Duke pritur pjesëmarrësit në takimin e Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë (International Catholic Legislators Network), Leoni XIV i paralajmëroi të ruhen nga rreziku që inovacioni të bëhet mjet i “kolonializmit ideologjik ose ekonomik”; “formë delikate sundimi” kjo, që rrezikon t’i bëjë kombet më të varura edhe më të varfra se ato më të pasurat. Papa e quajti, më pas, familjen “shkollë e njerëzimit” dhe ftoi t’u jepet shtytje politikave, për ta forcuar
Tundimi për të ndërtuar “një Kullë të re të Babelit ku pushteti, efikasiteti dhe kontrolli errësojnë fytyrën e personit njerëzor”. Ky është një nga rreziqet që Papa Leoni e theksoi gjatë takimit në Sallën Klementine, me pjesëmarrësit në Takimin e 17-të vjetor të Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë, organizatë e lindur në vitin 2010 me misionin e rrjetëzimit të ligjvënësve të krishterë në mbrojtjen e dinjitetit të çdo qenieje njerëzore. Papa kujtoi temën e takimit të tyre, mbajtur në Romë deri më 23 gusht, me titull “Dinjiteti njerëzor dhe Inteligjenca Artificiale: sfidat, mundësitë dhe kontrolli” – për të ofruar një reflektim të thellë, në anglisht, mbi inovacionin teknologjik, i cili sigurisht hap horizonte të reja, por njëkohësisht ngre edhe një çështje kuptimi, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si i shërben zhvillimit integral të personit.
Leoni kujtoi nevojën e një legjislacioni që mbron të drejtat dhe liritë e njeriut, duke e vigjiluar rrezikun e sundimit delikat nga kombet më të pasura. Përsëriti edhe doktrinën shoqërore të Kishës, si rrugë që duhet ndjekur. Pastaj, kundër kulturës së pushtetit, bëri thirrje për ndjekjen e “kulturës së dashurisë” të propozuar nga Kisha. Në këtë kuptim, është e nevojshme të mbrohet familja, “shkolla e parë e njerëzimit”. Ndaj për këtë arsye – rekomandoi Papa Leoni – “inteligjenca artificiale nuk duhet të lejohet kurrë ta gërryejë këtë qelizë parësore të shoqërisë”. Bota nuk ka nevojë për inteligjencë artificiale që zvogëlon njerëzimin; përkundrazi, ka nevojë për inteligjencë njerëzore të ndriçuar nga mençuria, për autoritet politik të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe inovacion teknologjik, të udhëhequr nga bamirësia. Vetëm atëherë inteligjenca artificiale nuk do të bëhet rivale e njerëzimit, por shërbyese e së mirës së përbashkët.
Legjislacioni i mirë
Audienca filloi me Papën, që kërkon falje për vonesën dhe bën shaka për vapën, “mirë se vini në saunën e Vatikanit”, u thotë të pranishmëve. “Familja jonë njerëzore, vijon, përballet me një zgjedhje themelore”. Duke folur për enciklikën Magnifica Humanitas, Papa na kujton se është e nevojshme të ndërtojmë një qytetërim në të cilin teknologjia është në shërbim të zhvillimit integral të çdo njeriu. Më pas thekson se parimet e doktrinës shoqërore të Kishës – dinjiteti i paprekshëm i çdo personi, e mira e përbashkët, destinacioni universal i mallrave, subsidiariteti dhe solidariteti – ofrojnë kritere të caktuara për dallim”. Prej këndej, edhe ftesa e Leonit XIV drejtuar ligjvënësve, që të mos pengojnë inovacionin, por ta udhëheqin “me mençuri”.
Legjislacioni i mirë duhet të inkurajojë krijimtarinë shkencore dhe teknologjike, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut. Duhet të mbrojë përdoruesit nga shfrytëzimi, të mbrojë privatësinë personale, të garantojë transparencën në përdorimin e teknologjive në zhvillim dhe të sigurojë që ato të forcojnë institucionet demokratike.
Forma të reja varësie
Bëhet fjalë për individualizimin e “kornizave të përshtatshme ligjore: mbikëqyrjen e pavarur, edukimin e përdoruesve, politike që nuk heq dorë nga detyra e saj”. Kjo vigjilencë në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar siguron se “asnjë ideologji apo interes specifik nuk i dikton vlerat e ngulitura në sistemet e inteligjencës artificiale”.
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale rrezikon të krijojë forma të reja të varësisë teknologjike, me kombet më të varura, gjithnjë e më shumë nga ato më të pasura. Ne duhet të mbetemi vigjilentë në këtë drejtim, për të parandaluar që inovacioni të bëhet tjetër mjet i kolonializmit ideologjik ose ekonomik.
Tundimi i dominimit
Algoritmet nuk mund të vendosin “kush shihet – e kush mbetet i padukshëm”, nëse duhet t’ia nënshtrojnë dinjitetin e punëtorëve optimizimit të sistemeve.
Këto zhvillime zbulojnë një fytyrë të re të tundimit të lashtë të sundimit dhe të pushtetit pa shërbim.
Familja, shkollë e njerëzimit
Është një rrugë për t’u ndjekur, që e kundërshton kulturën e pushtetit: “qytetërimi i dashurisë”, i propozuar nga Kisha; “qytetërim” – shpjegoi Papa – që di ta udhëheqë me mençuri inteligjencën artificiale, duke formuar zemra të afta për bamirësi, dhembshuri dhe përgjegjësi”.
Në një shoqëri të tillë, shkolla e parë e njerëzimit do të ishte familja. Sepse në familje ne mësojmë besimin para llogaritjes, bujarinë para konkurrencës, dialogun para ndarjes dhe dashurinë para pushtetit.
Kujdes, prandaj të mos e reduktoni familjen në të dhëna, modele ekonomike që e bëjnë jetën familjare ekonomikisht të pasigurt.
“Për këtë arsye, theksoi në përfundim Papa Leoni, ju inkurajoj të nxisni politika që forcojnë martesën dhe familjet, mbështesin prindërit në misionin e tyre edukativ dhe u krijojnë të rinjve mundësinë ta shikojnë me besim të plotë ardhmërinë”. /Vatican News


