhe teologjik të krishterë, e vërteta nuk është thjesht një informacion korrekt ose një fakt i konfirmuar; por ajo është përputhje e mendjes me realitetin (veritas est adaequatio intellectus et rei) dhe lidhje e gjallë me vetë Zotin, i cili në Shkrimin e Shenjtë shpallet: Unë jam Udhë, e Vërteta dhe Jeta (Gjn 14,6).
Duke iu referuar këtij pohimi të Jezusit, Shën Augustini (në Confessiones, Libri X, kap. 23 (33) shkruan: Qui novit veritatem, novit eam, et qui novit eam, novit aeternitatem. Caritas novit eam (Kush e njeh të vërtetën, e njeh Atë, dhe kush e njeh Atë, e njeh të përjetshmen. Dashuria e njeh atë).
Në këtë kuptim, kërkimi i së vërtetës është një akt i dyfishtë:
- Akt intelektual, që kërkon ndershmëri mendore, logjikë të shëndoshë dhe refuzim të mashtrimit.
- Akt moral dhe shpirtëror, sepse e vërteta si një dimension etik, e formon njeriun si person të lirë, të përgjegjshëm dhe të aftë për dashuri të vërtetë.
Katekizmi i Kishës Katolike (KKK 2464) pohon se njeriu është i detyruar të kërkojë të vërtetën,… dhe pasi ta njohë, ta pranojë dhe ta ruajë besnikërisht. Ky detyrim buron nga fakti se:
- E vërteta është dhuratë e Zotit për njeriun, një dritë që e udhëheq ndërgjegjen.
- Mohimi ose shmangia e saj e errëson shpirtin, krijon kaos moral dhe rrënon marrëdhëniet shoqërore.
Shmangia nga e vërteta, qoftë për interes, frikë apo indiferencë, është në vetvete një akt i padrejtësisë, sepse i mohon tjetrit të drejtën e tij themelore për realitetin.
Pasojat e ikjes nga e vërteta
Nga perspektiva biblike, ikja nga e vërteta apo më konkret, gënjeshtra dhe mashtrimi nuk janë thjesht mëkate “të vogla”, por ato cilësohen si trung të shumë mëkateve të tjera. Jezusi, duke folur për djallin, thotë: “Ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës” (Gjn 8,44). Kjo tregon se:
- Ikja nga e vërteta është një hap drejt robërimit shpirtërorë.
- Ajo prodhon zinxhir lajthitjesh, keqinterpretimesh dhe padrejtësish, duke ndotur jetën shoqërore dhe shpirtërore.
E vërteta eshtë themel i drejtësisë dhe i rendit shoqëror. Ajo eshtë mënyra e vetme për t’u ruajtur nga mashtrimi që shkatërron si individin, ashtu edhe komunitetin. Ndaj eshtë e qartë se në moralin biblik, ikja nga e vërteta ka pasoja:
- Në planin personal: deformon ndërgjegjen, e mësuar me shtrembërim dhe vetëjustifikim (Rom 1,18).
- Në planin shoqëror: krijon kulturë mosbesimi, përçarjeje dhe manipulimi.
- Në planin shpirtëror: dobëson hapjen ndaj dritës së Zotit dhe e bën njeriun të pambrojtur ndaj mashtrimeve të së keqes.
Nga ana tjetër, që nga mendësia antike kemi reagime kundër të pavërtetës dhe gënjeshtrës. Platoni thotë: “Një shoqëri që ndërton themelet mbi gënjeshtër nuk mund të jetë e drejtë, sepse drejtësia dhe e vërteta janë të pandashme” (krhs. Politeia (lat. Res Publica, sot e denominuar me Republika, lib. II 382a-383c dhe në vijim në lib. III 389b-c), aty drejtësia lidhet me të vërtetën dhe me harmoninë e shpirtit dhe të shtetit.
Ikja nga e vërteta nuk është neutralitet; është një pozicion që shkel rëndë përgjegjësinë para Krijuesit dhe e zhyt njeriun në errësirë, duke i prerë rrugën drejt lirisë së vërtetë.
Dimensioni teologjiko-moral i së vërtetës
Në Bibël, e vërteta nuk është thjesht përputhje me faktet, por qëndrueshmëri, besnikëri dhe drejtësi. Fjala hebraike ’emet dhe ajo greqishte alētheia, tregojnë një realitet që është i besueshëm sepse buron nga vetë Zoti.
- Zoti është burimi i së vërtetës (Ps 31,5; Jer 10,10).
- Jezusi me deklaratën e tij: Unë jam Udhë, e Vërteta dhe Jeta (Gjn 14,6), e identifikon veten jo vetëm si mësues i së vërtetës, por si vetë përmbajtje te saj.
- Shpirti i Shenjtë i Zotit quhet “Shpirti i së Vërtetës” (Gjn 16,13) sepse e udhëheq Kishën në gjithë të vërtetën.
Sipas moralit katolik, të jetosh në të vërtetën do të thotë të jetosh në besnikëri ndaj Zotit dhe besnikëri ndaj realitetit konkret. E vërteta është detyrim moral themelor siç mësohet në Katekizmin e Kishës Katolike (KKK 2464–2513):
- Njeriu është i thirrur të kërkojë dhe ta njohë të vërtetën (KKK 2467).
- Të thuash të vërtetën është akt drejtësie ndaj tjetrit (KKK 2469).
- Gënjeshtra dhe mashtrimi shkelin dashurinë dhe prishin rendin shoqëror (KKK 2485).
Ndërkaq, Shën Toma i Akuinit, lirinë dhe të vërtetën i lidh me virtytin e drejtësisë: e vërteta i jep tjetrit atë që i takon, realitetin e pandryshuar. Prandaj, shmangia nga e vërteta është padrejtësi. Nga këndvështrimi moral-biblik, e vërteta ka një dimension të pashmangshëm teologjik:
- Të jetosh në gënjeshtër është të shkëputesh nga Zoti, sepse djalli quhet “gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës” (Gjn 8,44).
- Profetët denoncojnë ata që “thërrasin të mirën të keqe dhe të keqen të mirë” (Is 5,20), duke treguar se shtrembërimi i së vërtetës është mëkat i rëndë që dëmton jo vetëm marrëdhëniet njerëzore, por edhe lidhjen me Hyjin.
- Në Apokalipsë (Librin e Zbulesës së Shën Gjonit), në listën e atyre që nuk do të hyjnë në qytetin e shenjtë, përmenden edhe “të gjithë gënjeshtarët” (Zb 21,8).
Kjo tregon se përpara Zotit, e vërteta nuk është thjesht çështje horizontale ndërmjet njerëzve, por është akt besnikërie vertikale ndaj Krijuesit.
Shën Augustini (khs. De libero arbitrio dhe Enarrationes in psalmos) paralajmëron se kush e shmang të vërtetën për “qetësinë e momentit”, në fakt përgatit terrenin për robërinë e së keqes. Ndërsa e vërteta është:
- Dhuratë hyjnore që njeriu duhet ta kërkojë dhe ta mbrojë.
- Detyrim moral ndaj vetes, ndaj të tjerëve dhe ndaj Zotit.
- Kusht i paqes, drejtësisë dhe dashurisë së vërtetë.
Ikja nga e vërteta nuk është neutralitet; është tradhti morale dhe shpirtërore. Jezusi mëson dhe fton: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjn 8,32) dhe kjo liri është vetë rruga drejt realizimit të jetës personale, komunitare dhe asaj politiko-shoqërore.
– vazhdon –