
Në Letnicë, në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Bekuar ku Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza vendosi t’ia kushtojë jetën Hyjit, besimtarë nga mbarë Kosova u mblodhën për përmbylljen e muajit të marian.
Letnicë, 30 maj – Mijëra besimtarë mbërritën këtë paradite, të shtunën më 30 maj, nga të gjitha trevat e Kosovës në Shenjtëroren Kombëtare kushtuar Zojës së Bekuar – Zoja e Letnicës – për kremtimin përmbyllës të muajt maj, kushtuar Marisë Virgjër.
Këtu bashkësia katolike u mblodh për kremtimin e Meshës së Shenjtë, në orën 11:00, të kryesuar nga Ipeshkvi i Dioqezës së Prizrenit-Prishtinës, Imzot Dodë Gjergji.
Në homelinë e tij, Ipeshkvi komentoi fragmentin ungjillor mbi vizitën e Zojës së Bekuar te kushurira e saj Shën Elizabeta dhe gëzimin e Marisë që u bë Nëna e Hyjit, dhe harën e Elizabetës dhe të Gjon Pagëzuesit për praninë e Shpëtimtarit – Jezusit.
Ipeshkvi vuri në pah rëndësinë e angazhimit për ungjillizim dhe rizbulimin e fesë, e cila në këto troje daton që nga shekujt e parë. Ai theksoi se, “si të krishterë, duhet ta çojmë këtë fe te të tjerët, ashtu siç bënë paraardhësit tanë trima, duke dëshmuar gëzimin e Ungjillit”. Ky gëzim, shtoi ai, duhet të shpallet, përhapet dhe të zgjohet në zemrat e njerëzve, duke ua sjellë fenë tonë edhe atyre që gjatë historisë i kanë humbur këto rrënjë të krishtera, siç ndodhi gjatë 500 viteve të sundimit osman.
Ashtu si Maria shkoi me gëzim për ta vizituar Elizabetën, “edhe Kisha jonë duhet ta çojë mesazhin e krishterë te njerëzit që gjenden në vështirësitë më të mëdha të jetës, por që janë në kërkim të së Vërtetës, të Zotit tonë”.
Mesazhi i Ipeshkvit Gjergji nxiti besimtarët e grigjës së tij për përkushtim dhe dëshmi në kohën e sotme, që mos të ligështohen përballë sfidave të kësaj bote, por gëzueshëm e plotë guxim të ecin përpara për ta krijuar krishterisht të ardhmen e tyre. Ky mesazh mori një domethënie edhe më të veçantë në praninë e turmës së madhe të besimtarëve të mbledhur në oborrin e Shenjtërores, pikërisht në vendin ku një vajzë e re nga Shkupi, Gonxhe Bojaxhiu, ajo që më vonë do të bëhej Shën Nënë Tereza, vendosi në vitin 1928 të bëhej murgeshë-misionare, duke ia kushtuar jetën Hyjit dhe duke iu shërbyer popujve më të varfër të botës.
Nga Roberto Pagano

Postimi i Mëparshëm
