Të dashur vëllezër e motra,
Kapitulli i pestë i Kushtetutës së Koncilit Sacrosanctum Concilium (SC) i kushtohet vitit liturgjik, temë në të cilën dëshirojmë të ndalemi sot, për të shpjeguar rëndësinë dhe vlerën e tij në jetën e çdo besimtari.
Së pari, është e udhës të kujtojmë se kjo mënyrë e përcaktimit të ciklit të kremtimeve të krishtera si “vit liturgjik” u përhap në gjuhën kishtare falë veprës së Shërbëtorit të Hyjit, abat Prosper Guéranger (1805–1875).
Në enciklikën Mediator Dei, Papa Piu XII pohon se nuk bëhet fjalë për «një paraqitje të ftohtë dhe të pajetë të ngjarjeve që i përkasin së kaluarës, apo për një përkujtim të thjeshtë […] të realiteteve të kohëve të shkuara. [Viti liturgjik] është, përkundrazi, vetë Krishti, i cili jeton gjithmonë në Kishën e tij dhe vazhdon veprën e mëshirës së pamasë, të cilën e filloi […] gjatë kësaj jete të vdekshme […], me qëllim që shpirtrat njerëzorë t’i vërë në kontakt me misteret e tij dhe t’i bëjë të jetojnë përmes tyre; mistere që janë përherë të pranishme dhe vepruese» (III Divinum Officium et Annus Liturgicus, II Cyclus Mysteriorum). Prandaj, viti liturgjik duhet kuptuar si aktualizimi i vazhdueshëm i veprës së shëlbimit, të cilën Krishti e realizon në histori. Duke përshkuar këtë cikël kohor, Kisha mbetet në kontakt të gjallë me veprën shëlbuese të Zotit, kështu që të gjithë besimtarët mbushen me hirin e tij (khs. SC, 102c). Takimi me Jezusin, i cili vdiq dhe u ngjall për ne, është qëllimi që Kisha ndjek gjithmonë, duke e vendosur në qendër të çdo çasti kremtimin e ngjarjeve të Pashkëve.
Prandaj, Etërit e Koncilit e konsiderojnë pikërisht të dielën si “themelin dhe bërthamën e vitit liturgjik”, si “ditën zanafillore të festës” (khs. SC, 106). Në disa gjuhë moderne, vetë emërtimi i saj dëshmon se ajo është “dies Domini”, “dita e Zotit”. Edhe në ato gjuhë ku ka mbizotëruar lidhja me “ditën e diellit” (Sunday, Sonntag), mund të shihet një lidhje me Krishtin: Krishti është “dielli i vërtetë i drejtësisë”, që ndriçon çdo njeri!
Shën Gjon Pali II, në Letrën apostolike Dies Domini (31 maj 1998), mëson se e diela është dita e Zotit, dita e Kishës, dita e njeriut dhe, së fundi, “dita e ditëve”: «Duke qenë se e diela është Pashka javore, në të cilën përkujtohet dhe bëhet e pranishme dita kur Krishti u ngjall prej të vdekurve, ajo është edhe dita që zbulon kuptimin e kohës. […] Duke buruar nga Ringjallja, ajo e përshkon kohën e njeriut, muajt, vitet, shekujt, si një shigjetë drejtuese që i përshkon dhe i orienton drejt cakut të ardhjes së dytë të Krishtit. E diela parapërfytyron ditën e fundit, atë të Parusisë» (nr. 75), kur të gjithë do të ringjallemi.
Për ta shenjtëruar të dielën, është themelore kremtimi i Eukaristisë. Dëgjimi i Fjalës dhe pjesëmarrja në Trupin e Krishtit kërkojnë, sipas Etërve të Koncilit, convenire in unum (khs. SC, 106), domethënë përbashkimin e gëzueshëm të besimtarëve. Në këtë asamble, bashkësia e krishterë e bën të dukshëm bashkimin e vet me Zotin dhe dëshmon përkatësinë e saj ndaj Krishtit dhe besnikërinë ndaj Kishës. Kjo asamble nuk mund të zëvendësohet nga një prani thjesht virtuale, dhe as nuk kufizohet në një mbledhje thjesht pasive. Asambleja liturgjike bëhet realitet përmes pjesëmarrjes aktive të vëllezërve dhe motrave, të thirrur së bashku për «t’i dhënë falënderime Hyjit që i ka rilindur “nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, për një shpresë të gjallë”» (1 Pjt 1,3) (ibid.).
Në këtë drejtim, i nxis të gjithë që të kërkojnë kushtet më të përshtatshme, në mënyrë që të jetë e mundur të marrin pjesë në Meshën e shenjtë edhe ata që të dielave nuk kanë mundësi të lirohen nga puna.
Të dashur vëllezër e motra, viti liturgjik, i ritmuar nga të dielat, ka një histori të pasur dhe interesante, në të cilën ndërthuren feja dhe përshpirtëria e Kishës. Që në shekullin II pas Krishtit, kremtimit të Pashkës javore iu shtua edhe kremtimi i Pashkës vjetore, «solemniteti më i madh» (SC, 102), i shtrirë në “hapësirën tejet të gëzueshme” të pesëdhjetë ditëve, që kulmon me Rrëshajët, dhe i përgatitur nga koha e Kreshmëve, me karakterin e saj pendestar (khs. SC, 109). Zhvillimi i ciklit të Krishtlindjes, që ndodhi më vonë sipas modelit të ciklit të Pashkëve, bëri të mundur përjetimin sërish të mistereve të mishërimit të Fjalës së Hyjit, lindjes së tij dhe shfaqjes së tij ndaj botës. Më pas, Kisha përfshiu në kohët e ndryshme të vitit liturgjik nderimin e Virgjërës së lume Mari, «të lidhur në mënyrë të pandashme me veprën shëlbuese të Birit të saj» (SC, 103), si edhe «kujtimin e martirëve dhe të shenjtërve të tjerë, të cilët […] në qiell i këndojnë Hyjit lavdinë e përsosur dhe ndërmjetësojnë për ne» (SC, 104).
Kështu, viti liturgjik e riparaqet në formë sakramentale pedagogjinë e historisë së shëlbimit, duke i udhëhequr besimtarët prej pritjes së Mesisë drejt plotësisë së misterit të Pashkëve dhe drejt paraprirjes së lavdisë së ardhshme. Në të, Kisha kremton aktualitetin shëlbues të misterit të Krishtit, duke u mundësuar besimtarëve që të marrin pjesë gjithnjë e më thellë në të. Prandaj, viti liturgjik përbën parimin frymëzues dhe kornizën themelore të referimit për çdo veprimtari baritore.
Përktheu: Rev. “Drita”

Postimi i Mëparshëm
