BESIMI I DASHUR, DORËZIMI I PLOTË DHE GËZIMI

Një udhë e jetuar nga Shën Nënë Tereza e frymëzuar nga Jezusi dhe Maria

 

Nga Don Fatmir Koliqi

 

“Besimi i dashur,

dorëzimi i plotë dhe gëzimi,

ashtu siç i jetuan Jezusi dhe Maria në Ungjill.”

– Shën Nënë Tereza

 

Herë pas here, motrat e Shën Nënë Terezës në Shkup dhe në Pejë, më kërkonin të shkoja për të kremtuar meshë në shtëpitë e tyre dhe të mbaja konferenca shpirtërore, gjatë tërheqjeve shpirtërore, që ato i mbajnë të enjteve, ashtu si ua kishte lënë trashëgimi Nëna, për të adhuruar Krishtin dhe për t’u ushqyer me Të, si burim dhe fuqi për të arrirë të shërbejnë në “luginën plotë me lot” të njerëzimit ku ato dërgoheshin.

Ky angazhim shpirtëror, që e bëja me shumë dashuri, më dërgoi te tekstet e Kongregatës së Motrave të Dashurisë, pra, tekste që janë bazë e jetës rregulltarë të motrave, të shkruara prej Nënë Terezës, dhe përbëjnë një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore për të gjithë Kishën. Në ato shkrime gjeta njërën ndër përkufizimet më të sakta të jetës së kushtuar të Nënë Terezës dhe motrave të saja: “Besimi i dashur, dorëzimi i plotë dhe gëzimi, ashtu siç i jetuan Jezusi dhe Maria në Ungjill”, e vendosur në fillim të kësaj përsiatjeje, prej të cilit u frymëzua edhe ky shkrim në 10-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016). Pse më ka tërhequr kjo, është sepse përmes një rreshti të ngjeshur mjeshtërisht Nëna ka përpiluar një mënyrë të jetesës autentike ungjillore, një udhë shpirtërore, madje një program që ato e mishëruan në jetët e tyre. Porse, kjo nuk është vetëm për motrat, por nëse i marrim edhe ne me seriozitet këto virtyte ungjillore, mund të ndryshojnë jetët tonë. Shën Nënë Tereza, pra, na lë një formulë të thjeshtë, por jashtëzakonisht të thellë për një jetë të realizuar: besimi i dashur, dorëzimi i plotë dhe gëzimi.

Këto tri fjalë nuk janë tri realitete të ndara, por tri hapa të së njëjtës udhë: ta duash Hyjin, t’ia besosh Atij jetën dhe, duke jetuar në Të, të bëhesh burim gëzimi për të tjerët. Dhe Nënë Tereza nuk e shpiku këtë udhë. Ajo e gjeti dhe e mësoi në Ungjill. E gjeti në Jezusin dhe në Marinë. Dy persona me të cilët Gonxhja u rrit në Shkup – te Zemra e tejetshenjtë e Jezu Krishtit dhe te Virgjëra Mari në Shenjtëroren e Letnicës, që ajo e quante me butësi bijërore Zoja jonë.

 

  1. BESIMI I DASHUR

Besimi i krishterë nuk është vetëm të besosh se Hyji ekziston. Besimi është t’i besosh Hyjit.

Ka një dallim të madh ndërmjet këtyre dyjave. Mund të besojmë se Hyji ekziston dhe, megjithatë, të jetojmë sikur gjithçka varet vetëm prej nesh. Mund të flasim për Hyjin, të lutemi, të marrim pjesë në liturgji, por në zemër të mos ia kemi dorëzuar ende jetën Atij.

Maria na mëson diçka tjetër. Kur engjëlli i sjell lajmin e madh, ajo nuk i ka të gjitha përgjigjet. Nuk e di të ardhmen. Nuk i di të gjitha pasojat. Por ajo beson. “Unë jam shërbëtorja e Zotit; më ndodhtë siç the ti!” (Lk 1,38). Kjo përgjigje është besim i dashur: jo një besim i ftohtë, jo një ide, jo një formulë, por një besim që thotë: “Zot, nuk i kuptoj të gjitha, por të besoj Ty.”

Edhe Jezusi e jetoi këtë besim në marrëdhënien e Tij me Atin. Në jetën e Tij tokësore, Ai nuk ecën sipas logjikës së pushtetit, suksesit apo lavdisë njerëzore. Ai ecën në bindje të plotë ndaj Atit.

Këtu qëndron edhe madhështia e Nënë Terezës: Ajo nuk e ndërtoi jetën mbi sigurinë se gjithçka do të shkonte mirë, ose më mirë të themi se ajo besoi se veprimtaria që ia kërkoi Jezusi, do ta udhëheq Ai. E ndërtoi mbi sigurinë se Hyji ishte besnik dhe nuk do ta lente vetëm. Në këtë logjikë mund ngritët edhe pyetja jonë: A i besojmë Hyjit vetëm kur gjërat shkojnë mirë, apo edhe kur rruga bëhet e errët? Sepse besimi i vërtetë fillon pikërisht aty ku përfundojnë siguritë tona.

 

  1. DORËZIMI I PLOTË

Pas besimit vjen dorëzimi. Nëse besoj se Hyji më do, atëherë mund t’ia dorëzoj Atij jetën time. Maria nuk tha vetëm: “Po, besoj.” Ajo tha, në thelb: “Po, jam e jotja.” Ky është dorëzimi. Dorëzimi i krishterë nuk është dorëzim përballë humbjes. Nuk është pasivitet. Nuk është heqje dorë nga përgjegjësia. Përkundrazi, është ta vendosësh veten në duart e Hyjit dhe pastaj të veprosh me gjithë fuqinë përgjegjshëm dhe me dashuri.

Jezusi në Gjetseman na jep shembullin më të lartë: “Jo vullneti im, por yti u bëftë!” (khs. Lk 22,42). Këto janë ndër fjalët më të vështira të Ungjillit, por njëkohësisht edhe ndër më autentiket të besimit dhe dorëzimit në Hyjin. Sepse ne shpesh i themi Hyjit: “U bëftë vullneti yt” – përderisa vullneti i Tij përputhet me vullnetin tim. Por kur Hyji na kërkon të falim, ne rezistojmë; kur na kërkon durim, ne ankohemi; kur na kërkon të fillojmë përsëri, themi se është tepër vonë, e nuk besojmë më as në vetën tonë e le më në Hyjin. Se ai mund të bëjë çdogjë të re, e të dhurojë një të ardhme krejt ndryshe nga ajo e kaluara dhe e tashmja. E, kur na kërkon të dalim nga egoja, nga mbyllja në vetvete, për t’i shërbyer tjetrit, pyesim me logjikën e një tregtari: “Po unë çfarë fitoj?”

Nënë Tereza e kuptoi se dashuria e vërtetë kërkon dorëzim. Nuk mund ta duash Krishtin vetëm me pjesët e jetës që të përshtaten. Atij duhet t’ia dorëzosh edhe frikën, edhe lodhjen, edhe plagët, edhe planet, edhe të ardhmen. Dorëzimi i plotë është të thuash: “Zot, merre atë që jam dhe bëj me mua atë që dëshiron Ti.”

Kur ne lëshohemi në dorë të Zotit atëherë mund të themi si Shën Pali, “jetoj, por jo më unë, por në mua jeton Krishti.” (Gal 2, 20). Krishti e bën jetën tonë më mirë se ne që mund të duam për vete.  Edhe Maria, tha “le të bëhet” jo “dua ta bëjë”… – kjo është besim i plotë, dorëzim, lëshim në besimin në veprën e Zotit që do ta bëjë në ne.

 

3. GËZIMI

Fjala e tretë e rrugëtimit të plotë është gëzimi. Kjo mund të duket, në shikim të parë, e çuditshme: si mund të flasim për gëzim kur Jezusi shkon drejt kryqit? Si mund të flasim për gëzim kur Maria qëndron pranë kryqit të Birit të saj? Si mund të flasim për gëzim kur Nënë Tereza jetoi mes të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve dhe njerëzve që vuanin?

Ndoshta na duket e çuditshme, se gëzimin e kemi kuptuar si një mungesë të sakrificës, dhimbjes dhe vuajtjes. Porse, gëzimi i krishterë nuk është mungesa e dhimbjes. Gëzimi i krishterë (njerëzor) është prania e Hyjit brenda dhimbjes. Prandaj gëzimin nuk duhet ta kuptojmë vetëm si një buzëqeshje sipërfaqësore. Gëzimi është një qëndrim shpirtëror. Është bindja se, edhe në natën më të errët, Hyji nuk më ka braktisur.

Nënë Tereza e dinte se njeriu nuk ka gjithmonë mundësi t’ia heqë tjetrit dhimbjen – këtë e ka kuptuar edhe takimin e mortajës së madhe njerëzore – braktisjes, vuajtjes, indiferentizmit dhe vdekjes -, por gjithmonë mund t’ia bëjë dhimbjen më njerëzore dhe, duke dhuruar dashuri, më të dinjitetshme për ta jetuar deri në fund. Nëna na ka mësuar se në momentet tmerrësisht mënjanuese e braktisjeje të dhimbshme të njerëzve, ti mund t’i japësh një buzëqeshje, një fjalë, një dorë, një lutje, pak kohë, afërsi prej njeriu. Në këtë mënyrë, gëzimi bëhet shërbim.

 

4. NJË PROGRAM PËR JETËN

Ndoshta kjo thënie e Nënë Terezës mund të bëhet edhe për ne një program i jetës së krishterë:

E para: të mësojmë të besojmë: Të mos kemi vetëm një fe të trashëguar, por një marrëdhënie të gjallë me Krishtin.

E dyta: të mësojmë të dorëzohemi: Të mos duam gjithmonë ta kontrollojmë gjithçka, por të dimë t’ia besojmë jetën Hyjit.

E treta: të mësojmë të gëzohemi dhe të bëjmë të tjerët të gëzohen (në Hyjin): Sepse një i krishterë që e ka takuar vërtet Krishtin nuk mund jetë mërzitur, pa jetë të gëzueshme, e për pasojë edhe të mbetet indiferent ndaj tjetrit.

Besimi që nuk bëhet dashuri, e thotë në mënyra të ndryshme e gjithë tradita e madhe e Kishës, ai besim mbetet i paplotë. Dhe dashuria që nuk sjell gëzim, shpresë dhe jetë, duhet të pyetet përsëri për burimin e saj; nëse vërtetë rrjedh prej Jezusit, apo prej dikujt tjetër.

Ndoshta sot nuk na kërkohet të bëjmë gjëra të mëdha. Na kërkohet vetëm një “po” e vogël, por e vërtetë. Një “po” si ajo e Marisë – për të bashkëpunuar me planin e shpëtimit. Një “po” si ajo e Jezusit ndaj Atit – në dëgjesë deri në kryq.

Një “po” si ajo që Nënë Tereza e përsëriti gjatë gjithë jetës së saj – dhe u bë laps i Zotit në historitë e shumë njerëzve, laps për të shkruar atë që Zoti do për çdo njeri, për njerëzimin.

Sepse, shenjtëria nuk fillon kur bëjmë gjëra të jashtëzakonshme. Shenjtëria fillon kur gjërat e zakonshme i jetojmë me një dashuri të jashtëzakonshme.

Dhe kjo është trashëgimia e madhe e Shën Nënë Terezës: Të besosh me dashuri. Të dorëzohesh pa frikë. Të jetosh me gëzim. Dhe, mbi të gjitha, ta bësh Krishtin të dukshëm në jetën tënde. Prandaj, me Shenjtëreshën tonë, mund të themi:

Po, Zot, të besoj.

Po, Zot, ta dorëzoj jetën time.

Po, Zot, dua të jem gëzim për tjerët. Amen.

Shpëndaje: