Konferenca Finale Rajonale e Programit YourJob: “Punësimi i të Rinjve në Ballkanin Perëndimor – Thirrje për përgjegjësi të përbashkët…”

Prishtinë, 23 tetor 2025: Caritas Kosova organizoi sot Konferencën Finale Rajonale të Programit YourJob, me temë “Punësimi i të rinjve në Ballkanin Perëndimor – Thirrje për përgjegjësi të përbashkët”. Kjo ngjarje e rëndësishme u mbajt në kuadër të programit rajonal YourJob që zbatohet në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.Të pranishëm në këtë konferencë ishin: Presidenti i Caritas Kosova, Imzot Dodë Gjergji; Drejtori i Përgjithshëm i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi; Drejtori Ekzekutiv, z.Alfred Pjetri; Drejtori i Përgjithshëm i Caritas Austria, z.Andreas Knapp; përfaqësues nga Caritas Austria; përfaqësues nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), si dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të rëndësishme në Kosovë, të cilët kanë qenë aktorë kyç në zbatimin e programit YourJob.

 

Fjalët hyrëse të personaliteteve

Fjalën e hapjes së kësaj konference, e mbajti Don Viktor Sopi, Drejtor Gjeneral i Caritas Kosova, i cili uroi mirëseardhjen për të gjithë të pranishmit. Ai shprehu falënderime të përzemërta për donatorin kryesor të programit, ADA, dhe në veçanti për z. Andreas Knapp, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë projekteve zhvillimore dhe rinisë. Don Viktor Sopi falënderoi gjithashtu drejtorët e Caritaseve në Ballkan ku zbatohet programi, si dhe stafin e programit që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në terren me punën e tyre të drejtpërdrejtë me të rinjtë.

Ai theksoi rëndësinë e programit YourJob si një iniciativë që u ofron të rinjve mundësi reale për t’u integruar në tregun e punës, duke u mundësuar zhvillim profesional dhe personal. “Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm tek të rinjtë. Programi YourJob ka ndihmuar qindra prej tyre nëpërmjet ekipeve lokale që kanë punuar me përkushtim të madh. Falë mbështetjes së ADA-s dhe partnerëve të tjerë, shumë të rinj kanë gjetur rrugën e tyre drejt punësimit dhe vetërealizimit.” – theksoi Don Viktori duke shtuar se komunitetet që kanë mirëpritur programin kanë kontribuar në mënyrë konkrete në përmirësimin e jetës së të rinjve në komunat e tyre.

“Të rinjtë janë forca më e sigurt e së ardhmes. Kur punojmë me dashuri dhe përkushtim, ne ecim nën dritën e parimeve të Caritasit. YourJob është promotor i vlerave të dinjitetit njerëzor – ndaj duhet të vazhdojmë të mbështesim të rinjtë në aspiratat e tyre.”

Pas fjalës hyrëse, mori fjalën ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë e njëkohësisht edhe President i Caritas Kosova,  Sh. T. Imzot Dodë Gjergjin, i cili duke shprehur gëzimin që kjo konferencë finale mbahet në Kosovë, tha: “Jam shumë i lumtur që sot jemi këtu për të mbyllur me sukses programin YourJob. Falënderoj donatorët dhe partnerët që e kanë mbështetur këtë nismë të çmuar. Çdo investim që bëjmë tek të rinjtë është investim në të ardhmen, në shpresën dhe suksesin.”

Ai theksoi se programi YourJob është një dëshmi e fuqishme e bashkëpunimit rajonal dhe e ndërtimit të paqes: “Ky projekt është një arritje jo vetëm për punësimin e të rinjve, por edhe për paqen në rajon. Ai ka ndihmuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.

Partnerët ndërkombëtar ishin po ashtu të pranishëm dhe shprehën gëzimin e tyre për realizimin e këtij projekti aq të rëndësishëm për vendin tonë dhe gjithë rajonit.

Znj. Rita Glavitza, përfaqësuese e ADA në Kosovë, u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu në këtë konferencë finale. YourJob ka arritur të përfshijë mijëra të rinj në gjithë Ballkanin, duke i ndihmuar të gjejnë veten në tregun e punës. Ky nuk duhet parë si fundi i një projekti, por si një gur themeli i fortë për integrimin e mëtejshëm të të rinjve.”

Znj. Zjarrta Osmani, përfaqësuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, theksoi rëndësinë e politikave rinore dhe bashkëpunimit institucional: “Sfida kryesore sot është punësimi i të rinjve. Me ndihmën e programit YourJob kemi arritur të avancojmë në hartimin e strategjive rinore dhe në krijimin e Agjencisë së Rinisë, e cila do të jetë një ‘shtëpi e madhe’ për të gjithë të rinjtë e Kosovës.”

  1. Andreas Knapp, Drejtor i Përgjithshëm i Caritas Austria, u shpreh me emocione për përfundimin e programit pas gjashtë vitesh:

“Jam thellësisht i prekur nga gjithçka që është arritur. Kujtoj periudhën e pandemisë, kur pavarësisht vështirësive, ju arritët të jeni kreativë e të mos ndaleni. Jam krenar për frymën bashkëpunuese që ka karakterizuar YourJob dhe për ndikimin e tij përtej kufijve.”

Me keqardhje për mosprezencën e tij, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, z. Arian Tahiri, me një mesazh përshëndeti të gjithë të pranishmit, dhe falënderoj Caritas Kosova dhe Stafin e programit YourJob për mundësinë e bashkëpunimit me Komunën e Mitrovicës, e që kishte ndikim pozitiv tek të rinjtë e kësaj komune, në punësim të qëndrueshëm e mbështetje në zhvillim profesional.

Në mesin e personaliteteve që e përshëndetën këtë konferencë ishte edhe zonja Jehona Rexha, UD Drejtoreshë e Përgjithshme në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, e cila falënderojë Caritas Kosovën dhe donatorët për këtë iniciativë në ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në Kosovë, pasi është mundësuar mbështetje në punësim dhe zhvillim profesional. Agjencia e Punësimit është gjithmonë e hapur për bashkëpunime të tilla, të cilat ulin numrin e të papunëve në vend dhe mbështesin të rinjtë në fusha të ndryshme.

 

Rezultatet e Programit YourJob në Rajon

Në kuadër të sesionit të nivelit të lartë politikëbërës, sipas Miroslav Valenta, Koordinator i programit YourJob në Bosnje dhe Hercegovinë, YourJob ka sjellë rezultate të matshme e të prekshme në gjithë rajonin:

  • 6,571 të rinj kanë marrë këshillim karriere
  • 2,566 të rinj kanë ndjekur trajnime profesionale
  • 583 të rinj kanë përfunduar praktika pune
  • 1,248 të rinj janë punësuar
  • 86 të rinj kanë hapur biznese të reja (start-up)
  • 719 kompani bashkëpunuese dhe 647 marrëveshje të nënshkruara
  • 16 tryeza të rrumbullakëta, 5 plane advokimi, 8 konferenca kombëtare e rajonale, si dhe një Analizë Gjinore e plotë.

Gjatë konferencës u shfaq edhe një Video rrëfim, me Zërat e të rinjve, punëdhënësve dhe këshilltarëve të rajonit.

 

Paneli i Diskutimit

Konferenca vazhdoi me një sesion reflektimesh nga koordinatorët e vendeve partnere të rajonit – përfaqësuesit e Caritas Albania, Caritas Bosnje-Hercegovinë, Caritas Mali i Zi dhe Caritas Maqedonia. Gjatë këtij diskutimi, ata ndanë përvojat, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i programit YourJob në vendet e tyre, duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë që programi ka pasur në jetën e të rinjve dhe në ndërtimin e një rrjeti bashkëpunimi ndër-rajonal. Reflektimet sollën në vëmendje historitë e suksesit, qasjet inovative të përdorura në secilin kontekst lokal, si dhe domosdoshmërinë për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta drejt krijimit të mundësive të qëndrueshme për punësimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

 

PANELET

Në kuadër të raportimit plenar dhe vështrimeve vlerësuese, paneli i parë iu kushtua temës “Fuqizimi i të rinjve përmes Udhëzimit dhe Këshillimit për Karrierë”, një nga shtyllat themelore të programit YourJob. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë që ka këshillimi profesional si proces i vazhdueshëm që ndihmon të rinjtë të kuptojnë potencialin e tyre, të zbulojnë aftësitë e nevojshme për tregun e punës dhe të ndërtojnë një rrugëtim të qëndrueshëm drejt punësimit. Përfaqësuesit e programit ndanë praktikat më të mira nga terreni, duke theksuar se qasja e personalizuar ndaj secilit të ri ka qenë elementi kyç i suksesit të YourJob.

Paneli i dytë u fokusua në rëndësinë e trajnimeve profesionale dhe praktikave të punës si mjete konkrete për ndërtimin e karrierës dhe fuqizimin e të rinjve. Ky komponent thelbësor i programit YourJob ka synuar të pajisë të rinjtë me njohuri praktike dhe aftësi të specializuara, të përshtatura sipas sektorëve të ndryshëm të industrisë. Përmes trajnimeve të strukturuara, mentorimeve dhe eksperiencave reale në mjedise pune, të rinjtë janë aftësuar të njohin kërkesat e tregut dhe të zhvillojnë kompetenca që i bëjnë më të përgatitur dhe më konkurrues për të hyrë me sukses në tregun e punës.

Paneli i tretë u përqendrua në një nga komponentët më frymëzues të programit YourJob – nxitjen e ndërmarrësisë dhe krijimin e mundësive të reja për punësim. Programi i ndërmarrësisë u konceptua për të mbështetur të rinjtë me ide inovative biznesi, duke u ofruar atyre trajnime të dedikuara, mentorim profesional dhe orientim praktik në çdo hap të zhvillimit të një biznesi të qëndrueshëm. Përmes këtij procesi, të rinjtë u pajisën me njohuri për menaxhimin financiar, marketingun, planifikimin strategjik dhe sfidat e sipërmarrjes moderne.

Paneli i katërt, me temë “Tejkalimi i Pengesave Gjinore dhe të Cenueshmërisë”, u përqendrua në një nga sfidat më të ndjeshme dhe të rëndësishme të tregut të punës në Ballkanin Perëndimor — pabarazitë gjinore dhe përjashtimin social. Edhe pse janë bërë përparime të dukshme në përfshirjen e të rinjve në zhvillimin ekonomik dhe social, hendekët gjinorë dhe barrierat për grupet vulnerabël ende mbeten të theksuara. Diskutimet theksuan nevojën për politika të qëndrueshme dhe veprime konkrete që garantojnë qasje të barabartë në mundësi punësimi, arsim dhe trajnim profesional, veçanërisht për gratë e reja dhe të rinjtë nga komunitetet e margjinalizuara.

Paneli i pestë i konferencës iu kushtua një aspekti thelbësor të programit YourJob – avokimit dhe ndikimit të tij në ndryshimet strukturore në nivel kombëtar dhe lokal. Diskutimet u përqendruan në mënyrën se si programi ka ndikuar në hartimin dhe përmirësimin e politikave publike për punësimin e të rinjve, përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, sektorit privat dhe shoqërisë civile. Përmes tryezave të rrumbullakëta, planeve të avokimit dhe forumeve ndër-institucionale, YourJob ka arritur të nxisë dialog konstruktiv dhe të forcojë mekanizmat e bashkëpunimit për politika më gjithëpërfshirëse e të bazuara në nevoja reale.

 

VLERËSIMI

Në përfundim të kësaj konference, zonja Elida Metaj, vlerësuese e jashtme e programit, prezantoi rezultatet dhe gjetjet kryesore të vlerësimit final të YourJob. Vlerësimi i projektit YourJob analizoi relevancën, progresin, ndikimin në punësimin dhe fuqizimin e të rinjve, si dhe bashkëpunimin institucional.

Në fjalën e saj përmbyllëse, Vera Moll Koordinatore Rajonale nga Caritas Austria prezantoi vizionin për të ardhmen e programit YourJob, duke theksuar se edhe pse sfidat e financimit ndërkombëtar janë bërë më të ndërlikuara, ekziston një dëshirë e fortë dhe një angazhim real për ta vazhduar këtë rrugëtim të suksesshëm. Ajo theksoi se vizioni i ri synon zgjerimin e objektivit të programit përtej grupmoshave rinore, duke përfshirë gra, persona me aftësi të kufizuara, pakica dhe grupe të tjera të margjinalizuara. Në fokus do të jenë përfshirja gjithëpërfshirëse dhe heqja e barrierave strukturore, përmes mbështetjes konkrete si kujdesi ndaj fëmijëve, ndihma për transport, trajnime të qasshme dhe bashkëpunim me organizata që punojnë për të drejtat e grave dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ajo shtoi se faza e ardhshme e YourJob do të forcojë komponentin e ndërmarrësisë, me theks të veçantë tek ndërmarrësia e grave, zhvillimi i aftësive digjitale dhe trajnimi financiar për breza të ndryshëm, duke përgatitur pjesëmarrësit për një treg pune në transformim. Zonja Moll nënvizoi gjithashtu rëndësinë e avokimit për integrimin e YourJob në politikat publike dhe sigurimin e mbështetjes afatgjatë financiare për qëndrueshmërinë e ndikimit të programit. Duke ndarë një histori personale nga një vizitë në terren në Shqipëri, ajo kujtoi se suksesi i YourJob qëndron te frymëzimi dhe humanizmi që sjell ekipi i tij, duke e përmbyllur fjalën me mirënjohje të thellë për përkushtimin, pasionin dhe ndikimin e secilit anëtar të rrjetit YourJob në jetën e të rinjve dhe komuniteteve të tyre.

Në përmbyllje të konferencës, Alfred Pjetri, Drejtor Ekzekutiv i Caritas Kosova, bëri një përmbledhje të gjetjeve kryesore dhe mesazheve më të rëndësishme të ditës. Ai vlerësoi kontributin e secilit partner rajonal, donatorëve dhe institucioneve bashkëpunëtore që kanë bërë të mundur suksesin e programit. Pjetri theksoi se YourJob ka qenë më shumë se një projekt – ka qenë një lëvizje që ka ndryshuar mënyrën se si shihen të rinjtë: jo si përfitues pasivë, por si aktorë aktivë të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Ai përmbylli fjalën e tij me një thirrje për vazhdimësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se fryma e YourJob duhet të mbetet një shembull i gjallë i solidaritetit, shpresës dhe fuqizimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Konferenca u mbyll me mesazhin e përbashkët se YourJob nuk përfundon sot, por hap një fazë të re bashkëpunimi, zhvillimi dhe përfshirjeje të të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Të gjithë pjesëmarrësit theksuan se fuqizimi i të rinjve është çelësi për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin. Konferenca përfundoi me një drekë të përbashkët për gjithë të pranishmit./drita.info

 

Përgatiti për Dritë: Adelina Palushi – Këshilltare për Karrierë për Rajonin e Prishtinë, YourJob/Caritas Kosova

 

Shpëndaje: