KARDINAL ERNEST SIMONI NDEROHET ME HYJNESHËN N’FRON NGA KRYETARI I PRISHTINËS, Z. PËRPARIM RAMA

Dje, më 8 prill 2026, në orët e pasdite, Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, priti kardinalin shqiptar, Hirësinë e Tij Ernest Simoni, i shoqëruar nga ipeshkvi ynë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji. Për ta nderuar këtë personalitet të veçantë të popullit tonë, z. Rama e nderoi atë me figurën “Hynesha n’Fron”, simbolin e kryeqytetit, që vjen nga lashtësia jonë dardane.

 

Z. Rama në profilin e tij zyrtar ka shoqëruar këtë vizitë dhe këtë akt nderi duke e përshkruar si një nderim të madh për Prishtinën. Postimi i tij i plotë:

Një jetë që dëshmon se dinjiteti i njeriut nuk thyhet, kjo është forca që përfaqëson Kardinali Ernest Simoni.

Mirëprita në Odën e Kryeqytetit një figurë të rrallë të besimit dhe qëndresës. Pas viteve të gjata burgimi e sakrifice, ai nuk doli me urrejtje, por me falje dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e tij.

Në emër të qytetarëve të Kryeqytetit i dhurova hyjneshën n’fron si simbol mirënjohjeje dhe respekti. Le të jetë kjo një kujtim i rrënjëve tona të lashta, i forcës dhe shpirtit të Dardanisë që jeton në ne.

Prishtina është e nderuar të mirëpresë një histori që frymëzon dhe një shembull që na kujton forcën e vërtetë të njeriut.”

Kardinal Simoni qëndroi në Kosovës, përkatësisht në Prishtinë, në 70-vjetorin e shugurimit meshtarak, për nder të të cilit u mbajt një koncert në Katedralen Shën Nënë Tereza nga Fondacioni Italian “Kardinal Bartolucci” në bashkëpunim me Dioqezën Prizren-Prishtinë.

Shpëndaje: