Papa Leoni XIV: Katekeza mbi Sacrosanctum Concilium,  4. Misteri i Eukaristisë

Të dashur vëllezër e motra, mirëmëngjes dhe mirë se erdhët!

Po vazhdojmë katekezat për dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, veçanërisht për Kushtetutën Sacrosanctum Concilium (SC) mbi Liturgjinë.

Kur Shën Augustini dëshiron t’u shpjegojë të sapopagëzuarve misterin e Trupit të Krishtit, ai rimerr fjalët e Shën Palit që sapo i kemi dëgjuar: «Ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tij» (1 Kor 12,27). Dhe shton: «Ai që ju merrni është misteri juaj. Asaj që jeni, ju i përgjigjeni: Amen, dhe përgjigjja juaj është si nënshkrimi juaj. Ju thuhet: “Trupi i Krishtit”, dhe ju përgjigjeni: “Amen”. Jini, pra, gjymtyrë të Trupit të Krishtit, që amen-i juaj të jetë i vërtetë. […] Jini ajo që shihni dhe merrni atë që jeni» (Predikimi 272: PL 38, 1247).

Menjëherë pasi kujton Darkën e Mbrame të Jezusit, Kushtetuta mbi Liturgjinë flet për Eukaristinë me këto thekse augustiniane. Për të krishterët, pjesëmarrja në tryezën e Zotit do të thotë të «formohen nga Fjala e Hyjit, të ushqehen në tryezën e Trupit të Zotit dhe t’i japin falënderim Hyjit» (khs. SC, nr. 48). Duke e pranuar Atë në Fjalën e tij dhe në Eukaristi, ne bëhemi ajo që marrim. Bëhemi Trupi, Kreu i të cilit është Krishti i Ngjallur, i ulur në të djathtën e Atit (khs. Kol 1,18), i cili na përgatit një vend në qiell (khs. Gjn 14,3). Kështu, Eukaristia është sakramenti i Mbretërisë që po vjen. Ajo është Buka e udhëtimit, që na udhëheq drejt Atdheut qiellor, deri në ditën e lume kur «Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë» (1 Kor 15,28).

Bashkësia liturgjike e ofron Flinë «jo vetëm nëpërmjet duarve të meshtarit, por edhe e bashkuar me të» (SC, nr. 48). Në këtë këndvështrim, Eukaristia është forma e flisë shpirtërore e të krishterëve (khs. Heb 13,16; Rom 12,1), si rrugë e bashkimit me Hyjin dhe e bashkimit ndërmjet tyre. Duke marrë pjesë në të, ata mësojnë «të ofrojnë vetveten dhe, dita-ditës, nëpërmjet Krishtit, të përfshihen gjithnjë e më shumë në njësinë me Hyjin dhe me njëri-tjetrin» (po aty). Kështu, duke na bashkuar me Krishtin, Eukaristia na mëson të përvetësojmë stilin e jetës së vetë Zotit Jezus, të shënuar nga dhurimi falas i vetvetes. Prandaj, ky dhurim na bën të hyjmë në dinamikën e njësisë, e cila ofron një kundërhelm të fuqishëm ndaj tharmeve të përçarjes që e kërcënojnë botën tonë, bashkësitë tona, familjet tona dhe zemrën tonë (khs. SC, nr. 47).

Shumë të dashur, kur marrim pjesë në Eukaristi, jemi të ftuar të dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe të ushqehemi në tryezën e Zotit, ku Ai vetë i kushtohet Atit. Këto dy pjesë të Meshës, Liturgjia e Fjalës dhe Liturgjia Eukaristike, «janë aq ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën, saqë formojnë një akt të vetëm kulti» (SC, nr. 56).

Sa i përket Fjalës, duhet kujtuar se nuk bëhet fjalë thjesht për të fituar njohuri intelektuale për Shkrimet e Shenjta, por për të pranuar Fjalën «e gjallë dhe vepruese» (Heb 4,12), që Hyji ua drejton të gjithëve dhe, njëkohësisht, secilit veçmas, Fjala që ushqen dhe gjallëron së bashku me Bukën Eukaristike, duke na bërë të kalojmë nga rrënimi i mëkatit në jetën e re në Krishtin. «Eukaristia na hap për njohjen e Shkrimit të Shenjtë, ashtu siç Shkrimi i Shenjtë ndriçon dhe shpjegon nga ana e vet Misterin Eukaristik» (Benedikti XVI, Nxitja Apostolike postsinodale Verbum Domini, nr. 55).

Koncili II i Vatikanit kërkoi që thesaret e Biblës të hapeshin më gjerësisht, në mënyrë që besimtarëve t’u ofrohej më me begati tryeza e Fjalës së Hyjit (khs. SC, nr. 51). Reforma liturgjike e përktheu këtë kërkesë në atë thesar që është Leksionari, domethënë libri që përmbledh të gjitha leximet biblike për kremtimet liturgjike. Kjo pasuri është nxjerrë nga burimi më i pastër i Traditës së gjallë, e cila bashkon besnikërinë ndaj traditës me hapjen ndaj një përparimi të ligjshëm (khs. SC, nr. 23).

Fillimi i kapitullit II të Kushtetutës mbi Liturgjinë është i përshkuar nga referime ndaj lumit të madh të Traditës, që rrjedh nga Etërit e Kishës deri te ne. Po e citoj: «Shëlbuesi ynë, në Darkën e Mbrame, natën në të cilën qe tradhtuar, themeloi flinë eukaristike të trupit dhe të gjakut të vet, për ta  përjetësuar në shekuj, deri në kthimin e tij, flinë e kryqit, dhe kështu për t’ia besuar nuses së vet të dashur, Kishës, përkujtimin e vdekjes dhe të ngjalljes së tij: sakrament dashurie, shenjë njësimi, lidhje dashurie, gostí pashkvore, në të cilën merret Krishti, shpirti mbushet me hir dhe na jepet pengu i lavdisë së ardhshme» (SC, nr. 47).

Të dashur vëllezër e motra, le të marrim me fe nga ky burim i jetës hyjnore dhe të lejojmë që të shndërrohemi nga misteri që kremtojmë.

 

Përkthimi: Rev. “DRITA”

Shpëndaje: