Katekeza mbi Kushtetutën Sacrosanctum Concilium, 7. Muzika e shenjtë
Të dashur vëllezër e motra,
Kapitulli i gjashtë i Kushtetutës Sacrosanctum Concilium (SC) të Koncilit II të Vatikanit i kushtohet muzikës së shenjtë. Në të thuhet: «Tradita muzikore e Kishës përbën një thesar me vlerë të paçmueshme, i cili dallohet ndër shprehjet e tjera të artit, sidomos për faktin se këndimi i shenjtë, i bashkuar me fjalët, është pjesë e nevojshme dhe përbërëse e Liturgjisë solemne» (SC, 112), dhe më tej thekson: «Muzika e shenjtë do të jetë aq më e shenjtë, sa më ngushtë të jetë e lidhur me veprimin liturgjik, qoftë duke i dhënë lutjes një shprehje më të ëmbël, duke nxitur bashkimin e zemrave, qoftë duke i pasuruar ritet e shenjta me një solemnitet më të madh» (po aty).
Këtu gjejmë thelbin e mësimit konciliar, i cili pohon dhe e thellon funksionin misterial të muzikës në liturgji, të vënë tashmë në dukje nga Shën Piu X në Motu Proprio Inter sollicitudines (22 nëntor 1903). Muzika, në të vërtetë, është pjesë e veprimit liturgjik dhe jo thjesht një zbukurim i kremtimit. Në liturgji, të këndosh dhe të luash (instrumente) do të thotë të lutesh, duke e bashkuar zemrën tënde me zemrën e motrave dhe vëllezërve dhe me Hyjin, në pjesëmarrjen aktive në misterin që kremtohet. Në mënyrë të veçantë, muzika shpreh përmasën afektive të lutjes, siç pohon Shën Augustini: «Cantare amantis est», domethënë: «Të këndosh është veçori e atij që do» (Sermo 336, 1). Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ndihmon për ta hapur zemrën ndaj veprimit të Hyjit në hir dhe për t’i lejuar Atij që ta formësojë atë.
Këndimi, për më tepër, favorizon bashkësinë. Nëpërmjet harmonisë së zërave bën bashkimin e shpirtrave, duke kapërcyer dallimet ndërmjet njerëzve dhe duke i mbledhur të gjithë në lavdinë e Hyjit. Kështu bëhet epifania e Kishës, shfaqje e ndjeshme e bashkësisë që i përket vetë natyrës së saj.
Nga thellësia e vlerës teologjike të këndimit të shenjtë, si pjesë përbërëse e veprimit liturgjik, rrjedhin disa kërkesa. E para është që, përtej modave apo ndjeshmërive të veçanta të autorëve, ai duhet t’u përgjigjet, në çdo aspekt, asaj që është më e përshtatshme për çastin e kremtimit. Pastaj, forma, veçanërisht në aspektin melodik, duhet të jetë njëkohësisht fisnike dhe e thjeshtë, me cilësi të lartë muzikore dhe lehtësisht e ekzekutueshme, sidomos kur është menduar të këndohet nga e gjithë bashkësia liturgjike (khs. SC, 121).
Për të njëjtën arsye, Koncili rekomandon që edhe tekstet të jenë të përshtatshme, të thella dhe, njëkohësisht, lehtësisht të kuptueshme, të frymëzuara kryesisht nga Shkrimi i Shenjtë, librat liturgjikë dhe Tradita shpirtërore e Kishës. Për këtë duhet pasur kujdes, në mënyrë që të mbetet e gjallë dhe të rritet dinamika e shprehur në parimin e lashtë «lex orandi, lex credendi», domethënë: ligji i lutjes është edhe ligji i besimit.
Kushtetuta Sacrosanctum Concilium i kushton një hapësirë të gjerë temës së pjesëmarrjes aktive të besimtarëve (khs. nr. 114). Ajo «duhet të kuptohet […] duke u nisur nga një vetëdije më e madhe për misterin që kremtohet dhe për lidhjen e tij me jetën e përditshme» (Benedikti XVI, Nxitja apostolike pas-sinodale Sacramentum caritatis, nr. 52), në një «shpirt të kthimit të vazhdueshëm që duhet ta karakterizojë jetën e të gjithë besimtarëve» (po aty, nr. 55). Sa i përket mënyrës konkrete se si kjo pjesëmarrje mund të realizohet përmes rolit të veçantë të muzikës së shenjtë, Kushtetuta jep një përgjigje të qartë: «Të kujdesemi për brohoritjet e besimtarëve, përgjigjet, këndimin e psalmeve, antifonat, këngët» dhe «një heshtje të shenjtë» (SC, 30). Ajo gjithashtu nxit secilin, qoftë shërbestar apo besimtar, të kryejë «gjithçka dhe vetëm atë që, sipas natyrës së ritit dhe normave liturgjike, i takon atij» (SC, 28), në një baraspeshë harmonike ndërmjet shërbesave të ndryshme, ndërhyrjeve të ndryshme dhe çasteve të heshtjes.
Koncili i kushton një rëndësi të madhe këndimit gregorian, pa përjashtuar nga kremtimi edhe zhanre të tjera të muzikës së shenjtë. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe organos (khs. SC, 120), ndërsa përdorimi i instrumenteve të tjera lejohet «për sa kohë që janë të përshtatshme për përdorimin e shenjtë ose mund të përshtaten me të, janë në përputhje me dinjitetin e tempullit dhe ndihmojnë vërtet në ndërtimin shpirtëror të besimtarëve» (SC, 120).
Një temë e dashur për reformën konciliare është ajo e inkulturimit, edhe në fushën e muzikës së shenjtë. Në mënyrë të veçantë, lidhur me traditat muzikore të kulturave të ndryshme, theksohet rëndësia që ato të merren seriozisht në konsideratë, si pjesë e jetës fetare dhe shoqërore të njerëzve. Prandaj rekomandohet, nga njëra anë, që të gjithëve t’u ofrohet një «edukim i përshtatshëm i ndjenjës fetare» (SC, 119) dhe, nga ana tjetër, «për aq sa është e mundur […], të nxitet muzika tradicionale e këtyre popujve, si në shkolla, ashtu edhe në veprimet e shenjta» (po aty).
Në kontekstin liturgjik, një detyrë e veçantë i njihet schola cantorum, si një mjet i rëndësishëm baritor, zhvillimi i së cilës rekomandohet, me detyrën «të kujdeset për ekzekutimin e saktë të pjesëve që i takojnë asaj, sipas zhanreve të ndryshme të këndimit, dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive të besimtarëve në këndim» (Kongregata e Shenjtë e Riteve, Udhëzimi Musicam sacram, nr. 19).
Për këtë qëllim, kompozitori i muzikës së shenjtë është i thirrur ta njohë dhe ta ruajë thesarin muzikor të Kishës, duke u frymëzuar prej tij për të krijuar kompozime të reja në shërbim të liturgjisë, duke respektuar ndjeshmërinë bashkëkohore dhe traditat e ndryshme kulturore, në mënyrë që «të pastrojë kultin nga shmangiet stilistike, nga format e shkujdesura të shprehjes, nga muzikat dhe tekstet e cekëta e pak të përshtatshme për madhështinë e aktit që kremtohet, për t’i siguruar muzikës liturgjike dinjitetin dhe përsosmërinë e formës» (Shën Gjon Pali II, Letër për muzikën e shenjtë, 22 nëntor 2003, nr. 3).
Për të gjitha këto arsye, Etërit Konciliarë rekomandojnë që të nxitet formimi dhe praktika e muzikës së shenjtë «në seminare, në noviciatet e rregulltarëve dhe të rregulltareve, si dhe në kolegje, por edhe në institucionet e tjera dhe në shkollat katolike» (SC, nr. 115), dhe që muzikantëve e këngëtarëve t’u sigurohet një formim i qëndrueshëm liturgjik (krh. ibid.).
Të dashur vëllezër e motra, Etërit e Kishës e kanë çmuar shumë këngën liturgjike, si simbol të bashkimit kishtar. Prandaj mund ta përfundojmë me këto fjalë të bukura të Shën Injacit të Antiokisë: «Secili prej jush, njëri pas tjetrit, bëhuni një kor, që, në harmoni të plotë dhe duke marrë në unitet tonin e Hyjit, të këndoni njëzëri, përmes Jezu Krishtit, Atit, që Ai t’ju dëgjojë dhe, nga veprat e mira që bëni, të njohë se jeni gjymtyrë të Birit të tij» (Letra drejtuar Efesianëve, 4, 2).
Përkthimi: Rev. “DRITA”


