
“Unë i dua ata që më duan dhe më gjejnë ata që më kërkojnë me kohë. Me mua janë kamja, lavdia, të mirat që s’kalojnë e drejtësia” (Fu 8,17-18).
“Shuplakat e veta i ka hapur për nevojtarin dhe ua ngjet dorën të mjerëve” (Fu 31,20).
“Shtrëngoje e do të të lartësojë, do të të japë lavdi nëse do ta pushtosh. Me kokën tënde do ta vërë një kezë të hijshme dhe do të të stolisë me një kurorë të mrekullueshme” (Fu 4,8-9).
“O Mari e Bekuar,” thërriste Shën Augustini, “kush është aq i aftë të të lavdërojë dhe të të falënderojë ty—ty që, duke thënë vetëm një herë: ‘U bëftë siç the ti’, u ngrite për t’i ardhur në ndihmë një bote të humbur?”
Mund të themi se Maria ishte e krishtera e parë. Është e vërtetë që fjala nuk përdorej gjatë jetës së Zotit tonë, por ajo ishte pa dyshim e para që e pranoi Atë në tokë dhe iu përkushtua përgjithmonë shërbimit të Tij. Dhe cila ishte shtysa e saj e parë pas këtij akti adhurimi dhe përkushtimi? Ajo u nis menjëherë, “me nxitim”, siç na tregon Ungjilli, për t’i ardhur në ndihmë një të afërmeje të moshuar; dhe vetëm tingulli i zërit të saj bëri që Gjon Pagëzuesi në kraharorin e nënës dhe nëna e tij e shenjtë ta njohin se i Lyeri i Hyjit kishte ardhur më në fund në këtë botë mëkatare; dhe ata bashkuan lavdërimin e tyre me të sajin.
Më vonë, kur Zoti ynë mblodhi rreth vetes nxënësit e parë dhe ata u sollën para Nënës së Tij, çfarë bëri ajo? Përsëri filloi duke menduar për të tjerët: “Nuk kanë verë”, tha ajo me kujdesin e saj të butë. Dhe cili ishte rezultati? Një tjetër mrekulli, që bëri, siç thuhet, që nxënësit të besonin në Të. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë gjithmonë: nëse gjejmë Marinë, ajo do të na çojë te Biri i saj hyjnor dhe do të na thotë: “Bëni gjithçka që Ai t’ju thotë”; “Nëse e doni, mbani urdhërimet e Tij.” Vërtet, “ajo është për njerëzit një thesar i pashtershëm; kush e fiton, fiton miqësinë e Hyjit” (Ur 7).
Sa ndihmë e madhe ishte Zoja jonë për Apostujt dhe të krishterët e parë pas Ngjitjes së Krishtit në Qiell, me këshillat e saj të urta, shembullin e saj të shenjtë dhe, mbi të gjitha, me ndërmjetësimin e saj të zjarrtë! Sepse nëse “lutja e vazhdueshme e të drejtit ka fuqi të madhe”, sa më e fuqishme është lutja e Nënës së Hyjit! E dimë se mbreti Salomon i dha Mbretëreshës së Sabës gjithçka që ajo kërkoi, madje edhe më shumë nga bujaria e tij mbretërore.
Sa më shumë, pra, Ai që është më i madh se Salomoni do t’i japë Mbretëreshës së Qiellit, e cila është edhe Nëna e Tij! Nëse lutja e Marisë ishte kaq e fuqishme në tokë, aq më shumë është tani në qiell, kur ajo ndërmjetëson për bijtë e saj të shpërndarë në mbarë botën, të cilët i do me një dashuri të veçantë. Pas Jezusit, askush nuk na do si Maria, sepse ajo më shumë se kushdo tjetër e njeh vlerën e shpirtit dhe zemra e saj ka një aftësi më të madhe për të dashur.
Prandaj, le t’i drejtohemi asaj në çdo nevojë. Ajo është Zoja e Ndihmës së përhershme, gjithmonë gati, gjithmonë pranë për të na dëgjuar dhe për të na ndihmuar. Ashtu si fëmijët i drejtohen nënës së tyre në çdo vështirësi, ashtu edhe ne le t’i drejtohemi Marisë. Çfarëdo që të na ndodhë, nëse i drejtohemi me besim dhe strehohemi nën mantelin e saj, gjithçka do të shkojë mirë.
Nuk mund të dyshojmë as në fuqinë e saj për të na ndihmuar, as në vullnetin e saj të mirë. Nëse mbreti Salomon u ngrit për të nderuar nënën e tij dhe i vendosi një fron pranë vetes, duke i thënë me respekt të madh: “Nënë, kërko, sepse nuk mund ta refuzoj kërkesën tënde”, çfarë nuk do të bëjë Zoti ynë, Ai që e vendosi në zemrën e mbretit këtë dashuri dhe nderim birnor?
E kemi parë se në dasmën në Kanë Ai nuk mundi t’i rezistonte as shenjës më të vogël të dëshirës së Nënës së Tij, edhe pse ora e Tij ende nuk kishte ardhur. Sa më shumë do t’i dëgjojë kërkesat e saj tani, kur ajo lutet për hir për bijtë e saj ose kërkon për ta një “rrobë të re dasme”, kur ata e kanë njollosur të parën!
Edhe më me zell do t’i përgjigjet dëshirave të saj kur ajo paraqet para Tij nevojat e shpirtrave që punojnë për lavdinë e Tij dhe që vuajnë, sepse nuk e shohin ende plotësimin e plotë të fjalës: “E gjithë toka do të mbushet me njohjen e Zotit.” Sa shumë vende ende nuk e kanë njohur këtë! Le t’i lutemi shpesh Zojës, Ndihma e të krishterëve, që kjo njohje të shoqërohet gjithmonë me dashuri.
Por është mirë që t’i drejtohemi Marisë për çdo gjë, të madhe apo të vogël. Asgjë nuk është tepër e vogël për zemrën e saj amnore dhe asgjë tepër e madhe për fuqinë e saj mbretërore. Le t’i themi: “Shiko mbi shërbëtorët e tu dhe drejto veprat tona… Po, drejto veprat e duarve tona.”
Dhe fatmirësisht për ne, Zoja jonë nuk pret gjithmonë të kërkohet. Ajo ndërhyn vetë. Siç thuhet, nuk kalon asnjë ditë pa u kujdesur për ne dhe pa ndërmjetësuar për ne te Biri i saj. Dhe nuk ndihmon vetëm katolikët, por edhe shumë të tjerë jashtë Kishës, duke fituar për ta hire të panumërta.
E madhe është edhe kujdesi i saj për vendet që ende nuk e njohin Krishtin, si dhe për shpirtrat në Purgator, të cilët ajo i ndihmon në mënyrë të veçantë. Nëse duam ta imitojmë, le të ndihmojmë jo vetëm të krishterët në tokë, por edhe shpirtrat në Purgator, duke ofruar për ta indulgjencat tona.
Le të gëzohemi, pra, që kemi një Ndërmjetëse kaq të mirë, kaq të fuqishme dhe plot dashuri, dhe t’ia besojmë gjithçka asaj:
Nëna Mari, në duart e tua
Shpirtin dhe trupin po i lëmë;
Në punë, pushim, zgjuar a në gjumë,
Qëndro gjithmonë pranë nesh.
Brengat që na mundojnë, gëzimet që na pëlqejnë,
Jetën dhe vdekjen ty t’i besojmë;
Ti bëji të gjitha për Jezusin,
Tani dhe në amshim.
Ndihma e të krishterëve – lutu për ne!
Teksti është marr nga: https://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html
Përthimi dhe përshtatja për revistën “Drita” nga Adelina Palushi


