
Koncili II i Vatikanit deshi t’ia kushtojë kapitullin e fundit të Kushtetutës dogmatike mbi Kishën Virgjërës Mari (khs. Lumen gentium, nr. 52-69). Ajo «njihet si anëtarja më e lartë dhe krejtësisht e veçantë e Kishës, figura dhe modeli më i shkëlqyer i saj në fe dhe në dashuri» (nr. 53). Këto fjalë na ftojnë të kuptojmë se në Marinë, e cila nën veprimin e Shpirtit Shenjt pranoi dhe lindi Birin e Hyjit të ardhur në trup, mund të njihen si modeli, ashtu edhe anëtarja e shkëlqyer dhe nëna e tërë bashkësisë kishtare.
Duke lejuar të formësohej nga vepra e Hirit, që erdhi të përmbushej në Të, dhe duke pranuar dhuratën e Tejetlartit me fenë dhe dashurinë e saj virgjërore, Maria është model i përsosur i asaj që mbarë Kisha është e thirrur të jetë, krijesë e Fjalës së Zotit dhe nënë e bijve të Hyjit, të lindur në dëgjueshmëri ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt. Për më tepër, duke qenë besimtarja në kuptimin më të plotë të fjalës, në të cilën na jepet forma e përsosur e hapjes së pakushtëzuar ndaj misterit hyjnor në bashkimin e popullit të shenjtë të Hyjit, Maria është anëtare e shkëlqyer e bashkësisë kishtare. Së fundi, duke lindur bij në Birin, të dashur në të Dashurin e amshuar që erdhi ndër ne, Maria është Nëna e mbarë Kishës, së cilës mund t’i drejtohet me besim bijëror, në sigurinë se dëgjohet, ruhet dhe dashurohet.
Mund të shprehej tërësia e këtyre veçorive të Virgjërës Mari duke folur për Të si për gruan ikonë të Misterit. Me termin grua vihet në dukje konkretësia historike e kësaj bije të re të Izraelit, së cilës iu dha të jetojë përvojën e jashtëzakonshme të bëhej Nëna e Mesisë. Me shprehjen ikonë theksohet se në Të realizohet lëvizja e dyfishtë e zbritjes dhe e ngjitjes: në Të shkëlqen si zgjedhja falas nga ana e Hyjit, ashtu edhe pëlqimi i lirë i fesë në Të. Prandaj, Maria është gruaja ikonë e Misterit, domethënë e planit hyjnor të shëlbimit, të fshehur dikur dhe të zbuluar plotësisht në Jezusi Krisht.
Koncili na ka lënë një mësim të qartë mbi vendin e veçantë të rezervuar për Virgjërën Mari në veprën e Shëlbimit (khs. Lumen gentium, nr.60-62). Ai ka kujtuar se i vetmi Ndërmjetës i shpëtimit është Jezu Krishti (khs. 1 Tim 2,5-6) dhe se Nëna e tij tejet e Shenjtë “në asnjë mënyrë nuk e errëson apo zvogëlon këtë ndërmjetësim të vetëm të Krishtit, por e tregon frytshmërinë e tij” (LG, nr. 60). Në të njëjtën kohë, “Virgjëra e lume, e paracaktuar që prej amshimit brenda planit të mishërimit të Fjalës për të qenë Nëna e Hyjit, […] bashkëpunoi në mënyrë krejt të veçantë në veprën e Shëlbuesit, me dëgjesën, fenë, shpresën dhe dashurinë e zjarrtë, për t’ua rikthyer shpirtrave jetën mbinatyrore. Për këtë arsye ajo u bë për ne nënë në rendin e hirit» (po aty, nr. 61).
Në Virgjërën Mari pasqyrohet edhe misteri i Kishës: në Të populli i Hyjit gjen të përfaqësuar zanafillën e vet, modelin dhe atdheun e vet. Në Nënën e Zotit, Kisha sodit misterin e vet, jo vetëm sepse gjen aty modelin e fesë virgjërore, e dashurisë amnore dhe të besëlidhjes nusërore, për të cilën është e thirrur, por mbi të gjitha sepse njeh në të arketipin e vet, figurën ideale të asaj që është e thirrur të bëhet.
Siç mund të shihet, reflektimet mbi Virgjërën Nënë të mbledhura në Lumen gentium na mësojnë ta duam Kishën dhe të shërbejmë në të përmbushjen e Mbretërisë së Hyjit që po vjen dhe që do të realizohet plotësisht në lavdi.
Le të lejojmë pyetemi nga ky model i madhërishëm, që është Maria, Virgjër dhe Nënë, dhe t’i kërkojmë asaj të na ndihmojë me ndërmjetësimin e saj për t’iu përgjigjur asaj që na kërkohet përmes shembullit të saj: a e jetoj me fe të përvuajtur dhe vepruese përkatësinë time ndaj Kishës? A e njoh në të bashkësinë e besëlidhjes që Hyji ma ka dhuruar për t’iu përgjigjur dashurisë së tij të pafund? A ndihem pjesë e gjallë e Kishës, në dëgjesë ndaj barinjve të dhënë nga Hyji? A e shoh Marinë si model, anëtare të shkëlqyer dhe Nënë të Kishës, dhe a i kërkoj asaj të më ndihmojë të jem dishepull besnik i Birit të saj?
Motra dhe vëllezër, Shpirti Shenjt, i cili zbriti mbi Marinë dhe që ne e thërrasim me përvujtëri e besim, na e dhëntë hirin t’i jetojmë plotësisht këto realitete të mrekullueshme. E, pasi kemi thelluar Kushtetutën Lumen gentium, t’i kërkojmë Virgjërës të na e fitojë këtë dhuratë: le të rritet në të gjithë ne dashuria për Kishën e Shenjtë Nënë. Ashtu qoftë!/drita.info
Përkthimi: Rev. “DRITA”

Postimi i Mëparshëm
