Papa: thirrja nuk është diçka “e dhënë”, por dhuratë që kultivohet me Zotin

“Zbulimi në shpirt i dhuratës së Zotit” është tema e mesazhit të Leonit XIV për Ditën e 63-të Botërore të Lutjes për Thirrjet. Papa i nxit të rinjtë ta dëgjojnë zërin e Zotit, “i cili na fton të jetojmë një jetë të plotë dhe të realizuar”. Ta njohësh Jezusin do të thotë të besosh dhe t’ia besosh vetveten edhe në “orët më të errëta”. Thirrja maturohet përmes krizave

 

“Të bëhesh pasqyrim i bukurisë së Zotit do të thotë të kultivosh marrëdhënie të ngushta me Të në lutje, duke iu besuar ‘edhe kur planet e Tij na i prishin tonat’ dhe duke e ushqyer thirrjen për të dhënë fryte ‘për Kishën e për botën’”. Papa Leoni XIV fton të reflektohet mbi thirrjen për t’iu kushtuar Hyjit si “dhuratë falas nga Zoti”, lindur në zemrën e atyre, që i përgjigjen thirrjes së Tij. Kjo është qendra e Mesazhit të tij për Ditën e 63-të Botërore të Lutjes për Thirrjet, me temë “Zbulimi në shpirt i dhuratës së Zotit”, që u botua sot, 25 mars.

 

Kundrimi e shpirti

Papa e përcakton “bukurinë” si pikënisje: ndjekja e Krishtit, “Bariut të bukur”, na mundëson të zbulojmë se jeta është e mbushur plot. Kjo bukuri kuptohet përmes kundrimit dhe meditimit shpirtëror, jo vetëm përmes vështrimit të jashtëm. Kështu bëhemi dishepuj, sepse bukuria “rrezatohet nga ata, që jetojnë në Krishtin”. Thirrja është pjesëmarrje në jetën dhe misionin e Tij.

 

Thirrja nuk është imponim

Duke kujtuar Shën Augustinin dhe Zotin “më intim se të gjitha intimitetet e mia”, Papa thekson rëndësinë e brendësisë shpirtërore si vend takimi me Jezu Krishtin. Bashkësitë dhe familjet janë të thirrura të mbështesin “fenë e gjallë”, në një udhëtim drejt “lumturisë dhe shpëtimit për çdo individ dhe për botën”. Thirrja është dhuratë që duhet mirëpritur, jo model i imponuar, por projekt dashurie.

 

Përtej zhurmës së botës

Marrëdhëniet me Zotin përmirësohen në lutje: “çdo thirrje… lind nga përvoja e një Zoti, që është Dashuri”, e kultivohet në heshtjen e brendshme. Dëgjimi i Fjalës së Hyjit, sakramentet dhe shërbesa ndihmojnë në njohjen e thirrjes. Zoti i flet zemrës, edhe mes zhurmës së botës.

 

Dëgjimi i zërit të Zotit

Papa i nxit të rinjtë ta dëgjojnë Zotin, që na fton në një jetë të plotë, në të cilën duhen vlerësuar talentet, duke ia ofruar kufizimet Atij të Lumit. Adhurimi, Fjala e Hyjit dhe jeta kishtare ndihmojnë në zbulimin e rrugës personale: martesa, shërbesa e shuguruar ose jeta e kushtuar. Çdo thirrje është dhuratë për Kishën.

 

Në sprova, pjekuria e thirrjes

Nga njohja lind besimi, thelbësor për ta pranuar dhe për ta jetuar thirrjen. Jeta është një akt i vazhdueshëm besimi dhe lëshimi në dorën e Hyjit, edhe në sprova. Zoti i shndrit vështirësitë dhe, përmes krizave e dështimeve, thirrja maturohet, duke reflektuar një bukuri të mbrujtur me besnikëri.

 

Jo një objektiv statik

Thirrja “nuk është objektiv statik, por proces dinamik”: ajo rritet në intimitet me Jezusin dhe nën dikimin e Shpirtit Shenjt. Të rëndësishme në këtë drejtim janë udhëheqja shpirtërore dhe marrëdhëniet autentike. Thirrja nuk është diçka e fituar një herë e përgjithmonë, por një rrugëtim, që duhet ushqyer çdo ditë.

“Ndaloni, dëgjoni, besoni” përfundon Papa, “sepse në këtë mënyrë, thirrja do të maturohet, duke iu bërë të lumtur dhe duke dhënë fryte të bollshme”. / R.SH. – Vatikan

Shpëndaje: