
(Dodë Gjergji, “KTHIMI”, roman, (pjesa e dytë), botoi Shtëpia Botuese “DRITA” & Shtëpia Botuese “55”, Prishtinë – Tiranë, 2021, 390 faqe. ISBN 978-9951-17-072-7 dhe ISBN 978-9951-17-073-1)
Nga Shefqet Dibrani
HYRJE
Në kohë të trazuara, kur e vërteta shpesh relativizohet dhe identiteti shpërbëhet nën trysninë e rrethanave historike, politike e kulturore, letërsia mbetet një nga format më të qëndrueshme të rikthimit tek thelbi i qenies njerëzore dhe kolektive. Ajo nuk është vetëm pasqyrë e realitetit, por edhe një akt ndërgjegjësimi, një thirrje për reflektim dhe një përpjekje për ta rivendosur njeriun në raport të drejtë me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Pikërisht në këtë horizont kuptimor duhet parë edhe pjesa e dytë e romanit “Kthimi” i Imzot Dodë Gjergjit, një vepër që tejkalon kufijtë e rrëfimit artistik duke u shndërruar në një projekt të mirëfilltë kulturor, shpirtëror dhe kombëtar.
“Posa dita kishte shkuar në të sosur, në shtëpinë e Zef Jahisë, ishin mbledhur disa nga burrat më të nderuar të Malësisë së Shkupit, që tani turqit e quajnë Karadak. Burrat përgjithësisht ishin nga Vërnakolla; Binça dhe Stublla. Zefi me vëllezër ishin përgatitur mirë për të pritur miq, në Natën e Zojës së Madhe”, (f.7), dhe kishin vendosur atë natë të bënin ritualin e rakisë, e pasi ishin kohë të turbullta, Gjoni kishte marrë për detyrë të përgjonte rreth shtëpisë për të vëzhguar se as “turqit e as kolaboracionistët e tyre, nuk kishin ma mundësi të afroheshin pa u hetuar”, (po aty, f.7).
Ky roman, është i ndërtuar si një trilogji me shtrirje të gjerë tematike dhe historike, vjen si dëshmi e një vetëdijeje të thellë për fatin e njeriut shqiptar nëpër kohë. Ndër personazhet kryesore, te pjesa e dytë e kësaj trilogjie janë: Zef Jahia, Ramë Selmani, Ahmet (Pjetër) Koliqi, Zymer i Fazlisë, të cilët kishin nisë të bënin një vepër te madhe: “Për qiell e për dhê, për Atme e Fe”, (f.9). Dhe dikur pasi ngriten shumë dolli me raki, sollën bukën, kurse Ramë Selmani, “nxori një brisk xhepi, i bëri bukës një kryq në mes dhe u tha burrave: – Për qielle për dhé, mu’ më vraftë kjo bukë, e kurë ditë e mbarë për mua mos çeltë, nëse nuk e festoj Sh’Mesjanin si katolik i vërtetë e pa u mshefë prej askujt”, (f.12). Kurse Zef Jahija, “mori qiriun e festës. E ndezi dhe bëri kryqin në ballë. – N’emër të Atit et’birit e t’Shpirtit Shenjt”, (f.13). Romani e nxjerrë të kaluarën si kujtesë, dhe duke e vendosur atë në dialog të vazhdueshëm me të tashmen, nxjerrë në pah vijimësinë e plagëve, dhe çdo sukses i ka pasur sfidat e veta, dhe si proces është zhvilluar në mes të dilemave identitare që e kanë shoqëruar shoqërinë shqiptare që atëherë e deri në ditët tona. Burrat e Besës vendosin të pyetnin Fratin e Letnicës, dhe nënvetëdija e tyre formulonin përgjigje injoruese që do të merrnin prej Fratit duke iu thënë: “ju vet jeni ba laramanë. Ju, as kisha as turku nuk ju ka ba të tillë.Vet keni dashtë!”, (f.18). Në këtë kuptim, dhe në ato rrethana, trilogjia “Kthimi” nuk është thjesht një rrëfim për atë që ka ndodhur në Malësinë e Shkupit, por është një tekst me narrativë të dukshme, që kërkon të kuptohet si një paralajmërim për të tashmën me këto tundime, dhe është një tekst si udhërrëfyes i saktë për të gjetur të vertetën e hershme dhe për ta sqaruar të tashmen kaq të ngatërruar.
Zef Jahija i tregon Fratit të Letnicës, për vendimin e Burrave të Besës se tash e tutje ata nuk do jenë më laraman, në shtëpi të krishterë ndërsa jashtë shtëpie dhe në qytet si mysliman. Drama e Burrave të Besës, me të tëra peripecitë është përmajtja themelore e këtij romani, të cilin autori, Imzot Dodë Gjergji, e konsideron rrëfim, por arrinë t’i jep kësaj vepre një dimension të veçantë. Si klerik dhe intelektual, ai vjen në letërsi nga një përvojë e drejtpërdrejtë shpirtërore dhe baritore. Maliq beg Gjinolli i Gjilanit, “nuk është bërë bej turk, por është një njeri mizor i pafytyrë, i pafe e i pashpirt. Ai s’ka me njohtë as ligj, as Stamboll. Po, kur ta merrë vesh, ka m’u tërbua e kush e di se çka do të ndodh me ne”, (f.22), shfaqte dilemën Zymeri i Fazlisë. Kjo frigë reflektohet në mënyrën se si ndërtohet narrativa e “dhunës paqësore”, në diskursin e personazheve dhe në mënyrën e trajtimit me urtësi të kësaj teme të ndjeshme, andaj kur ndërthuret historia, feja dhe identiteti kombëtar ndjeshmëra e dhunës bëhet edhe më tragjike. Kështu, mund të flasë vetëm letërsia e cila bëhet vazhdim i misionit të tij baritor, një mjet për të komunikuar me njeriun e sotëm në një plan më të gjerë dhe më të thellë sesa predikimi i tij tradicional.
Ndonëse “sulltan Selimi III, në vitin 1808, me një ferman të veçantë, ka parapa modernizimin e Perandorisë Otomane dhe të drejtat e barabarta për gjithë qytetarët e perandorisë. Në këtë ferman është parashikue edhe e drejta e besimit dhe e përkatësisë etnike. Pra, sipas këtij fermani, që ndërkohë sigurisht ka avancuar edhe në ligje të tjera, ju mund të jeni edhe shqiptarë edhe katolikë”, (f.25), andaj Burrat e Besës pasi në shpirt e në zemër ishin të krishter, dhe si të tillë i takonin Kishës Katolike dhe Apostolike, sipas reformave të atëhershme që i kishte marrë Porta e Lartë, edhe ata dëshironin që fenë e tyre ta bënin publike, ndonëse përballeshin me rrezikun e hakëmarrjes nga Maliq beg Gjinolli me shokë. Pra siç shihet edhe nga ky pasus, në qendër të romanit qëndron ideja e “kthimit”, si një koncept shumëplanësh, që nuk kufizohet vetëm në një lëvizje fizike apo historike, por që shtrihet në dimensione kulturore, shpirtërore dhe identitare, për të tashmën e tundosur.
Kthimi i Burrave të Besës ishtë rikthim tek rrënjët, ndërsa mesazhi i romanit është për të sotmen që ka të bëjë me të vërtetën e mohuar ose të harruar, tek vetvetja me një reflektim tek vlerat që e kanë mbajtur gjallë një komb nëpër shekuj. Në këtë kuptim, romani “Kthimi”, është rrëfim i një procesi të dhimbshëm, sepse kërkonte përballje me beg Gjinollin në të kaluarën, me gabimet e shumta dhe me devijimet e dëmshme, por në të njëjetn kohë, edhe sot më shumë se kurrë më parë është edhe një proces i domosdoshëm, për shërimin e atyre plagëve dhe për rindërtimin e identitetit të ri fetar, karshi rrethanave gjeostrategjike të Europës dhe Amerikës, si aleat të vetëm dhe aksionar në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Pastaj, Burrat e Besës, para se të ndaheshin, u kthyen kah kisha dhe të bashkuar thanë uratën që ua kishte mësuar Krishti dhe lidhën Besën që ua kishte lënë Kanuni. Ata filluan lutjen e tyre me devotshmëri:
“Ati i ynë,
që je në qiell,
shejtnue kjoftë emni yt.
Ardhtë mbretnia jote.
U baftë vullnesa jote,
Si në qiell ashtu në dhé.
Bukën tonë të përditshme
epna ne sot,
E ndiejna ne fajet e mëkatet tona,
si i ndiejmë na fajtorët tanë.
E mos na len me ra në të keq:
por largona prej gjithë së keq.
Ashtu kjoftë!”
(f.26)
Pjesa e dytë e romanit “Kthimi”, e vendos këtë proces në një kontekst të gjerë historik, duke trajtuar periudha dhe ngjarje që lidhen me përplasjet e mëdha kulturore dhe fetare në hapësirën shqiptare. Përmes historisë së Burrave të Besës e njohur si vuajtje e Martirëve të Karadakut, autori sjell në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të rezistencës shpirtërore dhe kombëtare, duke e paraqitur atë jo vetëm si një fakt historik, por si një model të qëndresës dhe të besnikërisë ndaj vlerave fetare dhe kombëtare, për çka janë flijuar edhe Burrat e Besës në këtë roman. Në anën tjetër nga lutjet e burrave përballë kishës, frati do të përjeton “tmerr”, prandaj mbasi mbaruan uratën dhe morën bekimin e fratit, burrat u shpërndan ndërsa frati shkoi në kishë dhe “ashtu i lodhur dhe i dërmuar, frati u nis drejt qelës së vet, mori penën dhe filloi të mbajë shënime për gjithçka kishte dëgjuar”, (f.27).
Në të njëjtën kohë, romani nuk mbetet i mbyllur në të kaluarën. Ai ndërton ura të qarta me të tashmen, duke e parë krizën e identitetit si një fenomen që vazhdon të jetë i pranishëm edhe sot. Në një shoqëri ku shpesh dominon interesi individual dhe ku vlerat tradicionale vihen në pikëpyetje, “kthimi” bëhet një domosdoshmëri urgjente, jo si nostalgji për të kaluarën, por si kërkim për një të vërtetë që mund ta korrigjoj të tashmën dhe të orientojë kombin tonë për të ardhmen. E, atëherë në kohë shumë të errëta, pa shkolla dhe pa informim të gjerë Burrat e Besës, “kanë marrë guximin për të ba këtë punë, ne (gratë) duhet t’ju japim zemër e t’u rrimë afër si gratë e përshpirtshme të Jerusalemit që e përcillnin Krishtin në rrugën e Kalvarit”, (f.29).
Një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj vepre është mënyra se si autori e ndërthur dimensionin artistik me atë etik dhe shpirtëror. Gjuha e përdorur është e përmbajtur, e kujdesshme dhe e pasur me nuanca, duke i shmangur skajshmëritë për të ruajtur një ekuilibër të admirueshëm midis rrëfimit dhe reflektimit. E në këto momente tejet emocionale Zef Jahija, “mori kryqin që rrinte i varur në skajin e fundit të atij peni me lena. E afroi te buza, e puthi dhe bëri me të shenjën e kryqit, duke përseritur fjalët:”, (po aty, f.29). Personazhet e romanit nuk janë figura të ngrira në një moralizim të thjeshtë, por bartës të historisë dhe të flijimit, edhe pse ndokush kishte dilema, të tjerë tregonin dobësi dhe sipas mundësive pranoheshin të gjithë ata që vinin për pendesë e rikthim, çka i jep veprës një dimension thellësisht human. “Nëse do të duhet të bâjmë të gjitha mizoritë e turqve, edhe nëse bajonetat e tyre do të na i shporojnë zemrat, e shpatat e tyre do të na i presin kokat, ne do t’i mbështesim burrat, në përpjekjen e tyre që të na kthejnë plotësisht në fenë e të parëve tanë. Si e bafsha, ashtu më ndihmoftë Zoti”, (f.30), ishin këto fjalët e sëmës të Zef Jahisë, para grave, që janë heroinat e këtij procesi për kthimi në identitetin e të parëve të tyre, identitet i nëpërkëmbur nga turk dhe hyzmeqaret e tyre shqipfolës.
Në këtë prizëm, veçmas pjesa e dytë e romanit “Kthimi” bëhet shumë ma dramatik, më emocional dhe mund të lexohet në disa nivele njëkohësisht: si roman historik, si reflektim filozofik mbi të vërtetën dhe identitetin, si tekst me dimension fetar dhe si një thirrje për ndërgjegjësim kolektiv. Pikërisht kjo shumësi kuptimore e bën veprën të hapur ndaj leximeve të ndryshme dhe e vendos atë në një pozicion të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore shqipe. Në një rast Demush Aga, babai i Drandës, miku i Zef Jahisë i drejtohet dhëndrrit të vet: “- O Zef! Turku vërtet do të jetë mizor dhe hakmarrës, kur ta marrë vesh se çka ka ndodhë. Por ti mos u tremb e mos ki frikë! Sepse të parët tanë nuk i nënshtroi turku po tuta, (frika). Për të madhin Zot, qenka ba punë e madhe që burrat e malësisë tonë, paskan marrë zemër e qenkan ba trima të fortë”, (f.35).
Pa asnjë dilemë, mund të thuhet se romani i Imzot Dodë Gjergjit nuk synon vetëm të rrëfejë ato tragjedi të shkuara, por ai ka qëllim të zgjojë të tashmën e tunduar. Ai sikur kërkon nga lexuesi jo vetëm vëmendje, por edhe reflektim, jo vetëm lexim, por edhe qëndrim dhe besë. Sepse “kthimi”, në kuptimin më të thellë të fjalës, nuk është një akt i së kaluarës, është e sotmja jonë me tundime, një proces që ndodh vazhdimisht, në ndërgjegjen e çdo individi dhe në fatin e çdo kombi që kërkon të mbetet besnik ndaj vetvetes dhe ndaj fatit kolektiv.
1.
Romani “Kthimi” (pjesa e dytë) është një vepër që përjetohet thellësisht si dhimbje dhe trishtim. Dhimbje, sepse rrëfen kalvarin e mundimeve të Burrave të Besës dhe të besimtarëve të Krishtit nga Malësia e Shkupit; trishtim, sepse shpalos një botë ku besa dhe feja shpesh shoqërohen me flijim, deri në skajet e vetëdënimit. Këto dy përmasa, dhimbja dhe trishtimi, nuk qëndrojnë të ndara, por e plotësojnë njëra-tjetrën, duke krijuar një bosht emocional e kuptimor mbi të cilin ndërtohet e gjithë narrativa e romanit. Dhe kur nisi fjala e pijes, Burrat e Besës thanë: “- Kjoftë lëvdua Krishti! Mirë se keni ardhë e mirë se u ka pru Zoti, o ju burrat e malësisë tonë. Kjo natë e madhe na ndihmoftë, e Sh’Masjani që ka sprovua ta shporosnin shigjetat e pushtetit, na ruajtë, nëse do na i presë krenat jatagani i turkut”, (f.40-41). Natyrisht në këto rrethana tundimi ishte pjesë e procesit dhe kjo dëshmohet edhe nga frika e Zymer Fazlisë, i cili nga frika kishte kërcyer nga dritarja duke i mëshiruar burrat, me “Zoti ju shpëtoftë burra“, (f.42).
Megjithatë, romani “Kthimi” nuk mbetet vetëm një rrëfim letrar i dhimbjes. Ai shndërrohet në një tekst me peshë të veçantë kulturore e kombëtare, duke përcjellë një mesazh të qartë për pastërtinë dhe ndërgjegjen kombëtare. Ata ishin të vendosur “t’i bien mohit dyfytyrësisë e laramanisë”, (f.44). Të pastronin shpirtin dhe të luteshin vetëm në një Fé, dhe atë në fenë e të parëve dhe të luteshin arbërisht në Jezu Krishtin. Dhe këtë e vërteton rrëfimi prekës i Ramë Selmanit: “Po pse të mbajmë ne emna turku, kur kemi emnat tanë. Prandaj nigoni, o burra. Unë këtu, para jush ‘po e vras’ Ramë Selmanin. Si këta dru në oxhak, u djegtë ky emër për mua. Qysh atë ditë që jam pagëzue, Kolë Sopi, ma kanë shkrue emnin në Kishë. E Kolë dua gjithmonë me kenë”, (f.45). “Kthimi”, si pjesë e një strukture më të gjerë trilogjike, romani fiton atributin e një vepre me rëndësi të qëndrueshme për çështjen kombëtare, edhe në kohët tona. Sepse “Feja e Krishtit, është feja e të parëve tanë,/ prandaj dua që kjo fe,/ të jetë feja jeme dhe e fëmijëve të mi”, (f.47), Kolë Sopi, si burrë zakoni ishte i vendosur, vullnetin e tij për vete dhe fëmijët ta materializonte, pasi “Do të jetoj me ndêr e burrni, pa iu cenuar të drejtën grave dhe kujdo tjetër”, (po aty, f.47), dhe “dasëm e vdekje do t’i bëjë sipas zakneve tona”, (f.48), dhe “kurdo që të marr nuse, për djem apo nipa, krushqit do t’i nis me flamur të Gjergj Kastriotit”, (po aty, f.48). Tematika e romanit lidhet drejtpërdrejt edhe me realitetin e sotëm të njeriut shqiptar, i cili, në shumë raste është tunduar, duket sikur i zhveshur nga ndjenja kombëtare dhe i veshur me modele identitare të huaja e tashmë të tejkaluara, dhe në anën tjetër shihet një gatishmëri e tepruar, në ngarendjen për t’u pasuruar me çdo kusht, duke vënë në peshore si kurrë më parë identitetin tonë kombëtar. Prandaj edhe sot janë të vyeshme betimet se “nëse fara ime do të zhduket e derën e shtëpisë time do ta mbulojë thera, ajo u takon vëllaznive, në cilëndo brez që mbeten gjallë.
‘Si e bafsha, ashtu më ndihmoftë!
Në emër të Atit e të birit e të Shpirtit Shenjt,
Ashtu kjoftë! Betohem!”
(f.48)
Para të pranishmëve u betua Kolë Sopi, dhe me një: “- Ashtu kjoftë! Betohemi! – Njëzani u përgjigjën gjithë të pranishmit”, (po aty, f.48).
Sipas kontekstit të rrethanave, burrat e Malësisë së Shkupit ishin betuar, e nga ai realitet autori arrinë me sukses të ndërtojë një ndërthurje të fuqishme të mesazhit fetar, i cili ndërlidhet fuqishëm me elementin kombëtar. Përmes një narrative të qëndrueshme, ai i drejtohet një shoqërie me identitet të luhatur, duke e trajtuar me mjeshtëri motivin e “kthimit” në dy plane thelbësore, të cilat, megjithëse nisen nga drejtime të ndryshme, përfundojnë në të njëjtin qëllim. Dilema për rikthim shihet në sytë e familjes së gjerë Shabanaj. E sipas kësaj narrative: së pari, kthimi kuptohet si rikthim në besimin e të parëve, në traditën shpirtërore që mishërohej dikur nga Burrat e Besës në trevën e Karadakut. Së dyti, “kthimi”, në pjesën përmbyllëse të romanit, merr një dimension letrar e simbolik: kthimi në atdhe, triumfi i sakrificës dhe ideja e pajtimit të madh, një pajtim që përfytyrohet si i domosdoshëm për shoqërinë shqiptare të sotme, ndoshta më shumë se kurrë më parë. Kjo ngjashmëri e “kthimit”, ka të bëjë me peripecitë e Burrave të Besës atëherë, kurse tani shoqëria janë është e traumatizuar nga lufta që përjetoi. E para ruante traditën, identitetin dhe etninë, e dyta ka një shthurje qoroditëse me përmasa tragjike. Në narrativa të tilla spekulimet janë gjithëfarëshe sikurse në të tanishmen e Kosovës, janë bërë më heronjë struktura të ish sistemit, njerëz me damkë që kanë ushtuar dhunë mbi rininë që protestone, mercenar të pa shembullt që këtë copë Kosove ose dëshirojnë t’ia falin turkut o ta kthejnë këtë trevë nën sovranitet e shkjaut. Prandaj trilogjia “Kthimi”, është romon i vyeshëm për të tashmën e traumatizuar, veçmas pjesa e dytë ka të bëjë me dhunën, tundimin dhe fitoren përfundimtare të Burrave të Besës, të cilët janë sakrifukuar për Atme dhe Fé!
Kjo e sotme, kërkon një ndërgjegjësim të ri moral e kulturor. Ajo kërkon një “gozhdë” ku duhet varur marrëzinë e mohimit dhe përbuzjes ndaj figurave kombëtare, si dhe një rilidhje të besës, jo vetëm si akt besimi fetar, por si akt dashurie ndaj njëri-tjetrit, ku vëllai vihet mbi hasmin. Në këtë sfond, romani përballet edhe me rryma të rrezikshme ideologjike, fetare dhe kulturore që po cenojnë identitetin dhe stabilitetin shpirtëror të shoqërisë sonë. Veçmas kur nga romani mësojmë se “feja e Krishtit na mëson që mos me përdorë dhunën”, (f.69), sepse “kjo është forca e shpirtit, fuqi e guximit dhe dashuria për të vërtetën”, (po aty, f.69).
Peripecitë e Burrave të Besës, sipas historiagrafisë e njohur si sakrificë e Martirëve të Karadakut për Atme dhe Fé, përbëjnë thelbin tematik të romanit. E, kjo peripeci do të nisë, kur burra të shumtë të kësaj ane të veshur me rroba kombëtare do të futen në sarajet e Maliq bej Gjinollit të cilit i drejtohen se ata kishin “vendosur me u kthye në fenë dhe zakonet e të parëve”, (po aty f.69), andaj kishin menduar të shkonin në sarajet e beg Gjinollit për t’u marrë vesh me të “që të mos i pengonte të jetonin fenë e të parëve dhe të zbatonin zakonet e veta”, (sipas f.69).
Kjo temë është njëkohësisht historike dhe aktuale, duke reflektuar vazhdimësinë e sfidave me të cilat përballet identiteti ynë kombëtar e fetar edhe në ditët e sotme. Krahas kësaj, romani shtron edhe një dimension meditativ mbi dukuritë shqetësuese të kohës sonë: shthurjen morale, tjetërsimin kulturor dhe heshtjen e rrezikshme të intelektualit, i cili, në vend se të reagojë, shpesh bëhet pjesë e këtij procesi, dhe pa asnjë dyshim sot zyrtari shtetëror, profesori universitar dhe një elitë intelektuale, kanë rënë pre e rrymave myslimane duke e vënë në rrezik të drejtpërdrejt edhe ekzistencën tonë shtetërore (Kosovën) dhe atë kombëtare, (hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor). Kjo narrativë mund të kuptohet, nëse lexohet romani “Kthimi”, pjesa e dytë, ose kur të shfletohen librat e historiografisë që flasin për historikun e Martirëve të Karadakut. Ndërsa te romani Burrat e Besës të cilët ishin futur në sarajet e Maliq beg Gjinollit, nuk i kërkonin atij të luftonin por të merreshin vesh. Por tradhtia e një shpirti të shitur, kishte ndërsyer asqerët e vet për t’i pranguar këta burra dhe pa asnjë paralajmërim,“Asqerët u futën brenda dhe filluan t’i lidhin burrat, të cilët nuk bënë ndonjë rezistencë fizike, por shprehnin kundërshtimin e tyre duke kënduar”, (f.73):
“Un’ prej Zotit jam i kishtenë
e gjithmonë kështu due me kenë.
Qysh n’atë ditë qi jam pagzue
n’kët Fé Shejte jam i shkrue
dhe në ket Fé unë due me rrnue;
kam me vdekë s s’kam me l’shue,
pse e di mirë se s’ka shelbim
për njata që s’kanë besim…”,
(po aty, f.73)
Në këtë prizëm, edhe rikthimi i autorit, një ipeshkëv, në letërsi merr një kuptim të veçantë. Ai përbën një shenjë domethënëse të ndërthurjes së kulturës, fesë dhe atdhetarizmit, ku letërsia shndërrohet në mjetin më të fuqishëm për të depërtuar në ndërgjegjen e njeriut. Përmes saj, autori arrin t’i flasë një shoqërie të larmishme, shpesh të hutuar nga krizat morale e sociale, duke ofruar një orientim drejt vlerave universale të humanizmit dhe solidaritetit, brenda kontinentit tonë.
Ushtrimi i fesë, dhe mënyra vullnetare në islamizimin e treves shqiptare më mirë mund të kuptohet nga letra të cilën Maliq beg Gjinolli, ia nis kushëririt të tij, Jashar Pashës së Prishtinës, (krahaso, f.75-76). Dhe siç kuptohet edhe nga romani, s’ka sundim që mund të jetë aq i ashpër pa ndihmën dhe arrogancën e mercenarëve vendor të cilët gjithmonë dhe gjithnjë ishin në shërbim të sunduesit, ishin në anën e errët të hënës. Po ashtu ndodhte ndonjë roje të bënte ndonjë shërbim për të prangosurit: “Njëri nga rojet, që vinte prej Zhegre”, (f. 82), kishte rregulluar një vijë uji që të shkonte tek të burgosurit, ndërsa fshatarë që ishin në dijeni ku janë burgosur Burrat e Besës, mblidhnin ushqime e bënin bukë, i mbështillnin në shamijat e tyre dhe ua hudhnin të burgosurve brenda, për të mbijetuar dhunën e pamëshirshme që bënin asqerët e beg Gjinollit. Po ashtu vihet në pah edhe roli tejet pozitiv i David Berishës, nga fshati Dunavë, bija e të të cilit ishte e martuar me Zef Gashjanin. Dhe ja një fragment e letrës që Jashar Pasha i Prishtinës ia kthen kushëririt të vet Maliq beg Gjinollit, të cilën Demush Aga, në cilësinë e një udhëtari të rëndomt, por që dinte leximi se kishte punuar zyrtar në Zheger gjatë kohës së Perandorisë Otomane. Në paragrafin e fundit të letrës thuhej: “-Ti mundohu t’i bindësh me metodologji kulaçi e me përdorim të lehtë të kërbaçit. Po s’arrite t’i bindësh ata klysha qensh, m’i dërgo mua, sepse po u lejua kjo gjë, do të marrë flakë i gjithë vendi dhe zjarri mund të kapë aq shpejt edhe Drenicën, sa nuk arritëm ta vëmë kurrë zap. E kur të marrë flakë Drenica, digjet edhe Llapi e Gallapi, po edhe krejt Arrnautlluku jonë…”, (f.92).
Përtej kësaj dhune dhe përpjekje për mashtrim me joshje, romani ndërton edhe një narrativë të tretë: atë të besimit në simbolet themelore të identitetit siç janë Besa, Flamuri dhe figurat kombëtare, që ishin dhe janë udhërrëfyes të qëndrueshëm për mbijetesën dhe zhvillimin e kombit. Në këtë kuptim, vetëm përmes faljes, pranimit dhe rikthimit të atyre që kanë devijuar, qoftë edhe në planin kombëtar, mund të arrihet e vërteta dhe uniteti i dëshiruar. Vet David Berisha, shkoi të njoftonte familjet e burrave në Vërnakollë e në Binçë, kurse Terziajt mendonte vet t’i njoftoj, e te frati i Kishës në Letnicë kishte dërguar Gjonin, përmes të cilit dëshironin t’i njoftonin Fuqitë e Madha të Vjenës e të Francës se çfarë po ndodhte në Malësinë e Shkupit nga asqeret e Maliq beg Gjinollit. Një rol tejet poezitiv kishin luajtur edhe gratë e këtyre familjeve, veçmas në përballje të shpifjeve që bënin burrat e Shabanajve shtëpia e të cilëve bashkëpunonin me turkun.
Një tjetër dimension i rëndësishëm i romanit lidhet me vetë figurën e shkrimtarit. Letërsia shqipe ka njohur klerikë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në themelimin dhe zhvillimin e saj, dhe në këtë traditë vendoset edhe krijimtaria e Imzot Dodë Gjergjit. Rikthimi i tij në letërsi nuk është vetëm një ngjarje personale, por një nxitje për lexuesin dhe kulturën letrare në përgjithësi, me një fjalë një ftesë kulturore për t’u rikthyer tek vetvetja dhe tek vlerat autentike. Dodë Gjergji, i zhveshur nga petku fetare, përmes letërsisë synon të arrijë një mison sa fetar po aq kombëtar, siç e kemi theksuar edhe më parë në këto tundime e devijime nga trauma e luftës, kur shpirti i lig është në gjendje të devijoj jo sa për një kathere buke, por për pasuri e miljona që nuk ngopën, dhe nëse bëhen hulumtime psikologjike do të vërtetohet se ky pasurim nuk është nevojë e individit, është traumë e luftës, e pasojave të saj, kur njeriu ka shitur shpirtin dhe idealin në shërbim të një sundimtari disashekullor, duke përbuzur vlerën dhe mikun që ka çliruar vendin tonë, është rast që do të duhej të merrëshin studiues e ekspert nga fusha e psikologjisë dhe psikoanalizës.
Prandaj, edhe sikur të vlerësohej veprimtaria e tij kishtare vetëm mbi këtë roman, autori do ta kishte përmbushur misionin e tij intelektual dhe shpirtëror: t’i shërbejë kombit dhe fesë përmes fjalës së shkruar. Në këtë ndërthurje të rolit të shkrimtarit dhe klerikut, ai orienton shoqërinë drejt vlerave reale, rrënjëve kombëtare dhe traditës sonë kulturore me përkatësi të qartë europiane. Në këto rrethana, këshilltarët e bej Gjinollit, dyshonin se mund të nxitej një revoltë e katundarëve t’i mbronin burrat me plisa. Ai “e dinte shumë mirë që bejlerët, shehlerët, asqerët turq dhe familjet e kolaboracionistët ishin të bindur. Por njerëzit rreth shehrit, sidomos ata të katundeve, ishin të gjithë laramanë që e mbanin ende fenë e të parëve nëpër shtëpitë e veta”, (f.104).
Ky roman na bind për një të vërtetë të thjeshtë, por të thellë: aty ku depërton fjala e shkruar me kulturë, nuk mund të depërtojë dhuna apo mekanizmi i ftohtë i forcës. Njeriu që beson dhe që mendon, është më i hapur ndaj fjalës së urtë sesa ndaj zhurmës së veprimeve të pamenduara, dhe të zhurmës së altoparlantëve, jo vetëm në Prishtinë po kudo në Kosovë dhe tej saj.
“Zot Hyj, Mbret qiellor,
Hyj Atë i gjithëpushtetshëm.
Zot Bir i njëlindur, Jezu Krisht,
Zot Hyj, Qengji i Hyjit, Bir i Atit”,
(f.107)
Shoqëria jonë, më shumë se kurrë, ka nevojë për një kthim të vërtetë, një kthim tek kultura, tek vlerat shpirtërore dhe tek një identitet që harmonizohet natyrshëm me traditën europiane dhe me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë dhe mbeten faktorë vendimtarë të lirisë sonë. Ky apel nuk është i autorit, kjo thirrje vjen nga Besa e Burave që u Martirizuan për dritën e Malsisë së Shkupit, të cilën turqit e thirrnin Karadak. “Ju do të përdorni gjithë fuqinë e turkut, por kurrë nuk do të arrini të mposhtni fuqinë e zemrave tona dhe forcën e besës së lidhur”, (f.110), që për ditët e sotme është thirrja më e bukur për një Besëlidhje të Ré të Karadakut!…
2.
Botimi i romanit “Kthimi” shënon një fazë të re në krijimtarinë e autorit, duke sjellë një narrativë të ripërtërirë që lidhet jo vetëm me tematikën e veprës, por edhe me vetë rrugëtimin jetësor e shpirtëror të shkrimtarit, Imzot Dodë Gjergji. Pas një jete të tërë të përkushtuar ndaj predikimit baritor, ai vjen në letërsi nga një pozitë e lartë në hierarkinë kishtare në Kosovë, për ta zhvilluar misionin e tij në një plan tjetër, atë të fjalës artistike.
Rrugëtimi i Burrave të Besës për në Prishtinë ishte i tmerrshëm, sepse ata ishin me zingjirë në kamb dhe me pranga në duar, dhe nën tërtura e sipër do të del nga asqeret e turkut një zë disi më human: “- N jam turk, jooo. Vërtrtë, jam në shërbim të tyre, por për bukë goje, fëmijet duen me hangër, nuk të vesin a je turk a laraman. Veç të thonë, ‘babë dua bukë’!”, (f.115). Ky zë e befasoi Zef Gashjanin, dhe asqeri i turkut vazhdoi: “Gjyshi më ka thanë që ne të gjithë katolikë jemi kanë. Ai ma ka lanë amanet: Aty ku t’mundesh, ban mirë! Ndoshta, Zoti ka me na falë, që e kemi tradhtua!?”, (po aty, f.115).
Kjo zhvendosje nuk është thjesht formale, por përbën një zgjerim të natyrshëm të misionit të tij: nga predikimi në altar, tek komunikimi përmes letërsisë, andaj “- Mbaje amanetin e gjyshit, – i tha Zef Gashjani”, (po aty, f.115), asqerit të ri. Në këtë mënyrë, ky refren është mesazh i fort që autori arrin të krijojë një situatë të re në këtë ligjërim të ngrohtë, të kuptueshëm dhe të pranueshëm për të gjitha shtresat e mozaikut kulturor dhe fetar shqiptar. Dhe jo rastësisht Burrat e Besës, ishin përcjellë nën përkujdesin e asqerëve turk të Maliq beg Gjinollit, deri“në hapësirën e madhe të Gazimestanit, bash aty ku të krishterët ballkanas kishin humbur betejën e tyre kundër turqve, qysh në vitin 1389”, (f.117). Edhe këtu një roje burgu do t’i drejtohet Zef Gashjanit se edhe “unë jam si ju, nuk jam spiun”, ai pranon se ishte drenicak dhe vazhdoi: “Në anën tonë , pothuajse të gjithë janë si ju, po ata nuk kanë guximin tuaj”, (f.133), e një gjë dueht ta dini iu tha ai: “shumica prej tyre janë tue pritë me pa se çfarë do të ndodhë me ju”, (f.134), madje ai iu tregoi se po thonë në Llapushnik, ose Kizhnarekë, ka krisur martina.
Kjo narrativë e gërshetimit të ngjarjeve dhe bëmave historike, në romanin historiografik e kulturorë mund dhe duhet të shihet si fillimi i një vazhdimësie të re, i një kthimi të ri, nga e kaluara përplot libra letrar që pikërisht priftërinjtë shqiptarë i kanë shkruar më herët, edhe “Kthimi” synon t’i kthej ato vlera të qëndrueshme, parë në një këndvështrim ma modern, që duhet të shërbejnë si për institucionet fetare, ashtu edhe për publikun e gjerë, i cili i përthith këto mesazhe me një natyrshmëri të dukshme. Siç e përmend vet autori, “në atë kohë kishte persekutime, maltretime dhe likuidime të shumë njerëzve në Llap e Gollak”, (f.121).
Në një kohë kur kapërcimi i kufijve fetarë mbetet i vështirë, madje shpeshherë edhe i papranueshëm në planin mendor, edhe brenda vetë shoqërisë shqiptare, romani “Kthimi” shfaqet si një ndërhyrje kulturore e rëndësishme dhe pozitive, sepse “ata janë burra mali, kanë zemër shqiptari dhe feja e besa e tyre i ban ata të jenë të fortë e të pathyeshëm”, (f.140). Gërshetuar me realitetin, autori i drejtohet jo vetëm lexuesit vendas, por edhe gjeneratave të reja që jetojnë jashtë atdheut, kryesisht në vende me traditë krishtere të konsoliduar, andaj ky brez në emër të shqiptarisë, në mes Eurpoës së krishterë është mirë “të nxjerrin në pah Krisht e Kryq”, (f.141), pasi ia vlenë pak sakrificë për të tashmë e atdheut arbëror. Në këtë kuptim, romani bëhet një urë komunikimi dhe vetëdijësimi, duke ndihmuar në shmangien e paragjykimeve dhe të mendësive jokulturore që pengojnë zhvillimin e letrave shqipe përballë një bote gjithnjë e më dinamike, cilësore dhe artistike. Nga një këndvështrim tjetër, romani “Kthimi”, saktësisht përshkruan mënyrën “paqësore”, të kalimit nga të krishterë shqiptar në “mysliman turk”, sepse mes dy etapave ka hyrë dhuna dhe dajaku, vrasjet dhe përsekutimet, dhe padyshim rezistenca ndaj konvertimit, kombit tonë i ka kushtuar me përgjysmim të popullatës së atëhershme. Dhy ky çmim i ka kushtuar “fesë tonë të parë”, (f.145), dhe çdo përpjekje e pastajme është shuar e mbytur siç e paguan me çmim të lartë edhe Burrat e Besës nga Karadaku.
Përpjekja që shfaqet në trilogjinë “Kthimi” përbën një formë të vetëdijes intelektuale dhe një ftesë e hapur për rikthimin e vlerave autentike të kulturës shqiptare, pavarësisht nëse edhe sot “vëllezërit tanë, bashkë me turkun, të shfryjnë të gjithë dufin e urrejtjes”, (f.149), ndaj çdo lëvizje progresive që synon në kthim te e vërteta, tek rrënjët hitorike, pra edhe të besimit në Atme dhe Fè. Në këtë drejtim, kërkimi letrar i Imzot Dodë Gjergjit, është përpjeje për t’i lidhur kohërat, ngjarjet dhe veprimet dhe nuk e shkëput traditën e romanit shqip nga rrënjët e veta kombëtare; përkundrazi, ai synon ta vendosë atë në një dialog më të gjerë me letërsinë europiane, veçanërisht me traditën e saj të krishterë. Pasi “- ‘Ma mirë vdes si Krishti, se t’jetoj si këlysh turku!’, duke bërë që të dridhej toka, muret e burgut por edhe zemra e asqerëve”, (f.151).
“Nijeti i nadjes, o Zoti jem!
po të falemi nderës që m’ke ruajtë sonte,
gjithçka të bëj,
e gjithçka të hjeki, në këtë ditë,
du me bâ e me hjekë për hatër tënd;
si është njeti i Zemrës së jezu Krishtit,
që u bâ kurban për ne, n’meshën shenjtë.
Ashtu kjoftë!”
(f.156-157)
Kështu, letërsia shihet si një mundësi për rikthimin e vetëdijes kulturore, jo vetëm të shkrimtarit, por edhe të shoqërisë që ai përfaqëson. Kthimi drejt kulturës europiane, në këtë prizëm, është njëkohësisht kthim drejt së vërtetës kulturore dhe shpirtërore që romani synon të artikulojë. Ai shpreh vendosmërinë për të kapërcyer ndarjet artificiale dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi mbi rrjedhat shpesh të turbullta të historisë dhe të identitetit, pa e përjashtuar edhe të tashmën mjaftë të turbulltë e tejet të ngatërruar. Për gjatë romanit janë mjaftë fragmente që të duken sikurse po i lexojmë rrëfimet e intelektualëve shqiptarë që iu nënshtruan “Izolimit”, gjatë vitit 1989. Apo forma e dhunës që atëherë e gjerë sot nuk e ka ndryshuar fytyrën e saj.
Në këtë kontekst letrar, autori e sheh letërsinë edhe si një formë shërbimi fetar, të lidhur ngushtë me interesat e ekzistencës kombëtare. Përmes narrativës së romanit bëhet e qartë se, përgjatë shekujve, ata që kanë mbrojtur vlerat e tyre dhe kanë refuzuar tjetërsimin, kanë përjetuar fatin e Burrave të Besës nga Malësia e Shkupit, një hapësirë që, në rrjedhë historike nga turku, është ngushtuar në emërtimin Karadaku i Gjilanit. Këtë fat të keq, në përpjekje për t’i shpëtuar besimtarët e vet e kishte pësuar edhe frati në Kishën e Letnicës, të cilët asqerët turq deri në Shkup e kishin “lidhur nën barkun e kalit” prandaj ai “kishte vuajtur ma së shumti”, (f.179).
Romani shtrihet në një hapësirë të gjerë gjeografike dhe historike, duke përfshirë një sërë vendesh dhe ngjarjesh: nga Stublla e Karadakut, në Gjilan te sarajet e Maliq beg Gjinolli, në viset e tjera shqiptare në rrethin e Prishtinës, e nga aty deri në Shkup e Selanik, e më tej në qendra të persekutimit turk të Perandorisë Osmane. Kjo hapje e horizontit rrëfimtar, i jep veprës një dimension më të gjerë, duke e vendosur historinë lokale në një kontekst më të gjerë civilizues. Edhe pse besimtarët mendoni se “Konsulli mori fratin e ne na la në dorë të turkut”, (f.186), ndërsa e vërteta ishte tjetër. Asqerët turq, fratin e kishin ndarë nga grigja e vetë dhe koha do ta dëshmojë se ai nuk iu nda asnjëherë besimtarëve të vet, gjerësa i ktheu në atdhe, kuptohet ata të paktë që arritën t’i mbijetojnë këtij represioni çnjerëzor.
Pjesa e dytë e kësaj trilogjie, në tërësi ka ndërthurur zhvillimet shoqërore në kuadër të Perandorisë Osmane, duke trajtuar konceptin e një “paqeje të dhunshme”, një gjendje ku pranimi i fesë dhe ndryshimi i identitetit nuk kanë qenë gjithmonë procese të natyrshme dhe vullnetare, siç përpiqen disa ta shpjegojnë. Por përmes figurave dhe ngjarjeve, autori rikujton plagët historike dhe paralajmëron kundër thjeshtëzimeve të rrezikshme që e paraqesin këtë periudhë si një bashkjetesë plotësisht paqësore e përplot peshqeshe?! Se ndryshimi i fesë kishte marrë përmasa trishtuese dhe ai zhvillohej në shumë trajta, duke joshur, tuke kushtëzuar, duke frikësuar dhe duke ua pamundësuar jetën e qetë popujve nën Perandorinë Otomane. Edhe flamurin që ua dhuroi pronari i hanit në Selanik, i cili i kërkoi Zef Gashjanit, të mos e hapte aty sepse kshte frigë nga pasojat, është një formë e dhunës, e cili ishte shtrirë kudo.
Në këtë kuptim, romani shërben edhe si një thirrje për një qasje më të guximshme në letërsinë shqipe. Ajo ka nevojë për një rikthim në identitetin e saj dhe për një trajtim të hapur të temave të ndjeshme, qofshin ato historike, politike apo shoqërore. Edhe letërsia e Kosovës, në veçanti, duhet të trajtojë pa ekuivokë periudhat e vështira, përfshirë sundimin komunist serb dhe pasojat e tij në identitetin kombëtar e deri tek dhuna përmanente për pesë shekuj e Perandorisë Otomane. Në këtë prizëm, “Kthimi” synon një rikthim të shumëfishtë: tek vetvetja, tek e vërteta, tek rrënjët arbërore dhe tek kultura shekullore që, në shumë raste, ka treguar qëndrueshmëri më të madhe ndaj tjetërsimit sesa fusha të tjera të jetës shoqërore.
Letërsia shqiptare kërkon sot një qasje të re dhe një shqyrtim dinjitoz. Ajo duhet parë në radhë të parë nga këndvështrimi artistik, por pa e shkëputur nga dimensioni i saj kulturor dhe historik. Si e tillë, ajo mbetet pjesë e pandashme e letërsisë europiane dhe asaj amerikane, në përputhje me lidhjet tona kulturore dhe gjeopolitike, por jo duke glorifikuar një sundim pesë shekullor dhe duke i stolisur gjurmët e atij sundime, qoftë kjo stolisje edhe nëpërmesë objekteve të kultit e të fesë. Të gjitha ato janë pjesë e dhunës që kundërmon pasoja dhe dëme të pa riparueshme. Sepse në Kosovën e vogël vetëm pas përfundimit të luftës është investuar në këto objekte më shumë se sa në shkolla dhe spitale të vendit. Në këtë kuadër, trilogjia “Kthimi” duhet parë si një kontribut që hap shtigje të reja për studimet shqiptare, duke ofruar një model të ndërthurjes së traditës me kërkesat e kohës.
Si vepër, romani ka një shtrirje të gjerë dhe një strukturë të ndarë në tri pjesë, por në thelb ai bashkon interesin arbëror me misionin shpirtëror të autorit. Ai dëshmon aftësinë për ta vënë letërsinë në shërbim të fesë dhe, njëkohësisht, të dyja bashkë në shërbim të interesit kombëtar. Trilogjia e rrëfimit “Kthimi” mund të lexohet si një vepër kulturore në kuptimin më të plotë të fjalës, por edhe si një tekst me dimension të theksuar fetar. Pikërisht ky dyzim e bën autorin të veçantë: përmes gjuhës artistike, ai arrin të arsyetojë devijimet njerëzore dhe të vlerësojë aktin e kthimit, qoftë si rikthim në të vërtetën personale, qoftë si kthim në atdhe pas një rruge të gjatë sakrificash ose edhe si kthim në fenë e të parëve arbëror.
“Kjoftë lëvdua e nderua,
Zoja e Bekueme,
Nëna e Tenzot,
zân pa mëkat të rrjedhshëm.
O, Jezusi im, na i fal mëkatet tona,
shpëtona prej flakës së ferrit,
e çoi në parriz gjithë shpirtrat,
por sidomos ata që kanë ma shumë nevojë
për mëshirën tande!”
(f.204)
Pjesën e dytë e romanit, “Kthimi”, mund të kategorizohet edhe si roman historik. Ngjarjet lidhen ngushtë me sakrificën e Pjetër Bogdanit, e të Martirëve të Karadakut dhe me figurat e njohura si Burrat e Besës, të cilët sakrifikuan vetën dhe familjet e tyre për Fé dhe për Atdhe. Brenda kësaj kornize historike, ndërthuren edhe dimensione filozofike dhe teologjike, të cilat e pasurojnë tekstin dhe e thellojnë reflektimin mbi besimin, të vërtetën dhe paqen me vetveten.
3.
“Atë Antoni ishte zgjuar herët dhe, si është rregulli i jetës së priftërinjëve, shkoi të lutej. Rrinte në gjunjë në bankën e parë të kishës së kuvendit të etërve Lazaristë, në Stamboll e përpiqej të lutej për besimtarët e tij, që kushedi se ku i kishin tretur”, (f.213). Fati i frat Antonit ishte i njejtë si i besimtarëve, vetëm se udhëtimi i tij për në Stamboll nuk i kishte vuajtjet e njëjta si të Burrave të Besës nga Karadaku i Kosovës. Paqja e romanit ndërtohet mbi të vërtetën, dhe rrëfeht si para njeriut, ashtu edhe para Zotit, ky dualitet e bën misionin letrar jo vetëm të rëndësishëm, por thellësisht të domosdoshëm për kohën në të cilën jetojmë. Sakrifica e Atë Antonit, fratit të Kishës në Letnicë, është figura me interesante e sakrificës në emër të besimit për besimtarët e vet e të Kishës në Letnicë. Ai kishte marrë atë aventurë, për të dëshmuar se edhe Jezu Krishti është kryqëzuar për të vërtetën dhe besimin në Zot. Në këtë kuptim, romani “Kthimi” nuk është thjesht një rrëfim historik apo një krijim artistik i izoluar, ngjarja e tij është një reflektim i thellë mbi fatin e njeriut shqiptar, i vendosur njëkohësisht në dy plane: atë të historisë dhe atë të aktualitetit. Ndërmjet këtyre dy kohëve nuk ndryshon thelbi i së vërtetës, por ndryshojnë vetëm rrethanat që e mbështjellin atë. Madje, mund të thuhet se e vërteta tragjike e së tashmes është shpesh më e rrezikuar, sepse ajo mbulohet dhe shtrembërohet nga interesat individuale, nga mendësia e çoroditur dhe nga një krizë e thellë shpirtërore që e dëmton njeriun në raport me vetveten dhe me të tjerët. Rreziku i tanishëm ndërlidhet me fatin tragjik në të kaluarën të këtij populli. Veziri i Stambollit kishte njoftime se “shumë grupe dhe lëvizje të ndryshme po i organizojnë arnautët, për tu ndjerë shqiptarë. Ata, të mbështetur nga familja Frashëri dhe disa diplomatë, po promovojnë zakonet dhe gjuhën e tyre shqipe, të cilën e kemi mallkuar jo vetëm ne, po i kemi detyruar që ta mallkojnë edhe sllavët edhe grekët”, (f.218), dhe kjo spirale antishqiptare tërhiqet edhe sot në të tri planët, por rikthimi turk, me monumentët e kultit e të fesë ka shprishur mendjen e shqiptarit. Sot në Dardaninë e tyre dominojnë leshrat e përziera, dhe me një gjuhë gjysëm shqipe e gjysëm orientale kanë vënë në krizë identitetin kombëtar. Dhe nëse në vitet e krizës së madhe kur Burrat e Besës torturoheshin shqiptarët dhe kur Perandoria Otomane mendonte se çështja shqiptare pothuajse qe mbyllur, filloi edhe atëherë një Rilindje e Re Kombëtare e prirë nga Vëllezërit Frashëri, siç i përmend vet autori, dhe kishin bërë ta tronditnin edhe Portën e Lartë se si “Ata, ashtu të mallkuar prej të gjithëve, prapë e duan”, (po aty, f.218), atdheun e tyre, ndërsa sot ky mallkim kundër Arbërisë po i vjen nga vetvetja, nga djemtë plangprishës, andaj alarmi është në shkallën e lartë të rrezikut. Kjo gjendje nuk pengohet nga frazat letrare të këtij romani, por nga vetëdija e shëndosh kombëtare e cila po heziton për t’u përballur me këto rryma ekstremiste të cilat për shoqërinë tonë janë të huaja, ose janë pjesë e agjendave serbo-turke dhe pjesa jugore e atdheut edhe e agjendës greke, pa i përjashtuar edhe e dhjetëra shërbime të huaja që kalorojnë në trojet tona pa pikë frige dhe pa asnjë pengesë.
Në këtë sfond, kthimi tek rrënjët dhe tek e vërteta është domosdoshmëri, dhe në funksion të Atdheut dhe në shërbim të besimit në Zot, jo se paraqitet domosdoshmëri morale, por duhej të shpallej gjendje rreziku në përmasa shtetërore, ushtarake dhe të sigurisë kombëtare. Dhe qysh atëherë qenka theksuar se “edhe nëse e arrijnë pavarësinë politike, ne do të vazhdojmë t’u sundojmë shpirtin”, (f.219), dhe sundimi aktual i shpirtit të një pjesë të shoqërisë, janë leshrat e kërleshura, bashkë me analist të mediave në vend, dhe kleri mysliman me predikimet nëpër objektet e kultit fetar mysliman. Prandaj them se ky roman duhet me u shndërruar në një akt të rezistencës aktive ndaj tendencës së hapur për errësim të mendjes dhe të mashtrimeve publike, një përpjekje për të dokumentuar, edhe në planin artistik, dhunën historike që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive. Dhe, nëse kjo dhunë do të kishte prekur vetëm një grup të caktuar, siç janë Burrat e Besës, ajo do të ishte tashmë e rëndë; por historia dëshmon për një errësirë shekullore, për një periudhë të gjatë përndjekjeje dhe shkatërrimi, përmasat e së cilës janë të vështira për t’u përmbledhur vetëm me fjalë e një romani. Por ajo që shqetëson është e tashmja kaq e trazuar, e tundosur, e hamendsuar dhe për keqardhe edhe e influencuar nga agjenda të huaja. Prandaj:
“M’ndihmo, Zot, s’i m’ke ndihmua,
Djalin tem un’ me vajtua.
Më jep, zâ e me jep lot,
T’vajtoj djalin, o i madhi Zot…”
(f.229)
Përmes këtyre vargjeve që mund të adaptohem për një vajtim modern, “ku kemi qenë e ku kemi ra,/ s’ka ujë oqeni që mundet me na la”, së këndejmi romani “Kthimi”, përvojës historike i rikthehet me një freski tronditëse, duke e bërë të prekshme mënyrën e ushtrimit të dhunës dhe të persekutimit përgjatë shekujve. “Qëndresa jonë është e palëkundur,/ Besa jonë nuk mundet të thyhet,/ Fesë tonë s’i biem më mohit,/ Do jetojmë, hej-hej do t’jetojmë”, (f.238), por sot si asnjëherë mo parë po i biem mohit të gjuhës dhe traditës, po i biem mohit të luftës dhe sakrificës. Kjo na bënë me parë romanin që i flet më shumë të tashmës se sa i rrëfen kaq artistikisht të shkuarës, sado e shëmtuar të ketë qenë ajo kohë. Pikërisht për këtë arsye, përballë një dëshmie të tillë letrare dhe historike, heshtja e tanishme nuk është më një alternativë. Përkundrazi, kjo trilogji letrare bart potencialin për të kaluar edhe me forma të tjera shprehëse, siç është filmi, një medium që komunikon më drejtpërdrejt me publikun e gjerë dhe që mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin kolektiv mbi sakrificat e bëra nën sundimet shekullore, qoftë ai otoman apo serb, për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të besimit në Zot e në Fénë Europiane, në të tashmën me kaq shumë dilema. Fuqitë e mëdha edhe tani kanë ngritur çështjen e devijimit të rrugës së paqës, sikurse edhe atëherë “Ambasdori i Francës, disa herë kishte ngritur pranë Portës çështjen”, (f.239), e Burrave të Besës nga Karadaku i Gjilanit.
Jam mjaftë i sigurt, se ajo që e bën veprën edhe më të fuqishme është mënyra e trajtimit të kësaj dhune. Autori nuk bie në ndikime emocionale apo në gjuhë të ashpër; përkundrazi, ai ruan një ekuilibër të admirueshëm etik dhe estetik. Përmes një ligjërimi të kujdesshëm, ai shpalos jo vetëm mizorinë e kohës, por edhe dobësitë njerëzore, siç janë: lakmitë, frika, lëkundjet shpirtërore dhe më e keqja edhe përbuzja e identitetit shqiptar, duke ia fyer flamurin, dhe duke atakuar figurat e rëndësishme kombëtare. “Ti që ke shëruar të sëmurit, a nuk e sheh se si po lëngojmë në këtë vend të mallkuar”, (f.256), është fjala për kënetat e Muhaliqit, që ishin bërë klithmë e të internarve shqiptarë nga Karadaku i Gjilanit. Andaj gjatë romanit në shumë raste, personazhet që bien pre e këtyre dobësive përjetojnë pendesë, duke krijuar kështu një dimension të thellë moral në rrëfim, kurse rikthimi i tyre te e vërteta e krishtere, duhet t’i stimuloj për një veprim të tillë edhe brezin zyrtar dhe atë intelektual në vendin tonë. Kjo pendesë duket sikur e përmbush amanetin e Burrave të Besës, duke i dhënë veprës një shtresë të fuqishme reflektimi mbi faljën dhe rikthimin.
Ma në fund, përpjekjen e Atë Antonit, për ta gjetur grigjen e besimtarëve të vet, ardhja e telegramit nga lazaristët në Bursa, drejtuar Kuvendit në Stamboll, e gëzoi shumë, telegram në të cilin thuhej: “Në varrezat Armene, afër Muhaliqit, motrat tona kanë takaur një djalë me emrin Gjon, që fliste shqip. Ne nuk patëm mundësi t’i takonim të tjerët, pasi ishim të detyruar të ktheheshim në Bursa. Por, kur të shkojmë herën tjetër, do mund t’ju themi më shumë. Pra, sa kemi mundur me marrë vesh, emigrantët që ju po i kërkoni, duhet të jenë në kënetat e Muhaliqit”, (f.267), dhe si askush tjetër këtij telegrami iu gëzua frati i Kishës në Letnicë, i cili që prej fillimit ishte duke i kërkuar nëpër dyertë dhe zyrat e Portës së Lartë, për t’i gjetur besimtarët e vet besnik dhe për të mësuar më shumë për fatin e tyre. Në këtë përpjekje të fratit kishin ndihmuar pothuajse të gjithë ambasadorët e Fuqive të Mëdha që aso kohe ishin të vendosur në Stamboll.
Një element tjetër i rëndësishëm është etika gjuhësore e romanit. Gjuha mbetet e pastër, e përmbajtur dhe dinjitoze, pa rrëshqitur në banalitet apo në gjykime të nxituara. Çdo lëkundje e shpirtit njerëzor trajtohet me ndershmëri dhe me respekt, ndërsa qëndrimi i Burrave të Besës paraqitet si një qëndrim i drejtë dhe i lidhur ngushtë me fatin historik të popullit dhe të atdheut. Në këtë mënyrë, romani shpalos një humanizëm të thellë, të mbështetur në mirëkuptim, falje dhe në shpresën se mëshira hyjnore mund të prekë edhe çdo njërin në ditët e sotme. Dhe si duket edhe Zoti, ma në fund i kishte kthyer sytë kah fati i Burrave të Besës, veçmas kur e panë Fratin e Kishës në Letnicë që i kishte gjetur në kënetat e Muhaliqit besimtarët e vet, të cilëve përveç ushqimeve, transferit në një vend më të sigurt u bë prioritet, duke iu tregon se riatdhesimi i tyre ishte i pashmangshëm, vetëm se ai nuk dëshironte që ata t’i dëmtonte edhe më shumë dimri që po afrohej,
Kthimi, në këtë kontekst, nuk është një proces i lehtë. Ai është i dhimbshëm dhe kërkon përballje me vetveten, por mbetet i domosdoshëm, sidomos në një kohë të mbushur me tundime dhe devijime. Edhe njeriu i sotëm shqiptar, shpesh i shtyrë nga interesa të ngushta dhe nga lakmia, rrezikon të humbasë drejtimin e së vërtetës, qoftë historike, fetare apo atdhetare. “Zoti nuk i lëshon dore të bijtë e bijat e vet”, (f.290), por në momentin që vet ata heqin dorë nga identiteti kombëtar dhe haptas mbrojnë agjenda turke dhe arabe, edhe pse Zoti përseri nuk do t’na lëshon, por jam i sigurt se Europa dhe Amerika kanë dhënë shembuj të bollshme në Irak, Afganistan dhe Siri se si janë tërhequr, dhe fatin e atyre popujve i kanë lënë në mëshiren e atyre agjendave që i kanë përqafuar, dhe kjo frikë mua më ka mbërthyer gjatë tërë kohës që isha duke lexuar këtë roman sa artistik po aq i trishtët për vuajtjet që kanë përjetuar Burrat e Besës, vetëm pse kanë dashur të besojnë në fenë e tyre dhe dasmat dhe festat t’i mbanin nën flamurin e Gjergj Kastriotit. Sepse ata mendonin se “po t’i binim mohit fesë sonë, ne mund të kishim të gjitha të mirat nga ‘turqit tanë’, atje në tokat tona”, (f.296). Mendoj se ky konstatim i gjetur në roman nuk ka nevojë as për krahasim as sqarim të mëtutjeshëm se cilët janë “turqit e serbet tanë” që flasin shqip, kjo nuk do sqarim tjetër. Prandaj, kthimi në identitetin kulturor, në ndërgjegjen atdhetare dhe në fenë e të parëve, siç e përshkruan autori, duhet të nisë mbi bazën e dashurisë dhe të sinqeritetit. Ai kërkon një hulumtim të ndershëm të rrënjëve familjare dhe të traditës shqiptare, në një kohë kur hapësira shqiptare në Ballkanin Perëndimor përballet me forma të reja të fanatizmit dhe me narrativa që rrezikojnë të deformojnë identitetin arbëror.
Në këtë pikë, romani artikulon një besim të fortë: Se kombi shqiptar, i mbështetur në trashëgiminë e Burrave të Besës, do të arrijë ta gjejë rrugën e së vërtetës. Kjo rrugë përshkruhet përmes tri etapave themelore të “kthimit”: së pari, kthimi kulturor; së dyti, kthimi historik; dhe së treti, kthimi shpirtëror, i cili, në terminologjinë fetare, mund të kuptohet si një kthim sakramental. Këto tri nivele përbëjnë një proces të plotë të rigjetjes së identitetit, të së kaluarës dhe të së tashmes.
Në një realitet ku zhvillimet gjeostrategjike bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara, kjo nevojë për kthim bëhet edhe më urgjente. Shqiptarët, si pjesë e hapësirës europiane, janë të thirrur të ndajnë fatin e tyre me popujt e këtij kontinenti, duke përballuar së bashku sfidat dhe rreziqet e kohës. Në këtë drejtim, romani sugjeron një ide të qartë: lutja pa veprim nuk mjafton. Kthimi duhet të jetë një akt konkret, një vendim i vetëdijshëm për t’iu afruar së vërtetës. Shih se si edhe në rrethanat më të tmerrshme Burrat e besës edhe në kënetat e Muhaliqit, kur kanë kryer meshën, “Zefi mbante shqiponjën e Kola kryqin… dhe të gjithë me radh puthnin radhazi kryqin dhe flamurin”, (f.311), dhe ishin betuar të gjithë, sepse për atë Kryq dhe atë Flamur, jetën e tyre e kishin sakrifikuar. Ndërsa anakronia e të tashmës moderne dëshmon se si Flamuri quhet leckë e Shqiponja sorrë, se si fyhet Pjetër Bogdani, Gjergj Kastrioti, Shën Tereza, Ibrahim Rugova dhe simbolet tjera që u flijuan për Atme e për Fé.
Pavarësisht motivit të brendshëm që ka romani, vlera e tij letrare, kulturore dhe artistike mbetet e padiskutueshme. Ai do të vazhdojë traditën e gjatë të letërsisë me frymë pastorale, e cila historikisht ka qenë e lidhur ngushtë me ruajtjen e së vërtetës dhe të identitetit kombëtar. Në këtë vijë, unë e pash dhe e kam shyrtuar romanin “Kthimi” i cili paraqitet si një vepër që ruan konturet e historisë kombëtare, ruan një kontinuitet dhe përputhet me traditën e klerikëve-shkrimtarë dhe artistikisht dëshmon se e vërteta fetare kollaj mund të shndërrohet në letërsi të fuqishme dhe tërheqëse.
Përmes kësaj vepre, autori kontribuon në pasurimin e së tashmes kulturore në gjuhën shqipe, duke sjellë një mesazh të qartë për një rilindje shpirtërore dhe identitare. Lexuesi përballet me një realitet tronditës historik, veçanërisht përmes ngjarjeve të lidhura në Malësinë e Shkupit që sot e njohim si Karadaku i Gjilanit, duke ftuar intelektualin dhe zyrtarin shtetëror të reflektojë mbi të kaluarën dhe mbi përgjegjësinë ndaj së tashmes, dhe të lutet për lirinë tonë sipas Formulës së Pagëzimit: “Unë po të pagëzoj, në emen të Atit e të Birit e të shpirtit Shenjt”, (f.322), dokument i zbuluar nga “historiani Nikolla Jorga, është njëherësh edhe dokumenti i parë i gjuhës shqipe”, (fusnota 126, f.387).
Vetë autori ka theksuar nevojën për ruajtjen e ekuilibrit dhe të tolerancës ndërfetare, duke e parë paqen dhe lirinë si arritje kolektive që duhet të kultivohen dhe të mbrohen vazhdimisht. Në këtë frymë, romani paraqitet si një ftesë për çdo individ që të reflektojë mbi vetveten dhe të kërkojë qetësinë shpirtërore në përputhje me të vërtetën. Dhe dua të parafrazojë autorin: “A e dini ju që po bëhen gati tri dekada, që kur e kemi larguar nga vendi ynë serbin. Duhet ta falënderojm Zotin së pari, pastaj edhe Amerikën, që nuk i largoi asnjëherë sytë nga Kosova, por ne kah i kemi kthyer sytë tanë?! Jemi ende larg të mirave që jemi zotuar se do t’i përmbushim porasa të çlirohet vendi ynë”, (parafrazim nga faqja 333).
Pos të tjerash, mund të thuhet se kjo dhunti e rrëfimit letrar, e ushqyer nga përvoja shpirtërore dhe kulturore, e shfaq autorin si një zë baritor i veçantë në letërsinë bashkëkohore shqipe. Me trilogjinë “Kthimi”, e vërteta del në pah si një domosdoshmëri e pashmangshme, një thirrje e përbashkët për t’u kthyer, jo vetëm individualisht, por si shoqëri, drejt një horizonti më të qartë dhe më të drejtë, drejt së ardhmës.
PËRMBYLLJE
“- Po, si i ke nga shtëpia, si janë robtë, o Demush? – e pyeti Bardh Ballabani. – Në radhë të parë, unë nuk jam Demush, por David Berisha. E së dyti, nuk kam rob në shtëpinë teme, po kam familjarë që do të thotë prind e vëllazni, djem e çika, nipa e mbesa, kunata e bija”, (f.344), e pastaj Davidi i shpjegoi Bardhit se më ai nuk është laraman, dhe se kishte ardhur në Stubllaqë për të dhënë lajmin se Burrat e Besës janë gjallë dhe së shpejti kanë me u kthye në Karadak, ndërsa këta asqerë të turkut kanë me marrë përsipër kthimin e tyre nëpër shtëpitë dhe tokat e veta.
Në përmbyllje të këtij leximi kritik, romani “Kthimi” i Imzot Dodë Gjergjit shfaqet si një nga ato vepra që nuk mund të kufizohen brenda një kategorie të vetme letrare apo interpretative. Romani “Kthimi”, është njëkohësisht rrëfim historik, reflektim shpirtëror, analizë kulturore dhe thirrje për ndërgjegjësim kolektiv. Në këtë shumësi dimensionale qëndron edhe forca e tij, sepse vepra nuk synon vetëm të tregojë një histori, por të ndërtojë një urë lidhëse midis së kaluarës dhe së tashmes, midis kujtesës dhe përgjegjësisë, midis njeriut dhe të vërtetës së tij.
Në thelb të romanit qëndron ideja e “kthimit” si një akt i domosdoshëm ekzistencial. Ky kthim nuk është një lëvizje e thjeshtë drejt një pike të caktuar në kohë apo hapësirë, por një proces i thellë i rigjetjes së vetvetes, i rindërtimit të identitetit dhe i rikthimit tek vlerat që e kanë mbajtur gjallë një komb nëpër shekuj. Në këtë kuptim, romani i Imzot Dodë Gjergjit shndërrohet në një metaforë të madhe të fatit shqiptar: një histori e vazhdueshme përballjeje me rreziqet e tjetërsimit dhe me nevojën për të ruajtur thelbin shpirtëror e kulturor. “Kjo është fitorja e së vërtetës tonë mbi mashtrimin. E, mbi të gjitha, kjo është fitorja e të drejtës së Zotit, për të qenë vetja jonë”, (f.361), nga ky pasus e kam nxjerrë edhe titullin e këtij shqyrtimi kritik, pasi mu duke se thelbi i gjithë kësaj tematike nis të zbërthehet, pikërisht në këta rreshta.
T’falemi, o Mëri,
hirplote! Zoti është me ty!
e bekume je mbi të gjitha gratë,
e i bekuem asht fryti i barkut tënd, Jezus.
Të gjithë njerëzit filluan të përgjigjeshin:
Shejtja Mari, Nana e Tenzot,
lutu për ne mëkatarët,
tash e në fill të vdekjes sonë. Amen!
(f.360)
Duke trajtuar historinë e Burrave të Besës, ose siç thotë historigrafia duke trajtuar sakrificën e Martirëve të Karadakut, autori rikthen në vëmendje një pjesë të rëndësishme të kujtesës sonë kolektive, e cila shpesh është lënë në hije ose është trajtuar në mënyrë të pjesshme. Përmes një narrative të kujdesshme dhe të ndërtuar me ndjeshmëri, autori arrin të japë jo vetëm përmasën tragjike të këtyre ngjarjeve, por edhe madhështinë morale të qëndresës dhe të besnikërisë ndaj fesë dhe atdheut. Kjo e bën romanin një akt të rëndësishëm të rivlerësimit historik dhe njëkohësisht një përpjekje për të rikthyer dinjitetin e kujtesës. Nuk duhet harruar se: “Vetëm drejt Vërrnakollës, s’pati kush të nisej, pasi e gjithë familja e Demë Vërnakollës, kishte vdekur rrugës”, (f.364).
Megjithatë, rëndësia e veprës nuk qëndron vetëm në rikthimin e së kaluarës, as në përshkrimin e kësaj tragjikje. Ajo shtrihet edhe në mënyrën se si kjo e kaluar duhet të reflektohet në të tashmen. Romani e bën të qartë se kriza e identitetit nuk është një fenomen i përfunduar, por një proces që vazhdon të shfaqet në forma të ndryshme edhe sot. Në një kohë kur globalizimi, interesat e ngushta dhe ndikimet e jashtme rrezikojnë të zbehin vetëdijen kombëtare, na duhet “kthimi në krishterizëm”, që duhet të bëhet një akt i domosdoshëm për të ruajtur ekuilibrin midis hapjes ndaj botës dhe besnikërisë ndaj vetvetes.
Një nga meritat kryesore të romanit është mënyra se si ai ndërthur dimensionin artistik me atë etik dhe shpirtëror, pa rënë në moralizim të drejtpërdrejtë apo në retorikë të tepruar. Gjuha mbetet e pastër, e përmbajtur dhe e mbushur me një ndjeshmëri të hollë, ndërsa personazhet paraqiten si qenie komplekse, të përfshira në dilema të thella njerëzore. Në këtë mënyrë, lexuesi nuk vihet përballë një të vërtete të imponuar, por ftohet ta zbulojë atë përmes reflektimit dhe përjetimit personal. Në të njëjtën kohë, romani hap një diskutim të rëndësishëm mbi rolin e kësaj letërsie në shoqërinë bashkëkohore. “Kthimi” dëshmon se letërsia nuk është thjesht një formë arti e shkëputur nga realiteti, por një mjet i fuqishëm për të ndikuar në ndërgjegjen kolektive, për të ngritur pyetje thelbësore dhe për të orientuar mendimin drejt vlerave të qëndrueshme. Në këtë kuptim, trilogjia “Kthimi” është edhe një thirrje për vetë letërsinë shqipe, që të rikthehet me guxim tek temat e mëdha, tek e vërteta historike dhe tek përgjegjësia e saj ndaj shoqërisë.
Dimensioni fetar i veprës, i ndërthurur natyrshëm me atë kombëtar, i jep romanit një thellësi të veçantë, e benë më të pranueshëm duke larguar gjithësecilin nga tundimi. Besimi nuk paraqitet si një element i izoluar, por si një forcë që ndikon drejtpërdrejt në formësimin e identitetit dhe në qëndrueshmërinë e njeriut përballë sfidave. Në këtë prizëm, kthimi tek feja e të parëve nuk është një akt përjashtues, por një rikthim tek një traditë që ka qenë pjesë e pandashme e historisë dhe e kulturës sonë në Kontinentin e Europës. Kthimi ka kuptimin e pastrimit të shpirtit, e faljes dhe mos hakmarrëjes, sidomos kur vendi është në kriza gjithnjë kombëtarja bashkë me Fenë duhet vënë përpara, ashtu siç ndodhi në ditën kur u kthyen Burrat e Besës, kur “BESA kishte ngadhënjyer mbi forcën e tyre, që burrnia kishte fituar mbi ligshtinë e tyre dhe që e vërteta, të cilën ata e mohonin, do të mbetet gjithnjë turpi…”, (f.366), i kolaboracionistve dhe njerëzve të tjerë me damkë dhe të atyre që i kanë mëshuar mohit Fesë dhe Atdheut.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është trajtimi i faljes dhe i pendesës. Romani nuk e ndërton narrativën mbi ndarje të ngurta midis të mirës dhe të keqes, por e sheh njeriun në kompleksitetin e tij, duke i dhënë hapësirë edhe mundësisë së rikthimit dhe të shëlbimit. Kjo e bën veprën jo vetëm një rrëfim të dhimbjes, por edhe një tekst shprese, ku e ardhmja mbetet e hapur për ata që janë të gatshëm të përballen me të vërtetën e tyre. Atë ditë përveç Meshës, në kodrën e Stubllaqës janë bërë pajtime dhe kanë ndodhur krushqi në mes familjes së Pjetër Koliqit e Riza Jasharit, ka ndodhur pendimi i Familjes Shabanaj, dhe “Kështu u bë festë, Pashkë, pajtime e dasmë”, (f.375), dhe kur e kanë marrë të gjithë “bekimin prej fratit e u shpërndanë në shtëpitë e veta”, (po aty, f.375).
Në një plan më të gjerë, trilogjia “Kthimi” mund të shihet si një projekt kulturor që synon të rivendosë lidhjet e ndërprera midis traditës dhe modernitetit, midis identitetit kombëtar dhe përkatësisë europiane. Autori sugjeron se këto dy dimensione nuk janë në kundërshti, por mund dhe duhet të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike, duke i dhënë shoqërisë shqiptare një orientim më të qartë europian, në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.
Përfundimisht, romani i Imzot Dodë Gjergjit mbetet një vepër që kërkon të lexohet jo vetëm me mendje, por edhe me ndërgjegje. Ai nuk afron përgjigje të lehta, por shtron pyetje të vështira; nuk imponon rrugë të gatshme, por sugjeron nevojën për kërkim të vazhdueshëm. Dhe pikërisht në këtë pikë qëndron vlera e tij më e madhe, pikërisht në aftësinë për të zgjuar tek lexuesi ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetvetes, ndaj historisë dhe ndaj së vërtetës. Sepse, në fund të fundit, “kthimi” nuk është vetëm një temë letrare, është një domosdoshmëri e përhershme e njeriut dhe e kombit për të mos humbur rrugën drejt vetvetes. Tamam ashtu siç bëhet “kthimi” i mërgimtarëve në Atdhe, edhe shoqëria jonë duhet ta bëjë “kthimin” kolektiv në identitetin e vet europian.
Prishtinë, 27 mars 2026

Postimi i Mëparshëm
