Papa ka “përmirësim të vazhdueshëm”, kremton meshën me falënderime per personelin

Në ditën e katërt të qëndrimit të tij në spital, mjekët e Papës Leoni XIV bëjnë të ditur se analizat e reja të gjakut dhe radiografia e mushkërive konfirmojnë «përmirësimin e qëndrueshëm të gjendjes së tij të përgjithshme», ndërsa ai vazhdon fizioterapinë respiratore dhe kryen normalisht veprimtaritë e përditshme.

Të premten pasdite, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi një deklaratë të mjekëve të Papës Leoni XIV, të cilët bënë të ditur se përmirësimi i tij pas ndërhyrjes kirurgjikale vijon pa probleme. Dr. Luigi Carbone dhe prof. Stefano Margaritora deklaruan se Papa, edhe sot, “iu nënshtrua analizave të gjakut dhe një radiografie të mushkërive, të cilat konfirmuan përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes së tij të përgjithshme”. Ata shtuan se “vijojnë seancat e fizioterapisë respiratore”, duke theksuar se “rimëkëmbja pas ndërhyrjes kirurgjikale i mundëson të kryejë veprimtaritë e zakonshme të përditshme plotësisht i pavarur”.

Meshë me falenderime për personelin

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të ditur, më pas, se Papa Leoni XIV kremtoi sot në mesditë meshën, në dhomën e përgatitur enkas për këtë në katin e dhjetë të Spitalit Gemelli. Në meshë morën pjesë disa anëtarë të personelit mjekësor dhe infermieristik të Poliklinikës universitare, si edhe pjesëtarë të Xhandarmërisë së Shtet-Qytetit të Vatikanit. “Në homelinë e tij, Papa falënderoi të gjithë personelin — mjekët, infermierët dhe punonjësit ndihmës — për punën që bëjnë çdo ditë, duke u kujdesur për pacientët në gjendjen e tyre të brishtë e, veçanërisht, për gjithçka kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për të”, thuhet në deklaratë./ Vatican News

Shpëndaje: