Dioqeza Sapës kujton Imzot Lucjan Avgustinin në 10-vjetorin e vdekjes me një akademi përkujtimore dhe meshë të shenjtë

Dioqeza e Sapës organizoi një akademi përkujtimore dhe Meshë të Shenjtë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-bariut të saj, Imzot Lucjan Avgustinit. Në këtë ngjarje morën pjesë klerikë, familjarë dhe besimtarë të shumtë.

 

Nga Violeta Marashi

 

Në përvjetorin e 10 të kalimit në amshim të ish bariut të saj, Imzot Lucjan Avgustinit, Dioqeza e Sapës, organizoj Akademi përkujtimore në nder të figurës së tij.

Takimi u zhvillua në Rezidencën e Ipeshkvisë Sapë, ku morën pjesë Ipeshkvinjë, Meshtarë, Motra, familjarët e tij si dhe miq e besimtarët vendas. Nën moderimin e Dom Mark Shtjefnit të gjithë të pranishmit u bashkuan për të kujtuar Imzot Lucjanin që la gjurmë të thella në Kishën Shqiptare, por sidomos në Dioqezën e Sapës dhe ka mbetur në zemrat e të gjithë njerëzve sepse I tillë ishte ai për mënyrën se si e deshti kishën dhe njerëzit.

Fjalën e hapjes së këtij takimi e mbajti Atë Mariano Tarantino, Administratori Dioqezan i Sapës, i cili falenderoi të gjithë të pranishmit duke thënë se është nder për ne dhe mbarë Dioqezën që ta kujtojmë Ipeshkvin tonë të paharruar që shërbeu deri në ditët e fundit të jetës së tij. Atë Mariano kujtoi vitin 2013 kur Imzot Lucjani i kishte kërkuar Gjeneralit të Etërve Karmelitan në Itali disa misionarë, dhe kishte qenë vërtetë një profet, sepse kishte shqyrtuar thellë në jetën e Kishës në Shqipëri dhe kishte vërejtur se i mungonte një shtëpi lutjeje, e cila sot e kësaj dite tashmë është kthyer në një strehë shpirtërore për të gjithë kush dëshiron.

Ndërsa Imzot Dodë Gjergji, miku i jetës së tij, vëllai në Krishtin solli kujtime që kanë lindur dhe janë jetuar mes tyre që në fëmijëri, në thirrjen e tyre meshtarake dhe në shërbimin ndaj Zotit dhe Kishës. Ai kujtoi se dashuria e jonë dhe miqësia e jonë është ndërtuar në ideale të përbashkëta. Mons. Lucjani ishte një njeri që ka besu sikur Abrahami në vullnetin e Zotit, në thirrjen e tij, në Ungjill, në vullnetin e kishës dhe në shërbesën që i është besuar.

Dëshmi dhe kujtime solli edhe vetë Dom Marku, i cili tha se imzot Lucjani të jepte ndjesinë e një ati që donte ta mbante dioqezën në zemrën e vet. Ai ishte njeri lutjeje. Nuk ishte njeri i protagonizmit. Nuk ishte njeri që kërkonte të binte në sy. Kishte diçka shumë ungjillore në mënyrën sesi jetonte. Një thjeshtësi që nuk shtirej. Një përvujtëri që nuk kishte nevojë të reklamohej.

Ky përvjetor i Imzot Lucjanit u përkujtua edhe me Meshën Shenjte të udhëhequr nga Ipeshkvi Emerit i Dioqezës së Tivarit, Imzot Zef Gashi. Kurse pasditja vazhdoi me aktivitetin sportiv të finales së Turneut të Futbollit për djem, ku famullia e Hajmelit u shpall fituese e kupës “Imzot Lucjan Avgustini”. Faleminderit Imzot Lucjani për bariun e mirë që ishe dhe që na mësove të duam me dashurinë e Hyut për vendin dhe për njëri-tjetrin!

Shpëndaje: