Leoni XIV në Gjenacan: Papa hyn në historinë e shenjtërores

Ati i Shenjtë kthehet në vendin, që deshi ta vizitonte vetëm dy ditë pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Para meshës, zbulohet piktura, që tregon Leonin XIV duke u lutur para fugures së Zojës së Këshillit të Mirë. Është një gjest, që e vendos atë në kujtimin për Papët, të cilët, para tij, e vizituan këtë vend: Urbani VIII, Piu IX, Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II.

 

Gjenacani pret sot për herë të dytë Papën Leoni XIV. Në qendrën e lidhur me augustinianët dhe me Zojën e Këshillit të Mirë, Ati i Shenjtë kthehet në vendin, që deshi ta vizitonte vetëm dy ditë pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Një vizitë private, atëherë, gati një nevojë e zemrës; ndërsa sot, një ngjarje publike, në prag të festës liturgjike të Lindjes së Virgjërës Mari, që shqiptarët e quajnë Zoja e Vogël.

Kësaj radhe, ka edhe një imazh, i destinuar të mbetet në historinë e shenjtërores. Para meshës, zbulohet piktura, që tregon Leonin XIV duke u lutur para fugures së Zojës së Këshillit të Mirë. Është një gjest, që e vendos atë në kujtimin për Papët, të cilët, para tij, e vizituan këtë vend: Urbani VIII, Piu IX, Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II. Portretet e tyre tashmë zbukurojnë muret e kapelës së vogël të shenjtërores.

E ka diçka kuptimplote në mënyrën se si portretizohet Leoni XIV: jo para një turme, duke ushtruar autoritetin e tij, por në lutje, para shën Marisë. Është ky imazhi, që shoqëron historinë personale të Robert Francis Prevost, i cili, si frat augustinian, e ka njohur këtë shenjtërore shumë më parë se të bëhej Papë, ndërsa tani, kthehet këtu përsëri për t’ia besuar veten Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve.

Katolikët shqiptarë e dinë fort mirë se kanë një histori të përbashkët me urdhrin rregulltar të Papës. Në vitin 1467, fugurja e Zojës u shfaq në murin e kishës në ndërtim e sipër, e shoqëruar nga dy shtegtarë shqiptarë që nga Shkodra, nga ku iku për t’iu shpëtuar otomanëve pushtues. Që atëherë, Gjenacani u bë vend shtegtimi e përkushtimi ndaj Shën Marisë, në një përshpirtëri që shtrihet përtej kufijve të Italisë. Një kopje e u fugures së Nënës së Këshillit të Mirë u kthye sërish në Shkodër, bashkë me Papën Gjon Pali II, për t’u vendosur në kishën rrëzë Rozafës e për të shënuar fundin e një diktature, që e pati rrënuar si otomanët atë vend kulti.

Tani edhe fytyra e Leonit XIV hyn në këtë histori. Por mbi të gjitha, piktura rrëfen një gjest: atë të një Pape i cili, para Nënës së tij, ndalet për t’u lutur.

Këtë mbrëmje, në prag të Lindjes së Virgjërës Mari, Leoni XIV kremton meshën dhe kthehet për t’u lutur para asaj fugureje të Nënës së Këshillit të Mirë, e cila, për të, përfaqëson edhe një kthim në origjinë. Gjenacani bëhet kështu një vend kujtese, feje e lëshimi në duart e Zotit: Zojës së Vogël, Papa i beson pikërisht këtë fe, që ende lind në këtë njerëzim të varfër, por madhështor – të brishtë si një filiz i njomë, por shenjë e besnikërisë së Zotit./Radio Vatikani

Shpëndaje: