URIM I KISHËS KATOLIKE NË KOSOVË PËR DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS 2026

Të dashur vëllezër dhe motra,

Miq e bashkëqytetarë të Kosovës sonë,

 

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, vendit tonë të dashur, dua që në emër të Kishës Katolike në Kosovë, t’JU uroj ditën e pavarësisë, duke shprehur së pari falënderim Zotit për këtë dhuratë të madhe për të gjithë ne dhe gëzimin vëllazëror që jetojmë së bashku si qytetarë në këtë vend të të parëve tanë.

Sot, në Ditën e Pavarësisë, Kosova shënjon një ideal të gjatë historik të popullit tonë. Ky ideal jetoi ndër mote si një ëndërr, lutje, sakrificë dhe qëndresë e çmuar në gjirin e të parëve tanë. Ata pritën gjatë, duruan padrejtësi, sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre dhe, së fundmi, me një luftë të ndershme për liri e dinjitet, e realizuan atë që gëzojmë sot: Shtetin tonë.

Ky ideal nuk ishte thjesht dëshirë për sovranitet formal; ishte kërkesë për dinjitet njerëzor, për të drejtën për të ekzistuar në gjuhën, kulturën dhe historinë tonë, për të ndërtuar institucione që vërtet janë në shërbim të njeriut qytetar.

Sivjet, kur Kosova shënon 18-vjetorin e saj, ajo, jo vetëm që ka arrit një moshë simbolike të pjekurisë, por edhe gjendet para një kapitull të ri përgjegjësie. Kosova sot nuk është më një projekt i brishtë, por një realitet që kërkon thellim e konsolidim, e mbit të gjitha dashni të përkushtume. Shtetndërtimi është proces i përditshëm: ai matet me seriozitetin e institucioneve, me drejtësinë funksionale, me arsimin cilësor, me ekonominë që krijon mundësi jetese dhe me administratën që respekton ligjin.

Në këtë moshë të pjekurisë, Kosova na thërret për një angazhim të përgjegjëshëm qytetar. Sepse, liria e fituar me sakrificë kërkon ndërgjegje të lartë publike. Nuk mjafton të jemi përfitues të shtetit; duhet të jemi ndërtues të tij. Çdo profesion, çdo zyrë, çdo shkollë, çdo familje është një gur në themelet e së ardhmes. Shteti forcohet kur qytetarët e tij e duan të vërtetën, e respektojnë ligjin dhe e kultivojnë solidaritetin.

Brezi që sot rritet në Kosovën e lirë nuk e ka përjetuar peshën e robërisë dhe sakrificën e luftës, por ajo sot e ka barrën e përgjegjësisë për të ndërtuar një Vend sipas masës së njeriut, ku rinia nuk largohet nga mungesa e shpresës, por qëndron sepse sheh perspektivë; një vend ku dinjiteti i qytetarit është masa e çdo politike; një vend ku kujtesa për sakrificën e të parëve na mbron nga harresa dhe nga përçarja.

Pavarësia e 18-të është ftesë për maturi për secilin prej nesh: si çdo i ri që hyn në moshën e rritur, edhe shteti ynë duhet të dëshmojë pjekuri në vendimmarrje, në dialog, në marrëdhënie me fqinjët dhe me botën. Serioziteti në shtetndërtim është forma më e lartë e mirënjohjes ndaj atyre që sakrifikuan. Ata na lanë lirinë, kurse ne duhet t’u lëmë brezave një shtet të drejtë, funksional dhe me horizonte të hapura.

Kosova është më shumë se një territor; është një besim dhe shpirt i përbashkët se e ardhmja mund të ndërtohet me përkushtim, ndershmëri dhe shpresë. Në këtë frymë, nëse idealin e të parëve e mbajmë gjallë në ndërgjegjen tonë, atëherë Pavarësia kurrë nuk do të mbetet vetëm kujtim i një date historike, por një mision i përditshëm që ndërton të ardhme të sigurt, gjithnjë për jetë të dinjitetshme të çdo qytetari të saj.

 

Urime e festofshim për shumë mote!

 

Don Fatmir Koliqi

Zëdhënës i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë

Shpëndaje: